Autor: Denis Tahiri
Rinia shqiptare është trashëgimtarja më e madhe e borxheve të shtetit. Gjetjet e Open Data Albania konfirmojnë të ardhmen jo fort të mirë për brezin e të rinjve.
“Për vitin 2022, stoku i Borxhit Publik është planifikuar të jetë rreth 1,40 biliardë Lekë, me një rritje prej 78.6 miliardë Lekë apo 6% krahasuar me stokun e borxhit publik të planifikuar për vitin 2021”, deklaron Open Data Albania, shifër e cila nënkupton se kostoja për frymë është rreth 496,040 lekë apo rreth 4099 Euro për banorë. Kjo shifër do të thotë se krahasuar me 2017, parashikohet që një qytetar shqiptar të paguajë rreth 117,343 lekë më shumë, me një rritje të kostos prej 31% për këtë pesëvjeçar.
Kjo panoramë gri duket se përshtatet me thënien e presidentit të 31 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Herbert Hoover. Ironikisht Hoover i cili qëndroi në detyrë gjatë “ Depresionit të Madh “ tha në atë kohë “ Lum rinia, sepse ajo do të trashëgojë borxhin publik”.
Shumë larg në kohë nga kjo shprehje , qeveria shqiptare përmend njërën nga krizat si ajo energjitike për të cilën i kërkohet qytetarëve që të ulin konsumin, të paguajnë rregullisht faturat e energjisë elektrike. Por në të njëjtën kohë institucionet shtetërore vijojnë të mbeten borxhlie ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Nga 1301 institucione në listën e “borxhlinjve” të OSHEE, fatura totale e borxhit që institucionet kanë deri ne korrik të 2022 është plotë 732,552,859 lekë. Në “listën e zezë” të faturave të dritave janë rezidencat studentore, si streha e të rinjve që ndjekin studimet e larta.
Rezidencat studentore të mbytura në borxhe
Ndërrmarrja e Trajtimit të Studentëve Vlorë, është institucioni i cili qëndron në krye të listës së debitorëve të OSHEE. Aktualisht në Shqipëri, konviktet i janë bashkëngjitur pushtetit vendor, por kjo gjë nuk ka ndodhur për Bashkinë e Vlorës dhe atë të Korçës. Numri i studentëve që jetojnë në konviktet e qytetit bregdetar nuk është asnjë vit i njëjtë, por varion nga 240 deri në 260 studentë në vit. Ambientet e akomodimit janë dy. Njëra prej tyre është një ndërtesë, e cila nga studentët cilësohet si godina e re për shkak se është rikonstruktuar në vitin 2019. Ndërsa studentët paguajnë me këste shumën për vitin akademik. 55 mijë lekë në vit paguhet për studentë për të qëndruar në godinën e rikonstruktuar, ndërsa 33 mijë lekë për në godinën numër 2. Nga të dhënat që disponon “Sinjalizo” rezulton se kjo ndërrmarrje është zhytur në një borxh prej 60 milionë lekë në total. Pjesën dërrmuese e zotëron borxhi ndaj OSHEE në vlerën e 47,206,879 lekë. Ndërkohë pjesa tjetër e borxheve mbetet ajo ndaj Ujësjellësit dhe Sigurimeve Shoqërore.
“Në 2013, kur u fshinë të gjitha borxhet e institucioneve, kjo ndërrmarrje nuk u trajtua njësoj nga ana e Ministrisë së Arsimit. Kanë qenë tre kontrata me OSHEE-së, u zerua vetëm borxhi i një kontrate me OSHEE ndërsa dy të tjerat nuk u trajtuan. Që prej asaj periudhe deri tani këto borxhe janë akumuluar”, tha për “Sinjalizo” në kushtet e anonimitetit një burim zyrtar i këtij institucioni. Ndërkohë “Sinjalizo” u interesua pranë OSHEE mbi kontekstin e kontratave ku sipas burimeve iu konfirmua se : “Ky institucion ka bërë edhe një akt marrëveshje, ku mund të paguanin me këste, ku kësti i binte rreth 6 milionë të vjetra në muaj”- deklaroi jo zyrtarisht njëri nga personat e kontaktit.
Ndërkohë dy kontratat që jane ende aktive të Ndërrmarjes së Trajtimit të Studentëve Vlorë, në listën e “borxhlinjve të OSHEE”, janë qartësisht të dallueshme për shkak të shumës së lartë. Një prej kontratave të kësaj ndërrmarrjeje ka shifrën e detyrimit total prej 36926630.4333 lekë, ku principali është 19413893.6233 lekë ndërsa kamatvonesa 17512736.81 lekë. Ndërkohë kontrata e dytë që figuron është në vlerën totale prej 10280249.48 lekësh ku principali është 5164005.4 dhe kamatvonesa 5116244.08 lekë. Po i njëjti burim pranë OSHEE kujton se problem mbeten rezidencat studentore.
Kush është përgjegjës?
Rezidenca Studentore Universitare Nr.1 e njohur ndryshe si Qyteti Studenti, është rezidenca studentore më e madhe në të gjithë vendin. Para pandemisë, kjo rezidencë akomodonte rreth 5400 studentë në godinat e saj, por numrat aktual nuk i ngjajnë fare shifrave të para pandemisë. Tarifat e akomodimit në këtë rezidencë nisin prej 49000 lekë deri në 60000 për 10 muaj. Por kushtet që ofrohen i kanë detyruar shumë të rinj që të kërkojnë ambiente të tjera me qera.
Edhe kjo rezidencë nivelin e borxhit të saj për energji elektrike e ka disa herë më të madh se ajo e Vlorës. Në një kontratë, e cila ka si objekt “DUSHET 1”, Rezidenca Studentore Universitare Nr. 1, ka një detyrim ndaj OSHEE në vlerën 15766855.9 lekë. Në total në 32 kontrata të lidhura me OSHEE, Rezidenca Studentore Universitare Nr.1 ka një borxh prej 242,036,712 lekë.
Nga ana tjetër, Ndërrmarrja Studentore Nr.2, për energjinë elektrike të përdorur i detyrohet OSHEE, 64544063.84 lekë për 5 kontrata. Ndërsa Ndërrmarja Studentore Nr.3 për 5 kontrata i detyrohet shpërndarësit të energjisë me një borxh prej 39078360.06 lekësh.
Për gjendjen aktuale financiare, për ekspertin Ndriçim Mehmeti, shkaku duhet gjendur te keqmenaxhimi që iu është bërë këtyre ndërrmarrjeve.
“Janë çështje të abuzimit, mundësi punësimi, punësojmë ca njerëz i çojmë dhe ska gjë se me shtetin merremi vesh. Ju e dini që këtu kanë ministritë borxhe për energjinë elektrike, ujësjellësin etj. Këto duke u mbuluar në mburojën e shtetit mendojnë se shteti i mbron nga të gjitha. Duke qenë se shteti nuk ua ka tërhequr ndonjëherë veshin, përveç KLSH që ka bërë ndonjë raport, shteti vet nuk ka bërë asnjë”, shprehet ai, duke shtuar se buxhetet negative të këtyre ndërrmarrjeve çojnë në ndikime negative të drejtëpërdrejta te studentët.
“Do mungojnë shërbimet që nga pastrimi dhe higjiena. Është njësoj si në qytetet, nuk do kesh më shërbime, sdo kesh pastrim të mirë, sdo kesh kushte higjienike, sdo kesh ripërtëritje në bazë të standarteve, se ne jemi edhe pa standarte ne vazhdojmë të kemi konvikte pa tualete brenda, është e pamundur, pa dushe”, thotë ai.
Ekspertët: Keqmenaxhimi çon në kushte të këqija të shërbimit ndaj studentëve
“Çdo vit këto ndërrmarje dalin me humbje, arsyeja e parë është se këto ndërrmarrje pasuritë e tyre nuk i shfrytëzojnë ekonomikisht”, thotë Rigels Xhemollari, nga Qendresa Qytetare, e cila ka monitoruar financat e ndërrmarrjeve studentore. Ai sjell në vëmendje edhe shembullin e qendrës më të madhe studentore që gjendet në kryeqytet. “Qyteti Studenti ka shumë prona që i ka lënë bosh ose të pashfrytëzuara, përfshirë edhe parkingun që ja ka dhënë bashkisë, pra ka një mungesë efiçente në shfrytëzim dhe patjetër që do dalin me humbje”, deklaron Xhemollari, duke shtuar se edhe financimi nga qeveritë lokale dhe ato qëndrore nuk kanë qenë të mjaftueshme.
Por kjo gjendje e vështirë financiare e ndërrmarjeve ndikon drejtëpërdrejt në cilësinë e jetesës së studentëve. “Studentëve u mungojnë edhe gjërat elementare, sapunët, letrat higjienike, dollapët etj dhe këto vijnë për shkak të mungesës së buxhetit”, numëron përfaqësuesi i Qëndresës Qytetare, duke shtuar se kjo ndikon më pas edhe në cilësinë e jetesës së tyre si dhe rezultatet e mësimeve, pasi për shumë për tyre mungojnë kushtet elementare për të studiuar në këto godina.
Standarti i ulët i konvikteve shqiptare as që krahasohet me Kosovën. E.H, 22- vjeç është studente në Universitetin e Prishtinës. E reja jetoi në kampusin universitar gjatë studimeve akademike ku dhe pagoi për ushqimin dhe strehimin 32 euro në muaj.
“Kishte shumë benifite për mua si konvikti ashtu edhe menza. Mund të them që favori më i madh ishte jo vetëm çmimi i lirë, por dhe kushtet mjaft të mira për një student” rrëfen e reja. Ajo nuk kupton aspak se si një kampus studentor mund të ketë detyrime për faturat e energjisë që bien më pas mbi kurrizin e të rinjve. “Në stinën e dimrit nuk kemi pasur probleme me ngrohjen, as me rrymën dhe ishte një favor mjaft i madh”, e mbyll 22 vjecarja.