Ida Ismalaj
Rreth 140 mijë individë me aftësi të kufizuara përballen çdo ditë me barriera si mungesë shërbimesh, mbështetje të kufizuar dhe një sistem që shpesh nuk arrin t’i përfshijë realisht. Në këtë kontekst, reforma për vlerësimin e aftësisë së kufizuar sipas modelit bio-psiko-social u prezantua si një hap modernizues, që do të zhvendoste fokusin nga diagnoza tek funksionaliteti dhe përfshirja sociale.
Por, raporti i organizatës Together for Life hedh dritë mbi një hendek të thellë mes premtimeve dhe zbatimit.
Reforma bio-psiko-sociale nisi si projekt pilot në tre qarqe që në vitin 2017. Por sot, mungon transparenca mbi atë që funksionoi dhe atë që dështoi. Nuk ka prova të qarta për një vlerësim të plotë të kapaciteteve njerëzore, infrastrukturës apo nevojave reale përpara shtrirjes së skemës në nivel kombëtar.
Vendimmarrje pa informacion dhe buxhete pa efektivitet
Komisionet shumëdisiplinore shpesh funksionojnë në mënyrë të izoluar. Kontributet nga mjekët e familjes, specialistët, shërbimet sociale dhe zyrat e punësimit mungojnë ose janë të pjesshme.
Raporti evidenton një boshllëk të thellë midis nevojave dhe shërbimeve të ofruara. Qendrat e shëndetit mendor mungojnë në shumë zona, ndërsa infrastruktura shpesh nuk është e përshtatur për aksesin e personave me aftësi të kufizuara.
Kjo situatë tregon se modeli bio-psiko-social, që kërkon një qasje të integruar, po zbatohet në një terren që nuk është ende gati për të.
Administratorët socialë janë në vijën e parë të zbatimit të reformës. Ata janë ura mes sistemit dhe qytetarëve. Por, raporti tregon se kjo hallkë kyçe funksionon me burime të pamjaftueshme, trajnime të kufizuara dhe mungesë standardizimi në dokumentacion.
Një nga kontradiktat më të forta që nxjerr në pah raporti lidhet me financat publike. Nga viti 2019 deri në 2024, fondet për personat me aftësi të kufizuara janë rritur nga 15.86 miliardë lekë në 19.6 miliardë lekë. Në të njëjtën kohë, shpenzimet janë rritur me 24%.
Por, pavarësisht këtij zgjerimi buxhetor, numri i përfituesve ka pësuar një ulje me 2.684 individë që kanë marrë pagesa, duke ngritur shqetësime mbi efektivitetin e masave qeveritare dhe mjeteve të përdorura për zbatimin e buxhetit.
Raporti evidenton se vetëm 3.2% e fondeve të alokuara për periudhën 2019-2024 mund të gjurmohen në mënyrë të qartë përmes të dhënave publike. Kjo mungesë transparence e bën të vështirë vlerësimin e ndikimit real të shpenzimeve dhe hap rrugë për keqmenaxhim.
Pagesat direkte për personat me aftësi të kufizuara mbeten të ulëta, duke variuar nga 10% deri në 21% të pagës mesatare. Krahasuar me vende të tjera evropiane me profil të ngjashëm, këto nivele janë dukshëm më të ulëta.
Ligji shqiptar parashikon mekanizma për nxitjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara, përfshirë Fondin Social të Punësimit. Por, në praktikë ky fond nuk është zbatuar.
Numri i personave me aftësi të kufizuara të punësuar ka rënë nga 82 në vitin 2019, në vetëm 18 në vitin 2022. Ndërkohë, fondet për programet e punësimit përbëjnë vetëm 1% të totalit të shpenzimeve. Për më tepër, të dhënat nga institucionet shtetërore janë kontradiktore, duke krijuar një pasqyrë të paqartë mbi situatën reale të tregut të punës për këtë kategori.
Raporti i Together for Life rekomandon që qeveria shqiptare duhet të hartojë një Strategji Kombëtare Afatgjatë për Aftësinë e Kufizuar për periudhën 2026-2030, e cila të vendosë objektiva konkrete dhe të matshme për përmirësimin e cilësisë së jetës së personave me aftësi të kufizuara.
Kjo strategji duhet të garantojë përfshirjen reale të tyre në hartimin e politikave dhe në proceset vendimmarrëse, duke i trajtuar jo si përfitues pasivë, por si kontribuues aktivë në shoqëri./acqj.al