Aksidentet; 48 orët që prodhuan bilanc “lufte”!

Në vetëm 48 orë, rrugët e Shqipërisë morën pesë jetë dhe lanë të plagosur të tjerë. Nga veriu në jug, aksidentet rikthyen të njëjtën panoramë: shpejtësi, pakujdesi, rrugë problematike dhe ndërhyrje të pamjaftueshme.

Denada Jushi

E premtja sjell mbylljen e një jave dhe shumë qytetarë vendosin të udhëtojnë drejt destinacioneve të ndryshme.

Pasditen e të premtes që kaloi, udhëtimi drejt Lezhës paraqiti një makinë të ndarë në dysh, një kaos njerëzish dhe zërin e një shoferi që kërkonte ambulancë, sepse dyshonte për viktima.

Aksi Thumanë-Milot i ngjante një skene lufte!

Për fat të keq, përplasja kokë më kokë kishte shkaktuar 3 të plagosur rëndë dhe humbjen e jetës së një zonje 61-vjeçare.

Por ky nuk ishte rasti i vetëm i kësaj fundjave.

Në vetëm dy ditë, rrugët në vend prodhuan një bilanc që nuk është sporadik, por një ngjarje që e shohim të ripërsëritet, për fat të keq, jo pak herë.

5 viktima dhe të paktën minimalisht 5 të plagosur në katër aksidente të rënda, nga veriu deri në jug të vendit.

Rasti më tragjik ishte ai i të shtunës në mbrëmje në aksin Lezhë-Kakarriq, ku një automjet doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal me ujë. Dy persona, babë e bijë, humbën jetën në vend.

Ata u gjetën vetëm pas alarmit të dhënë nga familjarët që nuk i kontaktonin dot.

Dinamika paraprake e policisë i tha ACQJ-së se mendohet se shoferja ka humbur kontrollin dhe ka rënë në kanal.

Pak orë më vonë, për fat të keq, në aksin Elbasan-Cërrik, një tjetër përplasje mes dy mjeteve i mori jetën një të riu dhe la një tjetër të plagosur.

Ai që humbi jetën ishte vetëm 28 vjeç.

Një tjetër rast me pasojë vdekje u regjistrua në Tiranë, në zonën e Kombinatit, ku një drejtues motoçiklete humbi jetën pas përplasjes me një kamion, ndërsa një tjetër person mbeti i plagosur. Aksidentet me mjete të tonazhit të rëndë dhe mjete të vogla, sidomos në zona urbane, janë ndër më të rrezikshmet për shkak të diferencës së madhe në peshë dhe mungesës së mbrojtjes për drejtuesit e motoçikletave.

Por gjithë ky bilanc, për fat të keq, është një panoramë që përsëritet.

Hyrja e vitit 2026 prodhoi të njëjtin bilanc për 48 orë, por nuk shohim përmirësim.

Ajo që i bashkon këto aksidente janë problematikat.

Shpejtësia, mungesa e sinjalistikës, pakujdesia nga ana e shoferëve apo këmbësorëve, mungesa e mbrojtjes anësore etj.

Në Shqipëri prej vitesh evidentohen segmentet problematike, që prodhojnë viktima, por nuk mësohet prej këtyre rasteve.

Eksperti i sigurisë rrugore Gëzim Hoxha thotë se aksidentet janë rezultat i një zinxhiri faktorësh si për shembull: sjellja e drejtuesit, kushtet e rrugës, standardet e mjeteve etj.

Pesë jetë të humbura në dy ditë do të duhej të ishte një shenjë që ndërhyrja në rrugët e Shqipërisë të ishte imediate.

Edhe pse Policia nuk mungon dhe gjobat janë të majme, këto mjete më shumë prodhojnë para të mbledhura sesa janë mësim për drejtuesit.

Sot, 5 viktimat dhe 5 të plagosurit nuk janë bilanc, por alarmi që situatat me aksidentet në Shqipëri janë problem i vazhdueshëm.

Secili prej nesh që nis të vozisë një makinë duhet të jetë i përgjegjshëm për jetën e tij, edhe të tjerëve.

Më mirë me vonesë, sesa të mos mbërrish kurrë!/acqj.al