Denada Jushi
Ngjarjet e rënda që ndodhin në shoqërinë shqiptare kanë ekspozuar vitet e fundit gjithnjë e më shumë një fenomen shqetësues: mënyrën se si po raportohen këto ngjarje, ekspozimin e videove, zbulimin e të dhënave të viktimave apo mosrespektimin e identitetit të familjarëve ende pa u kryer ceremonitë familjare.
Ky peizazh u bë edhe më i qartë ditën e diel, me rastin e aksidentit tragjik në Durrës, ku për pasojë humbën jetën dy të mitur.
Ende pa pasur një reagim zyrtar nga Policia, pa ditur se çfarë kishte ndodhur, videoja e aksidentit u shpërnda në mënyrë masive, duke e bërë edhe më tragjik këtë rast, ku ngjarja e rëndë u mësua nga familjarët e viktimave përmes medias.
Por nuk u mjaftua me kaq; raportimet pranë shtëpisë, pamjet nga ceremonia mortore, intervistimi i familjarëve e kthyen këtë ngjarje në një mbulim “live”, pa pasur parasysh në asnjë moment respektimin e dinjitetit të viktimave dhe dhimbjes familjare.
Në rrjetet sociale dhe faqet mediatike online, makuteria e klikimeve nuk kurseu as prindërit teksa vinin në shtëpi, apo trupat e mbuluar ende pa u larguar nga vendngjarja.
Gara për klikime prej kohësh është në pikun e saj, ku, për fat të keq, ka vrarë të gjitha rregullat dhe normat e gazetarisë. Nuk përmban pyetjet kryesore të profesionit:
A i shërben ky informacion apo kjo e dhënë publikut?
Kjo pyetje duhet bërë para çdo rasti që raportohet, vetvetes.
Gazetarja me përvojë Anila Hoxha thotë se shumë raste janë në ndërgjegjen e gazetarit dhe se ajo jo pak herë ka refuzuar t’i raportojë, edhe kur ka pasur ngulmim nga redaksia, sepse përpara gjithçkaje, së pari duhet të jesh njeri.
Rastet në Shqipëri kanë qenë jo të pakta. Një nga rastet më të rënda ishte kur një gazetë, tashmë online, publikoi foton e një fëmije të mitur, i cili ishte abuzuar dhe vrarë nga komshiu i tij.
U zbuluan gjeneralitetet, adresa e shtëpisë dhe çdo e dhënë tjetër.
Një tjetër rast i bujshëm ishte ai i një nëne që u vra në Kosovë në sy të fëmijëve të saj, me urdhër të bashkëshortit, një vit më parë. Mbulimi i kësaj ngjarjeje në Kosovë ishte tejet i kujdesshëm, ndërsa në Shqipëri binte në kontrast mënyra se si u trajtua.
Kulmi ishte kur disa ditë më pas, pasi gjykata doli me vendim, në mediat online në Shqipëri qarkulloi videoja e vrasjes, ku shihej trupi i saj.
Ishte lutja e vëllait të viktimës që vuri theksin se në mediat e Kosovës është respektuar mosdhënia e asaj videoje, ndërsa në Shqipëri jo.
Një komb me dy standarde.
Por çfarë ndodh me vendet europiane në këto raste?
Praktika në vendet e BE-së për raportimin e ngjarjeve të rënda, sidomos publikimin e videove të aksidenteve, viktimave apo skenave traumatike, është shumë më e rregulluar dhe më e kujdesshme sesa në shumë media në Ballkan. Ka disa parime të forta që ndiqen pothuajse kudo:
Së pari dhe mbi të gjitha:
Dinjiteti i viktimës mbi “klikimet”.
Në shumicën e vendeve të BE-së, publikimi i imazheve ku viktimat janë të identifikueshme (sidomos të vdekur apo të plagosur rëndë) konsiderohet shkelje etike dhe shpesh edhe ligjore. Mediat shmangin pamjet e trupave, gjakun apo momentin e vdekjes.
Në Gjermani apo Francë, kjo do të sillte pasoja serioze për median, duke nisur nga korniza ligjore, privatësia dhe mbrojtja e të dhënave.
Publikimi i një videoje ku dallohet fytyra ose targa e makinës pa leje mund të çojë në gjoba të mëdha.
Organizata si European Federation of Journalists apo kode kombëtare rekomandojnë paralajmërime për përmbajtje të ndjeshme apo përdorimin e pamjeve të përgjithshme, jo shokuese, dhe mbi të gjitha fokusimin te informacioni, jo sensacionalizmi.
Modeli europian bazohet te e drejta për informim kundrejt të drejtës për dinjitet dhe privatësi. Ndërsa në Shqipëri, e “drejta për klikime” ka shkuar aq larg sa ka mbytur jo vetëm profesionalizmin, por edhe humanitetin./acqj.al