Raporti i “Reporterëve pa Kufij”: Shqipëria, hapa pas në lirinë e medias

Shqipëria për vitin 2026 ndodhet në vendin e 83 për lirinë e medias nga 180 vende të renditura, ndërsa problemet shkojnë përtej renditjes. Presioni politik, ndikimi i pronarëve dhe pasiguria në punë po kufizojnë pavarësinë editoriale. Në një treg me pluralizëm numerik, por jo real, informimi i publikut mbetet i ndikuar nga interesa dhe jo nga standardet profesionale.

Ida Ismalaj

Sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të “Reporterëve pa Kufij”, Shqipëria këtë vit u rendit në vendin e 83-të nga 180 shtete sa i përket lirisë së medias, duke shënuar rënie krahasuar me një vit më parë, ku mbante vendin e 80-të. Edhe pse në periudhën e mëparshme ishte regjistruar përmirësim, zhvillimet e fundit tregojnë një prirje negative.

Raporti nënvizon se pavarësisht garancive kushtetuese, mbrojtja e konfidencialitetit të burimeve është e pamjaftueshme, ndërsa në disa raste mediave u është ndaluar të raportojnë për çështje të ndjeshme me interes publik.

Një tjetër dimension i problemeve të medias në Shqipëri lidhet me kushtet e punës së gazetarëve, ku informaliteti dhe pasiguria janë në rritje. Sipas të dhënave, puna pa kontratë, pagat e vonuara dhe mosderdhja e sigurimeve janë bërë praktikë e përhapur, ndërsa niveli i informalitetit është dyfishuar në tre vite, nga 6% në 12.9%. Kjo situatë shoqërohet me kontrolle të kufizuara dhe ndëshkime minimale, duke krijuar një mjedis ku gazetarët përballen me presion ekonomik dhe mungesë mbrojtjeje, faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në pavarësinë dhe cilësinë e informacionit publik.

Një tjetër problem strukturor në median shqiptare sipas RSF lidhet edhe me ndikimin e pronarëve mbi vijën editoriale, ku pluralizmi mbetet kryesisht numerik dhe jo real. Në Forumin e 11-të të Zhvillimit të Medias të organizuar nga OSBE, të organizuar në tetor 2025, vënë në dukje tashmë lidhjet e pronarëve me interesa ekonomike në sektorë si ndërtimi, turizmi dhe koncesionet ndikojnë drejtpërdrejt përmbajtjen mediatike. Kjo krijon sfida të theksuara për pavarësinë editoriale, transparencën dhe qëndrueshmërinë financiare, veçanërisht në median publike, duke kufizuar rolin e gazetarisë si mbrojtëse e interesit publik.

Në nivel rajonal, “Reporterët pa Kufij” vlerësojnë se liria e shtypit në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi po përkeqësohet. Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Serbia, sipas raportit aspirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, por të tre shtetet janë armiqësore ndaj gazetarisë dhe të cenueshme ndaj propagandës, ndërsa rënia në renditje për këto vende reflekton presionin politik dhe institucional mbi mediat. Rajoni, sipas organizatës, po shndërrohet në një mjedis ku ligjet dhe praktikat përdoren gjithnjë e më shumë në favor të pushtetit dhe në dëm të informimit publik.

Në këtë panoramë, Kosova paraqet një zhvillim të kundërt, duke u ngjitur në vendin e 84, 15 pozita më lart se një vit më parë, pas një rënieje të fortë që e kishte çuar në vendin e 99. Megjithatë, edhe ky përmirësim konsiderohet i brishtë. Sipas raportit, gazetarët vazhdojnë të jenë subjekt i sulmeve politike, ndërsa problem mbetet edhe funksionimi i rregullatorit:

“Rregullatori joefektiv i mediave, Komisioni i Pavarur për Media (KPM), ishte subjekt i një reforme legjislative, e cila u shpall jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese” u gjente për Kosovën raporti i Reporterëve pa Kufij.

Të dhënat e fundit tregojnë një kontrast të fortë mes renditjes dhe realitetit. Shqipëria po përballet me rënie dhe probleme strukturore, ndërsa Kosova, ndonëse në përmirësim, mbetet e brishtë përballë presioneve politike dhe institucionale. Në tërësi, Ballkani Perëndimor po shfaq një regres të qëndrueshëm në lirinë e medias, ku përparimet mbeten të kufizuara dhe lehtësisht të kthyeshme.

Mali i Zi renditet në vendin e 41 (nga 37 sa ishte vitin e kaluar) në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij. Maqedonia e Veriut sivjet u radhit në vendin e 45 (ka shënuar rënie pasi vitin e kaluar ishte në vendin e 42), Shqipëria është vetë një pozitë më lart se Kosova, pra në vendin e 83, Bosnjë dhe Hercegovina në vendin e 90 (vitin e kaluar ishte në pozitën e 86) dhe Serbia më së keqi, duke u radhitur e 104 (vitin e kaluar ishte në vendin e 96).

Sipas raportit, rajoni i Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore vazhdon të jetë në vendin e parafundit në radhitje në indeksin e këtij viti, ndërkaq zona e BE-së dhe Ballkanit është në vendin e parë pavarësisht rënies së kushteve në gazetari.

Në indeksin e organizatës “Reporterët pa Kufij”, në vendin e parë sa i përket lirisë së shtypit është Norvegjia, ndërsa në vendin e 180 është Eritrea./acqj.al