Në një botë ku ngacmimi seksual në vendin e punës vazhdon të jetë një çështje të cilën shumë përpiqen ta injorojnë ose ta minimizojnë, historitë e Mirelës dhe E.D tregojnë për një realitet të dhimbshëm që shumë gra përjetojnë çdo ditë. Ndërsa legjislacionet e reja dhe lëvizjet sociale sikurse #MeToo kanë hedhur më shumë dritë mbi këtë plagë, rruga drejt një mjedisi të sigurt dhe të barabartë pune është ende e gjatë.
Mirela (emër jo i vërtetë) është ndër të pakëta punonjëse, e cila në katër vitet e fundit ka kërkuar mbrojtje nga Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) për shkak të ngacmimeve seksuale të herëpashershme në vendin e punës nga eprori i saj. A.GJ duke mbajtur postin e shefit të Sigurisë së Forcës Portuale të Shëngjinit, nisi të hakmerrej ndaj vartëses së tij pasi u gjend përpara mospëlqimit të mesazheve erotike të dërguara prej tij në aplikacionin e Whatsapp-it.
A.GJ i ngarkoi vartëses së tij kryerjen e turneve 24 orëshe, pagesa e të cilave nuk u realizua si formë hakmarrjeje e refuzimit të kërkesës për të patur një raport në intim.

Prej vitit 2015 Mirela është e punësuar në Portin Detar të Shëngjinit, megjithatë deri në vitin 2021 kur Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi nxorri të vetmin vendim diskriminimi për këto 3 vite, midis saj dhe eprorit A.Gj debatet kanë qenë të shumta, përfshirë edhe konfliktime në prani të kolegëve të tjerë në këtë port detar. Pas ankesës pranë KMD-së, Mirela bëri kallëzim penal në vitin 2021 edhe pranë Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Lezhë, çka do e ndihmonte më pas për të vërtetuar akuzat e ngritura ndaj eprorit të atëhershëm.
Ndryshe nga Mirela, E.D, punonjëse në një nga institucionet publike të vendit, nuk mori guximin të ngrite zërin tek drejtori i saj në momentin kur shefi i sektorit e goditi tek të pasmet.
“Më goditi tek të pasmet dhe më pas duke u gajasur më tha: Bëje më mirë punën tënde e doli nga zyra”,- thotë E.D, sipas së cilës shefi i sektorit kishte marrëdhënie të mirë miqësie me drejtorin, ndaj dhe nuk besonte se do të mund t’i tërhiqej vëmendja ose do të pezullohej për një sjellje të tillë ndaj saj.
“Do të ishte fjala ime kundra atij. Në atë kohë, unë kisha 3 muaj që punoja në këtë institucion, ndërsa ai mbi 5 vite”,- thotë E.D, duke shtuar se pas 1 viti ish-shefi i sektorit u largua nga vendi i punës.
Çfarë mund të cilësohet si “ngacmim seksual” është e vështirë të kuptohet nëse ngjarjet midis dy a më shumë individëve nuk ndiqen hap pas hapi. Megjithatë, në linja të përgjithshme, ndër të tjera, “ngacmimi seksual” përfshin komente të padëshiruara, duke ngjallur bezdi e përçmimi te personi që i adresohen, të cilat shkojnë deri në kërkesa të vazhdueshme për kontakt shoqëror a seksual. Ngacmimi seksual mund të shkojë edhe përtej prekjeve fizike. Në funksion të tij mund të vendoset edhe teknologjia me anë të realizimit të posterave, telefonatave bezdisëse që mund të pasohen nga ndërhyrje apo kontakte fizike që pengojnë lëvizjen normale të punës kur i adresohet një individi.
“Turpi” për të adresuar ngacmimin seksual
Robert Gajda, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi thotë për “Sinjalizo” se rastet e adresuara si “ngacmim seksual në vendin e punës” pranë këtij institucioni janë shumë të pakëta në krahasim me përmasat e këtij fenomeni në vendin tonë, ndonëse me ndryshimet ligjore ngacmimi seksual shihet si një formë diskriminimi.

Sipas Gajdes, një nga problematikat kryesore gjatë trajtimit të këtyre rasteve qëndron në provimin e tyre. Duke iu referuar rastit të raportuat nga Matilda, ai thotë se Prokuroria luajti një rol ndihmues në mbledhje e materialeve që tregonin se ndaj saj ishte kryer ngacmimi seksual.
“Në rastin konkret edhe neve na ndihmuan shumë provat materiale që Prokuroria kishte arritur të mblidhte”, thotë Robert Gajda, i cili sqaron se në raste të tilla është e domosdoshme ndihma nga institucionet e tjera për shkak se kanë më shumë mundësi për të mbledhur prova, të cilat shfrytëzohen nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi për daljen e një vendimi.
Gjatë eksperiencës së tij pranë këtij institucioni, Robert Gajda pranon se asnjë rast nuk është raportuar nga meshkujt për ngacmim seksual në vendin e punës.“Rastet që na janë adresuar kanë qenë vajza dhe gra”,- thotë Gajda për “Sinjalizo”.
Sipas nenit 32 të Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë, punëdhënësit dhe punëmarrësit ndalohen rreptësisht të kryejnë veprime të cilat përbëjnë shqetësim seksual për personat e tjerë në vendin e punës. Sipas legjislacionit shqiptar, ngacmimi seksual nuk është i përcaktuar por dënimi për kryerjen e kësaj vepre penale shkon deri në 1 vit deri në 7 vite burg.
“Sinjalizo” iu drejtua Ministrisë së Drejtësisë për numrin e rasteve ku të pandehurit janë akuzuar për ngacmim seksual në vendin e punës, por sipas përgjigjjes së këtij institucioni informacioni i marrë nga gjykata përcakton vetëm shkeljen e nenit përkatës (neni 108/a), pa bërë të mundur detajimin e çështjeve.
Gjatë periudhës 2-vjeçare, 1 janar 2022-1 janar 2024, janë vendosur përballë Drejtësisë shqiptare 64 persona të akuzuar për ngacmim seksual. Të gjithë të pandehurit të akuzuar për këtë vepër penale i përkasin gjinisë mashkullore.
Sipas një studimi të realizuar nga organizata joftimprurëse Together for Life (TFL), 35% e 1026 personave në marrëdhënie pune në zonat urbane të vendit, kanë shprehur bindjen se gratë përballen rregullisht me ngacmime seksuale në vendin e punës. 70% e tyre pranojnë se ngacmimet seksuale kalojnë rëndom pa u hetuar kur ndodhin në vendin e tyre, duke paraqitur si arsye kryesore mungesën e besimit në gjetjen e një zgjidhjeje, frikën nga paragjykimet dhe turpin për ta raportuar.
Me qindra ngacmime seksuale, por jo fenomen shqiptar
Në Shqipëri numërohen me qindra raste të ngacmimeve seksuale, ku autorët janë përballur gjatë dënimit me institucionet përgjegjëse. Sipas shifrave zyrtare, ngacmimet seksuale nuk ndodhin vetëm ndaj vajzave dhe grave, ndonëse rastet më të shumta janë raportuar nga kjo gjini. Policia e Shtetit nëpërmjet përgjigjjes së Kërkesës për Informacion ka bërë të ditur për “Sinjalizo” se gjatë dy viteve të mëparshme(viti 2022 dhe 2023) janë evidentuar si vepra penale të ngacmimit seksual 152 raste, nga të cilat 29 raste janë meshkuj. Gjatë të njëjtës periudhë janë arrestuar nga Policia për këtë vepër penale 49 persona, ndërkohë që u janë nënshtruar masave në gjendje të lirë 68 të tjerë.
Juristja dhe pedagogia e Drejtësisë në Fakultetin e Tiranës, Nadia Guni, thotë për “Sinjalizo” se kriminalizimi i ngacmimeve seksuale është një nga ndryshimet ligjore positive të realizuara duke iu referuar rekomandimeve dhe legjislacioneve ndërkombëtare.
“Ngacmimet seksuale përbëjnë vepër penale. Janë kriminalizuar edhe marrëdhëniet intime, për shembull edhe ndërmjet personave që mund të mos jenë bashkëshortë, por janë partnerë edhe fizikë, edhe emocionalë”,- përfundon Guni.
Ngacmimet seksuale në vendin e punës hapën një debat pothuaj global, nga lëvizja në SHBA, “Me too”(unë gjithashtu).
Sipas një studimi të kryer në 192 vende të botës pas kësaj lëvizjeje, tregoi se #MeToo ndikoi pozitivisht në ndalimin e ngacmimeve seksuale në vendin e punës. Kjo lëvizje u shoqërua me një sërë ndryshimesh në legjislacionet e vendeve të ndryshme, të cilat kanë ashpërsuar masat e trajtimit të kësaj vepre penale.
Historite e Mirelës dhe E.D nuk janë vetëm dy shembuj të qindra rasteve të ngacmimeve seksuale në vendin e punës, por janë pasqyra e një sfidë të madhe shoqërore që kërkon qëndrim të qartë e veprim të vendosur.
Ngacmimi seksual nuk duhet lënë vetëm në dorën e institucioneve përkatese dhe organeve të drejtësisë.
Përmes ndërgjegjësimit, ndryshimeve ligjore, angazhimit me të madh të shoqërisë civile dhe mbështetjes së fortë shoqërore, mund të hapen rrugët për një mjedis pune ku të gjithë ndihen të sigurt dhe të vlerësuar, pa frikën e ngacmimit apo diskriminimit.
Për fat të keq deri më tani respekti dhe barazia janë vetëm pritshmëri, por jo realitet për të gjithë në vendin e punës.
Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/