Sporti në Shkolla, gjenerata e notës 10 dhe… obezitetit

Ligji parashikon tri orë edukim fizik në javë. Në shumë shkolla, ato kalojnë në kafene, zëvendësohen me lëndë të tjera ose mbyllen me një notë 10 pa zhvilluar mësim. Ndërsa një në tre fëmijë në Shqipëri është mbipeshë ose obez, sporti shkollor mbetet një premtim i pambajtur mes investimeve, mungesës së kontrollit dhe llogaridhënies.

Rexhina Papa

Pse fiskultura u kthye në një “orë pa vlerë” dhe kush po abuzon me shëndetin e fëmijëve?

E mbani mend kohën kur bënit edukim fizik në shkollë? Ndoshta kujtimet tuaja janë të mbushura me imazhe të një fushe me dhera e gurë, ku vraponit pas një topi të vjetër që të gërvishtte këmbët më keq se guriçkat e zallit. Ndoshta kujtoni oborret a ndonjë shesh, ku çdo rrëzim përkthehej në gjunjë të vrarë e rroba të grisura.

Në dhjetor të vitit 2021, qeveria shqiptare prezantoi një vizion tjetër: një projekt madhor, pothuajse olimpik. U premtua se do të investoheshin plot 5 milionë euro për zhvillimin e sportit në shkolla, se do të ndërtoheshin palestra moderne e funksionale në çdo cep të vendit, se bashkitë do të ktheheshin në motorë të jetës sportive dhe se epoka e klubeve private që ushqeheshin nga evazioni fiskal do të merrte fund.

Sot, në vitin 2026, më shumë se katër vite pas atyre deklaratave pompoze, realiteti tregon një pamje krejt tjetër. Kur shikon dokumentet zyrtare, si Strategjia Kombëtare për Arsimin 2021-2026, zbulon me çudi se nuk ekziston asnjë objektiv i qartë apo i matshëm për sportin në shkolla. Premtimet e bujshme kanë mbetur në letër, ndërsa në terren, lënda e edukimit fizik po trajtohet si një “orë pushimi”, si një shaka pa kripë, ose më keq akoma, si një hapësirë ku nxënësit ftohen të bëjnë çfarë të duan, mjafton të mos krijojnë zhurmë.

Realiteti në terren: “ora e kafenesë” dhe 10-tat

Sipas ligjit nr. 79/2017 “Për Sportin”, duke filluar që nga viti akademik 2014-2015, lënda e edukimit fizik në të gjitha nivelet e klasave nga 1 deri në 12 duhet të zhvillohet 3 herë në javë. Ligji gjithashtu parashikon integrimin e orëve teorike ku nxënësit duhet të marrin njohuri bazë mbi shëndetin, anatominë, ushqyerjen dhe rëndësinë e aktivitetit fizik.

Por, si zbatohet ky ligj në Shqipërinë e vitit 2026? Një vëzhgim i thjeshtë në shkollat e vendit tregon se hendeku mes asaj që shkruhet në ligj dhe asaj që ndodh në terren është i frikshëm.

Në shkollën 9-vjeçare “Gjergj Kastrioti” në Lezhë, Eri*, një nxënës i kësaj shkolle, tregon se si organizohej kjo orë mësimi:

“Ne djemtë luanim futboll në orën e fiskulturës, ndërsa vajzat thjesht rrinin e bisedonin në oborr. Për to kishte më shumë kërkesë llogarie vetëm kur mësueset u kërkonin të pikturonin postera me tematikë sportive në vend që të lëviznin.”

Kjo situatë bëhet akoma më e rëndë në shkollat profesionale. Në shkollën “Kolin Gjoka” në Lezhë, nxënësit tregojnë se shpesh orën e edukimit fizik e kalojnë në kafene. Kur pyeten se si vendoset nota në fund të semestrit, përgjigjja e tyre është sa komike, aq edhe tragjike:

“Nota vendoset sipas notave të tjera që kemi në regjistër për lëndët teorike. Nëse i ke të gjitha 9 dhe 10, mësuesi të vendos 10 edhe në fiskulturë, pa pasur nevojë të të shohë fare në fushë. Kjo ndodh kur mësuesi nuk të njeh fare, ose kur mes nesh nuk futet miqësia.”

Por nëse mendoni se kjo ndodh vetëm në periferi, gaboni. Edhe në zemër të Tiranës, në shkolla që konsiderohen si elitare, si gjimnazi “Ismail Qemali”, situata nuk ndryshon shumë. Arlindi*, një maturant nga ky gjimnaz, flet me zhgënjim:

“Ka qenë ora më e pavlerë që kemi bërë ndonjëherë. Orët edukative ose teorike i bënim ndoshta një herë në semestër, por as që i mbaj mend. Vlerësimi merrej thjesht sipas prezencës në klasë. Vajzat e kanë pasur profesoreshën pak më të vështirë, ndërsa profesori ynë rrinte në kafe sapo fillonte ora e deri sa të mbaronte ajo. Kur vjen puna te vlerësimi ama, të gjithë marrin 10.”

Në shkollën “Besnik Sykja” në Tiranë, nxënësit kujtojnë se gjendja ka qenë aq absurde sa u duhej të mblidhnin para vetë për të blerë topa, pasi shkolla nuk u siguronte as mjetet më minimale të punës.

Izolimi në zonat rurale

Kur zhvendosemi në zonat më të thella, gjendja merr përmasa dramatike. Në fshatin Lleshan të Elbasanit, në shkollën “Abdullah Hida”, Meri* tregon:

“Ne e kalonim këtë si një orë argëtuese, por kur binte shi apo bënte ftohtë, thjesht futeshim brenda në klasë sepse nuk kishte palestër ku të strehoheshim.”

Të njëjtën gjë konfirmon edhe një ish-nxënëse e fshatit Sovjan në Korçë, në shkollën “Nevruz Vila”. Ajo tregon se edukimi fizik bëhej jashtëzakonisht rrallë. Shpesh, kjo orë zëvendësohej me orë shtesë matematike ose lëndë të tjera që konsideroheshin “më të rëndësishme”. Ndërkohë, në të njëjtin rreth, në gjimnazin “Raqi Qirinxhi” në qytetin e Korçës, ora e fiskulturës zhvillohet rreptësisht, duke treguar qartë diskriminimin e thellë dhe mungesën e barazisë mes fëmijëve që rriten në fshat dhe atyre në qytet.

Në Kukës, në shkollën “Bajram Curri”, Drini*, një nxënës i klasës së gjashtë, përshkruan përditshmërinë e tij:

“Luajmë te oborri i shkollës se nuk ka asnjë ambient sportiv apo palestër. Gjatë orës luajmë hapa-dollapa, letra, ose ndonjëherë futboll e basketboll nëse kemi top. Nuk mbaj mend të kemi bërë ndonjëherë orë teorike apo të na kenë shpjeguar diçka për shëndetin.”

Mësuesit: “skulptorë pa daltë e pa çekan”

Për të kuptuar se pse ka dështuar ky sistem, duhet të dëgjojmë ata që janë në vijën e parë të frontit: mësuesit e edukimit fizik. Jorgo Papa, një mësues me përvojë që ka ushtruar profesionin e tij për katër vite në disa shkolla të fshatrave të Vlorës, përshkruan me detaje dramën e këtij profesioni.

Për shkak të numrit të vogël të nxënësve dhe pamundësisë për të plotësuar normën e orëve mësimore në një shkollë të vetme, Jorgos i është dashur të mbulojë dy ose tre shkolla të ndryshme brenda të njëjtit vit shkollor, duke udhëtuar çdo ditë në rrugë të vështira rurale.

“Nuk mund t’i vësh faj një nxënësi apo një mësuesi që nuk bën mësim kur nuk ekzistojnë as kushtet minimale, qoftë edhe për të bërë një vrapim të thjeshtë. Përgatitja fizike e fëmijëve sot është jashtëzakonisht e dobët, dhe fajtore për këtë është mungesa e palestrave dhe mjeteve.”

Një nga shqetësimet më të mëdha të ngritura nga Papa është zëvendësimi i mësuesve të certifikuar të edukimit fizik me mësues të lëndëve të tjera (si histori, gjeografi apo matematikë) thjesht për të plotësuar normat e tyre javore.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm: një mësues që nuk është specialist i kësaj fushe, nuk di si ta organizojë orën. Ai thjesht do t’u hedhë një top fëmijëve dhe do t’u thotë ‘shkoni e luani jashtë’. Kjo nuk është edukim fizik, kjo është thjesht mbikëqyrje oborri.”

Jorgo Papa tregon se si kjo shpërfillje vjen shpesh edhe nga vetë drejtoritë e shkollave apo zyrat vendore të arsimit:

“Nëse unë kërkoj të organizoj një aktivitet sportiv, përballem me dhjetëra pengesa burokratike. Ndërsa për lëndë si biologjia apo kimia nuk ka asnjë pengesë, ata mund të marrin orë dhe ditë të tëra për projekte. Kur këtë shpërfillje e bën vetë drejtoria, nuk ke më ku të ankohesh.”

Sa i përket vlerësimit me nota, ai pranon hapur se regjistrat janë të mbushur me nota fiktive:

“Unë ta garantoj me përgjegjësi profesionale: nëse sot në shkollat tona vlerësimi do të bëhej me meritokraci të plotë, nxënësi me notën më të lartë në edukim fizik do të ishte shtata. Jo sepse ata nuk kanë potencial, por sepse sportet kërkojnë teknikë dhe disiplinë që nuk u mësohet asnjëherë. Shteti kërkon rezultate, por nuk na jep as një top vollejbolli apo një rrjetë.”

Duket se mësuesit kanë mbetur si skulptorë që u kërkohet të bëjnë art me një copë shkëmb në dorë, por pa u dhënë as daltën e as çekanin.

Gropa buxhetore e rikonstruksioneve

Ku shkojnë paratë e taksapaguesve që destinohen për sportin? Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe të Sportit, gjatë periudhës 2021-2024 janë rikonstruktuar gjithsej 26 ambiente sportive në të gjithë vendin. Për këto investime, së bashku me kostot e rindërtimit të shkollave përkatëse, është shpenzuar një shifër prej 1.3 miliardë lekësh.

Megjithatë, një analizë e thelluar e këtyre shifrave zbulon një skandal të madh financiar: ky buxhet ka devijuar me mbi 500 milionë lekë nga kostoja fillestare e planifikuar. Çka është edhe më shqetësuese, 7 nga këto shkolla të rikonstruktuara rezultojnë në dokumente pa asnjë kosto të planifikuar fillestare.

Eksperti i njohur i ekonomisë, Eduart Gjokutaj, shpjegon se këto të dhëna flasin për një keqmenaxhim të rëndë dhe devijim të madh buxhetor, që përkthehet në një rritje shpenzimesh prej rreth 85% më shumë se sa plani fillestar.

Gjokutaj sqaron se ky fenomen është një plagë e vjetër e menaxhimit të financave publike në Shqipëri:

“Ky lloj devijimi tregon një menaxhim joefikas të parasë publike. Ose kemi të bëjmë me një nënvlerësim të fortë të kostove në fazën e projektimit, ose me ndryshime të shpeshta e të pajustifikuara të projektit gjatë zbatimit. Këtu hyjnë vonesat, ndikimi i inflacionit të pakontrolluar dhe kontratat e keqmenaxhuara që nuk monitorohen nga askush. Fakti që 26 palestra ndërtohen,  por kostoja fluturon në qiell nuk mund të konsiderohet sukses. Paratë e tepërta të shpenzuara për shkak të fryrjes së kostove mund të kishin shërbyer për të ndërtuar palestra në dhjetëra shkolla të tjera që sot nuk kanë asnjë ambient sportiv.”

Edhe atje ku investimet janë kryer, problemet nuk janë zgjidhur. Në gjimnazin “Hajredin Beqari”, mësuesi Jorgo Papa dëshmon se edhe pse palestra u ndërtua, ajo u dorëzua plotësisht bosh:

“Kemi një godinë të re, por nuk kemi mjete. Pasi u bëmë pjesë në projektin ‘Ekipet Sportive në Shkolla’ siguruam disa topa për të bërë dhe orën e mësimit. Disa ua dhurova 9-vjeçares, as ata nuk kishin.” Por a është normale që një shkollë të varet nga projekte të jashtme për të pasur një top futbolli?

“Ekipet Sportive në Shkolla”: sukses apo dështim

Projekti “Ekipet Sportive në Shkolla”, i cili trumpetohet me të madhe nga qeveria dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), ka ngritur shumë pikëpyetje tek ekspertët e fushës. Për të marrë pjesë në këtë projekt dhe për të përfituar bazë materiale, shkollat duhet të plotësojnë kritere shumë të rrepta: të kenë të paktën dy ekipe të formuara (një me djem dhe një me vajza).

Nëse një shkollë në fshat ka numër të vogël nxënësish dhe nuk e plotëson dot këtë numër, aplikimi i saj refuzohet automatikisht. Gjithashtu, për të zhvilluar stërvitjet, shkolla duhet të ketë patjetër palestër dhe një mësues të edukimit fizik që bën aplikimin. Në këtë mënyrë, shkollat që kanë më shumë nevojë për mbështetje s’kualifikohen që në hapat e parë. Metodologjia e projektit është përjashtuese dhe penalizon pikërisht ata fëmijë që kanë më pak mundësi.

Universiteti: nota maksimale, por nivele minimale nga shkolla e mesme

Besnik Veliu, përgjegjës i Departamentit të Edukimit Fizik dhe Sportit në Universitetin e Tiranës, shprehet mjaft kritik për cilësinë e studentëve që vijnë nga sistemi parauniversitar:

“Kur ne testojmë studentët e rinj që vijnë nga gjimnazet në sporte popullore si volejbolli apo basketbolli, konstatojmë me keqardhje se ata nuk shfaqin as nivelin më minimal të përgatitjes. Kjo tregon se në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnaze nuk po bëhet asnjë punë serioze. Studentët na thonë hapur se nuk kanë bërë fare orë edukimi fizik gjatë viteve të tyre të shkollës.”

Për sa i përket projektit të ekipeve sportive, Veliu nuk kursen tonet e ashpra:

“Ky është një projekt i keqmenaxhuar që nuk është diskutuar me grupet e interesit dhe specialistët e vërtetë. Kanë kaluar katër vjet dhe ne nuk kemi parë asnjë gjimnazist të këtij projekti që të bëhet pjesë e ekipeve të reja kombëtare apo klubeve profesioniste. Janë miliona euro të shpenzuara që nuk kanë dhënë asnjë efekt real në sportin shqiptar.”                    

Përveç problemeve të zbatimit, ky projekt bart edhe një shkelje të hapur të ligjit. Sipas Nenit 6 të Ligjit nr. 79/2017 “Për Sportin”, Federata Shqiptare e Sportit Shkollor dhe ajo e Sportit Universitar janë të vetmet organe që kanë ekskluzivitetin ligjor për të organizuar aktivitete garuese në shkolla. Asnjë organizatë tjetër nuk mund t’i ushtrojë këto atribute. Megjithatë, me anë të Vendimit të Këshillit të Ministrave (VKM) Nr. 893, datë 27.12.2022, ky rol i ka kaluar Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), i cili nuk është federatë dhe nuk e ka këtë tagër ligjor.

KOKSH, i pyetur zyrtarisht përmes emailit, është mbrojtur duke argumentuar se aktiviteti i tyre zhvillohet jashtë procesit mësimor dhe ka marrë dakordësinë e federatave përkatëse:

“Promovimi i lëvizjes olimpike në shkolla është pjesë e misionit dhe objektivave të KOKSH-it, të parashikuara në statutin e tij, si edhe mbështetet nga legjislacioni shqiptar në fushën e sportit.”

Kurse Ministria e Arsimit dhe Sportit u shpreh se Këshilli i Ministrave, në ushtrim të kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore, mund të miratojë programe dhe të akordojë fonde për projekte që konsiderohen me interes publik.

Kjo sipas tyre nuk përbën akt të njohjes së një federate sportive apo transferim të kompetencave të parashikuara në ligj.

“Mënyra e organizimit të një programi publik përcaktohet nga aktet administrative që rregullojnë zbatimin e tij dhe nga objektivat konkrete të projektit. Ligji nr. 79/2017, i ndryshuar, nuk vendos detyrim që çdo program shtetëror për zhvillimin e sportit të organizohet ekskluzivisht nga federatat sportive ose vetëm nëpërmjet tyre.”

Megjithatë, fakti mbetet: në vitin e parë të projektit u përfshinë vetëm 255 shkolla, kryesisht ato në qytete të mëdha që kishin tashmë palestra të ndërtuara. Fëmijët e zonave rurale dhe shkollat pa infrastrukturë u lanë sërish mënjanë.

“Fatura” shendetit: ⅓ e fëmijëve mbipeshë

Mungesa e aktivitetit fizik në shkolla nuk është thjesht një problem sportiv apo administrativ; ajo është një krizë e heshtur e shëndetit publik. Pediatre Loreta Gjoni shpjegon se pasojat e kësaj neglizhence po ndihen çdo ditë e më shumë në klinikat pediatrike:

“Aktiviteti fizik është një nga shtyllat kryesore të shëndetit të fëmijës, po aq i rëndësishëm sa ushqyerja e shëndetshme dhe gjumi cilësor. Gjatë moshës shkollore, ai ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e kockave dhe muskujve, përmirëson funksionimin e sistemit kardiovaskular, ndihmon në mbajtjen e një peshe trupore të shëndetshme dhe forcon sistemin imunitar. Përfitimet nuk janë vetëm fizike. Fëmijët që ushtrohen rregullisht kanë zakonisht përqendrim më të mirë në mësime, kujtesë më të zhvilluar, vetëbesim më të lartë dhe aftësi më të mira për të menaxhuar stresin dhe emocionet.”

Sipas raporteve më të fundit të OBSH-së, situata në Shqipëri është alarmante: rreth 1 në 3 fëmijë të moshës shkollore janë mbipeshë ose obezë. Kjo është kostoja e drejtpërdrejtë që paguajmë për neglizhimin e orëve të edukimit fizik ndër vite.

Doktoreshë Loreta tregon se këto probleme po bëhen gjithnjë e më të shpeshta:

“Në afat të shkurtër, mungesa e ushtrimit fizik i bën fëmijët të lodhen më shpejt, të kenë më pak rezistencë fizike dhe të shtojnë peshë në mënyrë të pashëndetshme. Në afat të gjatë, ky stil jetese pasiv rrit rrezikun për shfaqjen e obezitetit kronik, hipertensionit arterial, diabetit të tipit 2 dhe sëmundjeve kardiovaskulare që në moshë të re. Për shumë fëmijë që vijnë nga familje me të ardhura të pakta, shkolla është i vetmi vend ku ata kanë mundësi të ushtrohen rregullisht. Kur shkolla dështon t’ua ofrojë këtë mundësi, ajo po dëmton të ardhmen e tyre.”

Privatizimi i palestrave

Një tjetër paradoks i madh ndodh në shkollat e kryeqytetit. Ndonëse infrastruktura atje është më e mirë dhe palestrat ekzistojnë, nxënësit shpesh nuk mund t’i shfrytëzojnë ato lirisht. Përmes statusit të ri “Shkolla Qendër Komunitare”, palestrat e shkollave publike jepen me qira pas përfundimit të mësimit për subjekte private që zhvillojnë kurse të ndryshme sportive kundrejt pagesës.

I pyetur për këtë fenomen, institucioni i Bashkisë Tiranë u mbrojt duke thënë se ky është një proces tërësisht i rregulluar dhe transparent:

“Kurset sportive që zhvillohen pasditeve në palestrat e shkollave nuk organizohen nga individë në mënyrë private, por nga federata sportive, shoqata sportive dhe klube sportive, subjekte të regjistruara sipas legjislacionit në fuqi, të cilat kanë kaluar nëpër një proces të plotë konkurrues dhe transparent.”

Por nëse pyesni prindërit, realiteti ndryshon kryekëput. Një prind, fëmija e të cilit ndjek një kurs futbolli pasditeve në palestrën e shkollës “Hasan Prishtina” në Tiranë, dëshmon:

“Ne paguajmë çdo muaj tarifën e kursit te trajneri, por asnjëherë nuk na është dhënë një faturë tatimore apo kupon. Paratë jepen cash në dorë. Ku shkojnë këto para dhe kush mban përgjegjësi për to?”

Sipas monitorimeve të organizatës “Qëndresa Qytetare” të kryera në vitin 2024, 54% e institucioneve arsimore në Shqipëri nuk janë të profilizuara si Shkolla Qendër Komunitare. Kjo tregon një mungesë të thellë barazie mes nxënësve të rajoneve të ndryshme të vendit, ku pjesa më e madhe e fëmijëve nuk përfitojnë asnjë shërbim shtesë pas orarit mësimor.

Ndërkohë, shifrat që Ministria e Arsimit dhe e Sportit (MAS) i dedikon sportit nga buxheti i saj i brendshëm (pa përfshirë financimet e huaja) janë qesharake. Gjatë viteve 2021-2024, buxheti total i akorduar për sportin ishte më pak se 4 milionë lekë të reja (saktësisht 3,840,623.17 lekë). Kjo shifër përfaqëson më pak se 0.3% të buxhetit të përgjithshëm të ministrisë për vitin 2021, me një rritje të papërfillshme në vitet pasardhëse dhe një rënie me 0.2% në vitin 2024.

Kur shëndeti renditet i fundit

Në një kohë kur obeziteti po kthehet në një epidemi të heshtur dhe problemet e shëndetit fizik e mendor po prekin gjithnjë e më shumë brezin e ri, trajtimi i edukimit fizik si një orë “bosh” ose si një mundësi për të bërë biznes është një krim ndaj të ardhmes së vendit.

Tabelat e bukura të projekteve milionëshe dhe premtimet e bujshme të qeverisë nuk mund të fshehin të vërtetën e hidhur që shihet në çdo oborr shkolle: fëmijë që rrinë nëpër kafene sepse nuk kanë ku të bëjnë mësim, palestra që jepen me qira pa asnjë kupon tatimor, dhe mësues të kthyer në vëzhgues pasivë pa asnjë mjet pune në duar.

Nëse vërtet duam një shoqëri të shëndetshme, investimi te sporti shkollor duhet të pushojë së qeni një dekor për fushatat e radhës e të kthehet në një prioritet kombëtar. Eshtë koha që shteti të fillojë të investojë te shëndeti i fëmijëve përpara se kostot e kësaj harrese t’i paguajmë të gjithë së bashku nëpër spitale./acqj.al

*Emrat e nxënësve të shkollave në këtë artikull janë ndryshuar për të respektuar privatësinë dhe për të garantuar anonimitetin e tyre.