Shqipëria përballë inovacionit, ndikimi i ChatGPT në tregun e punës dhe në ekonomi

Autor: Dallandyshe XHAFERRI

Nëse ke nevojë për një letër motivimi, që do të tërheqë vëmendjen e punëdhënësit apo duhet të përfundosh brenda një kohe të shkurtër një ese, detyrë kursi, a projekt, nuk është më e nevojshme të humbasësh kohë, duke bërë kërkimin e të dhënave. Të vjen menjëherë në ndihmë ChatGPT, një sistem i krijuar nga kompania Open AI, themeluar nga Elon Musk. Bëhet fjalë për një teknologji revolucionare, që iu lejon kompjuterëve të kuptojnë dhe t’i përgjigjen gjuhës së folur, duke krijuar biseda “njerëzore” me një robot, që i përgjigjet pyetjeve, ndihmon në shkrimin e një teksti, e-mail-i etj.

ChatGPT u shpall me bujë të madhe nëntorin e vitit që shkoi, duke arritur shifrën e një milion përdoruesve vetëm javën e parë pas lançimit. Me kalimin e ditëve nisën edhe reagimet, që ndahen në dy grupe. Një pjesë e shohin si një zhvillim shumë pozitiv, por ka të tjerë që e kanë ndaluar. Për shembull, për një student ChatGPT është lajm shumë i mirë, por për një pedagog nuk është i tillë, sepse nuk arrin dot të kontrollojë dijet reale të studentëve të tij. Kështu, shumë universitete e kanë ndaluar përdorimin e këtij sistemi.

ChatGPT, sistemi i bazuar në inteligjencën artificiale, pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në tregun e punës në të gjithë botën. Sapo ka nisur të gjejë përdorim dhe të ndihmojë bizneset edhe në Shqipëri.

Jurgen Bode, designer dhe web developer, tregon për ACQJ se si kjo inteligjencë artificiale po gjen përdorim në biznesin ku ai punon.

“Në rastin e Buzi Store, ChatGPT ndihmon, duke analizuar preferencat e klientëve në bazë të historisë së tyre blerëse ose përmes pyetjeve të ndërmarrësve dhe jep rekomandime të personalizuara për produkte të dyqanit. – tregon Bode, duke pranuar se kjo praktikë i ndihmon klientët të përmirësojnë eksperiencën e tyre, blerëse. – Me ndihmën e tij reduktojmë kohën e përgjigjes dhe rrisim efikasitetin në dyqan. Përveç kësaj lehtëson në ngarkesën e punës për punonjësit e dyqanit”, – përfundon ai.

Jurgen Bode, Web developer

Ndërkohë, eksperti i IT, Said Duleviç, tregon se kjo platformë është përqafuar që në lançimin e saj, dhjetor 2022, kur, si rezultat i vizitave të shumta, web-i u bllokua. Ai pranon se tashmë ChatGPT është kthyer në një mjet të fuqishëm dhe interesant për sipërmarrësit.

“Tashmë ChatGPT është një mjet shumë i rëndësishëm i çdo biznesi, që bën artikuj, grafika, audio. Përdoret për këshilla, për të shkruar ese, për shkollë”, – numëron ai, ndërkohë që bën të ditur se tri platformat e ndryshme, që ai mirëmban në Shqipëri, po e përdorin ChatGPT për chat support, për përkthime në 3 gjuhë, për keywords (fjalë-kyçe), SEO etj.

Said Duleviç, ekspert IT

Automatizimi i punës, ndikimi i mundshëm në ekonomi

Tomi Kallanxhi, ekspert i IT-së, tregon se si çdo teknologji tjetër edhe pranimi i ChatGPT është parë me skepticizëm.

“Është njësoj si shpikja e makinës llogaritëse. Mësuesit u ngritën në protestë në vitin 1966, se mendonin se nxënësit do të bëheshin më dembelë, por në fakt ne do të bëhemi më multitasking, – thotë ai, duke shtuar se, – midis viteve 2030-2040 pritet të shkojmë në një pikë, ku inteligjenca artificiale do ta kalojë atë njerëzore. Kjo do na bëjë më autonomë si qenie, pasi një grup prej 4 vetash punojnë sa për 400 veta”, – tregon Kallanxhi, duke theksuar se për vendet e vogla si Shqipëria, ku krahu i punës po ikën, imitimi i forcës punëtore është pozitiv.

Pano Soko, ekspert ekonomie, thotë për ACQJ se ky zhvillim i teknologjisë do të sjellë ulje të kostove të bizneseve, të cilat kanë të bëjnë me modelimin gjuhësor, siç janë “kryesisht pjesët e sekretarive, përgatitja e materialeve prezantuese, shitjet etj.”.

“Njëkohësisht do të bëhet edhe më e lehtë puna për pedagogët. Do të ketë më tepër mundësi studimi, do të ketë më shumë mundësi për punë studimore, do të jetë më e disiplinuar puna etj.”, – thotë Soko, duke treguar se në këtë mënyrë do të ketë punonjës, që do të duhet të angazhohen në përdorimin sa më të mirë të platformës.

Pano Soko, ekspert ekonomie

“Natyrisht që kjo vjen edhe me njëfarë kostoje. Janë disa vende pune, të cilat do të sakrifikohen, pasi ChatGPT do të zëvendësojë punë, të cilat sot kryhen nga njerëz. Në momentin që këto punë do të automatizohen, këta njerëz do të kërkojnë një punë të re”, – përfundon Soko.

Jurgen Bode liston për ACQJ se në cilët sektorë të bizneseve ChatGPT po gjen zbatim, duke automatizuar procesin e punës.

“Bizneset mund ta përdorin ChatGPT për të ofruar një këshilltar virtual për klientët e tyre.

Përmes ndihmës së teknologjisë së gjuhës natyrale, ChatGPT mund t`iu përgjigjet pyetjeve të klientëve, të japë këshilla dhe të ofrojë informacion në mënyrë të menjëhershme dhe efikase”, – tregon ai, duke shtuar se tashmë klientët mund të marrin përgjigje për pyetjet e tyre, të marrin ndihmë të personalizuar. “ChatGPT, duke përdorur teknikat e gjuhës natyrale dhe të analizës së sentimentit, mund të ndihmojë në identifikimin e tendencave, problemeve të përbashkëta dhe nevojave të klientëve. ChatGPT mund të përdoret për të përpunuar detyra rutinore, si përgatitjen e raporteve, analizat e të dhënave ose detyra të tjera, të shkruara. Bizneset mund ta programojnë ChatGPT për të kryer detyra të tilla automatikisht, duke shërbyer si një “asistent virtual” për punonjësit e tyre”, – shprehet Bode, duke shtuar se kjo platformë po përdoret edhe për të automatizuar proceset e brendshme të bizneseve.

“Kjo përfshin përgjigjen automatike të pyetjeve nga punonjësit, ofrimin e informacionit të brendshëm, trajnimin e rekrutuesve për procedurat e punësimit ose ndihmën në shpërndarjen e dokumenteve në organizatë”, – përfundon Bode.

Në një raport të bankës Goldman Sachs theksohet se vendet e punës janë pjesërisht të ekspozuara ndaj AI.

“Megjithëse ndikimi i AI në tregun e punës ka të ngjarë të jetë i rëndësishëm, shumica e vendeve të punës dhe industrive janë vetëm pjesërisht të ekspozuara ndaj automatizimit dhe kështu kanë më shumë gjasa të plotësohen, në vend që të zëvendësohen nga AI”, – shkruajnë autorët.

Sfidat: Informacioni i pasaktë dhe digjitalizimi i universiteteve

Eksperti i IT, Duleviç, tregon se marrja e shpejtë e informacionit nuk shoqërohet pa sfida, njëra prej të cilave është dhe keqinformimi.

“Nga ana tjetër, përdorimi i ChatGPT, apo i këtyre ideve të shpejta, apo solucioneve apo zgjidhjeve të momentit, që ne marrim në kohë rekord, mund të shtojnë dhe pjesën e pasaktësive, pasi shpesh informacionet, që gjenerohen në këto teknologji, bazohen dhe në eksperiencat, në user-at e tjerë dhe ndonjëherë informacioni nuk është i saktë dhe këtu fillojnë problematikat”, – thotë Duleviç.

Por, ai thekson se, pavarësisht se sa të gatshëm janë shqiptarët për ta përqafuar këtë inteligjencë artificiale, ende aplikimi i saj mungon në universitete dhe në kurrikulat arsimore.

“Universitetet tona janë ende te lapsi dhe letra, edhe pse po flasim për programim apo teknologji, që bota i ka programuar që para 30 vitesh. Mendoj se duhet bërë një rishikim i rubrikave, që studentët tanë ta kuptojnë që AI, teknologjitë e reja dhe çdo gjë që ne po e shohim si fantashkencë, në 10 vitet e ardhshme do të jetë një realitet i pakundërshtueshëm, njësoj siç ndodhi me kompjuterin dhe internetin”, – përfundon Duleviç.

Sipas një raportiQëndresës Qytetare, 3 vite më parë, në vitin 2020, Universiteti i Tiranës nuk ka pasur asnjë investim për digjitalizimin e shërbimeve për studentët dhe rimbursimin e paketave të internetit. Ndërkohë, në buxhetin për vitin 2022, Universiteti i Tiranës ka shpenzuar 25,788,393 lekë për pajisje kompjuterike dhe elektronike, por në zërat e buxhetit nuk është investuar në programe digjitale, programim etj.

Ndërkohë, Edlira Gjoni, pedagoge dhe eksperte e shkencave të komunikimit, shprehet optimiste për sa i përket përdorimit të AI nga studentët.

“Personalisht nuk e shoh si problem, përkundrazi e shoh si platformë, që ndihmon studentët, që të shikojnë se si arsyetohet, se si argumentohet dhe se si vendosen në mënyrë shumë cilësore ato që ata mendojnë ose shkruajnë”, – thotë ajo, ndërkohë që shton se është e pamundur të mos identifikosh, nëse një punim është realizuar apo jo nga studentët.

Edlira Gjoni, pedagoge dhe eksperte e shkencave të komunikimit

Edlira Gjoni, pedagoge dhe eksperte e shkencave të komunikimit

“Çdo gjë që shkuan ChatGPT, gjithashtu edhe nga mekanizmat software, të përgatitur enkas për të dalluar plagjiaturën, dallohen të gjitha përmbajtjet e marra nga ChatGPT”, – thotë Gjoni, ndërkohë që shton se, “është e patolerueshme, që universitetet shqiptare, publike dhe private, janë jashtëzakonisht me vonesë dhe është e patolerueshme që nuk kanë një platformë të aksesueshme, digjitale për të diktuar kopjet e studentëve dhe të pedagogëve”.

Ky shkrim është pjesë e projektit Laboratori i Gazetarisë Investigative, që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter