Si u menaxhua nga institucionet shqiptare mbështetja e BE-së prej 79 milion Euro për reformën në drejtësi

Autor: Ermal Spahiu

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka qenë kushti i përhershëm dhe më i rëndësishëm i Brukselit për Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Raportet e KE-së e kanë renditur vazhdimisht Shqipërinë, në krye të listës së vendeve me nivel të lartë korrupsioni në qeverisje dhe sistemin e drejtësisë. Njëherësh, lufta kundër korrupsionit është pikë e parë në çdo platformë elektorale të partive politike në kohë fushate, ndërsa më pas, në qeverisje ajo harrohet.

Në vitin 2016, u miratua Reforma në Drejtësi me një votim unanim prej 140 votash në kuvendin e Shqipërisë për t’i hapur rrugë një procesi shumë të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Më shumë se sa dëshira apo vullneti i faktorit politik shqiptar, kjo reformë ishte rezultat i padiskutueshëm i presionit të vazhdueshëm të partnerëve strategjikë të Shqipërisë, SHBA-së dhe BE-së. Mbështetja thelbësore nisi me hartimin, miratimin dhe më pas zbatimin e reformës në drejtësi.

Në këtë material jemi përpjekur të bëjmë një analizë të mbështetjes financiare që i ka dhënë Bashkimi Evropian Shqipërisë, përgjatë tetë viteve të ecurisë së reformës në drejtësi, si dhe rezultatet që kanë ardhur deri tani prej saj.

Mbështetja financiare e BE-së ka nisur menjëhërë pas miratimit të reformës në drejtësi në vitin 2016 dhe është duke vijuar me projekte të rëndësishme, që prekin sektorë specifikë të reformës në drejtësi.

Bashkimi Evropian ka akorduar miliona euro në sektorët më të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë, prej nga priten rezultate konkrete në reformën në drejtësi.

Ministria e drejtësisë ka thënë për ACQJ (Albanian Center for Quality Journalism), se BE ka akorduar 79.06 milion euro për zbatimin e reformës në drejtësi nga viti 2016 deri tani. Tabela më poshtë na njeh me projektet ku janë akorduar këto fonde.

Grantet e BE për zbatimin e reformës në drejtësi nga 2016 deri më sot

Tabela 1

Projekti IMO Vlera Kontrata Periudha e zbatimit
IMO I 5 milion Euro IPA 2016/038-717 2017- 15 shkurt 2020
IMO II 14.7 milion Euro IPA 2019/412-370 dhe IPA/2021/424-808 1 tetor 2019 – 31 mars 2023
IMO III 9.7 milion Euro IPA/2023/442-735 1 prill 2023-31 mars 2025
     
Projekti EURALIUS Vlera Kontrata Periudha e zbatimit
Euralius IV 4 milion Euro IPA 2014/346- 900 shtator 2014 – 31 mars 2018
Euralius V 7.5 milion Euro IPA 2018/395-806 01.04.2018- 31-dhjetor 2022
Euralius VI 2.5 milion Euro IPA 2022 14 janar 2023- 14 janar 2025

 

Kontrata Sektoriale “BE për Reformën në Drejtësi” 34 milion Euro IPA 2018/040211 korrik 2019 – dhjetor 2023
Asistenca Teknike për zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë

 

1.66 milion Euro IPA /2022/433-19 15 qershor 2022- 14 qershor 2024

Delegacioni i BE-së sqaron gjithashtu, se është në kontakt me autoritetet shqiptare me synimin për të nisur në muajt e ardhshëm një projekt të ri për të mbështetur institucionet e drejtësisë në ngritjen e një Sistemi Elektronik të Menaxhimit të Çështjeve, ku kontributi është planifikuar të jetë 7.5 milionë euro.

 “Sundimi i ligjit dhe të drejtave themelore”, ishte një prej programeve me vlerë financiare prej 34 milione euro, që shtrihej në periudhën kohore 2019-2023. Grandi i dhënë nga Bashkimi Evropian kishte si qëllim rezultate me rëndësi në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës, aryset themelore për të cilën u miratua Reforma në Drejtësi në Shqipëri. Ky grand do të alokohej në disa institucione ku përfshihen: Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Qeverisja e Institucioneve Gjyqësore.

Projekti do të duhej të kishte përfunduar në janar të vitit 2023. Në përfundim të këtij projekti do të duhej të kishim rezultate konkrete në disa fusha.

Por çfarë është arritur deri tani falë këtij bashkëpunimi, kësaj mbështetje të BE-së për reformën në drejtësi në Shqipëri? Sipas ministrisë së drejtësisë, rezultatet e deritanishme falë mbështetjes së BE-së janë shumë pozitive. Për ACQJ, Ministria e Drejtësisë sqaron se prej 4 vitesh, nga data e nënshkrimit në korrik 2019, deri në dhjetor 2022, janë disbursuar 19.5 milion euro, ndërsa nga BE u propozua zgjatja e kontratës për vitin 2023. Tre indikatorët e propozuar janë:

  • Indikatori 2: Përmirësimi i përpunimit të ankesave ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve (ILD)
  • Indikatori 5: Rritja e efikasitetit te funksionimit të Gjykatës së Lartë (GJL)
  • Indikatori 7: Përmirësimi i Shërbimeve të Ndërmjetësimit (Gjykata Durrës dhe DHKN)

“Vlera për zgjatjen e Kontratës Sektoriale “BE për Reformën në Drejtësi” është në total 5 milion euro”, thekson Ministria e Drejtësisë në përgjigjen për ACQJ.

Ministria e Drejtësisë sqaron gjithashtu, se janë arritur thuajse të gjitha rezultatet sipas zërave.

Tabela 2

–       Në zbatim të Indikatorit nr. 1: “Krijimi i Institucioneve te reja gjyqësore dhe funksionimi i tyre (Këshilli i Lartë Gjyqësor KLGJ, Këshilli i Lartë i Prokurorisë KLP)” janë ngritur dhe funksionojnë me kapacitet të plotë institucionet e reja të sistemit gjyqësor KLGJ, KLP. Gjithashtu KLGJ ka ushtruar kompetencat e saj në realizimin e procesit të emërimit të gjyqtareve në Gjykatën e Lartë
–       Për sa i përket Indikatorit nr. 2: “Përmirësimi i procesit të ankesave kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve në kuadër të dispozitave ligjore. Formimi formal dhe funksionalizimi i institucionit (Inspektori i Lartë i Drejtësisë)” është ngritur dhe funksionon institucioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Gjatë kësaj kohe është përmirësuar procesi i shqyrtimit të ankesave ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve në kuadër të dispozitave ligjore, duke ulur numrin e ankesave të akumuluara nga institucioni paraardhës
–       Lidhur me Indikatorin nr. 3: “Përmirësimi i cilësisë së performancës për Shkollën e Magjistraturës (Shkolla e Magjistraturës)” është miratuar metodologjia e Shkollës të Magjistraturës duke përfshirë të tre komponentët e cilësisë (cilësinë e kurrikulës, cilësinë e stafit dhe cilësinë e trajnimit të vazhdueshëm. Është krijuar Platforma E-Learning Moodle online e Shkollës së Magjistraturës e cila shfrytëzohet nga shkolla duke regjistruar kurset e reja të formimit fillestar dhe vazhdues për magjistratët, së bashku me pjesëmarrësit e regjistruar. Platforma administron një numër i konsiderueshëm përdoruesish, si gjyqtarë, prokurorë, staf pedagogjik, staf administrativ, kancelarë gjykatash/prokurorie
–       Referuar Indikatorit nr. 4: Kapaciteti i përmirësuar për edukimin ligjor nga Shkolla e Magjistraturës (Shkolla e Magjistraturës), janë përmirësuar kapacitetet për edukimin ligjor të magjistratëve të Shkollës të Magjistraturës. Shkolla ka hyrë në ambientet e reja të godinës të Polit të Drejtësisë prej vitin 2019 dhe zhvillon aktivitetin e saj në të njëjtën godinë me KLGJ dhe KLP
–       Zbatimi i Indikatorit nr. 5: “Ulja e rasteve të regjistruara në Gjykatën e Lartë (Gjykata e Lartë)” lidhet me përmirësimin e efiçences të veprimtarisë së Gjykatës së Lartë. Emërimi i gjyqtarëve të rinj pranë Gjykatës të Lartë dhe i këshilltareve ligjorë ka bërë të mundur uljen e numrit të çështjeve të mbartura pranë kësaj gjykate
–       Në kuadër të Indikatorit nr. 6: “Përmirësimi dhe rritja e përdorimit të mjeteve alternative të dënuarve (Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës)” është rritur dhënia e dënimeve alternative për të dënuarit. Institucioni i Shërbimit të Provës monitoron dhe raporton lidhur me zbatimit e këtyre vendimeve nga të dënuarit
–       Referuar Indikatorit nr. 7: “Shërbimet e Ndihmës Juridike Falas janë funksionale (DNJF) Reforma në Drejtësi i kushtoi një rëndësi aksesit në drejtësi të qytetarëve, komponent ky shumë i rëndësishëm edhe në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Ligji nr.111/2017 “Për Ndihmën Juridike të Garantuar nga Shteti”, solli një reformim të thellë të sistemit të ndihmës juridike duke sjellë një frymë të re sa i përket organizimit, funksionimit dhe ofrimit të ndihmës juridike të garantuar nga shteti. Qëllimi kryesor i këtij ligji është dhënia e ndihmës juridike falas për të gjitha kategoritë, të cilat për shkak të kushteve në të cilat ndodhen e kanë të pamundur sigurimin e këtij shërbimi. I është kushtuar një vëmendje e veçantë kategorive përfituese duke patur në fokus zgjerimin e rrethit të subjekteve si dhe sanksionimin e grupeve vulnerbalël si përfitues të drejtpërdrejtë nga sistemi i ndihmës juridike falas. Për sa i përket Ndihmës Juridike Parësore janë funksionale 14 (katërmbëdhjetë) qendra të shërbimit të ndihmës juridike parësore në Tiranë, Durrës, Shkodër, Lezhë, Lushnje, Pogradec, Gjirokastër, Vlorë, Dibër, Kukës, Elbasan, Korçë, Berat dhe Fier. Janë autorizuar nga Ministri i Drejtësisë, 15 (pesëmbëdhjetë) organizata jofitimprurëse që operojnë në Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Berat, Shkodër. (Inovacioni, partneriteti publik-privat në përmbushje të misionit të përbashkët “Akses i barabartë në drejtësi për kategoritë në nevojë dhe grupet vulnerabël”. Janë nënshkruar me Klinikat Ligjore 12 (dymbëmbëdhjetë) Marrëveshje Bashkëpunimi që operojnë në Tiranë, Vlorë, Durrës dhe Shkodër. kërkesa për ndihmë juridike parësore u është pranuar të gjithë qytetarëve aplikues, nga të gjithë ofruesit e këtij shërbimi. Skema e ndihmës juridike parësore funksionon me kapacitete të plota, duke patur një performancë të lartë nga ofruesit e shërbimit të ndihmës juridike parësore.

 

Rezultatet e arritura nga mbështetja e BE-së

BE-ja e mbështet rezultatin e këtij projekti në raportin që vjen nga Ministria e Drejtësisë, por ka edhe mekanizmat e saj për të matur performancën.

“Mbështetja e BE-së përfshin shtatë tregues të performancës, secili prej tyre i vlerësuar në baza vjetore. Vlerësimi është bazuar në të dhënat zyrtare të siguruara nga raportet vjetore të institucioneve përkatëse, një raport i konsoliduar nga partneri zbatues (në këtë rast Ministria e Drejtësisë me kontribut nga institucionet gjyqësore) dhe një vlerësim i pavarur nga ekspertë të kontraktuar drejtpërdrejt nga BE-ja. Së fundi, një vlerësim i pavarur i operacioneve të mbështetjes buxhetore kryhet më pas nga Komisioni Evropian pasi të përfundojnë programet”, sqaron zyra e delegacionit të BE-së.

Në përgjigjen e zyrës së delegacionit të BE-së theksohet gjithashtu, se mbështetja buxhetore ka tregues, të cilët vlerësojnë progresin në këto fusha:

Tabela 3
Performanca e Shkollës së Magjistraturës,
Ofrimi i ndihmës juridike falas
Rekursi ndaj masave alternative të dënimit (shërbimi i provës)
Rritja e integritetit në gjyqësor (me fokus të veçantë në punën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë)
Gledis Gjipali

Gledis Gjipali, drejtues i “Lëvizjes Evropiane”, EMA , thotë se BE-ja ka dhënë një mbështetje të madhe për procesin e integrimit, e në veçanti për reformën në drejtësi. Ai flet për rezultate pozitive në procesin e deritanishëm, por edhe për problematika që lidhen me vonesat nga ana e institucioneve shqiptare.

“Mendoj se rezultatet janë pozitive, elementi teknik ka ndihmuar që të kemi një rishikim e hartim të një numri të lartë të akteve ligjore, ndërsa përsa i përket vonesave, kryesisht kanë ardhur nga politika dhe mungesa e kapaciteteve të brendshme njerëzore” thotë Gjipali.

Në përgjigje të pyetjes nëse mund të jenë ndeshur probleme me menaxhimin e grandeve të BE-së për reformën në drejtësi, delegacioni sqaron: Bashkimi Evropian mbështet Shqipërinë në reformimin dhe modernizimin e sistemit të saj gjyqësor nëpërmjet transfertave të drejtpërdrejta financiare në thesarin kombëtar. Këto transferta nuk janë automatike. Ato ndodhin pasi qeveria shqiptare të ketë përmbushur disa kushte specifike, të cilat janë rënë dakord paraprakisht dhe që lidhen me një vlerësim të rregullt të performancës, përfshijnë një dialog për politikat dhe përfshijnë gjithashtu masa për ngritjen e kapaciteteve.

Ministria e Drejtësisë flet gjithashtu për problematikën në menaxhimin e fondeve të BE-së.

Në përgjigje të pyetjes së ACQJ-së, “A keni ndeshur problematika të menaxhimit të fondeve në të gjitha programet e mbështetjes nga BE-ja, të ngjashme me ato të programit IPARD-it për bujqësinë?”, Ministria e Drejtësisë përgjigjet kështu: Duke qenë se kemi të bëjmë me zbatimin e reformës në sistemin e drejtësisë dhe pjesa më e madhe e menaxhimit të fondeve ka qenë kundrejt institucioneve të reja të ngritura nga Reforma në Drejtësi, kjo ka sjellë vështirësi për t’i menaxhuar fondet nga Ministria e Drejtësisë si institucion përgjegjës për zbatimin e reformës. Megjithatë, fakti që disbursimet janë kryer, shërben si një tregues i bashkëpunimit të frytshëm në këtë aspekt”.

Ministria e financave si një ndër institucionet e rëndësishme të menaxhimit të fondeve të BE-së për reformën në drejtësi, sqaron se nuk ka pasur problematika të menaxhimit, por ka disa penegesa.

Pas miratimit në vitin 2016, Reforma në Drejtësi parashikohej të realizohej me një buxhet prej rreth 175 milionë euro deri në vitin 2020. Kostot dukeshin modeste në vitet e para të zbatimit të reformës, por kjo lidhej me vonesat në plotësimin me staf të organeve të reja të drejtësisë. Gjatë vitit 2019 kostot erdhën në rritje të vazhdueshme, pasi ishte periudha kur po ngrihej struktura e posaçme kundër krimit dhe korrupsionit, SPAK.

Për planveprimin në zbatim të Strategjisë kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda për periudhën 2023-2025, pritet që Qeveria të alokojë një fond prej thuajse 100 milionë euro për përmbushjen e objektivave. Sipas planveprimit, parashikohet që kostoja totale e vijimit të reformës në drejtësi të shkojë në 96 milionë euro për periudhën 2023-2025. Nga kjo shumë, 10 milionë euro pritet të sigurohen nga donacionet e partnerëve ndërkombëtarë, ndërkohë që 86 milionë euro parashikohet të alokohen nga buxheti i shtetit.

Sipas ekspertëve, reforma në sistemin e drejtësisë është reforma më e rëndësishme, që ka sjellë rezultate pozitive dhe të prekshme.

“Reforma i gjeti institucionet shqiptare të papërgatitura, pasi nuk ofruan zgjidhje për mijëra dosje të tej-vonuara në sistemin gjyqësor. Drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar për mijëra shqiptarë. Individë dhe biznese, me të drejtë kërkojnë efektin e reformës në drejtësi në problemet e tyre, prej dekadash. Për pjesën e reformës që ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka efekte konkrete pozitive. Sfidat mbeten ende të mëdha dhe të vështira”, thotë Arben Malaj, ekspert i ekonomisë, ish ministër i financave.

Mbështetja ndaj reformës në drejtësi sipas ekspertit të ekonomisë Zef Preçi, ka pasur rezultate që kanë çuar në një përmirësim të lehtë të besimit të publikut ndaj drejtësisë në tërësi.

Zef Preçi

Selami Xhepa, flet gjithashtu me optimizëm për rezultatet e deritanishme të reformës në drejtësi. “Fakti që kemi parë raste të personave shumë të rëndësishëm në politikë si: kryetarë bashkish, ministra, zëvendës kryeministra, një ish kryeministër, i cili është gjithashtu në përballje me SPAK, pra gjykuar nga rastet që SPAK-u ka marrë në konsideratë gjatë viteve të fundit, mendoj që na jep shpresë dhe optimizëm që kjo reformë do të ketë sukses”, thotë Selami Xhepa.

Selami Xhepa

“Në raportin vjetor të Komisionit Europian për Shqipërinë, në 2 vitet e fundit është shprehur qartë vlersimi pozitiv për sistemin e drejtësisë dhe fusha të tjera të lidhura me reformën”, thotë Gledis Gjipali, drejtues i Lëvizja Evropiane.

Për herë të parë gjatë periudhës së procesit të integrimit në BE prej më tepër se 20 vitesh, Shqipëria ndodhet në situatën më të favorshme se të gjithë vendet e tjera te Ballkanit. Në këtë situatë ndikojnë edhe çështje të tjera jashtë vullnetit e kapaciteteve të Shqipërisë, por Reforma në Drejtësi mbetet arritja më e madhe e vendit në këtë proces.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter