Një kafe në javë për t’u mbrojtur nga zjarri…!

Autore: Ina Allkanjari

Kaq është kosto që i kushton një biznesi të vogël për të instaluar pajisjet kundër zjarrit. E megjithëse rreziku ndaj zjarrit po bëhet gjithnjë e më i pranishëm, bizneset neglizhojnë të marrin masa për sigurinë e tyre dhe neglizhojnë edhe detyrimin ligjor për t’u mbrojtur nga zjarri. Sigurimi i pronës mbetet ende në nivele shumë të ulta, është koha që kjo çështje të merret me seriozitet. Beteja kundër zjarrit, nuk mund t’i lihet vetëm zjarrëfikësve!

Gëzim Murataj, administrator i Geam Sh.p.k, një kompani me një përvojë mbi 20 vjet në tregun shqiptar në fushën e mbrotjes nga zjarri, thotë për Sinjalizo se ndonëse ka një rritje të interesit nga klientët, shumica e bizneseve ende nuk janë të informuara për rëndësinë e masave për parandalimin e zjarrit.

Murataj vë në dukje nevojën për një informim dhe ndërgjegjësim më të madh për masat parandaluese, duke përfshirë instalimin e pajisjeve si alarmet e zjarrit, sistemet e shuarjes së zjarrit, dhe trajnimin e punonjësve.

“Për një biznes të ri, është e domosdoshme të ketë një plan të mbrojtjes nga zjarri që përshtatet me natyrën dhe rrezikun e veprimtarisë së tij. Gjithashtu duhet të paraqitet një plan i cili konsiston te veprimtaria dhe efektiviteti në rast rënie zjarri. Kjo shoqërohet me atë që quhet rezistenca e objektit në rast zjarri. Këtë gjë e ofrojmë ne, pasi ne nuk bëjmë vetëm tregtimin e pajisjeve, por ofrojmë edhe ekspertizën para dhe pas rënies së zjarrit”, thotë Murataj.

Në shumicën e rasteve, ndërsa biznesi nis punë, vëmendja, koha dhe paratë ka të ngjarë të shkojnë te përfitimet e biznesit dhe jo tek siguria. Murataj ndalet të biznesi i vogël, duke shpjeguar se çfarë pajisjesh duhet të disponoj në mënyrë që të sigurojë mbrojte në raste zjarri.

“Një biznes i vogël në një objekt 5×5 m2, normalisht duhet të ketë një pajisje për shuarjen e zjarrit, fikëse zjarri 6 kg. Në përgjithësi përdoren me pluhur, por mund të jetë edhe me gaz karbonik kur kemi të bëjmë me pajisje elektronike. Gjithashtu duhet të ketë një sensor tymi, një detektor tymi autonom jo në sistem dhe tabelë në raste evakuimi që duhet të jetë fosforeshente ose me ndriçim”, tregon Murataj.

Të marrësh masa paraprake për mbrojtjen nga zjarri nuk ka kosto të lartë, ndonëse shumë biznese e neglizhojnë. Gëzim Murataj thotë se të gjithë pajisjet e mësipërme që i duhen një biznese të vogël bashkë me çertifikatën e trajnimit kanë një kosto rreth 7 mijë lekë.

Sipas tij nuk mjafton që një biznes të plotësojë masat e duhura për mbrojtjen nga zjarri dhe më pas të vijojë aktivitetin për vite me rradhë duke mos i koaliduar dhe çertifikuar ato çdo vit.

“Personeli, pajisjet kundër zjarrit, aktiviteti duhet të çertifikohet çdo vit. Duhen parë makineritë, pajisjet, çfarë ka ndryshuar biznesi dhe në bazë të situatës  gjykohet dhe vlerësohet se çfarë masash duhet të merren”, tregon Murataj.

Por ndonëse bizneset vendosen në dijeni rreth këtij rregulli, ka subjekte të cilat nuk i bëjnë koalidimiet apo ndryshimet e nevojshme të pajisjeve pasi kalon afati 1 vjeçar. Administratori i Geam Sh.p.k. thotë se shpesh herë i drejtohen klientëve duke u shpjeguar rëndësinë, por edhe mos efektivitetin që kanë pajisjet nëse lihen për një kohë të gjatë.

Nga ana tjetër një pjesë e mirë e bizneseve më së shumti të mesme dhe të vogla ushtojnë aktivitetin e tyre pa asnjë masë mbrojtjeje për zjarrin. Murataj thekson se disa prej tyre paraqiten për të kërkuar mjetet e nevojshme për mbrojtjen nga zjarri me muaj apo vite pasi biznesi është hapur.

“Ka shumë biznese të cilat ushtrojnë aktivitetin prej më shumë vitesh dhe nuk kanë marrë asnjë masë për mbrojtjen nga zjarri. Kanë ardhur për të kërkuar pajisje për mbrojtjen nga zjarri apo për tu çertifikuar, pasi kanë ushtruar aktivitetin në mënyrë të pambrojtur për një kohë të gjatë”.

I pyetur rreth masave të marra për parandalimin e zjarreve në biznese, Drejtori i Zjarrfikëses Tiranë Shkëlqim Goxhaj thotë për Sinjalizo se po realizojnë inspektime të vazhdueshme në kryeqytet për të evidentuar bizneset të cilat nuk kanë marrë masat e nevojshme për mbrojtjen nga zjarri.

“Ajo që bëjmë ne për bizneset është që kemi skuadrat e inspektimit dhe i detyrojmë bizneset që të marrin çertifikatën e mbrojtjes nga zjarri që do të thotë që biznesi ka marrë masa për tu mbrojtur nga zjarri”, thotë Goxhaj.

Sinjalizo vizitoi disa biznese të mesme dhe të vogla të cilat prej vitesh ushtrojnë aktivitetin e tyre në zona të ndryshme të kryeqytetit. Në kushte anonimati, pronarët e bizneseve pranojnë se janë të pa informuar rreth procedurave që duhet të ndjekin për të ofruar mbrojtjen nga zjarri.

Të pyetur nëse me hapjen e biznesit kanë marrë një dokument orientues për mbrojtjen nga zjarri dhe pajisjet që duhet të disponojnë, ato thonë se asnjëherë nuk janë pajisur me një dokumentacion të tillë dhe nuk janë pyetur nga institucionet për pajisjen e biznesit me mjetet e sigurisë në raste zjarri.

A.D. pronar i një lokali pranë rrugës së Elbasanit thotë se pavarësisht se bën biznes prej 10 vitesh, e vetmja pajisje që ka për raste emergjence është një fikëse zjarri.

Ai nuk ka asnjë informacion rreth faktit që pajisjet duhen zëvendësuar apo koaliduar çdo vit dhe se një biznes i përmasave si lokali që ai administron duhet të disponojë edhe pajisje të tjera sigurie.

Një pronar biznesi, (dyqan me rroba), i cili ushtron aktivitetin pranë Komunës së Parisit në Tiranë, thotë se nuk ka asnjë masë mbrojtje ndaj zjarrin. Po ashtu as sigurim për biznesin.

Një faktor i rëndësishëm që Gëzim Murataj evidenton është mungesa e informacionit dhe ndërgjegjësimit nga pronarët në lidhje me rrezikun e zjarrit dhe masat parandaluese që duhet të ndërmarrin.

“Mos marrja e masave për mbrojtjen nga zjarri është në dëm të atyre dhe në dëm të shoqërisë “, thotë ai.

Një komponent kyç i një plani të efektshëm të mbrojtjes nga zjarri është vlerësimi i rrezikut në punë. Megjithëse disa biznese shqiptare e paraqesin këtë dokument për inspektimin e punës, shpesh kjo është thjesht formalitet dhe nuk ka një qasje serioze nga ana e biznesit.

Gëzim Murataj, thotë se gjatë bashkëpunimit me bizneset për mbrojtjen nga zjarri i paraqesin edhe dokumentin e vlerësimit të rrezikut në punë i cili kërkohet nga inspektoriati i punës.

“Sipas reparteve, pavioneve, aktivitetit, paraqesim rrezikshmërinë ku mund të konsistoj rënia e zjarrit dhe përmasat që mund të marrë dhe kështu bëhet parandalimi dhe merren masat e duhura”, thotë Murataj.

Sigurimi i bizneseve nga zjarri

Mungesa e masave për mbrojtjen nga zjarri në shumë biznese shoqërohet edhe me mungesën e sigurimeve.

Pavarësisht nëse biznesi është i konsoliduar, apo është në hapat e para të ngritjes së aktivitetit, nëse nuk është i siguruar pronari mund të përballet me rrezikun real të falimentimit nga shkatërrimi i pronës.

Ndonëse humbjet financiare që bizneset mund të kenë në raste emergjence janë tejet të larta, sërish një pjesë e madhe nuk sigurohen.

Një zile alarmi për të gjithë ishte rasti i zjarrit në qëndren “Metropol” në Lushnje përgjatë muajit dhjetor të vitit që lam pas, ku për shkak të mungesës së masave paraprake të marra nga qendra tregtare, por edhe nga vetë bizneset, zjarri shkatërroi gjithçka dhe rrezikoi edhe jetën e njerëzve.

Besim Myftari një prej qytetarëve të qytetit të Lushnjes, tregoi për Sinjalizo për dy prej dyqaneve në këtë qendër që i dispononte kunata e tij.

“Ajo kishte dy dyqane që i kishin nuset dhe djemtë që punojnë në Itali dhe e furnizuan dyqanin një ditë përpara zjarrit. 40 milionë lekë mall. Tani mbaruan, nuk ka më. Kur të niset e dyta, ta fillojnë nga e para, por që ta fillosh nga e para është zero”,

Xhezmi Metushi, kreu i zjarrëfikëses në bashkinë Lushnje,  tha për Sinjalizo se nëse një biznes është i siguruar mund të marrë kompensim, por deri në momentin e bisedës me zotin Metushi rreth një muaj pas ngjarjes së rëndë asnjë prej bizneseve nuk ishte paraqitur për të marrë vërtetimin e zjarrit.

“Këtu kanë ardhur dy familjarë të cilët kanë marrë vërtetimin e zjarrit, biznese jo, nuk më kanë ardhur deri tani. Vërtetimin e përdorin sipas dëshirës së tyre, por një mundësi është që këto që janë familje marrin kompesim nga bashkia”, tha kreu i zjarrëfikëses.

Nga ana tjetër Drejtori i Zjarrfikëses Tiranë Shkëlqim Goxhaj thotë se në rast se ka një ngjarje në një biznes të siguruar nga zjarri, kompanitë e sigurimit bëjnë pagesën edhe për shërbimin zjarrfikës.

“Ne kemi një vendim të këshillit të ministrave për tarifat dhe nëse kemi një ngjarje në një biznes të siguruar nga zjarri në kompanitë përkatëse të sigurimit, ne faturojmë këto kompani sigurimi për orët e punës që ne punojmë në biznese, por nuk është detyra jonë që t’i detyrojmë bizneset të sigurohen”, thotë Goxhaj.

Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë thotë se sigurimi i pronës së biznesit zakonisht mbulon dëmet e shkaktuara nga zjarri, tymi, shpërthimet dhe rreziqet përkatëse. Përsa i përket vlerësimit të pronës në rast sigurimi shoqata shkruan në faqen e saj zyrtare se polica e sigurimit specifikon metodën e përdorur për të përcaktuar vlerën e pronës, e cila mund të përfshijë vlerën aktuale të parave ose vlerën e kostos së zëvendësimit.

“Vlera aktuale e parave merr parasysh amortizimin, ndërsa vlera e kostos së zëvendësimit mbulon koston e zëvendësimit të pronës së dëmtuar me artikuj të rinj”.

Në raportin vjetor të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare tregohet se në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021, ka rritje të primeve në risigurim në të gjithë portofolet, por ka një rënie të peshës që zë produkti “Zjarri dhe të tjera të pronës”. Për vitin 2022, konstatohet se ky produkt zë rreth 31.6 % të peshës ndaj primeve totale të ceduara në risigurim, konkretisht 987 milion lekë.

Sa zbatohet ligji?

Në muajin Janar të këtij viti Ministria e Brendshme lëshoi urdhrin e ri për inspektim në shkallë vendi të masave dhe mjeteve për rritjen dhe garantimin e sigurisë publike nga zjarri dhe shpëtimi.

Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin në Ministrinë e Brendshme, njësitë e MZSH-së në çdo bashki, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit dhe inspektoratet e mbrojtjes së territorit në çdo bashki janë udhëzuar të kontrollojnë në mënyrë periodike masat dhe mjetet e mbrojtjes nga zjarri në çdo objekt, me kritere specifike sipas nivelit të rrezikut.

Pas daljes së urdhërit, Drejtoresha e Shërbimit Zjarrfikës në Ministrinë e Brendshme, Holta Komino tha për mediat se do të vendosen masa administrative ndaj subjekteve në rast se nuk janë të pajisur me masat për mbrojtjen nga zjarri.

Ky urdhër vjen pas djegies së qendrës tregtare “Metropol” në Lushnjë në dhjetor të vitit që lam pas.  Në këtë ngjarje, mungesa e një autoshkalle dhe mjeteve të tjera bëri që ekipet e shpëtimit të përballen me vështirësi në ndërhyrjen për shuarjen e flakëve.

Në një kohë kur zjarret janë të paparashikueshme, është e rëndësishme që bizneset të ndërmarrin hapa konkrete për të garantuar sigurinë e punonjësve, klientëve dhe pasurisë së tyre. Ndonëse ligji nr. 152 i vitit 2015 detyron personat fizik dhe juridik të marrin masa për parandalimin e pakësimin e zjarreve, me anë të mjeteve, sistemeve, pajisjeve të diktim-sinjalizimit për shuarjen e zjarreve gjatë kryerjes së aktivitetit të tyre, një pjesë e mirë e bizneseve në Shqipëri kanë vendosur të mos e respektojnë dhe zbatojnë këtë ligj.

Është jetike që bizneset ta marrin seriozisht rrezikun nga zjarri dhe të zbatojnë kërkesat e ligjit për të garantuar sigurinë e tyre dhe të të tjerëve. Siç tregojnë qartë rastet e fundit, pasojat e një zjarri të pamenaxhuar mund të jenë katastrofike, jo vetëm në aspektin financiar por edhe në humbjen e jetëve njerëzore. Investimi në masat e mbrojtjes nga zjarri dhe në një sigurim të përshtatshëm, jo vetëm që është një përgjegjësi sociale dhe ligjore, por gjithashtu mund të shërbejë si një masë parandaluese që i mbron bizneset nga shkatërrimi.

Beteja kundër zjarrit, nuk mund t’i lihet vetëm zjarrëfikësve!

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter