Fondet e marra nga BE për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri, arritjet dhe sfidat

Autore: Marina Zela

Bashkimi Evropian është partner kryesor për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit. Duke ofruar jo vetëm mbështetje financiare, por edhe asistencë teknike, ka kontribuar në forcimin e institucioneve dhe strategjive të vendit kundër kësaj dukurie.

Sipas Zyrës së Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, vetëm në 10 vitet e fundit BE-ja ka investuar mbi 15 milionë Euro për parandalimin dhe zhdukjen e korrupsionit në Shqipëri. “Ndër programet më të spikatura janë Kontrata e Reformës Sektoriale IPA 2016 për Luftën kundër Korrupsionit në Shqipëri dhe mbështetja që i kemi dhënë ONM-së (Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit) dhe SPAK-ut (Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar),”- thuhet në përgjigjen që Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ).

Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studime Politike në Tiranë thotë për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ) se investimi i Bashkimit Evropian për të luftuar korrupsionin në Shqipëri është i shumëfishtë.

Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studime Politike

“Lidhet me ligjet, lidhet me strukturën e institucioneve, lidhet me financimin e projekteve të monitorimit dhe lidhet pastaj me forcimin dhe pavarësinë e këtyre institucioneve dhe krijimin e mekanizmave, për të cilat zyrtarët duhet të japin llogari dhe bëhen deri diku të prekshme nga publiku”,- thotë Krasniqi duke theksuar se një fakt i tillë lidhet me deklarimin e pasurive vjetore të çdo zyrtari, apo dhe verifikimet e tjera që ndodhin në kuadër të procesit të Vetting-ut në institucione të ndryshme si dhe në sektorin e Sigurisë.

Shqipëria përballë Korrupsionit

Në vitin 2017, BE-ja përmes një granti prej 10 milionë eurosh synoi të ndihmonte Qeverinë shqiptare në zbatimin e një strategjie ndërsektoriale kundër korrupsionit përmes programit të Kontratës së Reformës Sektoriale për Luftën Kundër Korrupsionit në vend. Qëllimi ishte krijimi i institucioneve transparente dhe të pakorruptueshme në Shqipëri. Ndonëse në të dhënat e bëra publike online thuhet se ky projekt ka një kohëzgjatje deri në dhjetorin e vitit të kaluar, 2023, Delegacioni i BE-së sqaron se programi ka përfunduar në vitin 2022.

“Kontrata e Reformës Sektoriale për Luftën kundër Korrupsionit në Shqipëri përfshinte një komponent fillestar të mbështetjes buxhetore prej 8.3 milionë Eurosh”,- shkruhet në përgjigjen e Delegacionit të BE-së, duke sqaruar se programi i mbështetjes buxhetore është bazuar në tregues të vendosur bashkërisht mes BE-së dhe Qeverisë së Shqipërisë për antikorrupsionin. “BE-ja do të jepte këste vjetore për buxhetin kombëtar të Shqipërisë në varësi të masës së përmbushjes së këtyre treguesve. Programi përfundoi në vitin 2022 me 6.8 milionë të disbursuara përfundimisht kundrejt treguesve të përmbushur,”- shkruhet më tej.

Ndonëse Bashkimi Evropian ka luajtur një rol të rëndësishëm për ndërtimin e demokracisë dhe krijimin e institucioneve të rëndësishme për të luftuar korrupsionin në vend, sipas vlerësimit të bërë nga shërbimet e BE-së për vitin 2023 rezulton se pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar korrupsionin, ende luftimi i tij mbetet një çështje serioze.

Konkretisht në raport progresin 2023 për Shqipërinë, i publikuar këtë muaj, theksohet se pavarësisht disa përparimeve dhe përpjekjeve të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit, kjo dukuri mbetet një fushë shqetësimi serioz.

“Organet e SPAK-ut kanë kryer hetime për një sërë çështjesh të nivelit të lartë, duke urdhëruar disa arrestime dhe dënime për një sërë çështjesh të nivelit të lartë. Përgjithësisht, korrupsioni është i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit dhe masat parandaluese vazhdojnë të kenë një ndikim të kufizuar, veçanërisht në sektorët e cenueshëm. Rritja e numrit të dënimeve të formës së prerë në një nivel të lartë mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e mosndëshkimit”, shkruhet në raport teksa theksohet se nevojiten përpjekje të mëtejshme për të siguruar ndjekjen e duhur gjyqësore në rastet e vetingut ku ka indikacione për vepra penale.

Mungesa e besueshmërisë nga ana e qytetarëve për përmirësimin e situatës në kuadër të luftës ndaj korrupsionit për të marrë shërbim prej institucioneve, vazhdon të mbesë një çështje problematike.

Një raport i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal tregon se shqiptarët e rendisin vendin e tyre si të dytin pas serbëve në nivelin e lartë të perceptuar të korrupsionit. Korrupsioni shihet si shkaktari kryesor i pakënaqësisë në fushën e ekonomisë, dhe shpesh perceptohet si mënyra e vetme për të marrë shërbime publike. Gjithashtu, Shqipërisë nuk i kanë munguar rastet ku zyrtarë të lartë, vendas apo evropianë, janë përfshirë në skandale të korrupsionit. Sipas Afrim Krasniqit, vështirësitë më të mëdha lidhen me projektet e financimit sektorial ku edhe monitorimi është më i vështirë.

“Ne kemi pasur disa skandale ndër vite dhe nga zyrtarë të BE, zyrtarë të huaj dhe zyrtarë shqiptarë që kanë qenë në partneritet me ta. Një nga vështirësitë më të mëdha janë projektet e financimit sektorial sepse është shumë i vështirë monitorimi i tyre”, shprehet Krasniqi. Ndërkohë, Delegacioni i BE-së tregon se cilat janë politikat e ndjekur nga BE-ja për të monitoruar menaxhimin e duhur të granteve që u jepen institucioneve shqiptare.

“Metodologjia specifike e monitorimit varet nga lloji i mbështetjes së ofruar. Në shumicën e rasteve ndihma ofrohet nëpërmjet asistencës teknike dhe projekteve mbështetëse të cilat zbatohen nga partnerët. Në këto raste, progresi i projektit monitorohet në përputhje me rregullat dhe rregulloret e BE-së në bazë të punës së përcaktuar në detyra. Për operacionet e mbështetjes buxhetore, si ato që janë pjesë e kontratës së reformës sektoriale, progresi monitorohet në bazë të një grupi të përcaktuar treguesish të rënë dakord ndërmjet BE-së dhe Qeverisë së Shqipërisë”,- shkruan Delegacioni për ACQJ.

Por pavarësisht mbështetjeve të vazhdueshme dhe monitorimit të granteve, në indeksin e Përceptueshëm të korrupsionit të Transparency International, shqipëria renditet në vendin e 101, çka përbën një prej treguesve të shkallës së lartë të korrupsionit në vend.

Foto, indeksi i Përceptueshëm i korrupsionit të Transparency International

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi sqaron pasojat e korrupsionit në ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. “Rritja e kostos së mallrave dhe të shërbimeve, përkeqësimi i nivelit të jetesës së familjeve shqiptare, funksionim i keq i tregjeve për shkak të deformimit të konkurrencës në to, pamundësi e çeljes së vendeve të reja të punës, dobësim i aftësive konkurruese të ekonomisë sonë kombëtare, ngadalësim i ritmeve të rritjes së saj etj,”- janë disa nga pasojat afatgjata që eksperti rendit.

Zef Preçi, ekspert i Ekonomisë

Shqipëria dhe (keq)menaxhimi i fondeve të BE-së

“Në atë që quhet politika e transparencës dhe antikorrupsionit çdo donator ndërkombëtar llogarit që ka një humbje gjatë rrugës, që do të thotë që është nivel korrupsioni, nivel burokracie, nivel ndryshimi të situatës, apo nivel të pagesave, shpenzimeve të pallogaritura që lidhen me burimet njerëzore, me parashikime që dalin jashtë asaj që ishte parashikuar në projekt apo zhvillime të krizave politike etj, të cilat kanë impakt në projekte. Por kur kalohet ky limit, aty domethënë që preket vija e kuqe dhe këtu kthehet në shqetësim të BE dhe ndërhyn në nivele të tjera të investigimit”, -shprehet Krasniqi duke theksuar se rasti konkret i abuzimeve me fondet e IPARD II në Shqipëri, fonde me të cilat BE-ja  synon mbështetjen financiare në fushën e bujqësisë, është një rast flagrant korrupsioni.

“Së pari, është një skandal arrogant, që do të thotë se i kanë përdorur financimet e BE-së për Shqipërinë si kuleta e tyre private duke ndarë ndere dhe favore tek ata që quhen oligarkë dhe njerëz mediatikë, dhe njerëz që kanë pushtet në Shqipëri”, – thotë Afrim Krasniqi duke theksuar se mos dedikimi i fondeve për projektin, manipulimi, devijimi dhe realizimi aferave korruptive përmes tyre “është kaq i dukshëm, aq flagrant sa do ishte zhgënjyese nëse Bashkimi Evropian do të heshte për raste të tilla”.

Sipas përgjigjes të dhënë nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural në kërkesën për informacion, rezulton se në kuadrin e zhvillimit rural dhe bujqësor në kuadër të IPARD II, vetëm nëpërmjet kësaj agjencie BE-ja ka ofruar grantin prej afërsisht 65 milionë eurosh, ndërkohë që 21 milionë euro janë investuar nga Qeveria shqiptare.

Për ekspertin e ekonomisë, Zef Preçi monopolizimi i shpërndarjes së fondeve të projektit të IPARD II, që u realizua për t’u ardhur në ndihmë fermerëve, përveçse është shkelje e parimeve mbi bazën e të cilave do të merrej granti, shërben dhe si kambanë  alarmi për BE-në rreth situatës së korrupsionit në Shqipëri.

Përfshirja e zyrtarëve, ish-zyrtareve, ekpsonentëve krimit të organizuar në përfitues të këtyre fondeve duket se ka sherbyer si këmbanë alarmi për BE-në dhe është në interesin e qytetarëve shqiptarë që hetimet e SPAK të përfundojnë sa më shpejtë për t’i hapur rrugën riaktivizimit te projektit”, përfundon Zef Preçi.

BE-ja, mbështetja ndër vite por ende korrupsioni në nivel të lartë

Programet e Bashkimit Evropian për ndihmën e ngritjes së Strategjisë së Re Ndërsektoriale për Parandalimin dhe Luftën kundër Korrupsionit dhe për Qeverisje Transparente me synim uljen e korrupsionit janë aplikuar në Shqipëri dhe Ballkan gjatë periudhave 2016-2019, në kuadër të Projektit Kundër Korrupsionit.

Po i njëjti projekt, me një kohëzgjatje prej 36 muajsh u implementuar sërish në  Shqipëri gjatë viteve 2019-2022.

përmbledhjen finale të fazës së dytë të Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë II bëhet I ditur fakti se ky projekt po rimplementohet në rajon dhe Shqipëri në një kontekst historik ku shtetet e Ballkanit nuk vazhdojnë të kenë vështirësi në luftimin e korrupsionit.

Grafik, investimet monetare të BE-së për luftimin e korrupsionit në Shqipëri gjatë viteve 2016-2022

“Sipas raporteve të bëra nga organet monitoruese të Këshillit të Evropës (GRECO dhe MONEYVAL), si dhe Raporteve të Progresit të BE-së, të gjitha vendet në rajon vazhdojnë të vuajnë nga dobësitë në sistemet e tyre për parandalimin dhe luftën ndaj korrupsionit/pastrimit të parave/financimit të terrorizmit”,- thuhet në përmbledhjen e projektit, objektivi i përgjithshëm i së cilit është dhënia e kontributit dhe rritja e besimit tek shteti i së drejtës dhe demokracia në Shqipëri përmes parandalimit dhe kontrollit të krimit ekonomik në përputhje me standardet evropiane dhe standarde të tjera ndërkombëtare.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar korrupsionin në Shqipëri, sfidat mbeten të mëdha. Besimi në institucionet dhe efektshmëria e masave kundër korrupsionit duhet të adresohen në mënyrë të qëndrueshme për të arritur një progres të qëndrueshëm në këtë drejtim.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter