Autore: Ina Allkanjari
Mungesa e vullnetit politik për të përcaktuar minimumin jetik, ndikon në cilësinë e jetës së mijëra njerëzve. Kjo mungesë pengon zbatimin e politikave sociale dhe shton vështirësitë për një kategori të konsiderueshme të popullsisë. Ekspertët theksojnë nevojën urgjente për minimumin jetik në mënyrë që të garantohet një jetë dinjitoze për të gjithë në Shqipëri.
Enver Muça, një 32-vjeçar nga Hasi, babai i 3 fëmijëve të mitur, është në një betejë të përditshme për mbijetesë. Nga viti 2018, ai ka vendosur të jetojë në kryeqytet me shpresën e përditshme për të filluar një punë të qëndrueshme për të kapërcyer varfërinë dhe për t’i ofruar fëmijëve një të ardhme të sigurt ekonomikisht.
“Jam i martuar, kam tre kalamaj. Me nusen jemi veti i pestë. Gocën e madhe e kam 6 vjeç e gjysmë, ndërsa dy të vegjlit i kam binjak, janë 2 vjec e gjysmë. Unë jetoj te 5 Maji me qera. Qeraja është 250 mijë lekë të vjetra në muaj.”
Ndërsa çdo ditë e të riut kalon në kërkim të punëve të ndryshme, 32-vjeçari tregon se më së shumti punët i gjen në sektorin e ndërtimit, por të ardhurat janë të pamjaftueshme pasi nuk ka një punë të qëndrueshme.
“Me shoqëri gjej ndonjëherë punë por nuk është se kam punë bazë ose fikse që të punoj gjatë gjithë kohës, që të jem me sigurime, i deklaruar. Bashkëshortja punon me një fasoneri, edhe ajo me orare të pjesshme prej fëmijëve të vegjël. Maksimumi 5-6 orë në ditë mund të punoj dhe merr 250 mijë lekë të vjetra maksimumi. Muajt e vështirë mund të dalim edhe pa lekë fare. Varet si të marrë koha. Mund të dalim me 300-400 mijë lekë të vjetra maksimumi”.
Ndërsa ndalet te ndihma sociale që përfiton nga shteti, Enveri tregon se kjo është e pamjaftueshme në krahasim me shpenzimet e familjes.
“Marrim një ndihmë diku te 120 mijë lekë të vjetra, ndihmë sociale.. Mendoj se është e pamjaftueshme e para dhe e dyta nëse nuk hapen vende pune duhet të rritet. Kur kam nevojë për ndihmë, i drejtohem vetëm zotit lart dhe krahëve të mi sepse nuk kam kujt ti them. T’i them babit që e ka 150 mijë lekë të vjetra pensionin në muaj, ose nënës. Ata në vend që ti ndihmoj nuk kam çfarë ti kërkoj.”
Viti i fundit ka rritur vështirësit në përballimin e shpenzimeve mujore në familjen e Enverit. Sipas tij rritja e çmimeve të produkteve të konsumit ka cënuar nevojat bazike të jetesës.
“Fëmijët, sidomos ato të vegjlit kanë shumë shpenzime sepse janë edhe të vegjël dhe normal mund të shkojë rreth 200 mijë lekë të vjetra. Vetëm ushqimet shkojnë te 350-400 mijë lekë në muaj. Bëhet fjalë të hash gjëra normale, të konsumit pa llogaritur mishin. Që të konsumosh mish sa e ka normativen nuk bëhet fjalë”, shprehet 32-vjeçari, babai i 3 fëmijëve.
Raporti i Avokatit të Popullit, një studim i realizuar në vitin 2021, dëshmon se mungesa e një përkufizimi të qartë të minimumit jetik në legjislacionin shqiptar krijon standarde të dyfishta në mbrojtjen e të drejtave themelore të qytetarëve. Për shembull, vlera e minimumit jetik për vitin 2019 është vlerësuar të jetë përafërsisht 17,875 lekë, një shifër që është e lartë në krahasim me pensionin minimal, por ende e ulët në krahasim me pagën minimale dhe ndihmën ekonomike.
Përveç kësaj, raporti tregon se investimet në politika të tjera që mund të ndikojnë në zbutjen e varfërisë, si arsimimi, shëndeti dhe punësimi, nuk kanë përjetuar rritje të mjaftueshme. Kjo ndikon në aftësinë e individëve dhe familjeve me të ardhura të ulta për të përfituar nga shërbimet sociale dhe për të dalë nga varfëria.
Në mungesë të një përkufizimi të qartë të minimumit jetik, grupet më të ndjeshme të shoqërisë, përfshirë fëmijët, të moshuarit, dhe personat me aftësi të kufizuara, vuajnë më shumë nga mangësitë e sistemit të mbrojtjes sociale.
Historia e Enver Muçës nuk është e vetme.
“Të mos blesh sa ke nevojë, por aq sa ke mundësi”. Kjo shprehje shoqëron përditshmërinë e 725.903 qytetarëve në Shqipëri në nevojë për shërbime, për shkak të statusit të tyre si përfitues/aplikues të ndihmës ekonomike, aftësisë së kufizuar, invaliditetit, papunësisë, statusit të strehimit dhe të pensionistit. Ndonëse çdokush duhet të ushqehet për aq sa ka nevojë për tu ushqyer, reflektimi i varfërisë është pjesë e realitetit për këto kategori vulnerabël.
Në Shqipëri, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të reformuar sistemin e mbrojtjes sociale, një nga mangësitë më të dukshme është mungesa e vendosjes së minimumit jetik në legjislacion. Ky vakum ligjor ndikon në hartimin dhe implementimin e politikave sociale, duke lënë anash një pjesë të rëndësishme të popullsisë pa mbrojtje të mjaftueshme.
“Shteti ka përgjegjësi për të qenë i përgjegjshëm për shtresat në nevojë, sepse nuk mund të lësh ti të jetojë një individ me 4000 lekë në muaj. Një pension në fshat sot është 8000 lekë.. Çfarë mund të hash me 8000 lekë, apo 4000 lekë … Standarti është që çdokush do të duhet të ushqehet për aq sa ka nevojë për tu ushqyer. Sot në Shqipëri një pjesë e mirë e njerëzve, sidomos njerëzit që vijnë nga shtresat vulnerabël ushqehen aq sa kanë mundësi dhe nuk e arrijnë asnjëherë atë që kanë nevojë. Kjo është treguesi më kuptimplotë i mungesës së minimumit jetik”, thotë eksperti i ekonomisë Pano Soko.
Projektligji “Për Buxhetin e vitit 2024” paraqet të dhënat e shpenzimeve sociale në Shqipëri, por mungon një përmendje e qartë e minimumit jetik në kontekstin e këtyre shpenzimeve. Në mungesë të një përkufizimi të minimumit jetik, vështirësia mbetet në sigurimin e një shumë të mjaftueshme për të mbuluar nevojat jetike të qytetarëve.
Në relacionin shoqërues të projektligjit deklarohet se shpenzimet e fondeve speciale janë planifikuar në vlerën prej 249 miliardë lekë ose 33.4% e shpenzimeve të përgjithshme publike të parashikuara në buxhetin e vitit 2024. Megjithatë, fondi për pagesën e papunësisë është vetëm 800 milionë lekë, ndërsa shpenzimet për ndihmën ekonomike dhe aftësinë e kufizuar përbëjnë vetëm 1.1% të PBB me një shumë prej 26.25 miliardë lekësh.
Ekspertët e ekonomisë, si Pano Soko dhe Rezart Prifti, flasin për sfidat ekonomike të vendit. Sipas tyre, varfëria zyrtare është shqetësuese, sepse shumë qytetarë jetojnë nën nivelin e minimumit jetik.
“Varfëria zyrtare sot në bazë të treguesve të Bankës Botërore llogaritet në 6.8 dollarë për frymë në ditë. Pra çdokush që shpenzon më pak se 6.8 dollarë në ditë për frymë, jeton sot në varfëri zyrtare…Duhet marrë parasysh fakti që sot duhet të kemi rreth 204 dollarë për frymë në muaj dhe një familje me katër persona, ku dy prindërit marrin një pagë 40.000 lekëshe, paga minimale sot, jetojnë zyrtarisht në varfëri për 4 persona, pra dy prindër me dy fëmijë”, thotë eksperti Pano Soko.
“Referuar 3 viteve të fundit të paktën, ose rritjes që kanë pasur çmimet, ka qenë aq e papërballueshme saqë jeta ka kaluar poshtë nivelit të varfërisë të deklaruar nga Banka Botërore..Për të tilla kategori që preken nga minimumi jetik, ka një problem në Shqipëri, që shteti me të gjitha ato që ju merr nuk jua kthen sërish. E thjeshta fare është te pjesa e energjisë elektrike. Kanë një kompesim barbar. Te pjesa e ujit e shumë të tjera”, thotë për Sinjalizo eksperti i ekonomisë Rezart Prifti.
Vlerësimi i nevojës për shërbime të përkujdesit shoqëror është një çështje e konsideruar kritike prej kohësh. Sipas një studimi të realizuar përgjatë këtij viti nga UNDP, nga 725.903 qytetarë në nevojë në Shqipëri, 36.642 janë përfitues të shërbimeve të kujdesit shoqëror.
Individët në nevojë ekonomike dhe sociale përbëjnë grupin me peshën më të madhe, duke zënë 31% të totalit, ndërsa pas tyre renditen kategoritë e tjera si “Të moshuarit” me 24%, “Të rritur AK” me 18%, “Fëmijë në kushte kritike” me 10%, “Pa strehë” me 6%, “Gra” me 5%, “Fëmijë AK” me 4%, dhe “Të rinj në nevojë” me 1%.
“Janë mbi 15% e popullsisë sot që janë në prag, në ose nën varfërinë zyrtare dhe këto janë shtresat më të dobëta, është hallka më dobët e zinxhirit. Ne kjo na klasifikon si vend i varfër, në të gjithë klasifikimet që bëhen në renditjet botërore për mënyrën e zhvillimit. Shqipëria llogaritet si vend i varfër edhe për këtë fakt, sepse një pjesë e mirë e popullsisë së saj jeton në ose nën varfëri zyrtare”, thotë Sako.
Megjithatë, aksesi në punësim mbetet një parakusht thelbësor për përfshirjen sociale dhe shmangien nga varfëria.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave (INSTAT), shkalla e papunësisë në Shqipëri për vitin 2022 ka qenë 11.1%, duke treguar një ulje nga vitet e mëparshme.
Një nga sfidat kryesore është mungesa e një përcaktimi të qartë për një nivel minimumi jetik që mund të ofrojë një standard të përshtatshëm për një jetë normale në Shqipëri.
“Minimumi jetik i përcaktuar me ligj do të kërkonte dy gjëra, e para do të kërkonte një vullnet politik, e dyta do të kërkonte angazhim financiar të konsiderueshëm..Hajde të rrëzojmë të parën, pra të tregojmë që ka vullnet politik. Nuk po themi të bëjm cirk financiar, as të ndërmarrim aventura që mund të falimentojnë shtetin, por të paktën hajde vendosim standartin, sa të mundemi, 40%”, thekson eksperti Sako.
Në raportin e publikuar nga Barometri Ballkanit theksohet se me rritjen e numrit të qytetarëve që jetojnë në kushte më të këqija se popullsia mesatare, është rritur edhe shqetësimi për rritjen e pabarazisë ndërmjet shoqërisë. 88% e të anketuarve deklaruan se në ekonominë Shqiptare hendeku mes të varfërve dhe të pasurve është duke u rritur. Sipas raportit Shqipëria, me një rritje prej 5 pikësh që nga viti 2020, është shqetësuesi më i madh i rajonit për hendekun e pasurisë.
“Për hir të të vërtetës ky është edhe reflektimi i trendeve botërore, hendeku midis shtresave të pasura dhe të varfëra. Por në Shqipëri është një farë ekstremiteti sepse në krahasim me vendet e zhvilluara ne nuk kemi atë që quhet rrjetat e sigurisë”, tregon eksperti Prifti.
Minimumi jetik, premtim i pa mbajtur prej dekadash
Minimumi Jetik është një premtim i paplotësuar për një kohë të gjatë nga të gjitha qeveritë gjatë këtyre 32 viteve. Mes forcave politike ka patur akuzat reciproke për mos implementimin e kësaj politike, e cila përcakton kriterin bazë të jetesës. Megjithatë, deri më tani, asnjë prej tyre nuk ka arritur ta konkretizojë këtë premtim.
Në dhjetor të vitit 2022, Lëvizja Bashkë paraqiti 21 mijë nënshkrime në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për aprovimin e Minimumit Jetik. Edhe pse këto nënshkrime u verifikuan, projektligji ende nuk është përfshirë në agjendën parlamentare.
Eksperti i ekonomisë Rezart Prifti, thekson se Shqipëria e ka të pamundur të vendosë një minimum jetik nëpërmjet legjislacionit, pasi një vendim i tillë do të çonte në një kolaps të sistemit financiar.
““Shqipëria e ka të pamundur që ligjërisht të vendosë një minimum jetik, për arsye se kjo do të kalonte në kolaps të gjithë sistemin financiar por mbi të gjitha sistemin e sigurimeve shoqërore, sistemin e pensioneve. Sepse në momentin që ti vendos me ligj një minimum jetik pasojat janë të pamenaxhueshme përsa i përket sistemit të sigurimeve, sistemit financiar që kemi ne me buxhetet e alokuara”.
Nga ana tjetër eksperti Sako shprehet se vullneti politik për të miratuar me ligj minimumin jetik ka munguar në Shqipëri përgjatë gjithë kohës. Ai thekson se kjo mungesë e vullnetit shfaqet në retorikën e partive politike, sidomos kur ato janë në opozitë.
“Të gjitha partitë politike kur janë në opozitë, qoftë PD qoftë PS, e kanë pasur minimumin jetik si kamzhik në dorë për të goditur qeverinë dhe shtresat e varfra. Por sapo kanë ardhur në pushtet, e vetmja gjë që nuk kanë bërë është kjo”.
Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/