Autor: Ina Allkanjari
Pastrim, tubacion, ndriçim, mobilim zyrash, rindërtim i godinave kulturore deri tek projektet rrugore. Ky është objekti thelbësor i qëllimit të tenderave të shpallur nga shumë bashki jo shumë larg nga zgjedhjet vendore që do të mbahen në vitin 2023. Ngutja për të hapur portofolin, vjen në një kohë kur qeveria nuk ka nxjerrë asnjë akt për të rregulluar “fushatën” e prokurimeve gjatë periudhës parazgjedhore. Në vetëm katër muajt e fundit numri i tenderave të pushtetit lokal numërohet në 46 të tilla dhe kanë një vlerë përmbi 100 milionë lekë. Të gjithë këto tendera cilesohen si ‘BIG’ dhe lëvrimi i tyre kryhet në një kohë kur vendi po përballet me ngërç ekonomik.
Duke u mbështetur në të dhënat e Open Procurement, “Sinjalizo” konstaton se nga muaji gusht deri në nëntor të këtij viti, tenderat “BIG” kapin një fond limit prej 15 miliardë lekë. Një shifër kjo rreth trefish më tepër se një vit më parë, krahasuar me të njëjtën periudhë kohore.
Konkretisht nga muaji gusht deri në nëntor të vitit 2021, bashkitë shpallën në total 17 tendera me vlerë mbi 100 milionë lekë. Fondi limit ishte rreth 5.5 miliardë lekë.
Aranita Brahaj, drejtoresha ekzekutive e Institutit Shqiptar të Shkencave/ Open Data Albania, tregon për “Sinjalizo” se tashmë bashkitë në vend kanë hyrë në periudhën parazgjedhore. Kjo fazë përkon me shpalljen e datës së zgjedhjeve nga Presidenti, ndaj dhe shpenzimet publike shoqërohen me risqe.
“Në këtë moment edhe shpenzimet apo kontraktimet publike shoqërohen me riskun që të përdoren për influencë dhe favore me sfond elektoral. Po njësoj risku për keq-qeverisje në përfundim të mandateve të kryebashkiakëve e shoqëron procedurën e kontraktimeve”, shpjegon Aranita Brahaj.
Nga ana tjetër, eksperti i ekonomisë Selami Xhepa kujton se praktikat e kaluara tregojnë që në prag zgjedhjesh shpenzimet publike bëhen më masive. Sipas tij kjo është një formë për të joshur elektoratin.
“Rritjen e shpenzimeve publike në prag zgjedhjesh, nuk ia atribuoj faktit që kemi të bëjmë me një agjendë problemesh lokale më të rëndësishme se sa në periudhat e viteve të kaluara. Besoj që kjo mund të shikohet thjesht në raport me faktin që në vitin e ardhshëm kemi një proces elektoral dhe padyshim dhe kërkohet që të ‘joshet’ pak elektorati”, sqaron eksperti i ekonomisë për ‘Sinjalizo’.
Në prag të zgjedhjeve, shpallen tendera me afat deri në 2025
Ndonëse jemi fare pranë zgjedhjeve lokale dhe ende nuk dihet se kush do të jetë në drejtim të bashkive pas procesit të votimit, nga një verifikim në Open Procurement evidentuam me dhjetra tendera ‘BIG’ të hapura nga bashkitë përgjatë muajve të fundit, të cilat rezultojnë me kohëzgjatje kontrate 2-3 vjeçare.
Kjo gjë konfirmohet edhe nga Drejtoresha e Open Data, Aranita Brahaj, e cila thekson se po vihet re që në këtë periudhë disa javore janë përqendruar disa procedura me vlerë të lartë dhe për më shumë edhe me afate të gjata të zbatimit të kontratës.
“Po tenderohen shërbime pastrimi, mirëmbajtje dhe të tjera për të katër vitet që pasojnë. Duket sikur disa kryebashkiakë po nxitojnë të “kopsisin” portofolin edhe për periudhat pas mandatit të tyre. Jemi në kulmin e procedurave dhe mesa duket periudha Dhjetor dhe Janar do të karakterizohen nga tendera me vlerë të lartë dhe afate të gjata të zbatimit të kontratës”, shton Brahaj, teksa nënvizon se deri më tani, nuk kemi asnjë akt të Qeverisë që synon të rregullojë prokurimet në situatë zgjedhore.
Një ndër tenderat e shpallur në muajin tetor, me afat realizimi 30 muaj nga është ai i Qeverisjes Vendore Mat, “Ndërtimi i linjës së dërgimit Depo Lis, Burrel”. Ky tender paraqitet me fond limit në vlerë rrett 582 milion lekë pa TVSH, dhe afati i përcaktuar i zbatimit është deri në vitin 2025.
Një tjetër tender i hapur në muajin shtator dhe me kohëzgjatje kontrate 2-vjeçare, rezulton të jetë “Ndërtimi i Terminalit Verior të Transportit Publik, Tiranë” me autoritet prokurues Qeverisjen Vendore Tiranë. Sipas Open Procurement në kontratën e lidhur me operatorin fitues, fondi limit rezulton të jetë rreth 820 milion lekë pa TVSH.
Edhe bashkia Kurbin figuron përgjatë kësaj periudhe me tendera të shpallur me vlerë mbi 100 milion lekë dhe me kohëzgjatje kontrate afatgjatë. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Ndërtimi i rrjetit të jashtëm dhe të brendshëm të Ujësjellësit të qytetit Laç”, me fond limit rreth 450 milionë lekë pa TVSH dhe kohëzgjatje kontrate 24 muaj nga data e nënshkrimit.
Ndërkohë, një tjetër tender i shpallur vetëm disa ditë më parë më 21 nëntor, është ai i Qeverisjes Vendore Cërrik, me fond limit rreth 116 milion lekë pa TVSH dhe me kohëzgjatje kontrate 48 muaj. Objekti i tenderimit ka të bëje me “Pastrimin, grumbullimin dhe largimin e mbeturinave të qytetit Cërrik dhe Njësive Administrative”.
25 bashki me tendera ‘Big’
Përgjatë gjithë vitit 2022, Bashkitë kanë shpallur 87 tendera me vlerë mbi 100 milionë lekë. Fondi limit per tenderat e shpallur përgjatë këtij viti shkon në vlerën rreth 27.6 miliardë lekë pa TVSH.
“Nëse dikur vihej re që bashkitë e vogla kishin pak tendera dhe bashkitë e mëdha më shumë, tani evidentohet që vetëm bashkitë e mëdha kanë tendera për investime”, tregon drejtoresha e Open Procurement.
Konkretisht nga 61 bashki në total, nga të dhënat e mbledhura në Open Procurement vetëm 25, prej tyre figurojnë të kenë hapur procedurat në vitin 2022 me tendera ‘BIG’. Bëhet fjalë për bashkitë si më poshtë:
- Tiranë 2. Kamëz 3.Elbasan 4.Mat 5.Bulqizë 6.Kurbin
7.Pogradec 8.Kavajë 9.Rrogozhinë 10.Korçë 11.Lezhë 12.Kukës
13.Fier 14.Krujë 15.Vau i Dejës 16.Berat 17.Vorë 18.Mirditë
19.Mallakastër 20.Sarandë 21.Durrës 22.Shkodër 23.Himarë 24.Klos
25.Cërrik
Ndërkohë përgjatë vitit 2022 sipas të dhënave të Open Procurement rezultonë se nga 62 bashki të vendit të jenë shpallur në total 4,411 tendera me vlera të ndryshme të fondit limit. Konretisht Fondi limit përgjatë këtij viti është rreth 49 miliardë lekë pa TVSH. Ndërkohë prej tyre janë shpallur fitues deri më tani 2,831 tendera që kapin vlerën rreth 28 miliardë lekë pa TVSH.
Tendera për luks
Një pjesë e objekteve të tenderimeve të shpallura nga bashkitë në vend lidhen me projekte jo prioritare, pavarësisht krizës financiare me të cilën po përballet vendi. Vetëm disa ditë më parë, konkretisht më 22 nëntor, bashkia Tiranë ka shpallur procedurën e tenderimit për drurë dekorativ, me objekt ‘Blerje peme shumë vjeçare’ me fond limit rreth 200 milionë lekë, ose thënë ndryshe 1 706 736.11 Euro.
Në kuadër të tenderimeve të shpallura përgjatë kësaj periudhe dhe objekteve të tyre eksperti Selami Xhepa, thotë për “Sinjalizo” se përzgjedhja e projekteve duhet që të kalojë nëpër një filtër të kontrollit demokratik, që sipas tij nënkupton parlamentet lokale, pra këshillat bashkiake.
“Mungojnë filtrat e kontrollit, që është një element shumë i rëndësishëm për të garantuar përgjegjshmërinë e shpenzimit publik edhe në nivel lokal. Janë çështje që nuk lidhen thjesht me episodin, lidhen me vijimësi, me deficitin demokratik të institucioneve lokale dhe me dobësitë e kapaciteteve për të planifikuar dhe për të menaxhuar projekte në mënyrë eficente, që është një dobësi e përgjithshme strukturore e Shqipërisë”, thekson eksperti i ekonomisë.
Bashkia Tiranë shpall tenderin me vlerën më të lartë
Bashkia Tiranë është një prej institucioneve vendore që numëron dhjetëra tendera të realizuara përgjatë këtij viti me vlerë mbi 100 milionë lekë disa prej të cilave kapin edhe koston më të lartë të tenderimit në krahasim me bashkitë e tjera në vend. Konkretisht nga një kërkim në Open Procurement konstatohet se kjo bashki numëron plot 17 tendera të shpallur për 10 muaj e fundit, ku fondi limit për tenderat e shpallur është në vlerën 7.7 miliardë lekë pa TVSH.
Tenderi me vlerë më të lartë ku deri më tani është shpallur procedura figuron Ndërtimi i objektit “Godina e Teatrit Tiranë “, e cila rezulton të jetë në vlerën 1,854,828,635 lekë pa TVSH.
Ky tender rezulton të jetë hapur në muajin tetor të këtij viti dhe kohëzgjatja e kontratës është parashikuar të jetë 27 (njëzet e shtatë) muaj kalendarik duke nisur nga data e lidhjes së kontratës.
Me fond limit prej 1,018,105,630 lekë pa TVSH, tenderi me vlerë të dytë më të lartë të shpallur përgjatë kësaj periudhe është sërish nga Bashkia Tiranë. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Riforcimi i njësive individuale të banimit dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat) në Bashkinë Tiranë”, pjesë e Programit të Rindërtimit. Ky tender është hapur në muajin shtator 2022 dhe përgjatë muajit tetor është shpallur fituesi.
Një tjetër tender i kushtueshëm i Bashkisë Tiranë, i cili figuron të jetë hapur në verën e këtij viti me fond limit 820 milionë lekë është për terminalin e ri te mbikalimi i Kamzës, që pritet të përfundojë në 24 muaj. Synimi i projektit është që të ndërtohet një terminal i ri për sistemimin e autobusëve.
Ky tender është klasifikuar nga Open Procurement me ‘Flamur të Kuq’, që nënkupton skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit.
Tenderat me flamur të kuq
Ligji shqiptar i lejon procedurat e prokurimit me një konkurrent të vetëm, ndonëse më pas ato shoqërohen me flamur të kuq dhe ndaj tyre hidhen dyshime.
Sipas shpjegimit të Open Data Albania, shpesh këto procedura më shumë se mungesë konkurrence në treg, shfaqin mundësi të formulimit të kritereve dhe afateve për dorëzim dokumentesh në favor të një kompanie të paramenduar. Këto tendera sipas tyre meritojnë të konsiderohen të ekspozuara dhe me risk. Procedurat shënjohen me një flamur të kuq dhe shpjegimi i mëtejshëm është se kjo është një fakt, ngjarje, ose grup i rrethanave ose informacione të tjera që mund të tregojnë një shqetësim apo ekspozim dhe rrezik potencial të pajtueshmërisë ligjore.
Nga të dhënat e filtruara, nga baza e të dhënave të Open Data Albania, përgjatë periudhës Janar-Nëntor 2022. bashkitë kanë zhvilluar 16 tendera me vlerë mbi 100 milion lekë dhe me shënimin “RedFlag” çfarë tregon për rrisk potencial për parregullsi dhe korrupsion në garë.
Ndërkohë përgjatë gjithë vitit 2021, bashkitë kanë zhvilluar 29 tendera me vlerë mbi 100 milion lekë dhe me shënimin “RedFlag“.
Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa tregon se në Shqipëri është e nevojshme të vendosen autoritete mbikëqyrëse në mënyrë që të bjerë shkalla e abuzimit me prokurimet.
“Fakti që nuk ka auditim të praktikave të prokurimit bën që të vazhdojë shkalla e abuzimit me prokurimet në këto projekte. Kjo është fatkeqësi sepse edhe në raportet e progresit të Komisionit Europian gjithmonë theksohet që Shqipëria ka probleme me praktikat e prokurimit publik të cilat janë jo të hapura, jo transparente, jo kompetitive, në mungesë gare, të cilat prodhojnë në analizë fondesh shpërdorim të madh publik, çmime më të larta dhe ndikojnë thelbësishtë në reduktimin e eficencës së shpenzimeve publike”, shprehet eksperti.
Ndërkohë Brahaj , thekson se janë mbi 15 % e tenderave të realizuar në këto 6 muaj të shënuar me flamur të kuq dhe janë kryesisht tendera në vlerë të lartë. Sipas saj, situata është edhe më problematike për shkak se disa bashki kryesore vijojnë të prokurojnë edhe kontrata që lidhen me rindërtimin.
“Megjithëse tre vjet pas Tërmetit programi i rindërtimit vijon të zbatohet me procedura të kufizuara (jo garë me ofertë dhe jo konkurrim në sistem elektronik). Për pasojë secili nga këta tendera është në pozicion të lartë risku për klientelizëm. Tenderat me flamur të kuq janë në rritje në muajin Nëntor dhe për fat të keq vlera e tyre është shumë e lartë kundrejt tenderave të tjerë”, thekson drejtoresha e Open Data Albania.