Ligje të reja dhe gjoba, por aksidentet nuk ndalen

Autor: Denis Tahiri

Ligjet ndryshojnë vazhdimisht, por drejtuesit e mjeteve vijojnë të jenë të padisiplinuar dhe për pasojë burimi më i madh i aksidenteve. Instat bën me dije se, në 81.8% të rasteve, aksidentet automobilistike ndodhin si pasojë  e sjelljes së shoferëve,  ku peshën më të madhe të të aksidentuarave vetëm gjatë muajit shkurt e mban grupmosha 35-44 vjeç. Një përqindje e papërfillshme e aksidenteve llogariten se ndodhin për shkak të rrugëve,  kushteve atmosferike apo përdoruesve të rrugës.

Ndryshimi më i fundit i Kodit Rrugor u shënjua më 17 Mars, ditë në të cilën  Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshime të reja mbas propozimeve të  Policisë Rrugore. Teksa kryheshin diskutimet , në harkun e tre ditëve nga 9 deri në 11 mars, shtatë qytetarë u vranë në aksidente automobilistike

Ndryshimi më i rëndësishëm është ai i kufizimit të fuqisë motorrike për shoferët e rinj, të cilët vetëm pasi mbushin 2 vite me leje drejtimi, mund të drejtojnë automjete me fuqi motorrike më të madhe se 55 kuaj fuqi. Ndërkohë për makinat hibride elektrike ose plug – in, kufiri specifik i fuqisë është 65 kuaj fuqi për ton, duke përfshirë në të edhe peshën e baterive .

Përballë ndryshimeve nga njëra anë dhe aksidenteve të pandalshme nga ana tjetër, ekspertët shfaqen kundërshtues. “Për mua është jo gjysmake, por nuk ka asnjë vlerë”, shprehet eksperti i sigurisë rrugore Fatmir Hasho . I pyetur nga SINJALIZO , eksperti shton se nuk e sheh si një masë që mund të ulë numrin e aksidenteve. “Edhe makina me kubikë të vogël nëse është me shpejtësi të lartë vret dhe dëmton”, thotë ai.

Edhe Mamir Hodo, ekspert i sigurisë rrugore, ndonëse e sheh si një masë që mund të ndikojë pozitivisht në uljen e numrit të aksidenteve shprehet se Policia e Shtetit duhet ti ketë nën monitorim drejtuesit e rinj. Si propozim sygjerohet  që mbasi të merret leja e drejtimit , shoferët  të kalojnë teste shtesë sikurse në Austri, Solloveni dhe Kroaci. “Praktikisht është e vështirë për shërbimet e policisë rrugore. Kjo do jetë si punë rrjete që do të ndalojë këta drejtues, vetëm me postoblloqe të organizuara ose rastësisht”, thotë eksperti Hodo.

Harta e vendeve ku ndodhin aksidente

Aksidentet rrugore gjatë muajit që lamë pas kanë marrë disa jetë qytetarësh. Dy këmbësorë humbën jetën në dy ditë (3.04.2023 dhe 04.04.2023). Shpesh faji i vendoset sinjalistikës, herë tjetër këmbësorëve, ndërkohë problemet e vijueshme në rrjetin rrugor shqiptar nuk mungojnë. Ato që  konsiderohen si “njollat e zeza” janë të pranishme kudo, duke nisur nga akset rrugore kombëtare e deri brenda qyteteve.

Për vitin 2018 deri në vitin 2020 në vendin tonë institucionet kanë identifikuar 105 “pika të zeza” në rrjetin rrugor.  18 prej të cilave ndodhen në zona urbane ndërsa 87 të tjera në Rrjetin Rrugor Kombëtar ku ent pronar është ARRSH.

Harta e radhës e “pikave të zeza” pritet të përgatitet në 2024 nga Instituti i Transportit dhe do të bazohet  në aksidentet e vitit 2021-2023.

E pyetur nga SINJALIZO në lidhje me “pikat e zeza” në Rrjetin Rrugor Kombëtar, Autoriteti Rrugor Shqiptarë shprehet se: “Çdo vit nga ARRSH planifikohet fond i dedikuar për eleminimin e Pikave të Zeza, bazuar në fondin e parashikuar kërkohet nga Policia Rrugore prioritetet për ndërhyrjet”.

Por ekspertët theksojnë se ky problem nuk ka për të gjetur ndonjëherë zgjidhje Fatmir Hasho shton se “Pasi nëse mbyllim 5 do të na hapen 5 të tjera. Problemi qëndon te edukimi i shoferëve”. I pyetur në lidhje me vendet ku ndodhin më së shumti aksidente brenda qyteteve Hasho konsideron si problematike cdo aks. “Sinjalistika lë për të dëshiruar në të gjitha qytetet, përveç Tranës. Të gjithë qytetet e tjera kanë shumë shumë probleme në sinjalistikën e tyre të brendshme”.

Për ekspertin e sigurisë rrugore Hodo 70% e aksidenteve në Shqipëri ndodhin në 10% të akseve rrugore dhe ky 10% koniderohen si njollat e zeza të trafikut.  “Është detyrë e policisë rrugore që komunikojë me pushtetin vendor për vendosjen e sinjalistikës rrugore për t’ju bërë të qartë që ka diçka që nuk shkon pasi po ndodhin aksidente”, shprehet ai.

Në listën njollave të zeza, të cilën Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore e disponon të plotë, nevojë për ndërhyrje kanë 67 pika në qarkun e Tiranës në të cilat janë  identifikuar aksidentet më të shpeshta. Ndërkohë në qytetin e Durrësit janë 26 të tilla.

Kur ndodhin aksidentet?

Sipas të dhënave që “Sinjalizo” ka arritur të sigurojë, numri më i lartë i aksidenteve rrugore gjatë shkurtit të 2023, ndodhin në fillim javë dhe në mesjavë. E Hëna dhe të enjte konsiderohe si ditët më të vështira në qarkullim që kanë sjellë pasojë në jetë njerëzisht. Ndërsa  dita me numrin më të vogël të aksidenteve është e mërkura. Për sa i përket fashës orare e cila është më problematike për cështjet e aksidenteve ajo është gjatë harkut kohor 19:00- 24:00, ku 29.5% e numrit total të aksidenteve gjatë muajit shkurt kanë ndodhur në këtë fasho kohore. Një tjetër e dhënë interesante është fakti se fasha- orare 08:00- 12:00 zë vendin e dytë për numrin e aksidenteve në rang vendi duke mbajtur 20,5% të totalit të aksidenteve.

Rritje prej 6.3% ka pësuar edhe gruposha deri në 24 vjeç të përfshirë në aksidente. Në shkurtin e vitit që lamë pas regjistroheshin vetëm 16 raste, ndërsa në të njëjtën periudhë të këtij viti 17. Rritje të përfshirjes në aksidente kanë pësuar të gjitha grupmoshat, ku kryeson grupmosha 45-59 vjeç me 38,5%, e ndjekur më pas nga  24-34 vjeçarët dhe 60+, të cilat kanë shënuar një rritje me 20%.

Gjobat

5 Vitet e fundit, në vendin tonë numri i aksidenteve rrugore nuk ka rënë asnjëherë poshtë 1 mijëve në vit. Në 2018 humbën jetën 213 qytetarë në akset rrugore, e 2078 të tjerë u plagosën si pasojë e 1718 aksidenteve rrugore.

Në 2019 numri i aksidenteve pësoi një ulje duke rregjistruar 1498 të tillë. Ndërsa numri i të plagosurve në rrugët shqiptare pësoi ulje duke shënuar 1817 qytetarë të lënduar e 227 humbje jete, shifra këto që vazhduan në rënie edhe gjatë  2020. Gjatë vitit që pasoi   u regjistruan 1234 aksidente me 1417 të plagosur e ku humben jetën 181 qytetarë.

Ndryshe do të mbyllej viti 2021, ku do të humbisnin jetën në 1376 aksidentet rrugore 197 qytetarë e u plagosën 1663 të tjerë.Vitin  pasardhës Policia Rrugore do të shtonte kontrollet si një fushatë për të ulur numrin e aksidenteve, ku do të regjistroheshin 1165 të tillë, me 1435 të plagosur dhe 164 viktima.

“Sinjalizo”, kërkoi nga zyra e medias në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit të dhëna në lidhje me numrin e gjobave në rank kombëtar, por nuk mori asnjë përgjigjje. Nga ana tjetër, nëpërmjet burimeve pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ka mundur të sigurojë detaje në lidhje me masat administrative për qarkun më të madh në vend.  Të dhënat e policisë së kryeqytetit tregojnë se vitin që lamë pas u arrestuan dhe proceduan 1531 qytetarë për shkelje të rënda të rregullave të qarkullimit, 330 më shumë se viti 2021.  594 përfunduan në pranga pasi drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 534 pasi ishin në drejtim të automjetet pa lejedrejtimi dhe 68 të tjerë për përdorim të drograve.  Në pranga përfunduan edhe 203 drejtues mjetesh të cilët tentuan  të korruptonin punonjësit e policisë, ndërsa 132 shoferë u proceduan për vepra të tjera.  Gjatë kësaj kohe shërbimet e policisë rrugore vendosën një total prej 119,384 masa administrative.

Ajo që kuptohet është se shumica e shoferëve që janë kapur në flagrancë nga policia kanë vijuar me vesin e të folurit në telefon teksa drejtojnë automjetin. Natyra e gjobave tregon se policia lëshoi  38200 gjoba  për përdorimin e celularit në timon, ndërsa rreth 21 100 të tjera të vendosura për mos vendosjetë rripit të sigurimit. Pjesa tjetër e gjobave u prenë për parakalim të gabuar, shpejtësi e lartë në zonat e banuara, dhe mos përdorimin e kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter