Të ngrira për të ardhmen, të harruara në ara: Si po e humbet Shqipëria biodiversitetin e saj bujqësor

Në një bankë farërash pranë Tiranës, mijëra varietete vendase ruhen në temperatura nën zero për t’i mbijetuar kohës. Por në arat shqiptare, ato po zhduken me shpejtësi, ndërsa fermerët mbështeten gjithnjë e më shumë te farërat hibride të importuara. Historia e një fermeri tregon se çfarë humbet Shqipëria kur humbet farërat e saj.

Ervin Koçi

Në një cep të serrës së tij, mes kavanozëve prej qelqi të mbushur me fara misri, fasulesh, domatesh dhe pjepri, Xhavit Gjoshi ruan një pasuri që nuk mund të matet me para. Çdo kavanoz mban brenda një histori familjare. Disa fara kanë kaluar nga gjyshi te babai e më pas tek ai, duke mbijetuar për dekada falë një rituali të thjeshtë: përzgjedhjes së bimëve më të mira, tharjes së farës dhe ruajtjes së saj deri në pranverën e ardhshme.

Për shumë vite, ky ishte cikli normal i bujqësisë shqiptare, por sot është kthyer në përjashtim. Në fermat shqiptare, gjithnjë e më pak fermerë mbjellin farërat që kanë trashëguar. Në vend të tyre përdoren fara hibride të importuara dhe fidanë të gatshëm, që premtojnë rendiment më të lartë, pjekje më të shpejtë dhe fruta më uniforme për tregun. Brenda pak dekadash, një pjesë e madhe e varieteteve tradicionale shqiptare është zhdukur nga përdorimi i përditshëm.

Gjoshi e ka përjetuar këtë ndryshim në tokën e tij. Kur vendosi t’u rikthehej farërave që kishte ruajtur prej vitesh, rezultatet nuk ishin ato që priste. “Në fillim ishte një mundim i kotë,” kujton ai. “Farërat mbinë, por bimët nuk dhanë prodhim. U deshën disa sezone derisa toka të përshtatej sërish dhe unë të mund të gjeja shijen e domates, pjeprit dhe shalqirit që mbaja mend nga fëmijëria.”

Për të, problemi nuk lidhet vetëm me farën. Ai beson se bashkë me mënyrën se si praktikohet bujqësia ka ndryshuar edhe toka. “Përdorimi për vite me radhë i fidanëve të gatshëm ka sjellë pasoja. Në të kaluarën nuk kishim nevojë për kaq shumë plehra kimike dhe pesticide. Sot, ato janë bërë pjesë e pandashme e prodhimit,” thotë ai.

Historia e Gjoshit nuk është një rast i izoluar. Ajo pasqyron një transformim të thellë që ka përfshirë bujqësinë shqiptare që prej fillimit të viteve 1990. Pas rënies së sistemit komunist dhe hapjes së tregut, Shqipëria u integrua me shpejtësi në ekonominë globale. Bashkë me teknologjitë e reja erdhën edhe kompanitë që tregtonin fara dhe fidanë modernë. Për fermerët, ato përfaqësonin një revolucion: nuk kishte më nevojë të ruhej fara nga një sezon në tjetrin, të përgatiteshin fidanët apo të priteshin ritmet natyrore të stinëve. Gjithçka mund të blihej e gatshme.

Në afat të shkurtër, ky model funksionoi, prodhimi u rrit, frutat u bënë më uniforme dhe tregu kërkonte pikërisht këtë. Por ndërsa prodhimi rritej, biodiversiteti bujqësor nisi të tkurrej në heshtje. Varietetet tradicionale, të cilat ishin përshtatur për shekuj me klimën dhe tokën shqiptare, u zëvendësuan gradualisht nga një numër i kufizuar kultivarësh modernë. Bashkë me to, nisi të zbehej edhe një pjesë e trashëgimisë gjenetike të vendit.

Paradoksi është se Shqipëria ende nuk i ka humbur këto fara. Ato ekzistojnë, por jo më aty ku dikur merrnin kuptim. Ruhen të ngrira thellë, në laboratorë.

Në raftet metalike të Bankës Kombëtare të Gjermoplazmës pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, mijëra mostra farërash ruhen në temperatura që zbresin deri në minus 20 gradë Celsius. Të tjera ndodhen mijëra kilometra larg Shqipërisë, në Svalbard Global Seed Vault, banka më e madhe e farërave në botë, e ndërtuar në Arktik për të mbrojtur biodiversitetin nga luftërat, fatkeqësitë natyrore apo ndryshimet klimatike.

Ky kontrast ngre një pyetje të thjeshtë, por themelore: Çfarë vlere ka një farë e ruajtur në ngrirje, nëse nuk mbillet më në tokë?

Për shkencëtarët, përgjigjja nuk lidhet vetëm me nostalgjinë për shijet e së shkuarës. Ajo lidhet me diçka shumë më të madhe: aftësinë e bujqësisë shqiptare për t’u përballur me një klimë që po ndryshon me shpejtësi, me sëmundje të reja të kulturave bujqësore dhe me një treg global që e bën vendin gjithnjë e më të varur nga materiali mbjellës i importuar.

Farërat që zbehen në heshtje

Në nivel global, shkencëtarët e quajnë erozion gjenetik. Për fermerët shqiptarë, ai nuk ka një emër shkencor. Dallohet kur domatja nuk ka më aromën e dikurshme, kur misri i vjetër nuk gjendet më në fshat, apo kur fara që dikur kalonte nga një brez te tjetri zëvendësohet nga një paketë e re e blerë çdo pranverë.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), rreth 75 për qind e diversitetit gjenetik të kulturave bujqësore është humbur gjatë shekullit të fundit, ndërsa sot pjesa më e madhe e ushqimit në botë prodhohet nga një numër shumë i kufizuar kulturash. Ky homogjenizim e bën sistemin ushqimor më të cenueshëm ndaj ndryshimeve klimatike, sëmundjeve dhe dëmtuesve të rinj.

Shqipëria nuk bën përjashtim. Megjithëse vendi konsiderohet një nga rajonet më të pasura të Europës për nga biodiversiteti, me rreth 3,250 specie bimore, një pjesë e konsiderueshme e varieteteve tradicionale bujqësore po zhduket nga përdorimi i përditshëm. Për dekada, fermerët shqiptarë përzgjidhnin farërat nga bimët që i përballonin më mirë kushtet klimatike të zonës së tyre. Kjo përzgjedhje natyrore krijoi varietete unike domatesh, misri, fasulesh, gruri, qepësh dhe pemësh frutore, të përshtatura me tokat, reshjet dhe temperaturat lokale. Çdo brez fermerësh i shtonte një kapitull të ri kësaj trashëgimie, derisa cikli u ndërpre.

Revolucioni i padukshëm

Pas viteve 1990, tregu shqiptar u mbush me fara hibride dhe fidanë të gatshëm. Për fermerin, kjo ishte e kuptueshme. Një fidan i gatshëm kursente javë të tëra pune. Varietetet moderne premtonin rendiment më të lartë, pjekje më të hershme dhe fruta me përmasa uniforme, të përshtatshme për tregjet dhe supermarketet. Nga pikëpamja ekonomike, ato ishin më fitimprurëse. Por kjo kishte edhe një kosto të padukshme.

Ndryshe nga farërat tradicionale, shumica e farërave hibride nuk mund të ruhen për sezonin pasardhës pa humbur karakteristikat e tyre. Fermerët detyrohen t’i blejnë sërish çdo vit, duke krijuar një varësi të vazhdueshme nga tregu.

Kjo varësi pasqyrohet tashmë edhe në shifrat e tregtisë ndërkombëtare. Sipas të dhënave të UN Comtrade, gjatë vitit 2024, Shqipëria importoi fara perimesh për mbjellje me vlerë 6.6 milionë dollarë, ndërsa importet e farës së misrit arritën rreth 2.6 milionë dollarë. Materiali mbjellës vjen kryesisht nga Turqia, Italia, Kina, Franca, Holanda dhe vende të tjera, duke treguar se një pjesë e konsiderueshme e prodhimit bujqësor shqiptar mbështetet tashmë në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit.

Për Xhavit Gjoshin, ky është një nga ndryshimet më të mëdha që ka sjellë bujqësia moderne. Ndryshe nga farërat tradicionale, të cilat fermerët mund t’i ruanin dhe t’i përdornin sërish sezonin pasardhës, shumica e farërave hibride nuk riprodhojnë të njëjtat karakteristika në mbjelljen e dytë. Kjo do të thotë se fermeri duhet të blejë material të ri mbjellës pothuajse çdo vit, duke rritur kostot e prodhimit dhe duke e bërë sektorin gjithnjë e më të varur nga importet. “Nëse dikur fara ruhej në shtëpi dhe kalonte nga babai te djali, sot pothuajse gjithçka blihet. Bashkë me farën po humbet edhe dija se si përzgjidhet dhe ruhet ajo,” thotë ai.

Farërat që dinë të mbijetojnë

Shkencëtarët i konsiderojnë varietetet tradicionale si një “bankë të gjallë” tiparesh gjenetike. Për qindra vjet, ato janë përshtatur natyrshëm me thatësirat, ngricat, sëmundjet dhe kushtet specifike të secilës zonë. Është pikërisht ky diversitet gjenetik që u jep atyre një vlerë që nuk mund të matet vetëm me rendimentin. Në një kohë kur ndryshimet klimatike po sjellin temperatura më të larta, periudha më të gjata thatësire dhe reshje më ekstreme, kjo trashëgimi gjenetike bëhet edhe më vendimtare.

FAO e konsideron biodiversitetin bujqësor si një nga elementet kyçe për ndërtimin e sistemeve ushqimore më rezistente ndaj klimës. Sa më i madh diversiteti gjenetik, aq më të mëdha janë mundësitë për të zhvilluar kultura që mund t’u rezistojnë kushteve të reja klimatike. Në të kundërt, mbështetja vetëm në një numër të kufizuar kultivarësh modernë rrit rrezikun që një sëmundje e vetme apo një ngjarje ekstreme e motit të dëmtojë prodhimin në shkallë të gjerë. Është e njëjta logjikë që vepron në natyrë: një pyll me dhjetëra lloje pemësh është më rezistent se një pyll me vetëm një lloj. Bujqësia funksionon pikërisht në të njëjtën mënyrë.

Banka e farërave: Pse ruajtja në ngrirje nuk mjafton

Në katet e sipërme të Universitetit Bujqësor të Tiranës ndodhet një nga institucionet më pak të njohura për publikun, por njëherazi një nga më të rëndësishmet për të ardhmen e bujqësisë shqiptare. Brenda Bankës Kombëtare të Gjermoplazmës ruhen mijëra mostra farërash të mbledhura gjatë dekadave të fundit nga çdo cep i vendit.

Për studiuesit, konservimi në bankat e gjeneve është vetëm një pjesë e zgjidhjes. Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) thekson gjithashtu se ruajtja ex situ në bankat e farërave duhet të shoqërohet me ruajtjen në fermë, përmes kultivimit të vazhdueshëm të varieteteve tradicionale nga fermerët. Vetëm në këtë mënyrë farërat vazhdojnë të evoluojnë dhe të përshtaten me ndryshimet klimatike, sëmundjet dhe kushtet e reja mjedisore.

Sipas Prof. Dr. Valbona Hobdarit, Drejtore e Institutit të Resurseve Gjenetike të Bimëve, inventari kombëtar përfshin rreth 5,200 aksesione që u përkasin 220 specieve bimore. Prej tyre, 4,120 ruhen si fara në Bankën Kombëtare të Gjermoplazmës, ndërsa afro 1,100 varietete mbahen si koleksione të gjalla pemësh frutore në stacionet eksperimentale në Tiranë, Korçë dhe Vlorë. Mes tyre ka varietete gruri, misri dhe fasulesh që janë kultivuar në Shqipëri prej më shumë se një shekulli.

“Shumë prej varieteteve mbajnë emrat e fshatrave ku janë kultivuar tradicionalisht,” shpjegon Hobdari. “Mënyra më e mirë për t’i ruajtur është përdorimi i vazhdueshëm në bujqësi. Megjithatë, vetëm një numër i kufizuar vazhdon të kultivohet nga fermerët.”

Nga Shqipëria në Arktik

Në shkurt të vitit 2023, Shqipëria ndërmori një hap që pak vende të Ballkanit e kanë bërë. Rreth 1,900 aksesione farërash vendase, thuajse gjysma e koleksionit kombëtar, u dërguan në Svalbard Global Seed Vault, banka më e madhe e farërave në botë, e ndërtuar në një ishull norvegjez pranë Polit të Veriut. Atje, në temperatura natyrore nën zero, ruhen më shumë se një milion mostra farërash nga pothuajse çdo vend i botës.

Svalbardi u krijua si një policë sigurimi për njerëzimin. Në rast lufte, fatkeqësish natyrore, aksidentesh apo humbjeje të koleksioneve kombëtare, vendet mund ta rikuperojnë materialin e tyre gjenetik. Tashmë edhe Shqipëria ka një “kopje rezervë” të trashëgimisë së saj bujqësore. Por Hobdari thekson se kjo nuk duhet të krijojë iluzionin se problemi është zgjidhur.

“Depozitimi në Svalbard është një garanci shumë e rëndësishme për ruajtjen afatgjatë të burimeve gjenetike,” thotë ajo. “Megjithatë, biodiversiteti bujqësor nuk përbëhet vetëm nga fara të ruajtura në ngrirje.”

Një varietet që ekziston vetëm në një bankë farërash, shpjegon ajo, nuk përshtatet më me ndryshimet klimatike, nuk zhvillohet bashkë me tokën dhe nuk ruan më lidhjen e tij me dijen tradicionale të fermerëve.

Farërat kanë nevojë për fermerët

Në komunitetin shkencor përdoren dy koncepte: Ex situ nënkupton ruajtjen e farërave në bankat e gjeneve. In situ, ose on-farm, nënkupton ruajtjen e tyre duke vazhduar kultivimin në fermë.

Për Hobdarin, vetëm ndërthurja e këtyre dy metodave mund të garantojë mbijetesën e varieteteve tradicionale. “Një varietet tradicional i ruajtur vetëm në ngrirësit e një banke gjenesh është si një libër i mbajtur në arkiv,” thotë ajo. “Informacioni nuk humbet, por nuk vazhdon të zhvillohet dhe të përdoret.”

Sipas Hobdarit, më të rrezikuarat janë popullatat tradicionale të grurit, misrit dhe elbit; bishtajoret vendase, si disa lloje fasulesh dhe qiqrash; perimet tradicionale, përfshirë domatet, specat, qepët dhe lakrat lokale; si edhe një numër i madh pemësh frutore dhe kultivarësh lokalë të rrushit. Por rreziku nuk qëndron vetëm te humbja e një varieteti të vetëm.

“Humbja më e madhe është humbja e diversitetit gjenetik,” shpjegon ajo. “Është pikërisht ky diversitet që u jep kulturave aftësinë për t’u përshtatur me ndryshimet klimatike, sëmundjet dhe dëmtuesit e rinj.”

Ky është gjithashtu shqetësimi kryesor i organizatave ndërkombëtare që punojnë për sigurinë ushqimore. Sa më i varur të bëhet sistemi bujqësor nga pak varietete moderne, aq më i ekspozuar bëhet ndaj krizave të ardhshme.

“Ruajtja e varieteteve tradicionale nuk është vetëm mbrojtje e biodiversitetit,” përfundon ajo. “Është një investim në sigurinë ushqimore, zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe identitetin bujqësor të Shqipërisë.”

Megjithatë, ndërsa shkencëtarët vazhdojnë t’i ruajnë farërat në laboratorë dhe në bankën globale të Svalbardit, pyetja mbetet e hapur: Nëse këto fara nuk rikthehen në arat shqiptare, kush do t’i mbjellë ato pas njëzet apo pesëdhjetë vjetësh?

Farërat nuk shpëtohen vetëm në banka, por edhe përmes politikave

Në laboratorët e Bankës Kombëtare të Gjermoplazmës, temperatura pothuajse nuk ndryshon kurrë. Ngrirësit ruajnë me kujdes një pasuri të ndërtuar gjatë shekujve nga fermerët shqiptarë. Por jashtë laboratorëve, në arat ku kjo trashëgimi duhet të vazhdojë të jetojë, realiteti është krejt tjetër. Shumica e varieteteve tradicionale nuk po zhduken sepse nuk mund të mbijetojnë. Po zhduken sepse nuk kultivohen më.

Pikërisht për këtë arsye, organizata si FAO dhe Traktati Ndërkombëtar për Burimet Gjenetike të Bimëve për Ushqimin dhe Bujqësinë (ITPGRFA) nuk e konsiderojnë të mjaftueshme ruajtjen ex situ—pra, në bankat e gjeneve. Në dokumentet e tyre, ato theksojnë se ruajtja “on-farm”, përmes kultivimit të vazhdueshëm nga fermerët, është po aq e rëndësishme sa ruajtja në laborator. Vetëm në këtë mënyrë varieteti vazhdon të evoluojë, të përshtatet me klimën dhe të mbetet pjesë e sistemit ushqimor.

Në shumë vende europiane, kjo është kthyer në politikë publike. Italia subvencionon kultivimin e varieteteve tradicionale në rajone të caktuara. Franca ka krijuar rrjete kombëtare të “fermerëve kujdestarë”, të cilët shumëzojnë farërat vendase. Norvegjia, përveçse strehon Bankën Globale të Farërave në Svalbard, investon në ruajtjen aktive të varieteteve lokale në fermat e saj. Në Shqipëri, një politikë e tillë ende mungon.

Miliona për bujqësinë, por asnjë skemë për farërat vendase

Shqipëria ka rritur ndjeshëm financimin publik për bujqësinë në vitet e fundit. Për vitin 2026, qeveria ka planifikuar rreth 5.2 miliardë lekë subvencione dhe grante për fermerët, ndërsa fondet për Programin e Zhvillimit Rural arrijnë në 7.7 miliardë lekë.

Megjithatë, një analizë e dokumenteve të Programit IPARD III dhe skemave kombëtare të mbështetjes tregon se nuk ekziston një instrument i posaçëm për të subvencionuar kultivimin apo rikthimin e varieteteve tradicionale shqiptare.

Programi IPARD mbështet përdorimin e materialit mbjellës të certifikuar dhe investimet në modernizimin e fermave, por nuk parashikon pagesa specifike për fermerët që ruajnë apo shumëzojnë farërat vendase. Në praktikë, kjo do të thotë se fermerët që zgjedhin t’i mbajnë gjallë varietetet tradicionale nuk përfitojnë nga një nxitje e posaçme ekonomike, ndryshe nga praktikat agro-mjedisore të mbështetura në disa vende të Bashkimit Europian.

Gjatë përgatitjes së këtij artikulli, Ministria e Bujqësisë pranoi jozyrtarisht se vendit i mungon një strategji e posaçme për promovimin dhe rikthimin e farërave vendase në kultivim, duke lënë të kuptohet se tregu funksionon sipas logjikës së ofertës dhe kërkesës.

Në praktikë, kjo do të thotë se zgjedhja i lihet fermerit. Por fermeri zgjedh atë që i siguron të ardhura. Në afat të gjatë, mbështetja në një numër të kufizuar farërash tregtare rrit cenueshmërinë e të gjithë sistemit bujqësor.

Pikërisht për këtë arsye, FAO e konsideron diversitetin gjenetik si një “policë sigurimi” për të ardhmen e bujqësisë. Farërat vendase nuk ruhen thjesht sepse janë pjesë e historisë; ato ruhen sepse mund të mbartin tipare gjenetike që nesër mund të jenë vendimtare për zhvillimin e kulturave më rezistente ndaj ndryshimeve klimatike, mungesës së ujit apo sëmundjeve të reja.

Rikthimi në arë

Kur vjen pranvera në fermën e Xhavit Gjoshit, ai vazhdon të hapë të njëjtët kavanozë prej qelqi. I përzgjedh farërat me kujdes. I mbjell. Pret…

Rendimenti nuk është gjithmonë më i lartë se ai i fidanëve modernë. Por nuk është kjo arsyeja pse ai vazhdon. “Kur e ha atë domate,” thotë ai, “e di se është ajo që kam ngrënë kur isha fëmijë dhe është e njëjta që ua jap nipërve dhe mbesave të mia.”

Në një kohë kur mijëra fara shqiptare ruhen në depo të akullta në Tiranë dhe në Arktik, beteja për mbijetesën e tyre nuk do të fitohet në laborator. Ajo do të fitohet vetëm nëse ato vazhdojnë të mbillen; nëse fermerët kanë arsye ekonomike për t’i kultivuar; nëse konsumatorët i kërkojnë; nëse politikat publike i mbështesin; dhe nëse brezi i ri e sheh farën jo si një relike të së shkuarës, por si një investim për të ardhmen. Sepse një farë e ngrirë mund ta ruajë jetën, por vetëm një farë e mbjellë mund ta vazhdojë atë./acqj.al

*Ky reportazh është realizuar me mbështetjen e Earth Journalism Network të Internews.