Denada Jushi
Një javë më parë, kryeministri Edi Rama premtoi se Shqipëria do të kishte dy ose tre avionë zjarrfikës deri në fund të vitit 2026. Vetëm dje, ai prezantoi përmes një videoje në rrjetet e tij sociale avionin e parë shiqptar zjarluftues, Air Tractor, një avion i specializuar me një motor turboprop, i projektuar kryesisht për përdorim në bujqësi, spërkatjen dhe trajtimin e kulturave bujqësore nga ajri, si edhe në luftën kundër zjarreve.
Por ky nuk është premtimi i pare!
Që prej janarit 2023, qeveria ka premtuar blerjen e avionëve zjarrfikës. Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2025, Rama deklaroi se dy avionë do të ishin në dispozicion që në verën e atij viti. Në dhjetor 2025, kryeministri tha se avionët ishin porositur. Tashmë afati është shtyrë sërish, këtë herë në fund të vitit 2026.
Ndërsa premtimet vijojnë të përsëriten dhe Shqipërisë, për herë të parë, i shtohet flotës së mjeteve zjarrfikëse një avion me kapacitete të kufizuara, ndryshe nga avionët Canadair që përdoren nga shërbimet e emergjencës civile në vendet fqinje dhe në Bashkimin Evropian. Ndërkohë, zjarret vazhdojnë të përfshijnë pyje, kullota dhe sipërfaqe të tjera të vendit.
Vetëm nga 22 qershori deri në fillim të korrikut të këtij viti janë regjistruar 160 zjarre në të gjithë vendin.
Sipas të dhënave të drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, 127 raste kanë përfshirë bimësi, shkurre, ferra, pyje dhe mbetje urbane, ndërsa 33 kanë qenë zjarre urbane.
Përmasat e dëmit shfaqen edhe në të dhënat satelitore. Sipas hartëzimit të Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), në Shqipëri u dogjën rreth 46.600 hektarë territor gjatë vitit 2024.
Shqipëria vijon të përballet me të njëjtin problem çdo vit: më shumë menaxhim pas rënies së zjarrit sesa investim në parandalim.
Ajo që e bën situatën problematike është analiza e shkaqeve se përse bien zjarret.
Temperaturat e larta, thatësira dhe era janë faktorë natyrorë që ndikojnë në përhapjen e zjarreve. Megjithatë, ato nuk përbëjnë burimin e ndezjes. Janë thjesht elementët që e bëjnë një vatër të vogël të shndërrohet në një zjarr masiv.
Eksperti i zjarreve, Fatmir Taraj, shpjegon se analiza e një zjarri duhet të mbështetet në tre elementë:
- burimin e ndezjes;
- faktorët që ndihmojnë përhapjen;
- kapacitetet operacionale për ta vënë zjarrin nën kontroll.
“Temperaturat ekstreme krijojnë mjedisin ideal për përhapjen e zjarreve, por aktiviteti njerëzor mbetet shkaku kryesor i nisjes së tyre”, thotë Taraj.
Pra, shkaku më i madh mbetet dora e njeriut.
Burimet e ndezjes, sipas Tarajt, janë kryesisht njerëzore. Ato përfshijnë djegien e mbetjeve, punimet bujqësore, cigaret, shkëndijat mekanike, defektet në linjat elektrike dhe zjarrvëniet e qëllimshme.
ACQJ kontaktoi Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile përmes një kërkese zyrtare për informacion, e cila pranon se veprimtaria njerëzore përbën një nga burimet kryesore të rrezikut.
Në përgjigjen zyrtare, AKMC përmend neglizhencën, djegiet bujqësore të pakontrolluara, aksidentet dhe zjarrvëniet e qëllimshme si burime të mundshme të ndezjes.
Policia e Shtetit, nga ana tjetër, konfirmoi se zjarret shfaqen kryesisht gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht, në zona me pyje, kullota, toka bujqësore dhe bimësi të dendur.
Sipas analizës së Policisë së Shtetit, bazuar në të dhënat e mbledhura në terren, faktorët që përsëriten më shpesh janë djegia e mbetjeve bimore, përdorimi i pakujdesshëm i zjarrit të hapur dhe veprimet e qëllimshme të individëve.
Nga 1 qershori deri më 14 korrik 2026, Policia e Shtetit raporton se janë arrestuar ose proceduar 29 persona të dyshuar për zjarrvënie.
Megjithatë, ky numër tregon vetëm personat e arrestuar ose të proceduar dhe jo sa prej tyre janë dërguar për gjykim apo janë dënuar përfundimisht. Ndërsa policia publikon çdo sezon dhjetëra raste personash të proceduar, shteti nuk ofron një bilanc publik që të tregojë sa zjarrvënës përfundojnë të dënuar. Si pasojë, çdo verë debati rikthehet te ashpërsimi i dënimeve, pa u provuar më parë nëse legjislacioni ekzistues po zbatohet në mënyrë efektive.
Nga përgjigjet zyrtare nuk jepet një ndarje e qartë se sa zjarre janë shkaktuar nga pakujdesia, sa nga zjarrvënia e qëllimshme dhe sa nga shkaqe teknike.
AKMC shpjegon se përcaktimi përfundimtar i shkakut kërkon konsolidimin e dokumentacionit teknik dhe të rezultateve të hetimit për secilin rast. Kjo do të thotë se shteti ende nuk ka një panoramë të plotë kombëtare mbi motivet, modelet dhe zonat ku zjarrvëniet përsëriten.
Për pasojë, rastet e zjarrvënieve të qëllimshme vazhdojnë të trajtohen individualisht dhe jo si një fenomen që kërkon analizë dhe hetim të strukturuar, veçanërisht kur ato përsëriten në të njëjtat zona ose shoqërohen më pas me ndërtime apo interesa të tjera.
Prej vitesh pyjet janë kthyer në “karburant” për zjarret
Një vatër e ndezur përhapet shumë më shpejt kur përpara saj ka vegjetacion të thatë dhe të pamenaxhuar, thotë eksperti Fatmir Taraj. Ai shpjegon se në Shqipëri dominojnë barishtet sezonale, shkurret mesdhetare, pishat dhe lisat, të cilat gjatë verës krijojnë kushte ideale për përhapjen e flakëve.
Përgjegjësia nuk lidhet vetëm me dorën që e ndez zjarrin. Ajo shtrihet edhe te institucionet që nuk pastrojnë sipërfaqet pyjore, nuk mirëmbajnë rrugët e aksesit dhe nuk krijojnë breza mbrojtës që kufizojnë përhapjen e flakëve.
Melitjan Nezaj, ekspert i organizatës PPNEA, thotë se një nga problemet kryesore lidhet me vetë strukturën e masiveve pyjore.
“Dëmet nuk prekin vetëm përbërjen bimore. Ato ndikojnë edhe në faunën e egër, përfshirë specie të rrezikuara në mënyrë kritike për zhdukje, si rrëqebulli i Ballkanit. Zona si Parku Natyror i Munellës përballen pothuajse çdo vit me vatra zjarri, duke rrezikuar habitatet që po rigjenerohen”, shpjegon Nezaj.
Një tjetër fenomen lidhet me braktisjen e kullotave malore. Rënia e numrit të bagëtive ka bërë që bari i thatë të mos konsumohet, por të grumbullohet vit pas viti.
Të dhënat e INSTAT tregojnë një tkurrje të ndjeshme të blegtorisë. Në vitin 2018 në Shqipëri numëroheshin 467.318 krerë gjedhë. Në vitin 2020 numri ra në 362.583, ndërsa në vitin 2023 në 263.385 krerë. Në vitin 2024 u regjistruan rreth 272 mijë krerë, ndërsa në vitin 2025 rreth 275 mijë.
Krahasuar me vitin 2018, numri i gjedhëve në vitin 2025 ishte rreth 41% më i ulët.
Po ashtu, në vitin 2018 INSTAT regjistronte 1.863.837 krerë të leshta, kryesisht dele.
Rënia e blegtorisë nuk përbën vetëm një problem ekonomik. Më pak dele, dhi dhe gjedhë në kullota do të thotë më pak pastrim natyror i barit dhe shkurreve. Në zonat e braktisura, kjo bimësi thahet gjatë verës dhe shndërrohet në lëndë djegëse.
Sipas Nezajt, pikërisht kjo masë bimore ushqen zjarret dhe kontribuon në krijimin e vatrave shumë më të mëdha, siç ndodhi në rastin e Malit të Thatë.
Natyrisht, përtej dëmit ndaj natyrës, habitateve dhe rrezikut që këto zjarre paraqesin për zonat e banuara, ekziston edhe një faturë e konsiderueshme financiare.
Një nga pyetjet që ACQJ u drejtoi institucioneve ishte sa para u shpenzuan gjatë vitit të kaluar për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve. Megjithatë, nga përgjigjet zyrtare nuk u arrit të sigurohej një shifër kombëtare, edhe pse kjo faturë financiare duhej të ishte publike.
AKMC deklaron se fondet nuk administrohen nga një institucion i vetëm. Ato ndahen ndërmjet ministrive, Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, prefekturave, bashkive, shërbimeve zjarrfikëse, Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit dhe strukturave përgjegjëse për pyjet dhe zonat e mbrojtura.
Ligji parashikon që institucionet qendrore të planifikojnë fonde për zvogëlimin e riskut dhe mbrojtjen civile. Edhe bashkitë duhet të disponojnë fonde të posaçme për këto detyra.
Megjithatë, analiza e buxheteve tregon se këto fonde nuk përdoren vetëm për zjarret. Ato mbulojnë të gjitha llojet e emergjencave civile, duke përfshirë përmbytjet, tërmetet dhe operacionet e shpëtimit.
Për këtë arsye, AKMC nuk ishte në gjendje të jepte një ndarje të qartë ndërmjet fondeve të përdorura për parandalimin e zjarreve dhe atyre të përdorura për shuarjen e tyre.
Në përgjigjen zyrtare, agjencia pranon se për të prodhuar një shifër kombëtare kërkohet analizimi i realizimit buxhetor dhe i kostove të ndërhyrjeve nga të gjitha institucionet përgjegjëse.
Nga përgjigjja e dhënë rezulton se një analizë e tillë ende nuk është kryer.
Një nga zonat më të prekura nga zjarret gjatë vitit të kaluar ishte Vlora. Për këtë arsye, ACQJ kontaktoi Bashkinë Vlorë për të kuptuar se çfarë masash janë marrë një sezon më pas.
Bashkia Vlorë deklaroi se për vitin 2025 kishte planifikuar rreth 95,6 milionë lekë për mbrojtjen civile. Ky fond përfshinte masat parandaluese, reagimin ndaj emergjencave, fondin rezervë dhe fondin e kontingjencës.
Megjithatë, edhe kjo shumë nuk ishte e ndarë sipas kategorive të shpenzimeve. Nuk dihet sa është përdorur për shuarjen e zjarreve, sa për pastrimin e territorit, sa për pajisje, sa për karburant dhe sa për operacionet në terren.
Bashkia deklaron se gjatë vitit 2025 kishte miratuar një plan për parandalimin dhe reagimin ndaj zjarreve.
Megjithatë, pavarësisht këtij plani, strukturat janë përballur me operacione të gjata, lodhje të personelit, temperatura ekstreme, erëra të forta dhe vështirësi për të hyrë në zonat malore.
Për vitin 2026, Bashkia Vlorë ka blerë një automjet zjarrfikës dhe dy dronë për monitorimin e territorit dhe zbulimin e hershëm të vatrave të zjarrit.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes nuk iu përgjigj pyetjeve të ACQJ-së lidhur me koston e angazhimit të Forcave të Armatosura gjatë sezonit të kaluar, nëse kapacitetet aktuale janë të mjaftueshme, sa herë është kërkuar ndihmë ndërkombëtare dhe cilat investime janë kryer pas vitit 2025.
Si pasojë, ende nuk ekziston një faturë e plotë kombëtare e kostos së zjarreve.
AKMC rendit një sërë dokumentesh kombëtare dhe vendore, si vlerësimin kombëtar të riskut, Strategjinë Kombëtare, planet e emergjencave civile dhe planet që duhet të hartojnë bashkitë.
Sipas agjencisë, zbatimi i këtyre dokumenteve duhet të ndihmojë në identifikimin e hershëm të vatrave, aktivizimin në kohë të strukturave, kufizimin e përhapjes së flakëve dhe mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.
Megjithatë, në përgjigje mungojnë të dhëna mbi sa bashki kanë plane të përditësuara, sa prej tyre i kanë testuar këto plane dhe sa investime nga ato të planifikuara janë realizuar në praktikë.
Po ashtu, nuk jepet asnjë vlerësim mbi sa prej zjarreve të vitit 2025 mund të ishin parandaluar nëse këto masa do të ishin zbatuar plotësisht.
Për vitin 2026, AKMC deklaron se po forcohen monitorimi, patrullimi, paralajmërimi i hershëm, verifikimi i pajisjeve, trajnimet dhe koordinimi ndërinstitucional.
Megjithatë, vetëm gjatë javëve të para të sezonit u regjistruan 160 zjarre.
Kjo shifër tregon se sistemi vazhdon të vihet në lëvizje kryesisht pasi vatra është krijuar dhe jo përpara se ajo të shpërthejë.
Fatura e dëmit nga zjarret
Ajo që ka treguar vëzhgimi dhe hulumtimi ynë ndër vite është se Shqipëria ende nuk e di me saktësi se çfarë humbet kur digjet një sipërfaqe pyjore.
“Nuk është bërë asnjëherë një vlerësim i plotë i sipërfaqeve të djegura apo, më tej, i tipeve të habitateve të prekura”, thotë Melitjan Nezaj.
Sipas tij, vetëm pasi të identifikohet lloji i habitatit mund të përcaktohet edhe përmasa reale e dëmit.
Megjithëse mungon një vlerësim i detajuar kombëtar sipas llojit të habitatit, të dhënat e Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS) tregojnë qartë përmasën e territorit të përshkuar nga flakët. Vetëm gjatë vitit 2024, sistemi evropian hartëzoi rreth 46.600 hektarë të djegur në Shqipëri.
“Kur preken pyjet e vjetra, duhen dhjetëra, madje edhe qindra vite që të rikthehen shërbimet e tyre ekosistemike”, shpjegon Nezaj.
Në disa raste, rigjenerimi natyror është i pamundur dhe kërkon ndërhyrje restauruese.
Edhe eksperti Fatmir Taraj paralajmëron se pasojat nuk mbarojnë kur flakët shuhen.
Temperaturat e larta shkatërrojnë lëndën organike të tokës, ulin pjellorinë dhe mund të krijojnë një shtresë të papërshkueshme, e cila pengon depërtimin e ujit në tokë.
Pas humbjes së vegjetacionit, reshjet largojnë shtresën pjellore të dheut, shtojnë sedimentimin në lumenj dhe rezervuarë, si edhe rrisin rrezikun e rrëshqitjeve të dherave. Në relievin malor të Shqipërisë, ky konsiderohet një nga dëmet më të rënda afatgjata.
Në këtë pikë lind një pyetje e pashmangshme:
Çfarë kemi bërë gabim?
Gabimi i parë është se zjarret vazhdojnë të trajtohen si një emergjencë sezonale dhe jo si një risk që duhet menaxhuar gjatë gjithë vitit.
Raportimet institucionale fokusohen kryesisht te numri i forcave dhe mjeteve të angazhuara për shuarjen e zjarreve.
Ndërkohë, nuk publikohen rregullisht tregues të tjerë shumë më domethënës, si:
- sa hektarë sipërfaqe pyjore janë pastruar;
- sa breza mbrojtës janë krijuar;
- sa rrugë pyjore janë rehabilituar;
- sa pika furnizimi me ujë janë bërë funksionale.
Pa këta tregues është e pamundur të vlerësohet nëse sistemi po investon realisht në parandalim.
Gabimi i dytë është copëzimi i përgjegjësive institucionale.
Bashkitë kanë përgjegjësitë vendore. Prefektët koordinojnë strukturat në nivel qarku. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile koordinon sistemin kombëtar. Forcat e Armatosura përfshihen vetëm kur kapacitetet civile nuk janë të mjaftueshme.
Në praktikë, përgjegjësitë ndahen ndërmjet shumë institucionesh, ndërsa përgjegjësia përfundimtare mbetet e paqartë.
Edhe në këtë rast, si në shumë sektorë të tjerë, investimet përqendrohen kryesisht te reagimi pasi dëmi është shkaktuar dhe jo te parandalimi.
Gabimi i tretë është mungesa e një baze kombëtare të të dhënave për zjarret.
Çdo vatër e madhe duhet të ketë të dokumentuar:
- vendin e nisjes;
- shkakun;
- pronësinë e tokës;
- kushtet atmosferike;
- dëmin e shkaktuar;
- rezultatin e hetimit.
“Çdo zjarr i madh duhet të hetohet profesionalisht”, thotë Fatmir Taraj.
Ai rekomandon përdorimin e hartave GIS, dronëve, analizave laboratorike dhe krijimin e një databaze kombëtare për zjarret.
Pa një sistem të tillë nuk mund të identifikohen modelet e zjarrvënies së qëllimshme, zonat ku fenomeni përsëritet dhe motivet që mund të lidhen me pastrimin e kullotave, hapjen e tokave apo interesa të tjera ekonomike.
Çfarë duhet të ndryshojë?
Avionët zjarrfikës janë të nevojshëm, veçanërisht në terrene ku forcat tokësore nuk mund të ndërhyjnë.
Por ata nuk mund të zëvendësojnë parandalimin.
Sipas Fatmir Tarajt, Shqipëria duhet të kalojë nga një sistem reaktiv në një model të bazuar mbi analizën e riskut.
Kjo nënkupton:
- hartëzimin e zonave me rrezik të lartë;
- pastrimin sistematik të shkurreve dhe drurit të thatë;
- krijimin e brezave mbrojtës;
- mirëmbajtjen e rrugëve pyjore;
- ngritjen e pikave strategjike të furnizimit me ujë.
Monitorimi duhet të mbështetet te kamerat inteligjente, dronët, sensorët termikë, satelitët dhe informacioni meteorologjik në kohë reale.
Po aq të rëndësishme janë ekipet e specializuara për zjarret pyjore, pajisjet mbrojtëse, automjetet për terrene të vështira dhe një komandë e unifikuar që koordinon të gjitha strukturat përgjegjëse.
Për Melitjan Nezajn, prioriteti është i qartë:
“Parandalimi i hershëm mbetet çelësi i zgjidhjes. Duke pasur parasysh relievin e Shqipërisë, aksesueshmërinë e kufizuar të zonave natyrore dhe kapacitetet aktuale të autoriteteve, fokusi duhet të jetë te investimet në parandalim dhe te grupet e ndërhyrjes.”
Shqipëria mund t’i ketë dy ose tre avionët e premtuar deri në fund të vitit.
Por nëse nuk analizohet fenomeni i zjarrvënieve në tërësi, nuk pastrohen pyjet, nuk maten dëmet dhe nuk përcaktohen qartë përgjegjësitë institucionale, rreziku është që avionët të mbeten më shumë një simbol komunikimi politik sesa një zgjidhje për problemin.
Panorama që del nga përgjigjet e institucioneve dhe analiza e ekspertëve tregon se premtimet për mjete të reja ajrore mund të vazhdojnë të përsëriten, njësoj si zjarret që shpërthejnë çdo verë.
Ndërkohë, pyetjet themelore mbeten ende pa përgjigje:
Kush i ndez zjarret?
Sa i kushtojnë ato vendit?
Dhe, mbi të gjitha, përse Shqipëria vazhdon të investojë më shumë për të shuar flakët sesa për t’i parandaluar ato?/acqj.al