4 në 10 shqiptarë në rrezik varfërie: Lista e bukës zgjatet.

Çmimet janë rritur me rreth 21% që nga viti 2020, Me PBB për frymë vetëm 42% të mesatares së Bashkimit Europian, 40.3% e shqiptarëve mbeten në rrezik varfërie ose përjashtimi social. Në marketet e lagjeve, këto shifra nuk lexohen në raporte. Lexohen në fletore borxhesh, ku buka, qumështi dhe vaji presin ditën e rrogës.

Andeta Kapa

“Shkruaje te lista, të lutem. Kur të marr rrogën, vij dhe t’i paguaj.”

Shitësi nuk bën asnjë pyetje. Hap një fletore të konsumuar nga përdorimi, shkruan emrin e klientit, datën dhe shumën. Buka, qumështi, një litër vaj dhe një pako makarona futen në qese. Pagesa? Ajo do të presë edhe disa ditë.

Në shumë markete të vogla nëpër lagjet e Tiranës, kjo skenë përsëritet pothuajse çdo ditë. Për një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve, blerja e produkteve “me listë” mbetet mënyra e vetme për të siguruar ushqimet bazë deri në fund të muajit.

Lista shtohet

“Po, është një praktikë që vazhdon prej vitesh. Kryesisht janë klientë të rregullt që i njohim prej kohësh dhe që ndonjëherë nuk arrijnë t’i përballojnë shpenzimet deri në fund të muajit,” thotë Miri, pronar i një marketi pranë Vilave Gjermane. Sipas tij, në listë përfundojnë pothuajse gjithmonë të njëjtat produkte: bukë, qumësht, vaj, sheqer, oriz dhe detergjentë. “Rrallëherë bëhet fjalë për produkte jo të domosdoshme,” shton ai.

Miri tregon se fenomeni është bërë edhe më i dukshëm vitet e fundit, sidomos pas rritjes galopante të çmimeve pas periudhës së Covid-it.

“Kemi parë më shumë familje që kërkojnë të marrin produkte me listë. Ka edhe persona që punojnë me kohë të plotë, por paga thjesht nuk u mjafton.”

Të njëjtin realitet gjejmë edhe në zonën e Shkozës. Donika, një tjetër pronare marketi, tregon se këtë mundësi e kërkojnë më së shumti pensionistët dhe familjet me shumë anëtarë.

“Ka familje që marrin produkte disa herë gjatë muajit dhe i shlyejnë kur marrin pagën, pensionin ose ndihmën ekonomike,” tregon Donika, pronare e marketit.

Borxhet regjistrohen në një fletore ku shënohen emri i klientit, data dhe produktet e marra.

“Kjo situatë na krijon edhe ne vështirësi si biznes, sepse kemi detyrimet tona. Megjithatë, kur sheh që dikush ka nevojë për ushqime bazë, është e vështirë t’i thuash jo,” përfundon ajo.

Ndërsa në supermarketet e mëdha nuk ekziston mundësia e blerjes “me listë”, marketet e lagjeve vazhdojnë ta ofrojnë sepse njohin klientët, një shenjë se solidariteti po mbulon boshllëqet që lë pas situata ekonomike.

Një vëzhgim i shtrirë në pesë lagje të ndryshme të kryeqytetit – Shkozë, Vilat Gjermane, Laprakë, Rruga e Elbasanit dhe Rruga “Siri Kodra” – konfirmon se fletoret e borxheve (tashmë ndonjëherë edhe në formën e shënimeve në telefon) janë mekanizmi i mbijetesës për qindra familje.

Rrethi vicioz i varfërisë

Pas këtyre fletoreve fshihet një skaner i frikshëm ekonomik. Sipas vlerësimeve të Eurostat, Shqipëria vazhdon të renditet mes vendeve me fuqinë më të ulët blerëse në Ballkanin Perëndimor. Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) për frymë arrin në vetëm 42% të mesatares së Bashkimit Europian.

Më shumë sesa statistika, ky është një realitet që prek tryezat e familjeve.

Z. Gjergji, baba i tre fëmijëve, tregon me vështirësi se si inflacioni ia ka përmbysur jetën:

“Problemi qëndron tek pagat që mbeten në vend, ndërsa çmimet rriten pothuajse çdo muaj. Kemi hequr dorë nga çdo gjë që nuk është jetike. Pjesa më e vështirë është ana emocionale, kur duhet t’u thuash ‘JO’ fëmijëve dhe t’u shpjegosh se nuk kemi mundësi.”

4 në 10 shqiptarë vazhdojnë të jenë në rrezik varfërie ose përjashtimi social. “Është e qartë se varfëria mbetet një problem strukturor”, kështu shprehet Kolindo Vjerdha, aktivist dhe përfaqësues i organizatës “Qëndresa Qytetare”. Në një raport të qendrës për minimumin jetik, të realizuar në vitin 2020 nga Ilda Methasani, u doli në përfundimin se në Shqipëri rreth 40% e popullsisë jeton me 5.5 dollarë ose 410 lekë në ditë dhe, krahasuar me vendet e tjera të rajonit si Serbia, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi apo Kosova, ky është niveli më i lartë i varfërisë.

Sipas Vjerdhës, sot kemi rreth 461 mijë shqiptarë nën pragun e rrezikut për varfëri, ndërsa 40.3% e popullsisë është në rrezik varfërie ose përjashtimi social dhe 32.8% përballet me privim të rëndë material dhe social. Kjo bëhet edhe më shqetësuese nëse shohim rritjen e kostos së jetesës. “Pragu i rrezikut për varfëri është rreth 27 mijë lekë në muaj, ose 900 lekë në ditë, ndërkohë që niveli i përgjithshëm i çmimeve është rritur me rreth 21% krahasuar me vitin 2020,” shton më tej Vjerdha.

Sipas Vjerdhës, përfaqësues i organizatës “Qëndresa Qytetare”, rreth 40.3% e popullsisë në Shqipëri është në rrezik varfërie ose përjashtimi social. “Pragu i rrezikut për varfëri llogaritet rreth 27 mijë lekë në muaj për frymë, ndërkohë që niveli i përgjithshëm i çmimeve është rritur me rreth 21% krahasuar me vitin 2020,” sqaron ai, duke iu referuar edhe studimeve të mëparshme mbi minimumin jetik.

Paradoksi i ndihmës ekonomike

Në rang kombëtar, rreth 56,000 familje trajtohen me ndihmë ekonomike. Ndonëse Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale raporton një rënie të numrit të përfituesve, gjë që në letër mund të duket si përmirësim, ekspertët thonë se kjo lidhet më shumë me shtrëngimin e kritereve sesa me pasurimin e qytetarëve.

Në Tiranë, Bashkia trajton zyrtarisht 2,269 familje me ndihmë ekonomike, por kjo mbështetje mbetet një pikë në oqean.

Kostoja e jetesës, veçanërisht për ushqimet, mbetet një sfidë për shumë familje në Tiranë. Nga intervistat me banorë të qytetit rezulton se një familje me 3–4 anëtarë shpenzon mesatarisht 35 mijë deri në 60 mijë lekë në muaj vetëm për produktet ushqimore, në varësi të numrit të anëtarëve dhe të ardhurave. Ndërkohë, ndihma ekonomike që përfitojnë familjet në nevojë mbetet shumë më e ulët se kjo kosto, duke bërë që shumë prej tyre të mbështeten tek blerjet “me listë” për të siguruar produktet bazë.

Në vitin 2021, Avokati i Popullit e vlerësoi minimumin jetik në rreth 17,875 lekë për frymë, por sot ky institucion ngre alarm se kjo vlerë duhet të jetë të paktën 23 mijë lekë për të mbuluar nevojat minimale. Siç shprehet zëdhënësja e Avokatit të Popullit, znj. Esiona Konomi: “Mungesa e një vlere zyrtare ligjore referuese lejon mbajtjen e pagesave sociale në nivele tepër të ulëta, duke cenuar të drejtën kushtetuese për një jetesë të dinjitetshme.”

Granit Sokolaj, drejtor ekzekutiv i Qendrës “Alert”, sqaron se ky sistem krijon një kurth nga i cili familjet e kanë të pamundur të dalin.

“Kur këta qytetarë marrin pagën ose pensionin në fund të muajit, një pjesë e madhe shkon menjëherë për të shlyer borxhet e muajit të kaluar te marketi i lagjes. Si pasojë, paratë e mbetura nuk mjaftojnë dhe ata detyrohen të hapin sërish listën e re. Është një rreth vicioz.”

Ky presion ekonomik nuk prek vetëm ushqimin, por detyron familjet të sakrifikojnë edhe faturat e dritave, ujit apo ngrohjen gjatë dimrit.

Ndërsa supermarketet e mëdha dhe rrjetet ndërkombëtare nuk njohin skenarë të tillë, dyqanet e vogla të lagjeve po mbajnë mbi supe peshën e një krize sociale. Në cep të banakut, pranë arkës, fletorja e borxheve vazhdon të hapet çdo ditë. Për disa ajo është thjesht një bllok shënimesh; për shumë të tjerë, është e vetmja garanci që në tryezën e shtëpisë do të ketë ushqim edhe sonte./acqj.al