Rexhina Papa
Çdo qytetar në Republikën e Shqipërisë ka të drejtë të jetë në dijeni të informacioneve dhe dokumenteve cilat do qofshin ato, përjashto dokumentet sekrete, të dhënat personale dhe sekretin tregtar. Kjo e drejtë mundësohet me anë të kërkesave për informim dhe programit të transparencës që duhet të gjendet në faqet zyrtare të institucioneve shtetërore. Programi Transparencës nënkupton që vetë institucionet bëjnë publik dokumentacionin pa e kërkuar kush.
Ligji e miratuar 12 vite më parë që në vitin 2014, synon që dokumentet/ informacioni të jepet maksimumi brenda 10 ditëve.
Po ashtu ligji parashikon sanksione financiare për nëpunësit që refuzojnë ose vonojnë dhënien e informacionin.
Megjithatë, sipas të dhënave të marra nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe të Dhënve Personale gjatë vitit 2025 institucioni ka marrë gjithsej 897 ankesa dhe është shprehur me vetëm 33 vendime për 34 ankesa. Nga këto, janë dhënë 20 vendime urdhërimi për dhënie informacioni, 11 vendime rrëzimi dhe 2 vendime me sanksion administrativ, gjobë.

Duket se gjoba kjo “armë” e re, nuk rezulton aq efektive në dënimin e rasteve të shkeljes së ligjit.
Institucionet janë kokëfortë në zbatimin e ligjit; vonesa, informacion i pjesshëm, ose mungesë informacion…
Ligji Nr.119/2014 kërkon që çdo informacion duhet të bëhet transparent. Nga monitorimi i kryer nga ACQJ, janë marrë në vëzhgim 91 institucionet kryesore në vend, 61 bashkitë, ministritë dhe agjencitë kryesore.
Nga vëzhgimi i bërë në faqet e tyre të web-it, rezulton se:
Vetëm 64% kanë numër kontakti të afishuar. Dhe ky jo gjithmonë lehtësisht i gjetshëm.
Adresat e email-eve janë po aq problematike dhe në 7 raste ato ishin jo funksionale.
20% e institucioneve nuk kishin regjisër kërkesash, (siç e kërkon ligji) dhe vetëm 38 prej tyre i kishin përgjigjet të vendosura aty. Dhe në ato regjistra që është shënuar se përgjigjet ishin të shkruara ose të shkarkueshme, përgjigjet ishin të cunguara dhe kishte kërkesa për të cilat përgjigja nuk ishte bërë transparente.
10 prej institucioneve u mungonte buxheti plotësisht. 1/3 e institucioneve të tjera kishin një buxhet të paplotë, herë gjendeshin vetëm vitet e fundit, e herë ato mungonin për të patur të publikuar dokumenta të vjetra.

7 faqe rezultuan pa program transparence. Dhe shumë prej tyre kanë ende të afishuar në faqe dokumente që tregojnë se programi pritet të hidhet së shpejti…
Email institucioni ishte në 92% të raste kurse i kordinatorit në 82%.
Gazetarët përballen me mungesën e transparencës
Esmeralda Cenollari, gazetare e Faktoje.al, shprehet se institucionet dhe kur përgjigjen, japin përgjigje të pjesshme ose pa përmbajtje konkrete.
“Në rastin e Faktoje, metodologjia jonë kërkon që çdo informacion të mbështetet në qëndrimin zyrtar të institucionit. Gjatë vitit 2025, Faktoje.al ka dërguar mbi 200 kërkesa për informacion. Nga 183 kërkesa drejtuar institucioneve shqiptare, shumica e përgjigjeve ishin të pjesshme, të përgjithshme ose shmangnin pyetjen konkrete. Në 42 raste, gazetarët u detyruan t’i drejtohen Komisionerit për të Drejtën e Informimit, duke dëshmuar nivelin e lartë të refuzimit institucional.”
Këto vonesa dëmtojnë cilësinë e raportimit. Informacioni që merret me vonesë humbet vlerën.
Ligji garanton akses publik, por problemi qëndron te zbatimi. Praktika e institucioneve tregon vonesa sistematike, mungesë transparence dhe mosdhënie të përsëritur të informacionit.
Për sa i përket programit të transparencës Cenollari shprehet se në disa raste është funksional, por shpesh has probleme: adresa emaili që nuk funksionojnë, moshedhje në kohë e përgjigjeve zyrtare në program. Shumica e institucioneve e kanë programin të publikuar, por jo gjithmonë të përditësuar.
“Sa më sensitiv të jetë informacioni, aq më shumë refuzojnë institucionet. Shpesh na është dashur të dërgojmë kërkesa për të dhëna që normalisht duhet të ishin të publikuara në Programin e Transparencës.” thotë Cenollari.
Duket se programi zbatohet më shumë si një detyrim formal sesa si një instrument real për informimin e publikut.
Xhesika Tollia, gazetare e Shteg.org, pohon të njëjtat shqetësime duke shtuar se ka një mungesë gatishmërie për të ofruar informacion që është me interes publik.
“Nga përvoja ime, afatet respektohen pjesërisht. Përgjigjet vijnë me vonesë, apo pas kujtesave, pra një email-i tjetër për t’i “rikujtuar” institucionit afatet ligjore. Vetë fakti që duhet të ankohesh për të marrë një informacion që ligji e garanton tregon se ka probleme në zbatimin e tij.”
Për sa i përket efektshmërisë së programit të transparencës Xhesika thotë se dokumentet e publikuara janë të vjetra, mungojnë të dhëna të rëndësishme ose informacioni është i vështirë për t’u gjetur.
Esmeralda Keta, gazetare e Top Channel shfaq të njëjtat problematika, duke dëshmuar se gjithë gazetarët hasin të njëjtat pengesa pavarësisht medias ku punojnë, qoftë kjo online apo media tradicionale.
“Nuk di të të them nëse ka një institucion që vërtetë respekton afatet dhe i përgjigjet pyetjeve që ti i ke dërguar. Edhe në ato raste kur ka përgjigje nga institucionet, brenda është e vështirë të gjesh një informacione që vlejnë.”
Programi i transparencës sipas përvojës së saj është komplet fiktiv dhe nuk përmbush asnjë lloj detyrimi duke i lënë gazetarët në një pozitë të vështirë për të marr atë që ligji ua garanton.
Çfarë tregojnë shifrat!
Ilda Londo, kordinatore kërkimore nga Instituti i Medias arsyeton se ligji është përgjithësisht i mirë, por hallka më e dobët janë praktikat e institucioneve.
“Ka institucione që janë më skrupulozë dhe e botojnë më të plotë informacionin, kryesisht institucionet e pavarura. Nërkohë që ka dhe institucione të tjera që botojnë minimumin e informacionit që kërkohet, ose që nuk e freskojnë atë.”, thotë Londo.
Nga monitorimi i fundit i publikuar nga Instituti i Medias për “Zbatimin e të drejtës së informimit në institucione shtetërore”, nga 145 kërkesa për informacion të dërguara pranë niveleve të ndryshme të institucioneve në kryeqytet u morën përgjigje në 90 raste, ndërkohë që në 55 raste të tjera ose u refuzua përgjigjja, ose nuk pati asnjë lloj reagimi nga administrate. Pra, kemi 38% të kërkesave që nuk kanë marrë asnjë lloj përgjigje. Rezultate pothuajse të njëjta me vitet 2012, ku vetëm 60% e aplikantëve morën përgjigje.
Sipas Londos kërkohet forcimi i mekanizmave të zbatimit edhe një rol më aktiv i Komisionerit, por edhe masa më shtrënguese ndaj institucioneve që refuzojnë të përgjigjen.
“Mendoj se transparenca është problem që shkon përtej medias dhe marrëdhënieve me institucionet publike; është reflektim i mungesës së transparencës në shoqëri nga ana e institucioneve, mungesa e llogaridhënies ndaj publikut, të forcuar edhe nga kultura e pandëshkueshmërisë e ndërtuar ndër vite.”, shprehet ajo.
Avokatja Irena Dule nga Res Publica, e cilëson ligjin nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit” në letër, një nga kuadret ligjore më të avancuara në rajon.
“Problemi kryesor që mbetet është zbatimi. Po flasim për një ligj mirë të konceptuar që funksionon dobët sepse konteksti politik dhe kulturor shqiptar nuk e mbështet me vullnetin institucional të domosdoshëm.”
Sanksionet parashikohen, por rrallë aplikohen. Kur një institucion refuzon të zbatojë edhe vendimin e vetë Komisionerit, e vetmja rrugë që i mbetet qytetarit ose organizatës është t’i futet një procesi gjyqësor që mund të zgjasë mbi një dekadë!
Avokatja vë në dukje dhe një problem tjetër, delikat. Përjashtimet e parashikuara nga neni 17 i ligjit (informacioni i klasifikuar, procesi i brendshëm i vendimmarrjes, etj.) përdoren shpesh në mënyrë te zgjeruar, pa u kryer testi i vërtetë “dëm kundrejt interesit publik” që vetë ligji e kërkon. Kjo e kthen përjashtimin nga rregull i ngushtë në praktikë të gjerë.
Programi i Transparencës, për të është vendi ku hendeku mes normës dhe praktikës bëhet i prekshëm.
“Në shumicën dërrmuese të rasteve që kemi monitoruar, funksionon si detyrim formal, jo si praktikë e gjallë. Monitorimi ynë më i fundit e sjell këtë pabarazi në shifra konkrete: vetëm 13% e autoriteteve publike disponojnë sot një regjistër kërkesash të plotë dhe të rifreskuar sipas standardit ligjor, ndërsa në pushtetin vendor kjo shifër zbret pothuajse në zero. Kjo tregon qartë se problemi nuk është burimor apo teknik, por vullnet institucional dhe se sa më afër qytetarit është institucioni, aq më e dobët është transparenca reale.”
Shqetësimi më i madh ndodh nën hundën e qytetarit, aty ku ai paguan nga xhepi i tij dhe merren vendime jetike për të.
Në nivel formal dhe numerik, Dule shprehet se programi është përmirësuar, dhe kjo vetë sipas saj është domethënëse. “Monitorimi ynë më i fundit tregon se rreth 65% e kërkesave për informacion marrin sot përgjigje të plotë.
Por ky përmirësim statistikor nuk përkthehet automatikisht në transparencë reale. Institucionet kanë mësuar t’i plotësojnë kutitë e detyrimit formal, ato kanë koordinator, kanë regjistër kërkesash, kanë program transparence, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se informacioni që qarkullon është i thelluar, i përditësuar apo i dobishëm. Dhe pikërisht në fushat “të nxehta”, ku interesi për transparencë përplaset me interesa ekonomike apo politike, përballemi me rezistencë institucionale.”
Raporti i ResPublica vë në dukje disa kontradikta mes asaj që raportohet zyrtarisht dhe asaj që ndeshet në terren. Rënien e kërkesave për informacion Dule e lexon si dekurajimin e vetë përdoruesve; gazetarëve dhe aktivistëve në veçanti, që janë lodhur nga procese të gjata dhe shpesh joefektive.
Programi plotësohet minimalisht për t’iu shmangur sanksionit, jo sepse shihet si mjet për të ndërtuar besim me publikun. Shifrat e vitit të fundit nga ResPublica konfirmojnë këtë. Nga 861 ankesa të depozituara te Komisioneri, u morën vetëm 33 vendime, dhe prej tyre vetëm 2 përfunduan me sanksion për refuzim informacioni, krahasuar me 13 gjoba të vendosura për thjesht mospërmbushje formale të programit të transparencës. Institucionimbikëqyrës ndëshkon shumë më shpesh formën (a e ke publikuar programin) sesa substancën (a po e jep realisht informacionin kur kërkohet).
“Kjo bëhet edhe më e theksuar kur vjen puna te informacioni “sensitiv”, atje ku transparenca do të nxirrte në pah interesa ekonomike apo politike të përfshira në vendimmarrje. Kjo është mjaft aktuale sot. Jemi në muajin e tretë të protestave të lëvizjes “Revolucioni i Flamingove”, dhe institucionet kryesore vendore vazhdojnë të mos japin informacion mbi projektet në Zvërnec, pikërisht ato që ndezën protestat. Nëse ligji do zbatohej siç duhet, këto projekte do ishin bërë publike që në fillim përmes vetë Programit të Transparencës, pa qenë nevoja për protesta apo kërkesa formale për informim. Fakti që ende sot, pas dy muajsh presion publik, informacioni bazë mungon, tregon qartë se Programi i Transparencës nuk funksionon si instrument parandalues i konfliktit funksionon vetëm si formalitet për rastet “e paqme”, dhe shpërbëhet plotësisht pikërisht atje ku interesi publik për ta pasur informacionin është më i lartë.”, shprehet avokatja.
Avokatja Dule sugjeron që sanksionet në rast refuzimi duhet të zbatohen automatikisht dhe në mënyrë sistematike. Ajo thekson se duhet t’i jepet fund praktikës ekstra-ligjore të vetë Komisionerit, i cili sot, në shumë raste, mbyll ankesat pa dalë me vendim formal, pavarësisht se neni 24 i ligjit e detyron ta bëjë këtë në çdo rast ankimi për refuzim informacioni.
Sa i përket vonesave Dule propozon që çështjet gjyqësore që lindin nga mosdhënia e informacionit duhet të gjykohen me një shkallë të vetme dhe me procedurë të përshpejtuar. Që të ndodhë realisht në praktikë, çka ligji premton.”
Kur e drejta për informim mbrohet vetëm në formë dhe tjetërsohet në përmbajtje, kultura e llogaridhënies zëvendësohet nga ajo e fshehjes. Nëse Komisioneri dhe gjyqësori nuk veprojnë si garantë realë të këtij ligji, Programi i Transparencës do të mbetet një mur mbrojtës për administratën dhe një letër e vdekur për gazetarët, dhe qytetarët. Informacioni publik nuk është një privilegj që dhurohet nga nëpunësi, por një e drejtë që ta jep ligji dhe e garanton Kushtetuta./acqj.al