Ida Ismalaj
Këtë sezon turistik, qeveria ka ndërmarrë një reformë të thellë për administrimin e vijës bregdetare, duke ndryshuar rrënjësisht rregulloren e stacioneve të plazhit. Për herë të parë, bashkive u jepet e drejta të vendosin tavane për çmimet e shezlongëve, ndërsa krijohet një kategori e re: “plazhi publik me pagesë”, i administruar drejtpërdrejt nga pushteti vendor.
Kjo reformë synon të frenojë abuzimet me çmimet, të garantojë më shumë kontroll mbi operatorët privatë dhe të përmirësojë standardet e shërbimit. Por në terren, pikëpyetjet mbeten të mëdha: a do të paguajnë pushuesit për më shumë cilësi, apo për një të drejtë që deri dje e kishin falas? Mbi të gjitha, në një sezon që ka nisur me bilance tragjike, a do të garantojë ky ndryshim sigurinë e jetës në det?
Nga plazhi publik falas te ai me pagesë
Vendimi vjen pas kritikave të vazhdueshme të Kryeministrit Edi Rama ndaj tarifave të larta të aplikuara në disa prej destinacioneve më të frekuentuara turistike, veçanërisht në Ksamil dhe Dhërmi. Për vite me radhë, çmimet stratosferike janë bërë objekt debatesh, duke dëmtuar imazhin e turizmit vendas.
Me ndryshimet e reja, këshillat bashkiakë do të miratojnë përpara çdo sezoni çmimet maksimale për çdo zonë bregdetare. Operatorët privatë që tejkalojnë tarifat e miratuara rrezikojnë gjoba të rënda dhe humbjen e kontratës. Ndërkohë, hapësirat e reja “publik me pagesë” do të menaxhohen vetë nga bashkitë dhe nuk mund t’u delegohen privatëve.
Për të kuptuar ku jemi, duhet parë se si ka ndryshuar bregdeti vitet e fundit:
Viti 2023 (vetëm 20% publik): Rregullorja e vjetër linte vetëm 1/5 e vijës bregdetare në dispozicion të qytetarëve pa pagesë. Edhe pse në letër ekzistonin standarde për sigurinë dhe higjienën, në terren mungonin tualetet, dushet dhe rojet e plazhit, ndërsa privatët zaptonin çdo hapësirë.
Viti 2025 (detyrimi për 30% falas): Rregullat e reja përcaktonin se të paktën 30% e sipërfaqes së plazhit duhej të ishte falas. Parashikohej një korridor i lirë prej 2.5 metrash pranë detit dhe vendosja e çadrave minimalisht 10 metra larg ujit. Megjithatë, zbatimi dështoi, qytetarët vazhduan të ankoheshin për çadra të futura deri në det dhe mungesë totale kushtesh në zonat falas.
Ankesat e para
Këtë vit bashkitë kanë marrë zyrtarisht kontrollin e çmimeve. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka deklaruar gjatë inspektimeve se “mbetemi të angazhuar për mbrojtjen e hapësirave publike, respektimin e të drejtave të banorëve dhe krijimin e kushteve që plazhet të jenë të pastra e të sigurta.”
Por, në terren, zëri i qytetarëve thotë të kundërtën. Në Durrës, denoncimet se hapësirat publike po zvogëlohen në favor të privatëve janë të përditshme. Një qytetar në zonën e Vollgës shprehet i revoltuar: “Plazh i lirë zero. U zgjerua rëra për privatët dhe tavolinat e lokaleve”.
Ankesa të ngjashme raportohen edhe në Gjirin e Lalzit, ku hapësirat e dedikuara si plazh publik janë zënë pothuajse tërësisht nga subjektet private, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi efektivitetin e kontrolleve të bashkive.
A kanë fuqi bashkitë të “luftojnë” me privatin?
Ekspertja e turizmit, Flora Xhemali shprehet mjaft skeptike për aftësinë e pushtetit vendor: “Bashkia nuk po menaxhon dot hapësirat e veta publike, që janë lënë në mëshirë të fatit. Çfarë do bëjë? Bashkia nuk ka aq infrastrukturë shtetërore për të kontrolluar privatin, sidomos në pikun e sezonit. Do jetë e vështirë për t’u implementuar si ligj. Lufta e vërtetë është për plazhet e jugut dhe për çmimet e çadrave.”
Modeli i Lezhës dhe Velipojës
Lezha është bashkia që ka zbatuar më gjerësisht modelin e ri për vitin 2026, duke ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë hapësirën: 94,195 m² plazh publik falas dhe 96,070 m² plazh publik me pagesë (me tarifa që variojnë nga 300 deri në 2.000 lekë). Kryebashkiaku Pjerin Ndreu ka mbrojtur projektin duke thënë se qytetarët do të kenë mundësi zgjedhjeje sipas xhepit dhe komoditetit.
Velipoja: Shifrat tregojnë një rritje progresive të hapësirës publike falas në tri vitet e fundit, ndërsa në 2024, hapësira publike zinte 31.5% e plazhit (70,760 m²) këtë vit zë 37.8% e plazhit (82,052 m²).
Edhe pse Këshilli Bashkiak ka vendosur një çmim tavan prej 900 lekësh për çadër, monitorimet në terren tregojnë se në zonat publike ende mungojnë dushet, tualetet dhe mirëmbajtja bazë.
Kaosi i çmimeve nga Durrësi në Sarandë:
Në Durrës, rreth 70% e plazhit mbetet privat. Nga 128 hapësira publike në total, numrin më të madh e ndan Plazhi i Madh (52) dhe Shkëmbi i Kavajës (34). Në Vlorë, tarifa zyrtare është 700 lekë, por qytetarët raportojnë se nën dorë paguajnë deri në 1.500 lekë. Ndërsa tavanet më të larta i ka miratuar Saranda (deri në 3.000 lekë) dhe Ksamili, ku një çadër në plazh publik mund të kushtojë deri në 4.000 lekë.
“Karta VIP”: Si i nxjerrin jashtë loje investitorët strategjikë bashkitë?
Pavarësisht rregullave të reja, “ligjin” në bregdet vazhdojnë ta bëjnë investitorët strategjikë. Rregullorja ruan përparësinë për këto projekte, në momentin që një projekt strategjik vihet në funksion, ai ka të drejtë të prishë kontratat ekzistuese dhe të marrë në administrim pjesë të vijës bregdetare. Kjo ka ngritur shqetësime për tkurrjen graduale të hapësirave publike në zonat më të lakmueshme.
Eksperti i turizmit Lyto Alliu argumenton: “Për të arritur turizmin elitar nuk mjafton vetëm ndërtimi i hoteleve apo vendosja e çmimeve. Menaxhimi është problemi i vërtetë. Zona pa pagesë shpesh lihet ajo më larg dhe pa asnjë standard, ku nuk shkon askush.”
Çmimet nën kontroll, por siguria e jetës në alarm
Ndërsa i gjithë debati publik është përqendruar te paratë, sezoni 2026 ka nisur me një bilanc tragjik në plazhe. Vetëm gjatë muajit qershor janë regjistruar pesë viktima, përfshirë fëmijë dhe të rinj:
3 qershor: Dy të rinj nga Kosova (21 dhe 22 vjeç) humbën jetën te Rana e Hedhun nga rrymat e forta.
9 qershor: Dy vajza të mitura (9 dhe 11 vjeç) u mbytën në plazhin publik të Tales.
21 qershor: Një 11-vjeçar humbi jetën në plazhin e Durrësit.
Këto ngjarje të rënda kanë rikthyer me urgjencë vëmendjen te dështimi i sigurisë, mungesa e vrojtuesve të plazhit, sinjalistika e dobët dhe mungesa e zonave të certifikuara për not.
Vera e këtij viti mund të shënojë një pikë kthehe në menaxhimin e bregdetit shqiptar, ku bashkitë po eksperimentojnë si “biznesmene” të plazheve me pagesë. Megjithatë, suksesi i kësaj reforme nuk do të matet me numrin e tarifave të miratuara në letra apo me premtimet politike.
Mënyra e vetme se si do të matet suksesi është ajo që qytetari do të gjejë realisht në terren: Plazhe të pastra dhe pa mbeturina, dushe dhe tualete publike funksionale e të mirëmbajtura, rreziqe të sinalizuara dhe vrojtues plazhi që garantojnë jetën dhe mbi të gjitha, respektim të rreptë të hapësirës së lirë që u takon qytetarëve./acqj.al