Ida Ismalaj
Lëvizja e lirë është një e drejtë themelore, por për mijëra persona me aftësi të kufizuara në Shqipëri ajo mbetet ende një sfidë e përditshme. Nga trotuaret e papërshtatshme dhe stacionet e paaksesueshme deri te autobusët pa rampa funksionale, pengesat nuk kufizojnë vetëm udhëtimin, por edhe aksesin në arsim, punësim, shërbime shëndetësore dhe jetën sociale.
Megjithëse Shqipëria ka miratuar kuadrin ligjor për mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara dhe ka ratifikuar Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, realiteti në terren tregon se transporti publik mbetet ende larg standardeve të aksesueshmërisë.
Suela Lala, drejtuese e fondacionit “Së Bashku” rendin problematika me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara.
“Aktualisht vetëm Bashkia e Tiranës ka autobusë të pajisur me rampa, ndërsa në bashkitë e tjera transporti mbetet pothuajse tërësisht i paaksesueshëm. Edhe në Tiranë hasim vështirësi, pasi shumë stacione nuk janë të përshtatura, shoferët nuk i hapin gjithmonë rampat dhe mbipopullimi në autobusë ua pamundëson qëndrimin personave me aftësi të kufizuara. Ka edhe linja që mbulojnë zonat periferike të qytetit dhe janë krejtësisht të paaksesueshme,” shprehet ajo.
Megjithatë, edhe aty ku autobusët janë të pajisur me elementë aksesueshmërie, ato shpesh mbeten të papërdorshme për shkak të mungesës së mirëmbajtjes ose mosfunksionimit të rampave. Në praktikë, personat me aftësi të kufizuara detyrohen të presin autobusin tjetër, të kërkojnë ndihmën e kalimtarëve ose të heqin dorë nga udhëtimi.
“Më ka ndodhur disa herë të përdor linjën e Vorës, ku autobusët nuk kishin rampë. Madje ka pasur raste kur shoferi nuk ka ndaluar fare, duke më lënë pa mundësi për të udhëtuar,” shton Lala.
Problemet nuk kufizohen vetëm te mjetet e transportit. Shumë stacione dhe terminale nuk kanë ashensorë funksionalë, sinjalistikë të përshtatur, elementë orientues apo njoftime zanore për personat me dëmtime në shikim. Po ashtu, mungesa e informacionit të aksesueshëm për oraret, ndryshimet e linjave dhe vonesat krijon pengesa të tjera, jo vetëm në Tiranë, por edhe në transportin ndërurban.
Suela Lala shprehet se “Transporti ndërqytetës është tërësisht i paaksesueshëm. Një nga rastet e pakta pozitive është linja e Bashkisë Kamëz, ku funksionon sistemi i njoftimeve audio për itinerarin dhe stacionet, duke ndihmuar orientimin e personave me dëmtime në shikim”.
Një tjetër problem është mungesa e mekanizmave efektivë të ankesave. Personat me aftësi të kufizuara shpesh nuk kanë procedura të qarta për të raportuar rastet kur u mohohet transporti ose kur operatorët nuk respektojnë detyrimet ligjore.
Suela Lala shprehet se transporti është thelbësor për jetën moderne, pasi pa të nuk arrin të marrësh shërbime, të shkosh në shkollë, punë, spital, isntitucione të tjera apo për të pushuar në një vend tjetër: “Mungesa e transportit të aksesueshëm do të thotë se ne përjashtohemi totalisht dhe të izolohemi nga shoqëria”.
Hekurudha e re Durrës-Tiranë: A është ndërtuar për të gjithë?
Modernizimi i linjës hekurudhore që do të lidhë Tiranën, Durrësin dhe Rinasin është prezantuar si një nga investimet më të rëndësishme të transportit në vend. Projekti synon rikthimin e transportit hekurudhor të pasagjerëve dhe afrimin me standardet evropiane.
Projekti, i nisur me objektivin për të përfunduar në 2023, tashmë ka kaluar mbi 118 milionë euro dhe ende nuk ka një datë të qartë për përfundimin e plotë të tij. Teksa kostoja shtohet, afatet zvarriten, shtrohet një pyetje: A është menduar kjo infrastrukturë edhe për personat me aftësi të kufizuara?
Për këtë çështje iu drejtuam Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke kërkuar informacion nëse stacionet dhe trenat e rinj do të kenë elementët e nevojshëm të aksesueshmërisë, si hyrje pa pengesa, platforma të përshtatura, sinjalistikë për personat me dëmtime në shikim, njoftime audio-vizuale dhe hapësira të dedikuara për përdoruesit e karrigeve me rrota. Deri në publikimin e këtij shkrimi, Ministria nuk ka kthyer asnjë përgjigje.
Mungesa e informacionit ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si po planifikohen investimet publike. Një transport modern nuk matet vetëm me kilometra hekurudhe apo shpejtësinë e trenave. Ai matet edhe me mundësinë që çdo qytetar të hyjë, të udhëtojë dhe të përdorë shërbimin në mënyrë të pavarur.
Në vendet e Bashkimit Evropian, aksesueshmëria është pjesë e detyrueshme e çdo projekti të ri infrastrukture. Një stacion, terminal apo mjet transporti projektohet që në fillim për t’u përdorur nga të gjithë qytetarët, pavarësisht aftësive të tyre fizike.
Në Shqipëri, sfida kryesore mbetet zbatimi. Edhe pse ligjet njohin të drejtën për barazi dhe mosdiskriminim, mungon ende një qasje e unifikuar që e trajton aksesueshmërinë si kriter të detyrueshëm në çdo investim publik. Një tjetër problem është mungesa e kontrollit real.
Shpesh projektet vlerësohen vetëm nga dokumentet teknike, pa u testuar nga vetë personat që do t’i përdorin. Për këtë arsye, organizatat e personave me aftësi të kufizuara kërkojnë që çdo investim i ri të kalojë një proces verifikimi praktik përpara se të vihet në funksion.
Transporti i aksesueshëm nuk është një kërkesë e veçantë e një grupi qytetarësh. Është një tregues i respektimit të të drejtave themelore dhe i mënyrës se si një shoqëri kujdeset që askush të mos mbetet jashtë. Sepse një autobus, një terminal apo një hekurudhë që nuk mund të përdoret nga të gjithë, nuk është plotësisht publik. Por, është një investim që lë pas një pjesë të qytetarëve./acqj.al