Toka në “duar të huaja”

Tre dekada pas reformës agrare, Shqipëria po diskuton një ndryshim që mund të riformësojë pronësinë mbi një nga asetet e saj më strategjike. Ndërsa mijëra familje vazhdojnë të përballen me pasiguri juridike dhe procesi i regjistrimit të tokës mbetet i papërfunduar, një projektligj i ri synon t’u hapë rrugën shtetasve dhe kompanive të huaja për të blerë tokë bujqësore.

Denada Jushi

Në pikun e vapës, përgjatë aksit Lushnje-Vlorë, serat dhe tokat bujqësore gumëzhijnë nga puna. Mes tyre, një bujk që po këput domate buzë rrugës ndalon për të fshirë djersët:

“Bujqësia është punë e vështirë dhe me rrezik. Mundohesh me muaj, e mjaftojnë 10 minuta breshër për ta hedhur gjithë mundin në tokë.”

Si ky bujk, me mijëra qytetarë në Shqipëri përballen ende me makthin e pazgjidhur të pronësisë. Ata e zhvillojnë këtë sektor pothuajse pa subvensione, përballen me humbje vit pas viti, e prapë nuk heqin dorë nga një prej dy shtyllave më të rëndësishme të ekonomisë vendase.

Në një kohë kur, edhe pas 36 vitesh dhe dhjetëra reformash, çështja e pronësisë mbetet një plagë e hapur dhe investimet janë peng i ligjeve kontradiktore, qeveria ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore te personat fizikë dhe juridikë të huaj”.

Kjo nismë synon t’u japë shtetasve dhe kompanive të huaja të drejtën për të blerë tokë bujqësore, si private ashtu edhe shtetërore. Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, qëllimi është krijimi i kushteve më të favorshme për investime, modernizimi i sektorit dhe zhvillimi i zonave rurale. Megjithatë, drafti ka ndezur një debat të fortë mes ekspertëve të së drejtës, mjedisorëve dhe opozitës, të cilët ngrenë pikëpyetje të mëdha mbi pasojat e këtij liberalizimi në kushtet e kaosit aktual të pronave.

Sipas relacionit shoqërues, reforma agrare e viteve ’90 ka shpërndarë tokë tek rreth 445 mijë familje bujqësore, ndërsa rreth 100 mijë hektarë tokë e pandarë vazhdojnë të administrohen nga pushteti vendor. Pikërisht kjo kategori toke parashikohet të kalojë në pronësi të të huajve, sipas procedurave të reja.

Drafti përcakton se çdo subjekt i huaj mund të blejë deri në 2 hektarë tokë brenda një bashkie dhe deri në 30 hektarë në rang kombëtar. Toka duhet të përdoret ekskluzivisht për bujqësi, blegtori ose agrobiznes, ndërsa ndryshimi i destinacionit ndalohet, përveç rasteve specifike ligjore. Po ashtu, parashikohen sanksione në rast shkeljesh apo mosrespektimi të standardeve mjedisore.

Liberalizim pa regjistrim pronash

Megjithatë, drafti mbart një paradoks të madh: nga njëra anë, synon liberalizimin e tregut, ndërsa nga ana tjetër, nuk është përfunduar ende procesi i regjistrimit fillestar të pronave, konsolidimit të titujve dhe kompensimit të ish-pronarëve. Kjo do të thotë se shteti po mundëson transferimin e një aseti strategjik, kur vetë statusi juridik i një pjese të madhe të tokës mbetet i paqartë.

Edhe mekanizmat e kontrollit ngrenë dyshime. Kufiri prej 30 hektarësh vlen vetëm për një subjekt të vetëm, por drafti nuk parashikon filtra të qartë për të ndaluar përdorimin e kompanive të lidhura ose ortakërive (skemave “guackë”) për të kontrolluar sipërfaqe shumë më të mëdha. Rreziku që toka të përqendrohet në pak duar mbetet real. Po ashtu, mbetet e mjegullt mënyra se si do të verifikohet origjina e kapitalit.

ACQJ iu drejtua Ministrisë së Bujqësisë për të kërkuar sqarime mbi këto paqartësi, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Rreziqet juridike dhe trajtimi preferencial

Për avokaten Irena Dule, problemi nuk qëndron te thithja e investimeve, por te struktura e projektligjit. Sipas saj, në vend që të ndryshohej ligji ekzistues, po krijohet një ligj paralel që vendos një regjim të veçantë vetëm për të huajt.

“Nëse synimi do të ishte thjesht trajtimi i barabartë i të huajve me shtetasit shqiptarë, mjaftonte ndryshimi i një dispozite në ligjin aktual. Krijimi i një ligji të posaçëm tregon se qëllimi nuk është eliminimi i diskriminimit, por krijimi i një trajtimi preferencial për investitorët e huaj,” argumenton Dule.

Një tjetër shqetësim lidhet me privatizimin e tokës shtetërore në një kohë kur kompensimi i ish-pronarëve ka mbetur pezull. Kjo krijon një asimetri: qytetarët shqiptarë përballen me kufizime të rrepta, ndërsa për subjektet e huaja krijohet një “bypass” ligjor. Avokatja ngre dyshime edhe mbi procedurat e revokimit të pronësisë në rast shkeljesh, duke i cilësuar dispozitat si të paqarta dhe lehtësisht të rrëzueshme në gjykata.

Edhe eksperti i mjedisit, Abdulla Diku, e sheh çështjen e pronësisë si problem themelor. Ai kujton se Shqipëria ka një nga sipërfaqet më të kufizuara të tokës bujqësore në Europë dhe se ajo përfaqëson një burim strategjik për sovranitetin kombëtar.

Sipas Dikut, Bashkimi Europian nuk e detyron Shqipërinë të shesë tokën, por kërkon thjesht lëvizjen e lirë të kapitalit. Shumë vende anëtare kanë ruajtur mekanizma të fortë mbrojtës për fermerët vendas, si e drejta e parablerjes apo kontrollet e rrepta administrative. Për më tepër, projektligji shqiptar përdor termin e gjerë “persona të huaj”, duke ua hapur derën edhe investitorëve nga vendet jashtë BE-së.

Diku propozon një model alternativ: në vend të shitjes, investitorëve të huaj t’u garantohet përdorimi afatgjatë i tokës përmes kontratave të qirasë.

“Shqipëria ka nevojë për investime në bujqësi, por jo domosdoshmërisht për shitjen e tokës. Investimi dhe pronësia nuk janë e njëjta gjë. Ushqimi është element strategjik dhe toka është burimi i vetëm ku ai prodhohet,” thotë eksperti.

Centralizimi i kompetencave

Në të njëjtën linjë kritike, deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, e konsideron projektligjin pjesë të një modeli më të gjerë të centralizimit të pushtetit. Ai thotë për ACQJ se kjo skemë e zhvendos praktikisht vendimmarrjen finale në zyrat e Kryeministrit, duke dobësuar filtrat institucionalë.

Sipas Kaprit, kjo nismë ndjek të njëjtën filozofi si ligji për investitorët strategjikë, Paketa e Maleve dhe ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura.

Përpara se Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së, duhet të ndjekë strategjinë e vendeve anëtare, ku bujqësia dhe prona konsiderohen të shenjta, duke investuar te fermerët vendas përmes garancive financiare. Sektori ka nevojë jetike për kapital, por është thelbësore të ndahet nëse ky zhvillim do të bëhet duke tjetërsuar pronësinë, apo përmes modeleve që thithin investime duke ruajtur kontrollin mbi asetin më strategjik të vendit./acqj.al