Bajrie Istrefaj
Gjatë dimrit që sapo lamë pas, leksioni i parë i mëngjesit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë nuk nisi me hapjen e fletoreve apo diskutimin e temave të ditës. Nisi me një gjest të thjeshtë, por domethënës: studentët mbërthyen xhupat, futën duart në mëngë dhe kërkuan një vend ku i ftohti të ndihej disi më pak. Brenda auditorëve, temperatura ndryshonte pak nga ajo jashtë. Me ardhjen e verës, vlen të kthehemi pas dhe të bëjmë një bilanc të muajve të ftohtë që lamë pas, për të parë se sa pak kanë ndryshuar kushtet në auditorët e universiteteve publike.
Majnure Zeqo, studente masteri, kujton se gjatë dimrit auditorët ishin pothuajse po aq të ftohtë sa ambienti jashtë godinës.
“Sa ftohtë ishte jashtë, aq ishte edhe brenda. Për shkak të kësaj, orët shpesh nuk zhvilloheshin të plota,” thotë ajo.
Në këto kushte, përqendrimi bëhet i vështirë dhe procesi mësimor kalon në plan të dytë. Ngrohja, një nga elementët më bazikë të funksionimit të një institucioni arsimor, mungon në mënyrë të përsëritur.
Ky realitet nuk kufizohet vetëm në një godinë apo fakultet. Intervistat me studentë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Fakultetin e Shkencave Sociale dhe godinën “Liria” në Universitetin e Tiranës, si edhe në Fakultetin e Shkencave Humane në Vlorë, Fakultetin e Shkencave Kompjuterike në Durrës dhe Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Shkodër, së bashku me vëzhgimet në terren, tregojnë një problematikë të përhapur: auditorë të ftohtë, pajisje jo funksionale, mungesë interneti dhe kushte higjieno-sanitare që shpesh mbeten nën standardet minimale.
Analiza e ACQJ mbi të dhënat buxhetore të katër universiteteve publike në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Vlorë për periudhën 2020–2024 identifikoi një prirje të përbashkët: fondet ekzistojnë, por një pjesë e tyre mbetet e pashpenzuar, ndërsa problemet infrastrukturore vazhdojnë të jenë pjesë e përditshmërisë së studentëve.
Vetëm Universiteti i Tiranës ka administruar gjatë pesë viteve të fundit rreth 22.4 miliardë lekë buxhet total. Nga kjo shumë, rreth 5.9 miliardë lekë rezultojnë të papërdorura. Ndërkohë, buxheti vjetor i universitetit është rritur nga 4.4 miliardë lekë në vitin 2023 në 4.7 miliardë lekë në vitin 2024.

Një prirje e ngjashme shfaqet edhe në universitetet e tjera publike të analizuara nga ACQJ.
Në Universitetin e Vlorës, gjatë periudhës 2020–2025, buxheti total arriti në rreth 4.8 miliardë lekë. Nga kjo shumë, afro 1.1 miliardë lekë rezultojnë të papërdorura. Vetëm nga viti 2023 në 2024, buxheti i universitetit u rrit nga 890 në 970 milionë lekë.

Në Universitetin e Shkodrës, buxheti total për vitet 2020–2024 ishte rreth 4.3 miliardë lekë, ndërsa afro 1 miliardë lekë mbetën të pashpenzuara. Në të njëjtën periudhë, financimi vjetor u rrit nga 920 milionë lekë në vitin 2022 në 990 milionë lekë në vitin 2023.

Ndërkohë, Universiteti i Durrësit administroi rreth 3.2 miliardë lekë gjatë viteve 2024–2025. Buxheti vjetor u rrit lehtë, nga 1.59 miliardë lekë në vitin 2024 në 1.61 miliardë lekë në vitin 2025.

Megjithatë, rritja e buxheteve nuk duket të jetë reflektuar në përmirësimin e kushteve bazë për studentët. Në të katër universitetet, një pjesë e konsiderueshme e fondeve mbeti e pashfrytëzuar, ndërsa investimet në ngrohje, infrastrukturë teknologjike dhe kushte higjieno-sanitare vijojnë të mbeten minimale ose joefektive.
“Ora zhvillohet, por jo si duhet”
Për Areljo Dullën, student në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, këto mungesa nuk janë thjesht inconvenienca të përditshme. Sipas tij, ato ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e mësimdhënies dhe në mënyrën se si zhvillohen leksionet.
“Në një rast konkret, projektori ishte jashtë funksionit dhe interneti nuk lidhej fare,” tregon ai.
“Pedagogu kishte përgatitur gjithë materialin në prezantim, por nuk mund ta përdorte. Si rezultat, ora u zhvillua në mënyrë të improvizuar dhe joefektive.”
Sipas Dullës, situata të tilla përsëriten shpesh dhe ndikojnë në përmbajtjen reale që studentët arrijnë të marrin nga leksionet.
“Ne humbim shumë nga materiali i planifikuar. Dhe kjo ndodh më shpesh sesa duhet.”
Ai thotë se studentët kanë ngritur vazhdimisht shqetësimet pranë drejtuesve të fakultetit, por përgjigjet kanë mbetur të përgjithshme dhe pa afate konkrete për ndërhyrje.
“Premtimet për përmirësim bëhen shpesh, por në praktikë ndryshimet janë shumë të ngadalta ose nuk ndodhin fare. Kjo krijon ndjesinë se shqetësimet tona nuk merren seriozisht.”
Rigesa Hoxha, gjithashtu studente në të njëjtin fakultet, përshkruan një problematikë që shtrihet përtej auditorëve.
“Ngrohje ka vetëm në disa salla, jo në të gjitha. Ndërkohë, tualetet janë në gjendje të dobët. Shpesh mungon uji, sapuni apo materiale të tjera bazike.”
Ajo përmend edhe një detaj që, sipas studentëve, ngre pikëpyetje mbi menaxhimin e ambienteve brenda fakultetit.
“Të bën përshtypje fakti që disa tualete, që janë në gjendje më të mirë, mbahen të mbyllura dhe nuk janë të aksesueshme për studentët.”
I pyetur nga ACQJ mbi këtë praktikë, dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Mark Marku fillimisht mohoi që tualetet të mbaheshin të mbyllura. Më pas, ai argumentoi se një pjesë e tyre ishin të rezervuara për stafin akademik.
Në Fakultetin e Shkencave Sociale, problematikat e raportuara nga studentët janë të ngjashme. Për Majnure Zeqon, studente në këtë fakultet, mungesa e ngrohjes nuk lidhet vetëm me komoditetin fizik, por ndikon drejtpërdrejt në procesin e të nxënit.
“Kur studentët janë të përqendruar te i ftohti, vëmendja ndaj leksionit bie ndjeshëm.”
Ajo ngre shqetësime edhe për sigurinë dhe privatësinë në ambientet sanitare.
“Dyert e tualeteve janë të prishura dhe pa çelës. Nuk ndihesh i sigurt. Duhet të shkosh me shoqëruese,” thotë Zeqo.
Në godinën “Liria”, situata ka prodhuar edhe reagim kolektiv. Në janar të këtij viti, studentët e degës gjuhë-letërsi bojkotuan mësimin për shkak të mungesës së ngrohjes. Sipas studentëve, bojkoti zgjati nga tre deri në shtatë ditë dhe përfshiu rreth 70 studentë.
“Pas disa ditësh bojkot, problemi u rregullua për momentin,” tregon Desada Xhetani, anëtare e Senatit Akademik në Universitetin e Tiranës. “Por më pas situata u kthye si më parë.”
Rrethet në një realite të fragmentuar
Në Universitetin e Durrësit, përvojat e studentëve tregojnë një realitet të ndarë mes godinave të amortizuara dhe investimeve më të reja.
Për Orest Berberin, kushtet mbeten problematike.
“Kushtet nuk janë komode dhe të denja për të zhvilluar mësimin. Ngrohje nuk ka pasur dhe kushtet higjieno-sanitare lënë për të dëshiruar.”
Ai thotë se ankesat e studentëve rrallë marrin përgjigje konkrete.
“Asnjë lloj përgjigjeje, përveç shmangies.”
Ndërkohë, Endri Tanku, student në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, jep një vlerësim më pozitiv për godinat e reja në Spitallë.
“Godinat në Spitallë janë me kushte shumë të mira.”
Të dhënat financiare të Universitetit të Durrësit për vitet 2024–2025 tregojnë se, nga rreth 3.2 miliardë lekë të vjetra buxhet total, vetëm 243 milionë lekë të vjetra janë shpenzuar për shpenzime korrente, kategori ku përfshihen ngrohja, teknologjia dhe kushtet higjieno-sanitare.
Në Universitetin e Shkodrës, studentët përshkruajnë një situatë të përzier. Gjergj Shegaj thotë se kushtet janë “përgjithësisht të mira”, por pranon se problematika e ngrohjes mbetet e vazhdueshme.
Megjithatë, të dhënat financiare tregojnë një tablo më problematike. Gjatë periudhës 2020–2024, Universiteti i Shkodrës ka shpenzuar:
- vetëm 51 milionë lekë për ngrohje,
- rreth 150 milionë lekë për teknologji,
- ndërsa nuk rezulton asnjë zë specifik shpenzimesh për kushte higjieno-sanitare.
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi auditimin financiar dhe të përputhshmërisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” evidentoi gjithashtu një sërë problematikash në administrimin e fondeve publike. Sipas gjetjeve të auditimit, pasqyrat financiare të universitetit përmbanin mospërputhje materiale, mes tyre diferenca të paregjistruara në llogaritë e thesarit, të ardhura të paarkëtuara nga studentët dhe pasuri të paluajtshme që nuk janë pasqyruar në bilanc.
Raporti evidentoi gjithashtu pagesa të kryera jashtë rregullave për disa kategori personeli, shpërblime të pajustifikuara për orët jashtë orarit dhe shkelje në procedurat e prokurimit publik.
Në Universitetin e Vlorës, studentët raportojnë vështirësi të ngjashme. Redi Çapoj e vlerësoi gjendjen me notën 4!
“Pajisjet janë të vjetra, ngrohja nuk mbulon të gjitha ambientet dhe investimet mungojnë.”
Për Fatime Hodajn, mungesa e kushteve ndikon drejtpërdrejt në procesin mësimor.
“Kur je i përqendruar te i ftohti, nuk po përqendrohesh dot te ora e mësimit.”
Ndërsa Klea Hoxhaj përshkroi mungesën e kushteve bazë sanitare.
“Shpeshherë detyrohemi të përdorim tualetet e lokaleve, sepse ato në universitet janë të mbyllura ose pa ujë.”
Sipas të dhënave të dërguara nga Universiteti i Vlorës për periudhën 2020–2025:
- rreth 45 milionë lekë janë shpenzuar për ngrohje,
- 64 milionë lekë për teknologji,
- dhe vetëm 8.5 milionë lekë për kushte higjieno-sanitare.
Shifrat në letër dhe realiteti
Ndërsa dëshmitë e studentëve flasin për auditorë të ftohtë, pajisje jashtë funksionit dhe mungesë të kushteve bazë, të dhënat e vuena në dispozicion nga universitetet përpiqen të maskojnë realitetin.
Analiza e buxhetit të Universitetit të Tiranës për periudhën 2020–2024 tregoi se, nga rreth 22 miliardë lekë buxhet total, vetëm 6.6 milionë lekë janë shpenzuar për ngrohje, teknologji dhe kushte higjieno-sanitare.
Këto gjetje u konfirmuan edhe raporti monitorues i Qëndresës Qytetare mbi transparencën financiare të tetë universiteteve publike për periudhën shtator 2024 – gusht 2025, sipas të cilit vetëm 0.08% e buxhetit është shpenzuar për internet dhe telefon, vetëm 0.2% për ngrohje dhe pastrim, ndërsa rreth 27% e buxhetit total rezultoi i pashfrytëzuar.
Migen Qiraxhi nga Qëndresa Qytetare e lidh situatën me mungesën e transparencës, konsultimit dhe llogaridhënies në administrimin e fondeve publike.
“Studentët dhe pedagogët nuk kanë akses në informacionin mbi përdorimin e fondeve. Konsultimi pothuajse nuk ekziston,” thotë ai.
Sipas Qiraxhiut, në shumë raste kontratat dhe vendimet financiare justifikohen si “sekret tregtar”, duke kufizuar aksesin publik mbi mënyrën se si përdoren fondet e universiteteve.
Përtej të dhënave të raportit të Qëndresës Qytetare, ACQJ iu drejtua edhe Universitetit të Tiranës me një kërkesë për informacion mbi zbatimin e buxhetit për vitet 2020–2025.
Universiteti refuzoi të vinte në dispozicion të dhënat e kërkuara, duke argumentuar se raportet e monitorimit janë konfidenciale, një qëndrim që ngre pikëpyetje mbi transparencën në administrimin e fondeve publike.
S.S., ish-student në Universitetin e Salzburgut, thotë se kushtet bazë si ngrohja, infrastruktura teknologjike dhe higjiena konsiderohen standarde minimale funksionimi në universitetet europiane, dhe as nuk vihen nue pikëpyetje, ndryshe nga sa ndodh nue Shqipëri.
Ndërkohë, eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti argumenton se problematika nuk lidhet vetëm me nivelin e financimit.
“Projektet miratohen, por nuk zbatohen. Kushtet janë shumë larg standardeve të vendeve të rajonit,” thotë ai.
Sipas Mehmetit, mungon edhe kapaciteti administrativ për menaxhimin e investimeve dhe përdorimin efikas të teknologjisë.
Në të katër universitetet e analizuara nga ACQJ, modeli që shfaqet është i ngjashëm: fondet ekzistojnë, por ndikimi i tyre në përmirësimin e kushteve për studentët mbetet i kufizuar.
Nga auditorët e ftohtë te mungesa e infrastrukturës bazë dhe transparencës financiare, problematika nuk lidhet vetëm me sasinë e financimit, por me mënyrën se si ai administrohet dhe shpërndahet.
“Në afatgjatë, mungesa e kushteve dhe standardeve rrezikon të ulë cilësinë e programeve dhe të zbehë vlerën e diplomave,” e mbyll Mehmeti./acqj.al