Ida Ismalaj
Një udhëzim i miratuar nga Ministria e Arsimit vitin e kaluar ka sjellë pakënaqësi për trajtimin e pabarabartë për qindra mësues në sistemin arsimor. Organizata “Për Drejtësi Sociale” i është drejtuar Gjykatës Administrative të Apelit për shfuqizimin e këtij akti, duke e cilësuar atë si të paligjshëm dhe diskriminues.
Në thelb të çështjes qëndron një kriter i ri: Provimi i shtetit, si kusht për të hyrë në procesin e kualifikimit. Sipas padisë, ky kriter nuk parashikohet në ligj për këtë fazë të karrierës së mësuesit dhe vendos një barrë shtesë për një kategori të caktuar profesionistësh.
Avokati Gentian Sejrani, themelues i “Për Drejtësi Sociale” argumenton se udhëzimi krijon pabarazi mes mësuesve. Avokati argumenton se problematika prek kryesisht mësuesit e punësuar pas vitit 2011, edhe pse shumë prej tyre kanë përfunduar studimet përpara këtij viti.
“Është një veprim i padrejtë. Nuk mund t’i japësh të drejta jo të barabarta dy individëve që kanë përfunduar të njëjtin fakultet. Nëse dy individë kanë përfunduar fakultetin në 2007, dikush është punësuar para 2011 dhe dikush tjetër pas 2011, ky i fundit nuk mund të futet dot në provimin e kualifikimit, pasi duhet të japë njëherë provimin e shtetit.”
Kjo, sipas tij, nënkupton një standard të dyfishtë testimi për të njëjtin profesion:
“Pra, i nënshtrohet dy testimeve. Ndërkohë që vetë diploma në momentin e parë është për t’i dhënë titullin e mësuesit.”
Edhe pse mungojnë të dhëna zyrtare të konsoliduara, Sejrani thekson se bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm mësuesish: “Bëhet fjalë për qindra mësues. Në qytetin e Vlorës janë 200 mësues që preken. Në qytetin e Elbasanit, po ashtu është një numër i konsiderueshëm mësuesish që preken. Në tërësi mund të jenë rreth 800-900 mësues që preken sipas informacioneve që kemi”.
Kosto financiare dhe presion profesional
Përtej aspektit ligjor, mësuesit raportojnë edhe pasoja praktike. Avokati shprehet se ata kanë frikë të dalin publikisht, por në rrjetet sociale dhe në grupet e tyre ne Ëhat’s app, ata kanë shprehur shqetësime për stresin dhe ngarkesën:
Sejrani: “Në vend që mësuesit të përgatiten për të dhënë mësim, duhet të përgatiten për të dhënë provimin e shtetit. Mosdhënia në kohë e provimit të kualifikimit sjell dhe vonesa për të përfituar atë pagën shtesë që marrin te paga.”
Pra, udhëzimi jo vetëm ndikon në zhvillimin profesional, por edhe në të ardhurat mujore të mësuesve.
Sipas Sejranit, janë bërë përpjekje për zgjidhje institucionale përpara se çështja të përfundonte në gjykatë:
“Kemi pas komunikim shkresor me Ministrinë e Arsimit, jemi takuar me ZVA-të fizikisht. Nuk na kanë dhënë zgjidhje, për shkak se është udhëzim në fuqi, i zbatueshëm dhe nuk mund të dalin kundër udhëzimit.”
Rigels Xhemollari nga “Qëndresa Qytetare” shkon më tej, duke e parë udhëzimin si një ndërhyrje në kompetencat akademike: “Ministria e Arsimit së pari ka hedhur poshtë universitetet, sepse i thotë universitetit kjo diplomë që t’i iu jep, unë nuk e njoh. I bëj dhe testin tim dhe më pas i kualifikoj si mësues.”
Ai thekson gjithashtu aspektin diskriminues: “Ka diskriminuar disa mësues nga të tjerë, disa marrin pagesa më të larta se disa të tjerë, ndërkohë që bëjnë të njëjta orë mësimore, frekuentojnë të njëjtat ambiente dhe japin mësim për të njëjtit kategori nxënësish Pra, kemi të bëjmë me një udhëzim të paligjshëm, i cili ka cenuar në thelb profesionin e mësuesit.”
Xhemollari iu bëri thirrje mësuesve që të bashkohen, mos të heshtin, kundër këtij udhëzimi të paligjshëm.
Me dështimin e rrugëve administrative, çështja tashmë i takon Gjykatës Administrative të Apelit, e cila do të vendosë nëse udhëzimi bie ndesh me ligjin dhe nëse duhet shfuqizuar. Vendimi pritet të ketë ndikim jo vetëm për mësuesit e prekur aktualisht, por edhe për mënyrën se si hartohen dhe zbatohen politikat në sistemin arsimor në të ardhmen./acqj.al