Ida Ismalaj
Programi “Pas shkolle”, i ndërmarrë nga Ministria e Arsimit, po prezantohet si një hap i rëndësishëm për të ndihmuar nxënësit edhe pas përfundimit të procesit mësimor, ku mund të kryejnë detyrat dhe të konsumojnë një drekë falas. I miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, programi “Pas shkolle” realizohet në institucionet arsimore parauniversitare publike të arsimit bazë dhe të arsimit të mesëm të lartë.
Ndërsa pagesa për një orë mësimore për mësuesit dhe trajnerët, për veprimtaritë që zhvillohen jashtë orarit mësimor të detyruar është 1 000 (një mijë) lekë.
Në një konferencë për shtyp, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro i bëri thirrje edhe mësuesve në pension, që të bëhen pjesë e programit: “E hapim listën e bashkëpunëtorëve jo vetëm për mësuesit që janë pjesë e sistemit, për mësues që janë në pension dhe janë aktivë, specialistë të ndryshëm të artit, muzikës, për artizanë që të bëhen pjesë e programeve jashtëshkollore ku shkollat sot do të kenë fondin e disponueshëm për të shpërblyer në mënyrë dinjitoze këta bashkëpunëtorë që vijnë nga komuniteti”.
Megjithatë, përtej këtij vizioni, mbetet e paqartë nëse sistemi është gati për ta përballuar këtë zgjerim. Në terren, sfidat janë të dukshme. Vetë ministrja Kumbaro ka pranuar se zbatimi nuk është i lehtë, pasi kërkon përmirësime në infrastrukturë dhe vendosjen e standardeve të qarta.
Nga ana tjetër, përfaqësues të arsimit e shohin programin si një mundësi, por edhe si një rrezik potencial. Isa Halilaj, zv.president i Sindikatës së Arsimit shprehet:
“Ky projekt së pari duhet të jetë për mësuesit që janë në sistem, që kanë pak orë dhe të angazhohen edhe pas mësimit të rregullt në mënyrë që të mos dalin nga sistemi.”
Sipas Halilajt, ky projekt nuk duhet të përsërisë dështimet e programeve të mëparshme si “Bëjmë detyrat e shtëpisë” dhe të mos reduktohet vetëm në “kopjim detyrash”, por të përfshijë aktivitete të mirëfillta si fizkulturë, pikturë dhe art.
“Mbyllja e fëmijve për shumë orë po ndikon në rritjen e rasteve të dhunës. Programi nuk duhet të fokusohet në detyra shtëpie, por duhet t’u mundësojë fëmijëve aktivitete shtesë si sport, art etj”
Ai u ndal edhe te kostoja që përballojnë sot prindërit për qendrat private “after-school”, që sipas tij janë shkatërrim i arsimit, pasi orari i shkollës nuk përputhet me orarin e tyre të punës. “Sot familjet paguajnë deri në 25-30 mijë lekë në muaj, një barrë e madhe për familjet shqiptare”.
Programi “Pas shkolle” mbetet një iniciativë në letër, por që ende nuk ka kaluar testin në terren. Ky program mund të jetë një zgjidhje për familjet dhe një mundësi për nxënësit, por vetëm nëse shoqërohet me investime reale, standarde të qarta dhe jo një kopje e programeve të mëparshme, që fatkeqësisht nuk kanë dhënë zgjidhje reale./acqj.al