Tiranës i mungojnë 8 nga 17 shkollat e premtuara

Një taksë “e përkohshme” që zgjati 10 vite, preku çdo qytetar dhe biznes dhe premtoi një transformim të arsimit publik në Tiranë. Në fund, rezultati mbetet i pjesshëm: më pak shkolla, planifikim i dobët, mbivendosje financimi, përdorim i diskutueshëm i PPP-ve, mungesë e qartë llogaridhënieje institucionale, asnjë shkollë e re në zona të reja të Tiranës dhe ende klasa me turne dhe me nga 35 nxënës.

Ida Ismalaj

Për një dekadë me radhë, familjet dhe bizneset në Tiranë kanë paguar një tarifë të quajtur “taksë e përkohshme e infrastrukturës arsimore”. Premtimi ishte madhor: ndërtimi i shkollave të reja, eliminimi i mbipopullimit dhe dhënia fund e mësimit me dy turne. Mirëpo, në fund të vitit 2025, kur kjo taksë u mbyll zyrtarisht, bilanci rezulton i cunguar: mbi 7.4 miliardë lekë (mbi 70 milionë euro) të mbledhura, por vetëm 9 shkolla të ndërtuara nga 17 të premtuara.

Në dhjetor të vitit 2015, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi vendimin nr. 59, duke transformuar taksën e mëparshme të gjelbërimit në taksë për infrastrukturën arsimore. Ky vendim u mbështet mbi një studim fizibiliteti të vitit 2016, i cili nxirrte në pah një realitet alarmant: 61 shkolla ishin mbi kapacitet dhe 57 prej tyre zhvillonin mësimin me dy turne.

Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, premtoi një “revolucion” që do të tejkalonte parashikimet e studimit: “Në vend që të bëjmë 3-4 shkolla në vit, do të mundësojmë që në vitin e parë të bëjmë 20 deri në 25 shkolla,” deklaronte ai në atë kohë.

Taksa nisi të zbatohej në vitin 2016 dhe u mblodh përmes faturës së ujit, duke prekur çdo familje dhe biznes në Tiranë. Çdo familje ka paguar 1.800 lekë në vit, ndërsa bizneset, organizatat jo-fitimprurëse, institucionet, profesionet e lira dhe sektori i transportit e kishin taksimin progresiv nga 4 mijë lekë deri në 37 mijë lekë në vit.

Fillimisht, taksa u konceptua me një afat 7-vjeçar (2016-2022). Por, sipas ligjit nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, një taksë e përkohshme nuk mund të zgjasë më shumë se 3 vite. Megjithatë, Bashkia e Tiranës shkoi më tej, e zbatoi për 7 vite fillestare dhe e zgjati për 3 vite të tjera (2023-2025).

Pra, një taksë “e përkohshme” u kthye në një detyrim që zgjati plot 10 vite, duke ngritur dyshime serioze për respektimin e kuadrit ligjor.

PeriudhaStatusi i TaksësKohëzgjatja
2016 – 2022Afati fillestar (i tejkaluar ligjërisht)7 vite
2023 – 2025Shtyrje e dytë (afat shtesë)3 vite
TOTALNga “e përkohshme” në permanente10 vite

Sipas analizës së ekspertit të ekonomisë Ergis Sefa, studimi i fizibilitetit ishte optimist jorealist, pasi nuk llogariti si duhet rritjen e kostove të ndërtimit, inflacionin, vonesat burokratike dhe kohën reale të zbatimit. Në praktikë, kjo çoi në një situatë ku taksa u zgjat nga 7 në 10 vite, por sërish nuk arriti të mbulojë objektivin fillestar.

Ndërkohë, barra financiare për qytetarët dhe bizneset u bë gjithnjë e më e ndjeshme. Familjet e paguanin përmes faturës së ujit, ndërsa bizneset dyfish, si konsumatorë dhe si subjekte tatimore.

“Kam paguar dyfish, edhe për një biznes të vogël që kam, edhe në faturën e ujit që kam në shtëpi. Ndërkohë, nuk kam fëmijë,” shprehet një qytetare nga Tirana.

Në total, sipas të dhënave zyrtare: nga 2016-2025 u mblodhën rreth 7.4 miliardë lekë ose mbi 70 milionë euro. Vetëm nga 2018 deri në 2025, të ardhurat arrijnë rreth 60 milionë euro.

Fomdet e mbledhura nga “taksa e përkohshme për arsimin” në Tiranë

Shtimi i detyrimit si për familjarët ashtu edhe për bizneset është ndikuar nga rritja e çmimeve të referencës së apartamenteve sipas vendimit të botuar në Fletoren Zyrtare në fund të muajit korrik 2023. Në relacionin e projektbuxhetit 2024, bashkia e Tiranës shpjegon se vlera e taksës së përkohshme të infrastrukturës arsimore është në masën 35% të detyrimit të taksës së ndërtesës për të njëjtin subjekt si familje apo si subjekt tregtar.

Eksperti i ekonomisë Sefa shprehet se bizneset pa lidhje me arsimin (dyqane shumice/pakice, zyra profesionale, etj.) dhe familjet pa fëmijë në shkollë publike të Tiranës paguanin pa përfituar. “Kjo shkel parimin e përfitimit direkt në shërbim nga taksat vendore dhe shton barrën fiskale pa lidhje me shërbimin e marrë,” nënvizoi ai.

Skema PPP dhe kostot e larta

Pas tërmetit të 2019, një pjesë e madhe e shkollave në Tiranë u ndërtuan me fonde të donatorëve ndërkombëtarë, ose përmes partneriteteve publik-privat (PPP), një model që synon të lehtësojë barrën financiare fillestare të shtetit, por që shpesh e shtrenjon projektin për taksapaguesit në afatgjatë. Kontratat ishin të tipit PBOT: Projektim, Ndërtim, Financim dhe Mirëmbajtje. Dy koncesionet e para kushtuan rreth 35 milionë euro dhe prodhuan 9 shkolla. Kostoja mesatare për një shkollë arriti në 5-5.4 milionë euro, ndërsa kompanitë përfituan një normë fitimi prej 6.28% në vit. Por edhe ky proces zgjati përtej parashikimeve kohore dhe financiare.

Sipas ekspertit Sefa, skema PPP mund të jetë e shpejtë afatshkurtër, por zakonisht e shtrenjon projektin për taksapaguesit në vendet në zhvillim si Shqipëria: “Në lotet Tirana 1 dhe Tirana 4, privati financon ndërtimin, por merr pagesa vjetore nga buxheti (pjesërisht nga kjo taksë) plus marzh fitimi për 7-8 vjet pas dorëzimit. Qytetarët paguajnë dy herë, një herë me taksën direkte dhe një herë nëpërmjet pagesave periodike plus kosto më të larta mirëmbajtjeje. Nga të dhënat, një pjesë e mirë e arkëtimeve shkoi te koncesionarët (rreth 1.85 miliard lekë deri në 2024 për dy kontrata).”

Për banorët e zonave me zhvillim të hovshëm, taksa nuk solli asnjë ndryshim. Në Astir, Yzberisht dhe te Liqeni i Thatë, mungesa e shkollave publike mbetet një fakt kokëfortë.

Isa Halilaj, zv.president i Sindikatës së Arsimit, vë në dukje se cilësia po pëson rënie:
“Numri i nxënësve në klasë shkon deri në 36, ndërkohë që maksimumi duhet të ishte 31.”

Ndërkohë, përfaqësuesi i opozitës në Këshillin Bashkiak, Dorian Teliti, denoncon mungesën e transparencës: “Auditimi i këtyre fondeve nuk është bërë prej vitit 2021. Prindërit në shumë zona janë të detyruar t’u drejtohen shkollave private sepse infrastruktura publike mungon.”

Ekspertja kontabël, Erinda Myqelefi, vlerëson se duke qenë se janë arkëtuar mbi 80% e fondeve të planifikuara, duhej të ishin përfunduar të paktën 14 shkolla: “Në këto kushte, taksa mund të konsiderohet pjesërisht efikase, por nuk ka arritur të përmbushë objektivat.”

Në lidhje me mospërputhjen e objektivit të parave të mbledhura për realizimin e 17 shkollave, Bashkia Tiranë ka deklaruar se të ardhurat nga taksa u alokuan për ndërtimin, mobilimin dhe mirëmbajtjen e shkollave, si dhe për shlyerjen e detyrimeve ndaj kontratave PPP. Megjithatë, këto fonde rezultuan të pamjaftueshme, duke u detyruar që mungesa të mbulohej nga buxheti i përgjithshëm i bashkisë. Ky fakt dëshmon se kostoja reale e infrastrukturës arsimore e tejkaloi planifikimin fillestar, duke e bërë taksën një mjet të paplotë për realizimin e objektivave të premtuara.

Ekspertja kontabël Erinda Myqelefi shprehet se ky rast reflekton dobësi në planifikimin financiar publik: “Suksesi i një takse nuk matet vetëm nga shuma e mbledhur, por nga aftësia për ta kthyer atë në rezultate konkrete të prekshme. Kur kjo lidhje dobësohet, rritet perceptimi i padrejtësisë fiskale dhe dobësohet besimi i publikut në politikat financiare edhe për taksat e tjera në të ardhmen.”

Pyetja që mbetet pas mbylljes së kësaj takse është: kush do të mbajë përgjegjësi për 8 shkollat e mbetura vetëm në letër dhe për mbi 70 milionë eurot që nuk arritën të eliminonin mësimin me dy turne në kryeqytet?

Përtej dështimit të shifrave, ky rast krijon një precedent të rrezikshëm ku “emergjenca” përdoret si arsyetim për të vendosur taksa të pafundme, të cilat në fund nuk e zgjidhin problemin për të cilin u krijuan./acqj/al