Dokumentari i tretë i zhvilluar nga Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, në kuadër të iniciativës “Barrierat në Komunitet: Efektet e ndërtimit të grupimeve të hidrocentraleve në statusin socio-ekonomik të popullsisë lokale”, me mbështetjen e LevizAlbania, iniciativë e cila ka si qëllim të saj kryesor ndërgjegjësimin e publikut mbi efektin e ndërtimit të parregulluar të grupeve të hidrocentraleve në basene lumore të ndryshme, në cilësinë e jetës së popullatës lokale, si dhe aktivizimi i kësaj të fundit në vendimmarrjen për çështje të një rëndësie të veçantë.
Ky dokumentar hedh dritë mbi problemet e jetuara nga banorët e një numri të madh fshatrash në luginën e Lumit të Vlorës (Shushicës), një prej degëzimeve kryesore të Vjosës, shtëpia e qyteteve Ilire të Amantias, Olimpisë dhe Kaninës, dhe një prej urave funksionale më jetëgjata në Shqipëri, Urës së Bratit, si dhe vend i betejave të panumërta për pavarësinë e Shqipërisë së mesme dhe të jugut.
Sot, edhe pas shumë vitesh kundërshtime dhe fitore të vogla në bllokimin e koncesioneve mbi lumë, hija e investimeve shkatërrues në formën e kaskadave hidroenergjitike, ende ndihet mbi përditshmërinë e fshatrave të zonës, të cilët kanë si prioritet turizmin dhe bujqësinë.