Në zonën e Kombinatit, në Tiranë, në vitin e tretë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, ende nuk kanë filluar punimet për rindërtimin e banesave.
Alfred Pietra është njëri nga banorët e zonës së Kombinatit që kërkon çdo informacion të mundshëm për fatin e zonës ku ka banuar deri në momentin e tërmetit të para tri viteve.
“Shumicën e informacionit e kam marrë nga rrjetet sociale dhe televizioni”, – thotë ai. – Ne jemi pronarë të një objekti. Si është e mundur që as për shembjen e ndërtesës nuk na kanë njoftuar? Sot, duhet të dinim se si do të veprohet e çfarë do të bëhet me ne. Të gjitha këto duhet të ishin në letër, të shkruara, të firmosura nga një titullar, që mund të jetë kryetari i bashkisë apo kushdo tjetër. Ne nuk kemi asnjë letër në dorë për këtë. Ne jetojmë në një shtet, ku për një kupon tatimor gjobitesh, kurse shtëpia prishet dhe nuk të japin asnjë dokument”, – thotë i nervozuar Alfred Pietra.

Jetojmë me shpresë. Nuk kemi asnjë dokument në dorë
Ergysa Osmanaj është larguar nga banesa e saj një ditë pas rënies së tërmetit. Nga bashkia ka marrë bonusin e qirasë me vlerë 22000 lekë.
“Jemi familje me tri kurora, – thotë ajo. – Deri më tani jetojmë vetëm me shpresë, se nuk kemi asnjë dokument në dorë.”
Edhe banorët, që kanë rënë dakord për prishjen e banesave, ankohen për mungesë informimi.
Sipas tyre, e vetmja rrugëzgjidhje për ta ishte të pranonin shpërnguljen te lagjja e re, që flitet se do të ndërtohet shumë shpejt.
“Nuk kemi asnjë dokument, asnjë letër, që na siguron rindërtimin. Jemi interesuar te Bashkia e Tiranës për rindërtimin, nëse do të kemi banesën tonë, në truallin ku e kishim dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Na kanë thënë se do bëhen rindërtime te lagjja e re, që po mendohet të ndërtohet te “Kombinati i Tekstileve”. Nuk kemi rrugëzgjidhje tjetër, do pranojmë për te lagjja e re, që do ndërtohet. Shpresojmë ta marrim aty”, – thotë banori i zonës së Kombinatit, J. H.
Pakënaqësi për vlerësimet
Banorët e zonës së Kombinatit janë të pakënaqur me vlerësimet e ekspertëve.
“Ekspertë të fushës kanë ardhur për ta vlerësuar, por nuk kam parë një vlerësim real, pasi mendoj se duhet të bënin sondazhe. Ata vetëm i kanë hedhur një sy dhe kaq. Mua kjo nuk më është dukur punë ekspertësh. Unë do të isha dakord të prishej, por forma mos të ishte kjo”, – thotë Alfred Pietra.
Edmond Cata ka qenë administrator i pallatit dhe ka pritur ekspertët për t’i shoqëruar. Ai është i pakënaqur me ekspertizën e parë.
“Ajo ishte thjesht në letra, – thotë ai, – sepse askush nuk u paraqit për ta vlerësuar. Ekspertiza e parë është bërë nga zyra, pasi pallati është me katër kate dhe në letra rezulton pesëkatësh.”
Ish-administratori i godinës është i kënaqur me ekspertizën e dytë.
“Ajo është vlerësuar në mënyrë korrekte.”
Edmondi ka edhe një histori gjyqësore me pallatin ku banon. Ai dhe banorë të tjerë thonë se vendimi për shembjen e ndërtesës ka qenë i padrejtë. Gjykata Administrative iu dha të drejtë dhe urdhëroi pezullimin e shembjes.
“Mora vendimin e pallatit 146, pra të pallatit ku unë banoj dhe të atij përballë meje. Verifikova që dëmtimet dhe riparimet për të dyja subjektet ishin identike, ajo çfarë ndryshonte ishte vetëm kostoja. Në këtë mënyrë shkrova një peticion dhe e dërgova te Këshilli Bashkiak i Tiranës. Deri më tani, asnjë përgjigje”.
Banorët morën vetë ekspertë për një ekspertizë të dytë. Vlerësimi këtë radhë ishte i ndryshëm.
“Ata nuk e nxorën DS4, përkundrazi, e nxorën DS2 dhe kostoja e riparimit gjithashtu ishte me një diferencë shumë të madhe. Më pas shkuam në gjykatë, e cila e pezulloi vendimin e shembjes së pallatit, derisa të faktoheshin të dhënat. Në fazën e tretë pastaj gjykata bëri ekspertizë tjetër dhe e rrëzoi vendimin e bashkisë”. Qeveria e përdori tërmetin për të forcuar një mendim, një ide, një plan për t`i shembur këto pallate dhe që të përfitonte në këtë rast. Në mënyrë që të justifikonin lejen e dhënë nga bashkia, këto pallate duhet të dilnin mbi 70% të dëmtuara, që të shembeshin, prandaj i morën të dhënat nga pallati tjetër “copy paste”, sepse i dinë qytetarët njerëz të palexuar”, – thotë Edmond Cata.
Ekspertiza e pallatit nr. 146
Biznesi
Vera Shehu punonte prej vitesh në biznesin e saj, në një qendër estetike. I vetmi njoftim, që mori së fundmi nga Bashkia e Tiranës, ishte njoftimi për shembjen e godinës ku zhvillonte biznesin, më 25 janar të këtij viti.
Fotoja para dhe pas shembjes së biznesit
“Në rrugë zyrtare nga Bashkia e Tiranës kam pasur komunikim vetëm në datën 20 janar të këtij viti, ku më erdhi vendimi për prishjen e biznesit tim, “qendër estetike”. Njoftimi ishte sot për nesër! Ku do të shkoja unë për kaq pak kohë?! Kam biseduar me ta dhe iu kam kërkuar afat të paktën 2-3 ditë kohë që të zbrazja biznesin. Jam interesuar te Njësia nr. 6 këtu në Kombinat se çfarë do bëhet me biznesin tim. Nuk kam marrë asnjë përgjigje konkrete. Ata na thonë se nuk kemi një vendim për bizneset. Ngrenë krahët lart dhe na shohin me keqardhje. Nuk dimë ku të shkojmë dhe çfarë të bëjmë. Ja, kjo është situata”, – thotë Vera Shehu.
Një pjesë e banorëve janë ende të paqartë, nëse rindërtimi do të bëhet në vendin ku ishte. Një pjesë janë në dijeni se do të zhvendosen te Kombinati i Tekstileve, por shqetësim konstant mbetet mungesa e informimit.
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore iu drejtua Bashkisë së Tiranës nëpërmjet një kërkese zyrtare për procesin e rindërtimit, për të mësuar fillimin dhe përfundimin e punimeve në këtë zonë.
“Drejtoria e Përgjithshme e Punëve Publike nuk po menaxhon punime për rindërtim të banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26.11.2019, në zonën e Kombinatit. Në Njësinë Administrative nr. 6, në vijim të procesit të rindërtimit dhe të strehimit të familjeve në nevojë, po ndërtohet zona e re në Kombinat, e cila përfshin pjesë të mjedisit urban, suburban dhe rural të territorit, që garantojnë zhvillim të qëndrueshëm dhe strehim të përshtatshëm të banorëve të prekur nga fatkeqësi natyrore. Në ndryshim nga banesat ekzistuese, të dëmtuara nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019, lagjja e re ka për qëllim, jo vetëm strehimin e banorëve, por edhe rregullimin e jetës sociale të banorëve, të cilët kanë humbur banesat nga tërmeti.”
Ndërkohë, më 06.10.2021 qeveria mori vendim “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë – pronë private – për interes publik” në zonën e Kombinatit.


Për këtë Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore iu drejtua Bashkisë së Tiranës me një kërkesë për informacion, se ku qëndron interesi publik dhe shpronësimi i banorëve në zonën e Kombinatit, por deri në këtë moment të publikimit të këtij vëzhgimi nuk ka përgjigje.


Aktualisht, në zonën e Kombinatit janë 1443 familje në formularët e të prekurve nga tërmeti: “Pranë Drejtorisë së Strehimit Social janë përcjellë 1443 formularë aplikimi nga Njësia Administrative nr. 6, nga të cilët janë përfitues 1402 me vendime të Këshillit Bashkiak dhe aktualisht trajtohen me pagesën e qirasë 1187 familje”.
E pyetur për fondin në dispozicion për rindërtimin në këtë zonë, Bashkia e Tiranës u përgjigj: “Fondi për rindërtimin e banesave të shembura është fond që akordohet nga Ministria e Rindërtimit dhe i gjithë fondi i akorduar i rindërtimit ka si qëllim rindërtimin e banesave, ku përfshihet ndërtimi i shkollave; granti që alokohet si pagesë qiraje për familjet, që iu janë prishur shtëpitë; ndërtimi i banesave individuale etj. Në total fondi i akorduar deri më tani për Bashkinë e Tiranës si fond rindërtimi është 13,393,783,194 lekë”.
Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, ka dhënë afate të ndryshme për përfundimin e “pasojave të tërmetit”. Më 16 mars të vitit 2021, Ahmetaj u shpreh: “Rindërtimi po ecën me shpejtësi. Do ta mbajmë premtimin, që në pranverë të vitit 2022 s’do ketë asnjë shenjë nga dëmtimet e tërmetit të 26 nëntorit”.


Të paktën në zonën e Kombinatit do të jetë e vështirë të mbahet ky premtim. Aty ende nuk ka nisur procesi i rindërtimit të banesave të shembura. Në programin e qeverisë thuhet se në pranverën e vitit 2022 nuk do të ketë asnjë gjurmë të tërmetit.