AFIU: Real Estate mekanizmi kryesor i pastrimit të parave në Shqipëri!

Sipas raportit të vitit 2025 për pastrimin e parave, Shqipëria vazhdon të përballet me të njëjtat probleme: para me origjinë të paqartë në ndërtim, prona, cash dhe kompani që lëvizin kapital pa shpjegim bindës. Por dokumenti ndalet kryesisht tek sinjalet dhe dyshimet. Ai tregon si lëvizin paratë e dyshimta në ekonomi, por shumë më pak kush i kontrollon ato, sa i madh është realisht fenomeni dhe pse sistemi vazhdon të mos arrijë ta godasë deri në fund.

Redaksia ACQJ

Raporti i vitit 2025 i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave ngre një problem themelor prezent në ekonominë shqiptare prej shumë vitesh: në Shqipëri, paraja me origjinë të paqartë vazhdon të gjejë rrugë të lehta për të hyrë në ekonomi. Jo domosdoshmërisht në fusha investimi të errëta apo në aktivitete të fshehta, por shpesh në sektorët më të dukshëm, ndërtim, prona, kompani, transferta dhe qarkullim masiv cash-i.

Ndërsa në vitet e fundit institucionet kanë zbuluarnjë numër të të lartë lëvizjesh financiare të dyshimta krahasuar me vitet paraardhëse, pyetja që mbetet pezull është më e madhe: sa prej këtij fenomeni po kontrollohet realisht dhe sa është bërë tashmë pjesë normale e ekonomisë?

Raporti nuk flet vetëm për transaksione të dyshimta. Mes rreshtave ai përshkruan një ekonomi ku paraja lëviz shpesh më shpejt sesa aftësia e institucioneve për të kuptuar origjinën e saj. Shfaqen të njëjtat modele që prej vitesh qarkullojnë në diskutimet mbi ekonominë shqiptare: prona të blera me burime të paqarta, transferta ndërkombëtare pa logjikë të dukshme ekonomike, kompani që rrisin kapitalin brenda një kohe të shkurtër dhe një përdorim i vazhdueshëm i cash-it në një vend që ende funksionon në masë të madhe jashtë gjurmëve të plota financiare.

Në një lexim të parë, shifrat japin përshtypjen e një sistemi që po forcohet. Ka më shumë analiza, më shumë raste të referuara dhe më shumë sinjalizime se në vitet e kaluara. Shqipëria po afrohet gradualisht me standardet europiane të monitorimit financiar. Por sa më shumë hyn në detaje, aq më e dukshme bëhet një kontradiktë tjetër: institucionet po bëhen më të afta në identifikimin e anomalive, ndërsa ekonomia që prodhon këto anomali duket se vazhdon të funksionojë pothuajse me të njëjtat mekanizma.

Në qendër të vëmendjes mbetet tregu i pasurive të paluajtshme. Për vite me radhë, ndërtimi ka qenë një nga motorët më të dukshëm të ekonomisë shqiptare dhe njëkohësisht një nga sektorët më të vështirë për t’u lexuar plotësisht. Apartamente të shitura me çmime që nuk përputhen gjithmonë me tregun, prona të blera dhe të rishitura shpejt me diferenca të mëdha në vlerë, investime që nuk lidhen qartë me të ardhurat e deklaruara, janë modele që vazhdojnë të përsëriten prej vitesh, nga rporti në raport.

Dhe kjo lidhet me një pyetje që në Tiranë dëgjohet prej kohësh: si po financohet në të vërtetë ky boom ndërtimi? Si po financohen kullat dhjetëra katëshë? Në një qytet ku çmimet e apartamenteve janë rritur shumë më shpejt se pagat, diskutimi nuk është më vetëm urbanistik. Është edhe social.

Në disa raste të analizuara nga FIU, individë apo kompani kryenin transferta dhe investime që nuk përputheshin me aktivitetin apo kapacitetin ekonomik që deklaronin. Në raste të tjera, kompani të sapokrijuara ose me aktivitet modest shfaqnin rritje të menjëhershme kapitali apo blerje të mëdha asetesh. Por megjithatë, pas analizës asgjë nuk ndryshoi.

Një tjetër element që përsëritet është përdorimi i familjarëve, bashkëpunëtorëve apo personave të tretë për të kryer depozitime, transferta apo investime. Në praktikë, kjo krijon distancë mes parave dhe pronarit real të tyre, dhe në një ekonomi ku kontrolli mbi pronësinë përfituese mbetet ende i pjesshëm, këto struktura bëhen shumë të vështira për t’u ndjekur deri në fund.

Një pjesë e rasteve lidhen me trafikimin e narkotikëve, evazionin fiskal apo aktivitete të tjera kriminale. Por në shumë raste të tjera, origjina konkrete e parave mbetet e paqartë. Pikërisht këtu qëndron edhe limitimi më i madh i institucioneve: ato arrijnë të dallojnë sjellje që ngjajnë me pastrim parash, por jo gjithmonë arrijnë të provojë zinxhirin e plotë që qëndron pas tyre.

Dhe ndoshta ky është mesazhi më interesant i gjithë dokumentit. Problemi nuk duket më si një seri rastesh të izoluara. Ai ngjan më shumë me një model ekonomik që vazhdon të prodhojë hapësira të mëdha paqartësie dhe evazioni. Raporti përshkruan mirë modelet dhe flamujt e kuq, por shumë më pak dimensionin real të fenomenit: cilët sektorë kanë riskun më të madh, sa para qarkullojnë realisht, sa raste përfundojnë në konfiskime apo sa efektive është hallka mes sinjalizimit dhe ndëshkimit.

Në fakt, një transaksion i dyshimtë nuk është automatikisht krim. Një kompani me rritje të shpejtë nuk provon vetvetiu pastrim parash. Por kur të njëjtat modele përsëriten vazhdimisht në ndërtim, prona, cash dhe transferta ndërkombëtare, ato fillojnë të tregojnë diçka më të thellë për mënyrën si funksionon ekonomia shqiptare.

Ka edhe një tjetër boshllëk që bie në sy nga raporti. Fokusi mbetet kryesisht tek format tradicionale të pastrimit të parave, prona, transferta bankare dhe cash. Shumë më pak flitet për kripto-asetet, fintech-un, artin, apo format më moderne të qarkullimit ndërkombëtar të kapitalit, ndërkohë që vetë Bashkimi Europian po e zhvendos gjithnjë e më shumë vëmendjen në këto sektorë.

Po aq pak flitet edhe për rolin e profesionistëve që mund të ndihmojnë në fshehjen e kapitalit, noterë, kontabilistë, avokatë apo kompani që krijojnë struktura biznesi. Në shumë vende këto konsiderohen hallka kyçe në pastrimin e parave. Këtu mbeten më shumë në sfond, pavarësisht se në mënyrë të vazhdueshme kanë qenë protagonistë të hetimeve të drejtësisë në raste të pastrimit të aprave apo krimit të organizuar.

Por pyetja më e madhe nuk është sa raste identifikohen. Pyetja është çfarë ndodh me to më pas. Tetë urdhra bllokimi gjatë një viti tregojnë se sistemi po reagon në disa raste. Por shumë më pak kuptohet se sa prej këtyre çështjeve përfundojnë realisht në konfiskime, dënime apo rikuperim asetesh.

Hendeku mes identifikimit të problemit dhe aftësisë për ta goditur atë deri në fund mbetet ende i gjerë. Shqipëria ka bërë progres në ndërtimin e mekanizmave të raportimit dhe afrimin me standardet europiane. Por efekti real mbi ekonominë informale dhe kapitalin kriminal mbetet ende i vështirë për t’u matur./acqj.al