Denada Jushi
“Pse të mbjell kur më parë blejnë importin se perimet tona?”, kështu e nis rrëfimin një nga fermerët që kultivon domate në Lushnjë, i cili duhet të punojë çdo ditë në shi e në diell dhe kur vjen puna për të korrur frytet e mundit të tij, malli i kalbet!
Rënia e bujqësisë ka nisur prej kohësh, por tanimë po bëhet gjithmonë e më e dukshme, edhe pse është një nga dy sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare!
Kjo është një nga gjetjet kryesore që ngre analiza e ALTAX “Bujqësia në Shqipëri: Gjendja aktuale, statistika dhe perspektiva”.
Sipas të dhënave të publikuara, tregohet qartë se sektori ka një peshë domethënëse, por performanca sa vjen e bie!
Sipas këtij studimi, bujqësia kontribuon me rreth 18.5% në Prodhimin e Brendshëm Bruto, një nivel shumë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian që mbetet nën 5%. Në dukje kjo shifër është tregues pozitiv, por në të vërtetë ekonomia është ende e varur nga aktivitetet me produktivitet të ulët. E njëjta situatë vlen edhe në punësim; mbi 37% e forcës së punës në Shqipëri është e angazhuar në bujqësi, por sektori nuk është efikas!
Të dhënat tregojnë për një potencial të madh të pashfrytëzuar. Shqipëria ka rreth 695 mijë hektarë tokë bujqësore.
Po përse?
Problemet lidhen kryesisht me mungesën e sistemeve të ujitjes, fragmentarizimin e tokës dhe nivelin e ulët të mekanizimit. Në shumë raste, fermat janë të vogla familjare, me sipërfaqe mesatare 1–1.5 hektarë, çka e bën të vështirë rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë.
Edhe pse prodhimi bujqësor ka arritur nivele të konsiderueshme në disa kultura, si perimet dhe frutat, strukturimi i sektorit mbetet problematik. Prodhimi është i orientuar drejt tregut vendas dhe eksportet dominohen nga produkte të papërpunuara. Sipas analizës së ALTAX, eksportet bujqësore kanë arritur rreth 580 milionë euro, por potenciali për rritje mbetet i pashfrytëzuar pikërisht për shkak të mungesës së përpunimit.
Vetëm rreth 30% e fermerëve përdorin pajisje moderne, ndërsa rendimenti për hektar mbetet 30–40% më i ulët se mesatarja e vendeve të BE-së. Kjo lidhet drejtpërdrejt edhe me nivelin e ulët të investimeve dhe subvencioneve. Ndërsa fermerët në Bashkimin Europian përfitojnë mbi 150–200 euro për hektar, në Shqipëri mbështetja llogaritet vetëm 30–50 euro për hektar.
Problemet nuk janë vetëm ekonomike. Bujqësia shqiptare po përballet edhe me një krizë demografike. Emigracioni dhe largimi i të rinjve nga zonat rurale po çojnë në plakjen e popullsisë së fshatit dhe në mungesë të fuqisë punëtore. Kjo e bën edhe më të vështirë modernizimin e sektorit dhe adoptimin e teknologjive të reja.
Megjithatë, raporti evidenton edhe një rrugëdalje të mundshme. Sipas ALTAX, kalimi drejt një modeli të “bujqësisë së zgjuar” është zgjidhja për transformimin e sektorit. Kjo përfshin përdorimin e teknologjive si sensorët, dronët, sistemet dixhitale të menaxhimit dhe përdorimin e energjisë së rinovueshme në ferma.
Nëse arrihet të shkohet drejt këtij modernizimi, prodhimi bujqësor mund të rritet me 30–50% deri në vitin 2030, ndërsa eksportet mund të dyfishohen, duke arritur në rreth 1.2 miliardë euro në vit. Por kjo varet nga një transformim, për të cilin nuk duket se ka vullnet politik që të ndodhë!
Derisa të kuptojmë rëndësinë e këtij sektori, bujqësia po shkon drejt zgripit të pashmangshëm!/acqj.al