Autor: Denis Tahiri
Qershori solli edhe njëherë në vëmendje Covid-19 te të gjithë shqiptarët. Për herë të parë pas disa muajsh mungesë, në spitalet shqiptare, u rikthyen humbjet e jetës prej virusit. Duke parë rritjen e ngarkesës virale të viruesit në Shqipëri, Komiteti Teknik i Ekspertëve, i cili kishte disa kohë pa kryer mbledhje, u rikthye edhe njëherë, duke rekomanduar dozën e tretë të vaksinës dhe mbajtjen e maskës.
Prej nisjes së pandemisë së shkaktuar nga COVID-19 e deri më tani, numri zyrtar i jetëve të humbura në Shqipëri është 3,520, por sipas institucioneve ndërkombëtare kjo shifër as nuk i afrohet asaj reale. Organizata Botërore e Shëndetësisë, vlerëson se rreth 12,689 persona kanë humbur jetën në vendin tonë gjatë viteve 2020-2021 si rrjedhojë e drejtpërdrejtë ose e tërthorë e Covid 19.
Rritja e vdekshmerise me 12 mijë individë për vitin 2020 dhe 2021 është ajo që bën një diferencë të madhe në krahasim me numrin e vdekjeve të regjistrura në vitet kur vendi nuk është përballur me një pandemi. Nga ana tjetër, Organizata Botërore e Shëndetësisë, gjetjet e saj i mbështet në një model statistikor dhe i rezulton se humbjet reale të jetëve nga Covid-19 duhet të jenë mes 11,575 dhe 13,710 personave.
Por si funksiononte raportimi i humbjeve të jetës nga Covid- 19 në Shqipëri? Ç farë përcaktonte se një qytetar i shtruar në spital humbiste jetën prej virusit?
Ervis Saliasi, ish-infermier në Spitalin Infektiv, i cili ka qenë edhe në grupin e parë të infermierëve që shkuan në Breshia të Italisë për të ndihmuar spitalet italiane në betejën kundër Covid -19 thotë se jo gjithmonë shkaktari kryesor i ndërrimit të jetës ka qenë COVID-19, por padyshim që ka qenë një nxitës shumë i fuqishëm duke përkeqësuar problematikat shëndetësore që pacientët kanë patur.
“Ndodhte që disa pacientë që janë me Covid, ndërrojnë jetë nga arresti kardiak dhe ka patuar shumë raste, rreth 40% që në skedën e vdekjes është shkruar arsyeja e vdekjes arrest kardiak edhe pse pacienti mund të ketë qenë i shtruar në repartin COVID”, shprehet ai duke shtuar se në kartelat e vdekjeve janë shkruar edhe probleme pulmonare të ndryshme sepse Covidi prek më së shumti mushkrinë. “Në raste të tjera janë shkruar edhe problematika të tjera që ka patur pacienti edhe pse ka qenë shtruar në repartin Covid”, përfundon ai.
Përgjigjes se si certifikohej humbja e jetës prej Covid-19 në repartet Covid, Saliasi shprehet se ate certifikim e bënin specialistët. “Bazuar mbi të gjitha parametrat që dilnin qoftë nga skaneri, qoftë nga analizat e ndryshme. Në rastet kur pacienti ka patur 90% të pulmonit të prekur nga Covidi, normal që ai nuk ka ndërruar jetë nga gjë tjetër, por nga Covidi. Specialistët mblidheshin, shikonin kartelën, diskutonin dhe në fund fare vendosnin”, shprehet ai.
Ministria e Shëndetësisë u pyet nga gazetarët e ACQJ me anë të një kërkese për reagim në lidhje me shifrën e humbjeve të jetës të dhëna nga OBSH si dhe për protokollin e caktimit të shkakut të humbjes së jetës nga COVID- 19, por deri në këto momente nuk ka një reagim.
Viktimat, ekspertët: Shifrat nuk janë reale, të manipuluara
Rreth 13 mijë humbje jete, është vlerësimi i OBSH në lidhje me humbjet e jetëve nga Covid-19 në vendin tonë. Në këtë numër të dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetit, përfshihen edhe qytetarët që kanë ndërruar jetën nga shkaqe të lidhura në mënyrë indirekte me COVID-19. Por ky nuk është dokumenti i vetëm i një insititucioni që nxjerrë në pah një disbalancë të madhe mes shifrave të raportuara zyrtarisht dhe vdekjeve në vend gjatë pandemisë. Revista “Monitor” do të publikonte Një raport të Komisionit Europian për 2020 ku shprehej fakti se Shqipëria kishte shtesën e vdekjeve në vitin 2020 më të lartën në Europë si pasojë e përhapjes së pandemisë Covid-19, me 27%. Sipas përllogaritjeve të Komisonit Europian shtesat e vdekjeve për 2020 në BE ishin 12.8% më të larta se mesatarja vjetore e viteve 2016-2019. Nga ana tjetër në Ballkan pas Shqipërisë ishin Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut me rritje të vdekshmërisë 17% dhe 12% secila.
Për ekspertin e Shëndetit Publik, Erion Dasho numri real i vdekjeve prej Covid-it në Shqipëri është nga 16000 dhe mund të kalojë deri në 20000.
“Kemi shifrat e INSTAT-it, që nuk gënjejnë, të cilat tregojnë se ka patur një rritje të theksuar të vdekjeve në vitet 2020-2021, që korrespondojnë me vlerësimet e OBSH dhe Institut of Health Medicines”, shprehet ai duke shtuar se duhet pranuar se ky është numri real i vdekjeve dhe jo ai që pretendon Ministria e Shëndetësisë.
Vetë INSTAT do të deklaronte se gjatë 2020 humbën jetën 27,605 shqiptarë ndërkohë që në 2021 shifrat do të shkonin rreth 30 mijë. Shifra këto që janë me disa mijë më të larta se mesatarja e vdekshmërisë për vitet 2017-2018 e cila ka qenë rreth 22 mijë.


Zoti Dasho flet për manipulim shifrash që sipas tij nuk ka asnjë benefit për qytetarët. “Mendoj se është vetëm politikë për të treguar se pandemia është menaxhuar siç duhet, kur në fakt në analizat që janë bërë vazhdimisht, tregojnë se janë bërë gabime trashanike në menaxhimin e pandemisë në Shqipëri”, thotë ai duke i renditur disa nga gabimet duke filluar me futjen shumë vonë të mjekut të familjes në lojë, po ashtu edhe të spitaleve rajonale, përqëndrimin e përkujdesit në duart e urgjencës mjekësore dhe spitaleve treciale. “Gjë që bëri që qytetarët të mos merrnin kudjesin e duhur”, thotë ai duke shtuar se pati edhe një ngarkesë të spitaleve të ashtuqujtura “Covid”, ndërsa spitalet rajonale qëndruan bosh për muaj të tërë çka bëri që pacientët që ishin në spitalet Covid të kishin një raport të pafavorshëm midis personelit dhe pacientit.
Edhe profesori Ilir Alimehmeti është i të njëjtit mendim, që shifrat e humbjeve të jetës të raportuara nuk janë reale.
“Elementi i parë është shifra infektime dhe elementi i dytë është ‘humbjet e jetës’, këto janë dy shifrat kryesore, të tjerat janë sekondare si shifra”, shprehet profesori i cili në një argumentim të hollësishëm thotë se numri i testimeve kanë qenë të pakta dhe këtë s’mund ta krahasosh me shtete të tjera. “Edhe brenda Shqipërisë i ke të ndara shumë në mënyrë të pabarabartë. Pra, po të hysh në statistika e shoh se trecereku i testimeve janë bërë në Tiranë, ndërkohë, në të gjitha rrethet e tjera janë bërë gati 2,5%, ç farëdolloj qarku”, thotë ai duke dhënë edhe shembull për ta bërë më të qartë. “Fieri ka 2.5% të testimeve në total, qarku i dytë me popullatën më të lartë në Shqipëri, Tirana ka 75%”, thotë ai.
E ndërsa flet për humbjet e jetëve, profesori ndalet te përkufizimi që ka vendosur Shqipëria se kush cilësohet si viktimë që ka humbur jetën nga COVID-19.
“Përkufizimi që kemi bërë ne për humbjet e jetës ka qenë në qoftëse vdes në një prej spitaleve të quajtura zyrtarisht “COVID”dhe testi i fundit të ketë qenë pozitiv. E kupton se cfarë përkufizimin është ky? Pra shkurt, ne kemi një nga nënvlerësimet më të mëdhaja që janë bërë dhe po të shohësh raportet, thonë që Shqipëria është shteti, që mos te themi me humbjet më të mëdha të jetëve në Europë [në proporcion të popullsisë], një ndër 3 më të mëdhat”, shpjegon ai. “Pra nëse ne sot themi në nivel botëror, mund të ketë një në dy raste që janë raportuar, pra një është raportuar që ka vdekur, 1 nuk është raportuar. Në Shqipëri 1 është raportuar, 4.38 të tjerë nuk janë raportuar”.
“Shteti i ka llogaritë nga vdekjet me tepri që ne i nxjerrim nga raporti i INSTAT-it. Është puro keqmenaxhim dhe genjeshtër në shkallë të lartë”, përfundon profesor Alimehmeti.
Çfarë mund të ishte bërë ndryshe?
“Është pyetje shumë e gjerë për t’i dhënë përgjigje në kuadër të një interviste”, shprehet eksperti i Shëndetit Publik Erion Dasho në momentin që i drejtojmë këtë pyetje. “Ajo që unë kam rekomanduar është se ne duhet të ngrejmë me patjetër një grup pune për t’i bërë bashkë specialistë shqiptar e të huaj, të analizohet përgjigjia shqiptare ndaj Covid dhe të nxirren mësime”, thotë ai duke shtuar se në kompninë ku punon, janë duke zhvilluar procese të tilla në shumë vende të botës, ku qeveritë dhe Ministritë e Shëndetësisë janë shumë të hapura.
Sistemi i dobët shëndetësor, barrë në kurrizin e qytetarëve
Në një dokument të publikuar nga Banka Botërore vihet theksi te shpenzimet për frymë në shëndetësinë në Ballkanin Perëndimor, ku kjo shifër është ndjeshëm më e ulët se mesatarja e Bashkimit Europian, ku harxhohen mesatarisht 3.127 mijë dollar për frymë. Në Ballkan, Serbia renditet më lartë se të gjitha vendet në lidhje me shpenzimet në shëndetësi për frymë me 812 dollarë e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina me 681 dollarë. Më pas renditet Maqedonia e Veriut me 539 dollarë, Mali i Zi me 508 dollarë dhe Shqipëria në vend të fundit me 307 dollarë për frymë.
“Për shembull, për rajonin në tërësi, në mungesën e fondeve për sistemin shëndetësor shpesh vuajnë familet, shpenzimet e drejtëpërdrejta( nga xhepi) të cilat janë të larta. Për shembull kjo shkon nga 37 për qind në Serbi dhe në Malin e Zi, deri në 50 për qind në Shqipëri”, thuhet në dokumet. Ndërkohë kostot e mëdha të mjekimit për familjet shqiptare, pandemia e shkaktuar nga Covid-19 i nxorri në pah më shumë se asnjëherë tjetër.
Alban B, 45 vjeç tregon se për shkak të prekjes nga Covid-19 në të njëjtën kohë të 4 pjestarëve të familjes së tij, ku dy prej tyre në gjendje të rëndë, fatura totale e medikamenteve dhe infermierit në shtëpi shkoi rreth 9500 euro.
“Kemi marrë ilaçe duke nisur nga Favipiravir, Xarelto, Plaquenil, Remdesivir dhe disa lloje të tjera pasi unë që e kalova pak më lehtë nuk pata nevojë për protokolle të tillë mjekësor. Vetëm për Remdesivir për prindërit dhe bashkëshorten mund të kem harxhuar minimalisht nja 5 mijë euro, sepse për një dozë paguaje 150-300 euro, plus që kurimi ishte me 10-12 doza”, shprehet 45 vjeçari.
Doktoreshë Aurora Dollenberg, e cila është edhe Kryetare e Federatës së Mjekëve Shqiptar në Europë, shprehet se pandemia nxorri në pah nevojën që sistemi shëndetësor shqiptar ka për një reformim thelbësor. “Pandemia vërtetoi që sistemi shëndetësor duhet të jetë sa më i decentralizuar në mënyrë të tillë që shërbimi të jetë imirë, jo betën në Tiranë, por edhe në spitale të mëdhaja të qyteteve të mëdhaja, por i mirë dhe në qytete të vogla, madje edhe në fshatra duhet të jetë i mirë, qoftë kujdesi primar, i cili nuk luajti rolin që duhet të kishte”, thotë ajo. Dokoresha shton se mjeku duhet të ishte një pikë referuese, një kontakt i të gjithë pacientëve që i drejtoheshin për të pasur një orientim të pacinentëve të cilët kishin nevojë për të shkuar në spitale, për forma simtomatike të cilat nuk mund të trajtoheshin në nga shtëpia.
Prej fillimit të muajit korrik infektimet me Covid 19 janë rritur 15 herë. Nga fillimi i muajit e deri më tashmë janë regjistruar pothuajse 20 mijë raste të reja me koronavirus. Kjo ka bërë që numri i rasteve aktive të rritet 13 herë më shumë se muajin e shkuar dhe 60 herë herë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Por gjithashtu rritje kanë njohur edhe humbjet e jetëve kryesisht sipas varianteve të OMICORN janë 18 herë më të larta. Ndërkohë që rritje kanë pësuar edhe shifrat e të shtruarave në spital krahasuar me një muaj më parë, të cilat jaën 5-fishuar. Ajo që bie në sy sipas një burimi të ACQJ pranë Ministrisë së Shëndetësisë është fakti që qytetarët nuk po vaksinohen në nivelin e duhur. Deri më tani sipas të njëjtit burim, 47% e popullisë ka një dozë vaksine, 45% me të dyja dozat, ndërsa dozën e tretë e ka bërë vetëm 11.91% e popullisë.