Publiciteti dhe shitja pa kriter në televizion e suplementeve mjekësore

Reklamat televizive apo më gjerë, të barnave farmaceutike, si ato pa recetën e mjekut, apo suplementet ushqimore apo mjekësore, janë kthyer në një realitet të përditshëm për konsumatorin shqiptar, me personalitete televizive dhe profesionistë të fushës mjekësore që i dedikojnë minutazh apo influencën e tyre reklamimit të këtyre produkteve. E gjitha kjo në shkelje të ligjit, dhe me asnjë agjenci që nuk mer përsipër tagrin e mbikqyrjes apo ndëshkimit të shkelësve të kuadrit rregullator në fuqi.

Autore: Megi Cuka

Trajtimi i problematikës të publicitetit në ambiente publike, në televizion apo edhe online, të produkteve medicinale dhe suplementeve mjeksore nuk është në kompetencën lëndore të Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore apo e Autoritetit të Mediave Audiovizive, si dhe as e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Si shpeshherë, barra për mbrojtjen e shëndetit dhe interesave të konsumatorit bie mbi vetë konsumatorin e painformuar.

Shpesh na ndodh që kur jemi duke parë televizor, hapim Facebook, instagram apo media online, shohim reklama të ndryshme ku promovohet një suplement apo mjekësor I cili garanton shërimin e magjishëm të një numri në rritje të sëmundjeve që kërkojnë specializim mjekësor. Në rastet më të shumta, këto reklama thonë se konsumatorët mund të përdorin produktin pa receten e mjekut, pa u shpjeguar përmbajtja e tyre apo efektet anësore.

A ka rrezik për individët përdorimi i këtyre produkteve farmaceutike?

Fatmir Brahimaj, presidenti i urdhrit të mjekëve në Shqipëri, në një postim në faqen zyrtare të urdhërit të mjekëve, bën thirje që këto barna të cilat reklamohen të mos përdoren nga individët, për shkak se ato janë të pa kontrolluara.

“Duke i parë si profesionist këto reklamime, mendoj se duhet më shumë vemendje, kujdes, kontroll dhe përgjegjshmëri për to sepse kanë mjaft pavërtetësi. Mesazhet e tyre nuk janë të duhurat dhe përgjegjësia nuk dihet ku është, si: në hartimin e tyre, pranimin dhe trasmetimin tek publiku, etj…” – Shkruan ai në postimin e bërë në faqe.

Ai gjithashtu shprehet se reklamat shëndetësore sjellin ndikim dhe pasoja në shëndet, në marrëdhëniet mjek-pacient.

“Si pasojë mospërputhja e pritshmërive me rezultatet sjell probleme tek individi i zhgënjyer deri tek analizimi dhe gjykimi i përgjegjësive. Përgjithësisht për këto reklama kërkohet: Vërtetësia e përmbajtjes dhe respektimi i etikës mjekësore.” – shton ai

Në një monitorim të bërë në televizionet , Klan Tv, Top Channel dhe Report Tv, vumë re se reklamat për produktet farmaceutike deh suplementeve mjekësore janë të shumta, më shumë se 23 suplemente mjekësore, ku disa prej tyre janë të paraqitura si më poshtë:

Të gjithë këto suplemente vazhdojnë që të transmetohen çdo ditë në televizionet shqiptare, dhe asnjë autoritet nuk merr përsipër të monitorojë këtë proces, dhe rreziqet poenciale për konsumatorët.

A mbajnë përgjegjësi autoritetet përkatëse lidhur me këtë problematikë?

Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore është autoriteti përgjegjës për monitorimin e barnave në Shqipëri. Në vijim të një kërkese zyrtare për informacion drejtuar këtij institucioni, ACQJ u informua se suplementet e përmendura më sipër nuk janë të autorizuara për tregëtim dhe përdorim.

“Nga verifikimi i të dhënave në “Regjistrin e Barnave të Autorizuara për Tregtim në Republikën e Shqipërisë, për “Liquid Curcumina”, “Spirulina”, “Prostatol Complex”, “Superëomen”, “Collagen X”, “Helix Original”, “Acai One”, ‘Selenogin”, rezulton se këto produkte nuk kanë aplikuar për autorizim për tregtim dhe për rrjedhojë nuk janë të autorizuar për tregtim si “bar” nga AKBPM-ja. AKBPM-ja nuk ka miratuar asnjë material promocional për produktet e mësipërme”. -Thuhet në përgjigjen e institucionit.

Ajo që mbetet për tu sqaruar është nëse këto suplemente përmbajnë në to elemente të cilat kërkojnë nga legjislacioni shqiptar autorizim paraprak nga institucionet përkatëse, një pyetje që nuk I është përgjigjur asnjë institucion i pyetur.

Në shkresë gjithashtu shpjegohet se: Sipas Nenit 7, të Urdhërit të Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Nr.25 datë 17.01.2019 “Për miratimin e rregullores për publicitetin e barnave” pika 1 “Publiciteti drejtuar popullatës, lejohet vetëm për barnat që janë pjesë e listës së barnave pa recetë (barnat OTC).”

Nga ana tjetër, autoriteti i Medias Audio Vizive shprehet se nuk mund të ndalojë reklamimin e këtyre produketeve, është marketing si për çdo produkti tjetër.

Por, si reagojnë pacientët nëpër farmaci?

 Aktualisht në listën e barnave OTC, të cilat janë barnat që jepen pa recetën e mjekut, janë gjithsej 813 barna. Këto barna lejohen të reklamohen sipas një rregullorje të caktuar.

Shqipëria ka afërsisht 1679 farmaci dhe pjesa më e madhe e tyre është në Tiranë. Farmacistët, disa prej të cilëve të pyetur nga ACQJ, nën kushtet e anonimatit shprehin shqetësim në lidhje me produktet që shiten pa recetën e mjekut, dhe që disa prej tyre reklamohen nga personazhe publike, qofshin personalitete televizive apo drejtues të institucioneve mjekësore publike.

Një farmaciste në Tiranë, thotë se produktet më të kërkuara/shitura janë qetësuesit e dhimbjeve.

“Pacientët vijnë të bindur në farmaci për të marrë produktin se nuk ka efekte anësore, nuk pranojnë të këshillohen që nëse një qetësues dhimbjesh mund të ketë efekt anësor rritjen e tensionit, ose konsumi i tepërt i tyre shkakton efekte anësore në stomak. Për shembull, përdorimi i tepërt i Paracetamolit jep efekte anësore në mëlçi. Këto patjetër që duhet t’i konsultojnë me mjekun dhe farmacistin, por ata marrin parasysh vetëm çfarë është thënë nga personazhet publike dhe janë të prirur të besojnë ata.”

“Nëse kanë probleme me shëndetin ose një efekt anësorë nga ilaçi ata vijnë dhe ndeshen me mua, ndërkohë që para se ta blejnë nuk pranojnë as shpjegimet e mia sepse janë të bindur se i bën mirë se e kanë dëgjuar nga X personazh i njohur në televizion”. – përfundon ajo.

Referuar këtyre përgjegjësive, një nga institucionet me përgjegjësi të drejtpërdrejtë për mbrojtjen e të drejtave dhe shëndetit të qytetarëve është Agjensia për Mbrojtjen e Konsumatorit. Në një email drejtuar këtij institucioni me qëllim marrjen e informacioneve mbi përgjegjësinë që ata kanë në lidhje me këtë problematikë, AMK i bën të ditur ACQJ se problemi në fjalë është jashtë kompetencave ligjore të këtij institucioni.

Rregulla që ekzistojnë por që nuk zbatohen

Moszbatimi i ligjit, mungesa e kontrollit dhe marrjes së masave për të ndaluar abuzimet potenciale, është një nga shqetësimet më mëdha që shfaqen me reklamat televizive, radiofonike apo ato statike në publik, duke pasur parasysh dhe parashikimet e Rregullores për publicitenin e barnave, ku ndër të tjera, parashikohet se: Nuk lejohet që në publicitetin e barnave drejtuar popullatës… të përfshijë rekomandimin e profesionistëve të shëndetit ose studiuesve shkencorë, apo të përfshijë në publicitet persona, popullariteti i të cilëve mund të stimulojë në përdorimin e barit; “, referuar këtu pikërisht prezantuesve televiziv, personazheve të njohura që pëlqehen dhe kanë ndikim tek shikuesit potencial, apo edhe profesionistëve të fushës.

Në muajt e parë pas publikimit të këtij Urdhri televizionet e ndaluan reklamimin e barnave nga personazhet publike dhe fillimisht u duk sikur kjo rregullore po respektohej, megjithatë kjo nuk zgjati shumë. Dita ditës, reklamat u shtuan, duke arritur në atë pikë sa u bënë pjesë integrale e programeve ditore, apo atyre të fundjavës, kohë gjatë të cilës televizionet kanë shikueshmërinë më të gjerë.

Në përgjigjen e AKBPJ ndaj kërkesës për informacion të ACQJ, kjo e fundit thekson se “Trajtimi i problematikës të publicitetit të produkteve të mësipërme [barnave OTC] nuk është në kompetencën e Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore”, pavarësisht se kjo rregullore ngarkon pikërisht këtë institucion për monitorimin e këtij fenomeni.

Në të gjitha kërkesat për koment dërguara institucioneve të ndryshme monitoruese që kanë tagrin e mbrojtjes së interesave apo shëndetit të konsumatorit dhe qytetarëve, refreni I përhershëm që ka mbizotëruar është mospasja e kompetencës për këtë çështje. Por a ekziston vallë një institucion i cili ka përgjegjësi mbi kontrollin, verifikimin dhe monitorimin e reklamimit të këtyre produkteve?

Ndodh shpesh të shikojmë edhe në linajt urbane në Tiranë, postera të ngjitura nëpër urbanet e qytetit me barna për të luftuar dhimbjet trupore apo gripin e zakonshëm, produkte të cilat përmbajnë shpeshherë paracetamol apo kodeinë. Një nga institucionet përgjegjëse mbi këtë cështje, është edhe Bashkia Tiranë, e cila një kërkese nga ACQJ për koment mbi këtë çështje gjithashtu shpreh moskopetencë dhe na drejton tek Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet përkatëse [AKBPJ].

Ekspertët: Të krijohen mekanizma për verifikimin e çdo reklamë të produkteve mjeksore

Në lidhje me reklamat e mirëfillta për produkte që mund të kenë efekte të pakonfirmuara apo janë të palinçensuara, përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi distributorin e artij produkti dhe institucioneve që kanë për detyrë të kontrollojnë cilësinë dhe vërtetësinë e produkteve.

“Është e domosdoshme që të ketë instrumente ligjorë e institucionalë për të verifikuar paraprakisht çdo reklamë produkti mjekësor para se të dalë në transmetim”, – thotë Koloreto Cukali, Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Shqiptar të Medias, për sa i përket çështjeve etike të reklamimit të në media, pa mbikqyrje.

“Media nuk mund të mbajë përgjegjësi e nuk mund të verifikojë çdo produkt të cilit i bën reklamë përmes një transkasioni biznesi. Përndryshe i bie që media të verifikojë çdo banane, lavatriçe apo paketat turistike për të cilat ka kontratë për t’u bërë reklamë. Në të kundërt, media mban përgjegjësi të plotë për reklamat okulte – reklama që kamuflohen si “lajme”. – shton ai.

“Në këto raste është një shkelje e drejtpërdrejtë e Kodit të Gazetarit, dhe mund të konsiderohet një mashtrim i qëllimtë i publikut. Shkelje të tilla bëhen me qëllim për përfitime financiare në mashtrim të publikut, ndaj raste të tilla duhen denoncuar dhe dërguar dhe në gjyq nga palët e dëmtuara”. – përfundon Cukali për ACQJ.

Vende evropiane apo më tej kanë pëcaktuar rregulla strikte për sa i përket reklamimit të barnave në media apo vende publike, me vende si SHBA ku këtë tagër e mer përsipër Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA), Komisioni Federal i Tregtisë (FTC), Gjermani me Freiëillige Selbstkontrolle für die Arzneimittelindustrie eV (vetërregullimi vullnetar për industrinë farmaceutike), një shoqatë e industrisë private, anëtare e së cilës janë shumica e kompanive farmaceutike në Gjermani dhe Ligjit për Reklamat në Sektorin e Shëndetësisë, Mbretëri të Bashkuar me Agjencinë Rregullatore të Barnave dhe Produkteve Shëndetësore, apo Franca me Agjencinë për Sigurinë e Produkteve Shëndetësore.

Institucionet shqiptare dhe kuadri rregullator në këtë fushë janë analogji të agjencive dhe rregullave simotra në vendet e tjera evropiane, por zbatimi i ligjit ka mbetur jetim, me asnjë institucion që mer përsipër tagrin e mbrotjes së konsumtatorit.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry

Leave a comment

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter