Mjekët e rinj me shërbim të “detyruar”

Autor: Denis TAHIRI dhe Aurora SHPATAJ

Në fillim të këtij viti, Ministrja e Shëndetësisë Orgerta Manastirliu kishte mendim tjetër për mjekët. “Lëvizja e lirë e mjekëve nuk është vetëm një fenomen i izoluar për Shqipërinë por për të gjitha vendet e Rajonit në masë. Lëvizja e lirë ka sjellë edhe vakanca. Përballja me këtë fenomen është një betejë e përditshme”,  insistonte në atë kohë ministrja, që shtonte se nuk kishin gjetur ende një zgjidhje për fenomenin. Por gjashtë muaj më vonë, formula e ofruar për situatën u shtrua nga një tjetër institucion, që nënkupton ndalimin e mjekëve për të lënë Shqipërinë.  Ministria e Arsimit dhe Sportit propozoi projektligjin “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”.

Projektligji u prezantua nga Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Arsimit Evis Kushi dhe Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu pas mbledhjes së qeverisë në mesditën e 5 korrikut 2023, e disa orë më pas u dorëzua në Kuvend, ku me kërkesë të Këshillit të Ministrave u kërkua të kalohet me procedurë të përshpejtuar.

Por çfarë parashikon ky projektligj?  Projekligji, i cili pritet brenda korrikut të shndërrohet në ligj, parashikon se studentët që nënshkruajnë marrëveshjen në momentin e regjistrimit, pas përfundimit të studimeve duhet të punojnë si mjekë në Shqipëri jo më pak se 5 vite . Pas  përfundimit të këtyre 5 viteve, mjeku ka të drejtë të tërheqë diplomën. Por të prekur nga ky ligj janë edhe studentët të cilët aktualisht po studiojnë mjekësi të përgjithshme, të cilët pas përfundimit të studimeve nëse zgjedhin të firmosin marrëveshjen duhet të punojnë nga 2- 5 vite pranë institucioneve shëndetësore shqiptare, pa specifikuar nëse janë publike apo private. I vetmi rast në të cilën studentët nuk e kanë këtë detyrim është nëse nuk firmosin kontratën dhe paguajnë koston e plotë të studimeve të tyre, kosto e cila nuk është bërë publike.  

Skenarët ndaj mjekëve

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka renditur gjithashtu edhe disa skenarë, por më realistin cilëson atë ku 50%  e studentëve do të pranojnë të nënshkruajnë marrëveshjen me Ministritë e Arsimit, Shëndetësisë dhe Institucionet e Arsimit të Lartë.

Efekti financiar për studentët që do të pranojnë të nënshkruajnë marrëveshjen (përveç atyre që tashmë e përfitojnë përjashtimin) për shkak se do të nënshkruajnë marrëveshjen për qëndrim 2-5 vjeçar në Shqipëri përllogaritet: 325 studentë shtesë*45.000/2 lekë = 7.312.500 lekë fonde të nevojshme nga buxheti i shtetit për përballimin e përjashtimit nga tarifa. Kjo kategori studentësh supozohet se do të paguajë 50% të tarifës (45.000/2 lekë)”, thuhet në projektligj.

Studentet e mjekësisë: Do të ketë efekt të kundërt

Të enjtën (06.07.2023) ndërsa në Kuvend diskutohej kalimi me procedurë të shpejtuar i këtij projekligji, përballë sallës së kuvendit, me qindra studentë dolën në protestë. Mes tyre, edhe Mikel Seferi, student i vitit të parë. “Mjeku duhet të ftohet në Shqipëri, nuk duhet të detyrohet të punojë. Të gjithë prekemi nga ky ligj, duke punuar me detyrim”, thotë i riu, të cilit i duhen edhe 5 vite për të përfunduar Universitetin e Mjekësisë. Ndër të tjera, ai thotë se ky projektligj nuk është një zgjidhje, por është një shtysë e problemit, e cila do të sjellë një efekt bumerang. “Do shkojmë të punojmë nëpër rrethe, do shohim kushtet skandal, do punojmë vitet me detyrim dhe do marrim diplomën dhe do ikim” ,shprehet ai duke shtuar se: “Nuk ka qejf njeri të largohet nga shtëpia e tij, po të ketë kushtet nuk largohet askush, kjo është e garantuar”–përfundon rrëfimin e tij për “ Sinjalizo”  studenti.

Kjo është thikë pas shpine”, shprehet studenti i vitit të dytë të mjekësisë Mateo Shehari. “Para disa ditësh dolën që po bënin takime konstruktive, dolën pa draft, dolën që thjeshtë ishin takime dhe sot na dolën me projektligj”- shprehet i riu, duke mos e fshehur zhgënjimin. Edhe për Mateon, ky ligj do të ketë një efekt të kundërt. “Rënie të interesit, sidomos për maturantët, 5 vite janë shumë, 6 vite mjekësi e përgjithshme, 5 vite punë e detyruar, 4 vite specializim, 3 vite prapë punë e detyruar pas specializimit, është vërtetë e lodhshme”, thotë ai.

Unë duhet të qëndroj 2 vite dhe në rast që nuk do të qëndroj dy vite, do duhet të paguaj një tarifë që nuk e di se sa do të jetë si shumë për dy vitet që do studioj këtu”, shprehet studentja e vitit të katërt të mjekësisë, Fabiola Kamberi e cila shton se, si studentë mjekësie nuk kanë patur asnjë informacion dhe nuk u është thënë asnjë gjë fikse që të jenë më të qartë dhe të qetë.

Është diskutuar. I kemi kërkuar ministrisë një draft, e na kanë thënë që nuk e kemi një draft, është hedhur si ide. Menduam se do të kërkonte kohë, madje edhe diskutime të mëtejshme për të shkuar në një vendim, madje edhe kompromis me ne, por kjo gjë nuk ndodhi, shkuan në një vendim”, përfundon ajo.

Ekspertët: Masë e pakuptimtë

Migen Qiriaxhi nga Qëndresa Qytetare shprehet se vendi 8 vite më parë ka bërë reformë dhe sot jemi në kushtet ku ne duhet të shikonim rezultatet e reformës.  Ai gjithashtu ngre edhe pyetjet se pse duhej një reformë kur ne sot kemi studentë të cilëve u japim pagë për të shkuar në shkollë. “Kemi rastin e studentëve të mjekësisë të cilëve u mbyllim kufirin për mos të dalë nga vendi nëse arsimohen këtu. Përse do ta donim një reformë kur 8 vite pasi kemi një situatë që është bërë aq e keqe kur ne pranojmë që nuk kemi mjek në sistemin shëndetësor dhe nuk kemi mësues në sistemin arsimor”, shprehet ai.

Ai ndalet gjithashtu edhe në retorikën se vendi paguan shumë për një student mjekësie por që këta të fundit nuk ia kthejnë vendit. “Kryeministri së pari duhet ti japë përgjigje një pyetje të thjeshtë. Sa paguan? Me bindje ju them që ka një sërë profesionesh të tjera në vendin tonë që mund të jenë më të kushtueshme se sa nxjerrja e një mjeku. Fjala vjen, nxjerrja e një veterineri në Universitetin Bujqësor krijohet me qëllim daljen e këtij studenti, ndërsa një student i mjekësisë që shfrytëzon stukturën e ngritur që janë spitalet, nuk janë krijuar me qëllim studentin,”, thotë Migen Qiriaxhi, që kujton raportin e  Kontrollit të Lartë të Shtetit ( 2019) në të cilin vlerësohej se universitetet vendosnin një tarifë pa bërë një analizë të kostos.

Ne kemi folur gjithmonë se cilat janë sfidat kryesore të universitetit të mjekësisë, ku sfida kryesore është që nuk menaxhohet mirë në financë.Një universitet që nuk menaxhohet mirë në aspektin e nepotizmit brenda tij, pavionet brenda spitaleve kanë nepotizëm të theksuar dhe janë me gishtat e dorës, familjet që i kontrollojnë spitalet.Ne e kemi parë raportet e KLSH-së, se çfarë behet me cilësinë e ilaçeve, si menaxhohen tenderat, si janë kushtet e spitaleve rajonale dhe bashkiake, por edhe qëndrore”, thotë ai. Për Migen Qiriaxhi,  mungesa e vullnetit për tu marrë me sistemin  ka çuar në këtë lloj reagimi dhe sigurisht nuk është vetëm çështje e disa studentëve që po i kufizohen disa të drejta.

Sistemi i Hoxhës nuk justifikonte ndonjë gjë më të madhe se sa kaq kur u ndalonte shqiptarëve të kalonin kufirin. Dhe ku jemi ne në retorikë sot dhe në komunikimin publik? Kryeministri thotë që ne do ju kushtëzojmë jetën këtyre të rinjve, sepse  këta refuzojnë të ndërtojnë vendin dhe t’ja kthejnë vendit”, përfundon ai.

Për kryetaren e Federatës së Mjekëve Shqiptarë ne Europë, Aurora Dollenberg, marrja e masave nga qeveria  për të ndalur largimin e trurit është për tu përgëzuar, por nga ana tjetër, ajo thotë se edhe reagimi i studentëve të mjekësisë është i mirëkuptueshëm. “Ky projektligj parashikon që të shërbejnë më tepër, në një zonë që studenti ose mjeku i ri nuk ka mundësi që ta zgjedhë dhe ky projektligj nuk parashikon as rrogën që do merret në këtë periudhë dhe as mundësinë për specializim gjatë kësaj kohe. Dhe është mëse e mirëkuptueshme që reagimi do të jetë protesta, pasi një universitet publik nuk mund të çojë pagesën në 5 mijë euro dhe nëse nuk paguhet kjo taksë nuk jepet diploma”, thotë ajo.

Shqipëria nuk mund ti detyrojë studentët të nënshkruajë kontrata. Studenti drejtohet drejt vendeve europiane, se sa ti futet një kontrate detyruese e cila në fund të fundit jep një diplomë shqiptare, që as njihet në Europë”, shprehet ajo.

Gjithashtu, kryetarja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë, sjellë edhe shembuj të vendeve të cilat e kanë provuar më parë kontratën detyruese por që kanë dështuar.

Edhe Italia dhe Gjermania e ka patur që prej 20 vitesh më parë këtë problematikë, mungesën e mjekëve . E nxorrën strategji me kontrata për ti mbajtur të lidhur mjekët me spitalet e vendit, por që me anë të protestave të studentëve u hoqën edhe taksat e vendosura në universitete, por edhe këto masa detyruese”, thotë Dollenberg për “ Sinjalizo”.

Juristët: Nuk pati konsultim të jashtëm, u anashkaluan grupet e interesit

Futja e projektligjeve me procedurë të shpejtuar në agjendën parlamentare të Shqipërisë nuk është diçka e re dhe nuk përbën shkelje të ligjit. Sipas ekspertëve të jurispudencës, edhe projektligji për studentët e mjekësisë nuk ka asnjë shkelje ligjore në lidhje me shqyrtimin e tij me një procedurë të përshpejtuar, kjo pasi kërkuesi është Këshilli i Ministrave.

Juristi Gylsen Zhllima shprehet se duhet të kemi parasysh se ligjvënësi ynë nuk ka parashikuar një Gjykatë Kushtetuese paraprake që shqyrton se si hartohen projektligjet, por këtë detyrë ja ka deleguar propozuesve dhe grupeve të ndryshme të interesit për të filluar hartimin e procesit legjislativ. I pyetur për rastin konkret,  për projekligjin për studentët e mjekësisë, ai shprehet se qeveria nuk ka bërë një konsultim të jashtëm.“Në fund ligjet duhet të ofrojnë një zgjidhje të qëndrueshme, e cila duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara dhe me angazhimet që rrjedhin nga pjesëmarrja e Shqipërisë në organizata ndërkombëtare, në përputhje me nocionet bazë të arsyes dhe logjikës, praktikë dhe me sa më pak efekte të padëshirueshme anësore”, thotë ai. Juristi Zhllima është i bindur se nëse ky projektligj bëhet ligj, përveç përputhshmërisë me Kushtetutën, të gjitha pikat e tjera nga mënyra se si do të interpretohen dhe keq interpretohen nga secila palë do dalin në pah me kalimin e kohës shumë mangësi nga të cilat humbësit do të jenë studentët dhe jo qeveria.

 Juristja Brizida Gjikondi shprehet se ky ligj nuk mund të anulohet nga rruga por duke proceduar gjyqësisht.

Di që të njëjtën gjë po bën edhe Italia. Gjithashtu di, që këta studentë kanë fatin që të bëjnë padi përshpejtuese në Gjykatën Kushtetuese, që është i vetmi institucion kushtetues që shikon nëse ky ligj është në harmoni me Kushtetutën dhe Ligjin ‘Për arsimin e lartë’ apo është në shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe në shkelje të të drejtave të studentit shqiptar”, përfundon ajo.

 

 

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/
What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.