Minuta, që kushtojnë; mungesa e stroke unit në QSUNT

Në Qendrën Mjekësore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, procedurat jetësore të trombektomisë kanë ndalur për një dekadë për shkak të mungesës së investimeve në pajisjet thelbësore mjekësore. kalvari tronditës i Kolë Markut, i neglizhuar nga sistemi shëndetësor publik gjatë një goditjeje kritike në tru, thekson gjendjen e rëndë të infrastrukturës shëndetësore në Shqipëri.

Autor: Lazarino Pjetri

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Tiranë, trombektomia, një ndërhyrje urgjente dhe jetëshpëtuese, është zhvilluar para 16 vitesh për herë të parë dhe që prej 10 vitesh ka qenë e pamundur të realizohej më, sepse asnjë euro nuk është investuar në aparatura dhe pajisje.

Kolë Marku, një 75-vjeçar, i cili pësoi një goditje në tru, në gusht të vitit 2023, tregon momentet e tmerrit, që kaloi në korridoret e Urgjencës së QSUNT, duke nxjerrë “zbuluar” mangësitë dhe pakujdesin e shërbimit shëndetësor, publik.

Ai tregon rastin, kur ka pësuar një goditje cerebrale, të përkufizuar si stroke ishemik, në fillim të muajit gusht 2023.

“Ndjeva një mpirje në krahun e djathtë dhe humbje të balancës”, – shprehet Kola.

Ai tregon se është dërguar në gjendje të pavetëdijshme në Urgjencën e QSUNT nga familjarët e tij, të cilët kaluan një kalvar injorimi nga stafi i Urgjencës, të cilët mendonin se ishte një gjendje e një “të fikëti” të zakonshëm dhe se nuk duhej panikuar, se do të përmendej, duke e neglizhuar si rast dhe duke e lënë në një barelë në mes të korridorit, pa asnjë vëmendje.

“E vetmja mënyrë për ta bindur doktorin e turnit të natës, që ta merrte dhe ta kontrollonte, ishte të fusnim në lojë lekun”, – tregon djali i tij, Andi.

Por, pas kontrollit të mjekut roje, i cili nuk ishte i sigurt se çfarë kishte dhe për çfarë diagnoze ta trajtonte, familjarët e 75-vjeçarit pa humbur kohë iu drejtuan privatit.

Duhet përmendur fakti që te privati, për të kryer procedurën e trombektomisë, kërkohet një kosto prej 20 mijë eurosh parapagesë dhe me një afat prej 4-6 orësh, që janë vendimtare për jetën e pacientit, pa përfshirë këtu shpenzimet që vijnë më pas, të cilat arrijnë një shifër marramendëse, që e kalon shumën e 20 mijë eurove, duke përfshirë terapinë intensive, post-stroke, kontrollet e vazhdueshme, fizioterapinë, si dhe medikamentet, të cilat të shoqërojnë gjatë gjithë jetës.

Përveç situatës së rëndë, emocionale, që familjarët po kalonin atë natë, atyre iu duhej që të dilnin e të “trokisnin” nëpër dyer, në mesnatë, që ta siguronin këtë shumë të konsiderueshme parash, që ishin vendimtare për të shpëtuar jetën e Kolës. Ai tregon që operacioni shkoi me sukses dhe shpëtoi për mrekulli, por jo për meritë të shtetit, por të Spitalit Amerikan, të familjarëve të tij dhe të njerëzve, që e ndihmuan financiarisht në atë moment kritik.

“Sot jam më mirë, normale me kontrolle të vazhdueshme, por, nëse do të ishte për shëndetësinë falas të Shqipërisë, do isha me kohë në Tufinë”, – përfundon ai.

Më shqetësues është fakti që QSUNT i disponon pajisjet dhe aparaturat e domosdoshme për ta kryer trombektominë, por ka vite që nuk funksionojnë, për shkak se janë prishur në mungesë të mirëmbajtjes; disa të tjerave iu mungojnë aksesorë të rëndësishëm, pa të cilët nuk funksionojnë. Për herë të fundit një ndërhyrje urgjente, jetëshpëtuese është realizuar 16 vite më parë dhe që atëherë ka qenë e pamundur, që të kryheshin të tjera, sepse asnjë “qindarkë” nuk është investuar më.

Mjeku Arben Rroji, shef i Kabinetit të Neuroradiologjisë, thekson se, “procedura e trombektomisë është një procedurë komplekse, që kërkon në radhë të parë burime njerëzore”, ku për formimin e një mjeku të tillë duhen minimumi 12 vite; 6 vite mjekësi e përgjithshme, 4 vite radiologji dhe 2 vite sub-specializim në neuroradiologjinë intervencionuese.

Si pasojë e dozave të mëdha të rrezatimit, që marrin mjekët gjatë procedurës, si dhe për angazhimin në çdo orë të ditës dhe të natës për kryerjen e procedurës, nuk preferohet që kjo procedurë të kryhet nga mjekë të rinj.

“Pr,o çka vlen të theksohet është se në vendin tonë nuk ka një shkollë formimi për këtë specializim dhe se 6 vitet pasuniversitare duhet të kryhen jashtë vendit, në një shtet që i plotëson ato kushte”, – shpjegon ai.

Rroji shprehet se ka pasur shumë herë përpjekje nga ai dhe nga profesor Mentor Petrela, njëkohësisht shef i Neurokirurgjisë në QSUNT, duke dërguar kërkesa dhe shkresa drejtuar autoriteteve përgjegjëse që në vitin 2014 e në vazhdim, deri në vitet e fundit, por komunikimi ka qenë i njëanshëm dhe akoma s’kanë marrë përgjigje.

ACQJ ka mësuar se aktualisht janë vetëm dy mjekë, që mund ta realizojnë një operacion të tillë, të cilët duhet të jenë të dy pjesëmarrës. Por, sipas doktor Rrojit, për të ofruar një shërbim të plotë dhe të nevojshëm, 24 orësh, duhen 18 mjekë të specializuar, pasi kemi të bëjmë me një situatë, ku çdo minutë është kritike.

Profesor Mentor Petrela, shef i Neurokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, dhe njëri nga dy mjekët që mund ta realizojnë këtë procedurë, thotë se, “një sistem i suksesshëm, shëndetësor kërkon një menaxhim më të mirë të fondeve publike, por kostot janë të larta”.

Dr. Petrela, i njohur për teknikat e përparuara të operacioneve me anestezi lokale, tregon se është shumë e vështirë të krijohet një ekip i specializuar për ta kryer në mënyrë sa më efikase procedurën e trombektomisë dhe se, pavarësisht përpjekjeve të tij dhe të kolegëve për të “ngritur zërin” ndaj autoriteteve përgjegjëse, për të krijuar mundësinë për kryerjen e procedurës së trombektomisë, pacientët tani për tani mbeten në mëshirë të fatit ose të privatit.

Pasi iu drejtuam Ministrisë së Shëndetësisë për të marrë informacion, nëse Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” i disponon aparaturat e nevojshme për kryerjen e procedurës së trombektomisë, mësuam se, Njësia e Shërbimit Neurovaskular (Stroke/Post-Stroke) pranë PAI Neuroshkencë, disponon pajisjen angiografi, e cila është funksionale dhe shërben për diagnostikim, por nuk është e përshtatshme për kryerjen e procedurës së trombektomisë.

Pra, në total në QSUNT, që nga viti 2010 deri në vitin 2023, janë kryer vetëm 5 procedura trombektomie, ku dhe këto janë realizuar me iniciativën e profesor Mentor Petrelës, me mbështetjen e USAID-it dhe me ndihmën e kolegëve të tij, neuroradiologë, francezë dhe zviceranë, të cilët kanë sjellë edhe bazën materiale.

Duke iu referuar të dhënave të INSTAT-it për sëmundjet cerebrovaskulare dhe stroke, AVC për vitin 2020-2023 në Shqipëri, paraqiten shifra si më poshtë:

Nisur nga këto të dhëna të INSTAT-it, vëmë re që numri i rasteve ka ardhur në rritje dhe grup-moshat më të prekura janë mbi 70-75 vjeç, por kjo nuk përjashton dhe grup-moshat e tjera, edhe pse me një numër më të vogël. Në Shqipëri, në vitin 2020, u konstatuan 4.642 raste me sëmundje cerebrovaskulare te femrat dhe 5.525 raste te meshkujt për 100 mijë banorë, ndërsa në vitin 2021, pas pandemisë së Covid-19, vihet re një trend rritjeje te meshkujt, me 53,8% kundrejt femrave, me 46,2%. Gjatë vitit 2022 ka më pak raste të humbjes së jetës nga grup-sëmundja e aparatit të qarkullimit të gjakut, me një rënie të vdekshmërisë prej 21,3%, krahasuar me vitin e kaluar.

Rënia e ndjeshme e vdekshmërisë besohet se ka lidhje edhe me dy vitet e pandemisë, që shënuan edhe numrin më të lartë të vdekjeve.

Specialisti i shëndetit publik, Erion Dasho, shprehet se, përveç njësisë stroke, më i nevojshëm është krijimi i sistemit stroke, i cili mund të realizohet edhe në spitalet rajonale, jo vetëm në QSUNT. “Nis nga urgjenca mjekësore, me spitalet rajonale, nga transporti dhe nga krijimi i disa qendrave spitalore në Shqipëri, të dedikuara si stroke unit, të cilat të garantojnë, që pacienti të transportohet drejt tyre në një kohë sa më të shkurtër. Pra, një sistem, që garanton një shërbim më të shpejtë dhe rrit shanset e suksesit të procedurës së trombektomisë”, – përfundon ai.

Me aparatet e prishura mjekët nuk janë në gjendje që ta kryejnë procedurën e trombektomisë dhe pacientët detyrohen që të zhyten në borxhe dhe të drejtohen te privati për të mbijetuar. Duke pasur parasysh që është një procedurë shumë e komplikuar dhe kostot e këtij shërbimi janë marramendëse, ku, përveçse nuk ofrohet te QSUNT, pacientëve nuk iu mbulohet asnjë shpenzim nga shteti, por të gjitha detyrimet duhet t’i paguajnë vetë.

Edhe pse ka pasur përmirësime, rruga e sistemit të shëndetit publik në 30 vjetët e fundit ka qenë e vështirë dhe e shoqëruar nga shumë sfida. Ekspertët e fushës i identifikojnë këto pengesa si investime të pamjaftueshme, mungesë strategjish të përshtatshme për t’i përmbushur nevojat bashkëkohore dhe papërgjegjshmëri të autoriteteve drejtuese.

Probleme të tilla përfshijnë korrupsionin dhe lidhjet klienteliste midis politikës dhe shërbimeve jopublike të shëndetit.

 

Ky shkrim është pjesë e projektit Laboratori i Gazetarisë Investigative, që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter