Kostot e larta të trajtimeve të infertilitetit në Shqipëri, të kryera shpesh në klinika private, janë një barrë e konsiderueshme financiare për çiftet, që variojnë nga 4500 deri në 5500 Euro për procedurë IVF.
Autore: Ina Allkanjari
Infertiliteti është një realitet sfidues për shumë çifte në ditët e sotme. Në Shqipëri, çdo vit, një numër i konsiderueshëm i individëve dhe çifteve hasen me këtë problem, duke kërkuar mënyra dhe zgjidhje për të realizuar ëndrrën e tyre për të pasur fëmijë.
Anisa, 37-vjeçarja nga Tirana flet për vështirësitë dhe sfidat e hasura në rrugën e mundimshme dhe të shtrenjtë për t’u bërë me fëmijë.
Në moshën 35 vjeçare, në maj të vitit 2021, Anisa filloi udhën e saj me infertilitetin. Pas një serie analizash të përgjithshme dhe këshillimit të mjekut, ajo filloi procedurat e lehta si IUI (Inseminimi Intra-Uterin) dhe më pas procedurat e shumëpritura të Fekondimit In Vitro (IVF). Megjithatë, rezultatet e procedurave ishin negative.
“Këto trajtime u zhvilluan në Shqipëri, në klinikë private, duke përfshirë kostot e larta të medikamenteve dhe procedurave të nevojshme për trajtim. Pasi në bazë të informacionit të marrë në Qendrën e Gruas (Materiniteti Kico Glozheni) këto procedura nuk kryhen në spitale publike”, thotë Anisa.
Përpara kësaj sfide, ata janë përpjekur të kërkojnë ndihmë në klinika të specializuara në Turqi, duke ndjekur procedura shtesë të IVF, por pa rezultat pozitiv.
Kostot e trajtimit të infertilitetit janë të konsiderueshme në Shqipëri. Çiftet që ballafaqohen me këtë problem përballojnë shpenzime të larta për medikamente, analiza dhe procedura të ndryshme, të vlerësuar me 4,500-5,500 Euro për një procedurë IVF.
“Medikamentet janë të shtrenjta dhe variojnë diku 150.000- 200.000 lekë, plus analizat praprake të femrës dhe mashkullit, plus kontrollet me eko periodike dhe procedura që shkojnë 2,500 Euro. Në shtet për këto shërbime nuk ofrohen, as ilaçe, as procedurë, asgjë. Nëse do ishte e kundërta, do ishte perfekt. Maksimumi mund të besh disa lloj analizash te materniteti, si për shembull ekot trasnvaginale”.
Situata është pothuajse e njejtë për shumë çifte të tjera që përballen me këtë sfidë të vështirë. Shërbimet publike në Shqipëri nuk ofrojnë ndihmë për infertilitetin, duke lënë çiftet në një situatë të vështirë.
“Një përkrahje nga shteti do të ishte e domosdoshme,” -thekson Anisa. “Në ditët e sotme, infertiliteti është një problem që ka rënë në masë, dhe ne kemi nevojë për ndihmë për të kapërcyer këtë sfidë të madhe. Për më tepër, edhe kompania e sigurimeve nuk ofron asnjë mbulim për këto shpenzime të trajtimit.”
Megjithatë, sfida e saj nuk është vetëm në aspektin financiar. “Problemi im është i pashpjegueshëm,” thoë Anisa me trishtim, “sepse analizat kanë treguar se unë dhe bashkëshorti jemi në rregull, por ende nuk kam arritur të konceptoj“.
Deri më tani, ekspertët dhe mjekët nuk kanë arritur të gjejnë shkakun e saktë të infertilitetit të Anisës dhe bashkëshortit të saj.
Odisea e premtimeve për të realizuar Fekondimin In Vitro falas
Infertiliteti nuk është vetëm një sfidë personale, por edhe një problem shoqëror në Shqipëri. Aksesimi në shërbimet për trajtimin e infertilitetit në spitale publike vazhdon të jetë i vështirë.
Në vitin 2012, u nënshkrua një projekt me vlerë prej 25 milionë lekësh ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Europian për të mundësuar realizimin e Fekondimit In Vitro në strukturat shtetërore. Kjo nismë synonte që qytetarët me sigurime shëndetësore të përfitonin falas nga kjo metodë e riprodhimit të asistuar.
Megjithatë, sfidat në implementimin e këtij programi kanë penguar arritjen e objektivave, pasi Qendra e planifikuar për të kryer këtë projekt qëndroi e mbyllur duke mos u bërë funksionale asnjëherë, për arsye që ende nuk dihen.
Në programin Qeverisës 2021-2025 një ndër premtimet e përfshira rezulton të jetë mbështetja ndaj kësaj kategorie, konkretisht parashtrohet pika “Financojmë paketën e fertilitetit falas duke filluar nga viti 2022”.
Në vitin 2022 në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë u reflektua një fond total prej 1 milion lekësh, për produktin e quajtur “Çifte që përfitojnë nga paketa e fertilitetit”. Megjithatë, atë vit nuk u ndërmor asnjë veprim konkret, duke u pasuar me heqjen e këtij produkti nga lista e financimeve në buxhetin e vitit 2023.
Në maj 2023, Ministria e Shëndetësisë njoftoi në rrjetet sociale fillimin e zbatimit të projekteve të reja në Maternitetin “Koço Gliozheni” për ndërtimin dhe pajisjen e Qendrës së I-rë publike të Riprodhimit të Asistuar (IVF).
Ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu, nënvizoi se kjo qendër do të ofronte për herë të parë në Shqipëri procedurën e riprodhimit In Vitro falas.”
“Ne jemi duke punuar intensivisht për investimin në infrastrukturë dhe pajisje bio-mjekësore të nevojshme për të filluar këtë procedurë të re në spitalet publike,” theksoi ajo.
Qëllimi është që ky program i riprodhimit të asistuar të jetë falas, me një projeksion fillimi me 100 raste në vit.
Sipas INSTAT, popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2022 rezultoi 2.793.592 banorë, duke pësuar një rënie me 1,3 %, krahasuar me 1 janar 2021. Po ashtu, lindshmëria ka pësuar një rënie prej 2,8% për vitin 2021, duke sjellë numrin e lindjeve në 27,284 fëmijë, krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë sipas Eurostat në vitin 2021 Shqipëria kishte normën më të ulët të lindshëmrisë midis Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë me 1.31 fëmijë për grua. Shkalla e fertilitetit në BE në vitin 2021 ishte 1.53 fëmijë për grua.
Këto shifra tregojnë nevojën për përkrahje dhe nisma mbështetëse në fushën e riprodhimit të asistuar për të ndihmuar në rritjen e shkallës së lindshmërisë dhe për të adresuar sfidat e infertilitetit në vend.
Problemet me infertilitetin, kostot dhe trajtimi
Në një kohë kur çiftet ballafaqohen me sfidat e infertilitetit, mjekët specialistë në fushën e riprodhimit të asistuar ofrojnë shpjegime dhe udhëzime të rëndësishme për procedurat e ndjekura dhe hapat përpara Fekondimit In Vitro. Doktor Marsel Haxhia, embriolog i certifikuar nga Shoqata Europiane e Embriologjisë dhe Riprodhimit Human (ESHRE) dhe Shoqëria Amerikane për Mjekësi Riprodhuese (ASRM), përshkruan hapat kryesorë dhe procedurat që ndiqen kur një çift kërkon ndihmë për infertilitetin. Ai thekson se një çift i cili ka rreth 1 vit marrdhënie të pambrojtura dhe nuk ka patur shtatzani duhet të drejtohet tek mjeku specialist i infertilitetit.
“Çiftit i merret një histori e detajuar mjeksore. Në ekzaminimet që rekomandohen janë për gruan ekografi transvaginale në mënyre që të vlerësohet anatomia e mitres dhe e vezoreve dhe analiza hormonale për të përcaktuar funksionalitetin e vezoreve. Për partnerin rekomandohet spermograma, me anë të së cilës përcaktohet nëse kemi nje problem apo jo”, shpjegon doktor Haxhia.
Doktoreshë Ilta Bylykbashi, gjinekologe, shpjegon faktorët e infertilitetit duke theksuar se “1/3 e rasteve të infertilitetit mbesin të pashpjeguara ku shkaku/faktori është i panjohur ose kemi faktorin multiple (shumë shkaktarë), 1/3 i takojnë faktorit mashkullor, ndërsa 1/3 i takojnë faktorit femëror”.
“Arsyeja e infertilitetit mund të jetë për arsye të problemeve të gruas në 40% të rasteve, për arsye të problemeve të mashkullit në 40% të rasteve, 10% të rasteve është nga të dy partnerët dhe në 10% është i pashpjegueshëm”, shprehet Haxhia.
Duke u ndalur te Fekondimi In Vitro, embriologu Haxhia tregon se shteti nuk mbulon asnje kosto në këtë procedure, teksa thekson se kosto e Fekondimit In Vitro shkon përafërsisht 5000 euro bashkë me mjekimet e proçedurës.
“Mendimi im është që Fekondimi In Vitro është shumë specifik dhe përqindja e suksesit ndryshon nga një klinikë në tjetrën në të gjithë botën. Pacientit duhet t’i jepet një mbulim i caktuar që mund ta përdorë në çdo klinikë në vend, qoftë private apo publike”, thotë doktori.
Doktoreshë Bylukbashi thotë se përgjatë viteve të fundit vihet re një rritje e konsiderueshme e rasteve të infertilitetit si rezultat i “moshës më të madhe të nënës për të filluar një shtatëzëni (ka shumë raste > 35 vjeç), rritje të incidences së SST (sëmundjeve seksualisht të transmetueshme), përdorimit të drogave, alkoolit duhanit etj, faktorëve ambjentale dhe atyre ushqimore, rritje e patologjive në mosha më të reja si autoimmune, diabet etj si rezultat i faktorit stresi të rritur vitet e fundit, etj.”
Ndërkohë embriologu Haxhia thekson se është përllogaritur që 1 në 6 çifte vuan nga infertiliteti. “Mënyrat e zgjidhjes janë disa dhe jo vetëm Fekondimi In Vitro. Teknikat e riprodhimit të asistuar kanë përparuar shumë dhe përllogariten rreth 12 milion bebe në botë të lindur vetëm nga Fekondimi In Vitro. Kjo është një sëmundje e shpeshtë për disa arsye ku më kryesoret janë stili jo i mirë i jetesës dhe shtyrja në kohë e kërkimit të shtatzanisë nga çiftet”.
Ndërsa Anisa dhe dhjetëra çifte të tjera përballen me sfidën e infertilitetit, ka një fije shpresë në horizont. Endrra e prindërimit mund të jetë e arritshme, me kusht që premtimi për procedurat falas të IVF, siç përshkruhet në programin e qeverisë 2021-2025, të mbahet.
Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/