Shqipëria, “fabrikë” infermierësh për Evropën

Shqipëria nuk ka mungesa për infermierë, por 15 universitete publike dhe private ofrojnë mundësi për të studiuar për shkak të kërkesave të tregut gjerman dhe italian.

Infermierët përmendin mundësi të mira punësimi dhe kushte të favorshme pune si arsye për emigrim. Integrimi në vendet e tjera përfshin sfidën e gjuhës dhe të kulturës, por siguria dhe pavarësia ekonomike janë motivet pse qindra infermierë zgjedhin të jetojnë dhe të punojnë jashtë.

Autor: Klevin Muka

“Prej tre vitesh jetoj dhe punoj si infermiere në Gjermani. Punësimi këtu nuk ka qenë aspak i vështirë, sepse është mundësuar nga një agjenci shqiptare. Nuk kam provuar asnjëherë të punësohem në Shqipëri, sigurisht për shkak të pagave shumë të ulëta dhe nepotizmit politik.

Lenida Braho është një prej mijëra infermierëve shqiptarë, që po jetojnë ëndrrën gjermane. Menjëherë pas përfundimit të studimeve në Shqipëri, ajo nisi përpjekjet për të punuar në vendin që njihet si motori ekonomik i Europës.

Sipas Urdhrit të Infermierëve, nga janari deri në nëntor të vitit 2023, 1.104 infermierë, nga 25.204 të regjistruar pranë këtij organi, kanë bërë aplikim për t`u larguar nga vendi.

Lajmi i mirë është se numri i infermierëve, që kërkojnë të largohen, nuk reflektohet me mungesa në sistemin shëndetësor. Nga kërkesat e bëra nga ACQJ për të gjitha spitalet rajonale në vend, vetëm 2 prej tyre raportuan vende bosh. Në total, në rang vendi, aktualisht mungojnë vetëm 36 infermierë.

Spitali Rajonal i Gjirokastrës ka dy mungesa. Në organikën e QSUT mungojnë 36 infermierë, që priten të plotësohen nëpërmjet portalit Infermierë për Shqipërinë.

QSUT

Infermierë të planifikuar                           1.301
Infermierë të punësuar                              1.265

Shifrat janë të papërfillshme, nëse shihet numri i të diplomuarve çdo vit nga universitetet në vend.

Vetëm në vitin 2022, nga universitetet shqiptare janë diplomuar 1.970 infermierë, 1.336, nga universitetet publike dhe 634, nga universitetet private. Kjo shifër është 28% më e lartë se dy vite më parë.

 

41 degë studimi u mbyllën në vitin e ri akademik 2023-2024 në të gjitha universitetet publike në vend (Qëndresa Qytetare), por e kundërta ndodh me Infermierinë. Për vitin 2022, në të gjitha universitetet në vend aplikuan për Infermieri të Përgjithshme, Infermieri-Fizioterapi dhe Infermieri-Mami 12.865 studentë, duke i dhënë frymë universiteteve publike dhe duke shtuar numrin e studentëve.

Universitete publike

  • Universiteti i Mjekësisë i Tiranës
  • Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës
  • Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan
  • Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë
  • Universiteti “Eqrem Çabej”, Gjirokastër
  • Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër
  • Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

Universitete private

Për vitin 2022 numri i studentëve të regjistruar në Infermieri është 2.839, duke shënuar një rritje prej 37.2% krahasuar me dy vite më parë. Janë plot 15 universitete, që e ofrojnë Infermierinë si program, mes tyre 7 shtetërore dhe 8 private.

Ëndrra gjermane, si arrati nga realiteti vendas

Armelda Ago është studente infermierie në Universitetin e Tiranës. Veshja e përparëses së bardhë ka qenë ëndrra e saj e vegjëlisë, por, nëse më herët ëndrrën kërkonte ta plotësonte në Shqipëri, sot ëndrrën e sheh të realizuar në Gjermani.

“Më vjen keq, por nuk e di, nëse më e mira jonë është këtu. Kur kam ardhur në fillim, kam ardhur me dëshirën e zjarrtë për të qëndruar dhe për t’i shërbyer vendit tim, por kjo dëshirë është zbehur; jo për fajin tim, por për faj të rrethanave. Është një pyetje, që, sa herë më drejtohet, e kam me pikëpyetje, sepse e dua shumë vendin tim, dëshiroj shumë t’i shërbej vendit dhe njerëzve të mi, por rrethanat ndonjëherë na kushtëzojnë.”Me sytë nga Perëndimi është dhe Juventila Basha, gjithashtu studente e Infermierisë në Universitetin e Tiranës, e cila e sheh Anglinë si vendin ideal për realizimin e ëndrrave të saj.

“Kam tentuar disa herë që ta bind veten që ta ushtroj profesionin si infermiere në Shqipëri, por, duke u përballur çdo ditë e më tepër me situata jo-komforte, ky mendim sa vjen dhe venitet dhe sidomos në një vend, në të cilin nuk njihet e drejta e infermierit, ku nuk vlerësohet puna e lodhshme dhe përgjegjësitë që mban mbi kurriz një infermier, prandaj kam vendosur ta vazhdoj jetën dhe karrierën time jashtë Shqipërisë.

Dëshira e madhe e studentëve të Infermierisë për të emigruar është reflektuar edhe te kërkesat që kanë agjencitë, që ndërmjetësojnë punësimin e tyre.

“Sipas përvojës time në këto tre vite në rekrutimin e të kualifikuarve shqiptarë, shikoj që interesi rritet çdo ditë e më shumë, pasi, sipas tyre, nuk janë të kënaqur që ta shpalosin profesionin e tyre në Shqipëri”, – thotë Xhoana Sita, CEO e kompanisë Remany GmBH.

Sipas kryetares së Urdhrit të Infermierëve, Blerina Duka, dy janë arsyet kryesore, pse infermierët kërkojnë të largohen, mundësi më të shumta punësimi dhe kushte dhe paga të favorshme. Përveç Gjermanisë, “parajsa e dytë” e infermierëve është Italia.

Burimi: Urdhri i Infermierëve

Por, cili është realiteti, me të cilin përballen infermierët shqiptarë, pasi emigrojnë drejt Gjermanisë.

“Fillimet në Gjermani sigurisht që nuk kanë qenë të lehta. Është një kulturë e re, më saktë, një miks kulturash nga shumë vende të ndryshme; një gjuhë tjetër dhe një mënyrë funksionimi dhe organizimi totalisht ndryshe nga Shqipëria. Tani, pas tre vitesh, sigurisht që jam e kënaqur për sigurinë dhe pavarësinë ekonomike që ky vend të mundëson”, – thotë Lenida Braho, e cila punon në Shtutgart.

Edhe pse kryeministri Rama ka premtuar një pagë prej 72 mijë lekësh për infermierët, sërish ajo është e pakrahasueshme me pagat në Gjermani.

“Mesatarja e pagesës në fillim është 2.400 euro bruto për ndihmës-infermier, ndërsa, pasi marrin licencën, është 2.800-3.600 euro bruto në muaj. Benefitet e tyre janë eksperienca me pajisje moderne dhe bashkëkohore, si dhe sistemi shëndetësor. Ndiejnë më shumë siguri, pasi heqja nga puna ndodh vetëm për arsye madhore, si dhe lajmërohen 3 muaj përpara për reduktim stafi”, – thotë Xhoana Sita nga Remany GmBH.

Rritja e pagave është ndër politikat kryesore të qeverisë për të joshur infermierët, ndërsa element tjetër është procesi i edukimit në vazhdim i stafit të infermierëve dhe përmirësimi i kushteve të punës për ta, duke përfshirë infrastrukturën, pajisjet mjekësore, instrumentet etj.

Urdhri i Infermierit sugjeron 5 pika si politika për mbajtjen e infermierëve në vend, duke filluar me rritjen e pagave nga qeveria, investime më të shumta në spitale dhe në qendra shëndetësore, rritje dhe përmirësim të kushteve të punës dhe protokollet dhe profilet, por pa lënë pas trajnimet për edukimin në vazhdim nga Urdhri i Infermierit.

“Ne në librat tanë kemi një shprehje shumë të bukur, e cila thotë: “Mjekët janë truri i spitalit, ndërsa infermierët, zemra e tij”, që do të thotë që infermierët janë ata, që janë në kontakt të vazhdueshëm me pacientët dhe ajo që kërkojnë, është respekt, dinjitet, vlerësim më të denjë për këta persona, që vuajnë kaq shumë e vlerësohen kaq pak”, – thotë Armelda Ago, studente e Infermierisë, Universiteti i Tiranës.

Qeveria është në luftë me kohën për të realizuar politikat e saj, ndërsa përballë ka një konkurrent, që prej kohësh përfiton prej këtyre politikave, duke marrë pa shpenzime staf të gatshëm dhe të kualifikuar.

Ky shkrim është pjesë e projektit Laboratori i Gazetarisë Investigative, që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter