Autor: Armela Toska
“Paguaj 3 ilaçe çdo muaj, që i kam me detyrim. Më shkojnë afërsisht 75 mijë lekë, më shumë se gjysma e pensionit. Paguaja më pak vjet dhe tani as nuk i gjej në të njëjtin vend. Tani kërkoj në tri-katër farmaci në Tiranë”, – shprehet Bajame Agalliu, pensionistja 87-vjeçare, që endet pa pushim rrugëve të Tiranës, për të gjetur farmacinë e duhur, ku mund të marrë ilaçet me rimbursim. Në stokun e ilaçeve, që merr në një muaj, Bajamja thotë se shumica janë pa rimbursim e kështu, më shumë se gjysma e pensionit i shkon për ilaçe. Në kushte të ngjashme gjenden shumica e pensionistëve në Shqipëri. Pensionet e tyre shumë të ulëta shkojnë thuajse plotësisht për ilaçe. Ndërkohë, institucionet shtetërore nuk janë angazhuar asnjëherë për të ndërtuar një skemë, që mund t`iu vijë në ndihmë pensionistëve.
Shqipëria është një vend me sfida të mëdha në fushën e shëndetësisë dhe aksesit të qytetarëve ndaj shërbimeve mjekësore. Një nga problemet kryesore është pikërisht kostoja e lartë e medikamenteve. Çmimet e larta të barnave bëhen barrë financiare për personat që vuajnë nga sëmundjet kronike. Sipas INSTAT-it, familjet shqiptare shpenzojnë vetëm 5.4% për shëndetin, barra më e madhe e kësaj kostoje bie mbi shtresat më të brishta të shoqërisë, pensionistët dhe familjet në nevojë.
“Në familjet e pensionistëve shpenzimet për ilaçe zënë gati 30-50% të buxhetit, sepse, nëse një pensionist merr rreth 16 mijë lekë (që është pensioni mesatar në vend), ilaçet mujore mund të shkojnë deri në 8 mijë lekë”, – thotë ekonomisti Pano Soko.
Kombet e Bashkuara në një studim të fundit, që ofruan për moshën e tretë në Shqipëri, evidentuan se 60% e grup-moshës mbi 65 vjeç vuajnë nga një ose më shumë se një sëmundje kronike. Për këtë arsye ata konsumojnë rreth 40% të produkteve farmaceutike në vend, kryesisht medikamenteve.
Popullsia në moshën 60 vjeç e lart përbën rreth 60% të vizitave në institucione të kujdesit parësor. Sipas OBSH-së, shpenzimet shëndetësore të Shqipërisë ishin vetëm 6.7 për qind e PBB-së në 2016-2017, por 58% e kësaj shume paguhet nga xhepat e qytetarëve, e cila e tejkalonte pjesën e financimit publik.
Studimet parashikojnë që shpenzimet për kujdesin afatgjatë të të moshuarve do të rriten me shpejtësi në 30 vitet e ardhshme. OKB vë në dukje se është e nevojshme të ndërmerret një hap proaktiv, për të eksploruar të gjitha opsionet e mundshme, për të krijuar një hapësirë fiskale, për të financuar kujdesin afatgjatë.
Rritet kërkesa, rriten dhe çmimet
Sipas operatorëve në treg, çmimet e barnave janë rritur me 10-20% që nga viti 2020, rritje graduale që ka ndikuar në konsumin e shoqërisë.
Arnisa Nuna thotë se në farmacinë ku ajo punon është rritur ndjeshëm kërkesa për barna, sidomos për vitaminat, suplementet dhe holluesit e gjakut, të cilat disa rimbursohen e disa të tjera, jo.
“Çmimet janë rritur, pasi është shtuar edhe kërkesa për medikamente, zakonisht ato për sistemin nervor apo hollues gjaku që marrin pensionistët, pasi janë sëmundje të mbetura nga pandemia. Arsyeja e rritjes së çmimeve ka të bëjë me mungesën e disave prej tyre në treg, si dhe me politikat e gabuara, që imponohen në depot e barnave”, – tha Nuna.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, nga tregtia e jashtme në katërmujorin e parë të këtij viti importet e produkteve farmaceutike arritën në 2,248 tonë, me një rritje 23% në raport me vitin e kaluar në këtë periudhë.
Hapësirat për rritje të mëtejshme të importeve në artikujt e farmaceutikës janë të larta, për shkak se shqiptaret kanë konsumin më të dobët për frymë të produkteve farmaceutike në raport me Europën dhe vendet e rajonit.
Sipas Anketës së të Ardhurave dhe Standardit të Jetesës nga INSTAT, varfëria është e pranishme në 30% të popullsisë dhe buxheti publik ka kapacitete të kufizuara për shëndetin. Pacientët shqiptarë vuajnë gjithashtu nga mungesa e mjekimeve, teksa konsumi po kalon një cikël të zgjatur krize prej rrethanave të reja, që u krijuan pas pandemisë dhe rënies së popullsisë.
Në raportin e Eurostat-it mbi sistemin shëndetësor të rajonit thuhet se ka disa faktorë që kanë ndikuar në rritjen e çmimeve të medikamenteve në Shqipëri. Një faktor kryesor është mungesa e politikave efektive për kontrollin e çmimeve të barnave. Shpeshherë çmimet e barnave në Shqipëri janë më të larta në krahasim me vende të tjera të rajonit. Kjo mund të jetë rezultat i mungesës së konkurrencës së mjaftueshme në tregun e barnave, përkrahjes së dobët për prodhimin vendor të barnave dhe vështirësive të prokurimit efektiv të barnave
Ekspertët thonë se në disa raste importi i barnave iu nënshtrohet taksave të larta doganore, të cilat rrisin kostot e importit. Kjo ndikon në mungesën e përfitimeve nga konkurrenca ndërkombëtare dhe në rritjen e kostos së barnave për pacientët.
Gjithashtu, në rritjen e çmimeve ndikojnë edhe faktorë të tjerë, si kostoja e transportit, shpenzimet e marketingut dhe reklamimit të barnave, si dhe marzhet e fitimit të ndërmjetësve në treg.
Mungesa në treg e medikamenteve për sëmundjet e rënda
Nga një vëzhgim i kryer në rrjetin e hapur të farmacive në Tiranë rezulton se një numër i konsiderueshëm i barnave për trajtimin e sëmundjeve të rënda mungojnë prej muajsh, ndërkohë që mjekët vazhdojnë t’i përshkruajnë në recetat e tyre dhe pacientët përpiqen t’i sigurojnë, ku të munden.
Mungojnë ilaçe, që ndihmojnë më së shumti për sëmundjet e kancerit, si Neupogen, Letrozole, Methotrexate, Dacarbazine, Bleomycin, si dhe shumë ilaçe të tjera, thelbësore për kurimin e tyre.
“Për të marrë kimioterapinë, më duhej të blija Bleomycin dhe Dacarbazine 500 miligramë çdo herë, sepse në spital ishin me mungesë, çmimet varionin nga 10-25 mijë lekë për raund.
Ishin të shtrenjta dhe shpeshherë duhej t`i porosisja përpara. Çmimet caktoheshin sipas kërkesave”, – shprehet Orlanda Toska, paciente.
Mijëra persona humbin jetën çdo vit si rezultat i kancerit dhe i sëmundjeve të rralla, për shkak të mungesës së aksesit të Shqipërisë në terapi inovative për trajtimin e këtyre sëmundjeve.
Në periudhën nga viti 2017 deri në vitin 2023, Shqipëria ka përfshirë vetëm 5 barna të reja nga 160 të tilla, që janë përdorur në vendet e Europës në listën e rimbursimit. Në këtë periudhë për trajtimin e sëmundjeve të rralla Shqipëria nuk ka shtuar asnjë medikament të ri në listën e rimbursimit. Statistikat tregojnë për një përhapje të shpejtë të kancerit, ndërkohë që fondet për rimbursimin mbeten të kufizuara.
Medikamentet për sistemin nervor, si Keppra, antiepileptiku Epixx 500, Amyzol (Amitriptyline) etj., janë gjithashtu në mungesë të theksuar në treg.
Denada Toska, farmaciste në Tiranë, thotë se disa barna për sistemin nervor mungojnë prej muajsh dhe po zëvendësohen me alternativa të tjera, edhe pse mjekët vazhdojnë t’ua japin pacientëve. “Mungesa është ndjerë, pasi disa magazina të rëndësishme në vend po largohen për shkak të shumë problemeve të tjera në treg”, – shprehet ajo.
Barnat e reja, që kanë një trend të lartë shitjeje në tregjet europiane dhe në ato të rajonit, ende nuk janë futur në tregun shqiptar. Ato kushtojnë shumë dhe nuk janë të përballueshme për pacientët, pasi shteti nuk i rimburson. Për shembull, në Shqipëri nuk janë të pranishme medikamente si Apixaban, Pembrolizumab, që trajtojnë sëmundje autoimune.
Tregu shqiptar është në zhvillim e sipër, ku barnat tradicionale, gjenerike dhe ato jashtë patentës përfaqësojnë 76%, ndërsa trajtimi i specializuar, spitalor dhe me terapi inovative, vetëm 24%.
Rritet kontrabanda
Megjithatë, mungesa e barnave cilësore po nxit kërkesën për medikamentet kontrabandë në vend.
Në kushtet e mungesës së besimit, ndodh që disa pacientë të ndërmarrin veprime në dëm të shëndetit dhe ta shtyjnë shërimin e tyre, duke pritur ilaçet, që një i afërm mund t’iu sjellë nga jashtë.
G. H është një tjetër pacient, që preket nga mungesa e mjekimeve. Ai thotë se ilaçi, që i është përshkruar, nuk gjendet në vend, prandaj i duhet ta gjejë jashtë vendit, si në Itali dhe në Greqi.
“Varet ku mund ta gjej më parë dhe më lirë. Zakonisht e marr në Greqi, pasi Keppra është ilaç grek, por gjendet edhe në Itali. Është shumë i domosdoshëm për mua, pasi, nëse nuk e marr, mund të ketë shumë pasoja në shëndetin tim. Deri më tani mjeku im nuk më ka përshkruar ndonjë medikament, që mund ta zëvendësoj”, – shprehet ai.
“Gjatë trajtimit më është dashur të marr Neupogen, që më ka ndihmuar të rris nivelin e rruazave të bardha. E kam gjetur vetë në një farmaci këtu në kryeqytet. E dija që ishte kontrabandë, por për mua ishte e vetmja zgjidhje”, – tha Orlanda Toska.
“Familjet shqiptare, të shtyra nga kostot e lira, marrin produkte me cilësi të ulët”, – thotë Fatos Çoçoli, ekspert ekonomie.
“Familjet shqiptare me të ardhura modeste tërhiqen më shumë nga kostoja e lirë e një ilaçi, pa patur asnjë informacion përkatës në lidhje me cilësinë e dobët; kjo edhe për shkak të mosfunksionimit të standardeve të cilësisë së barnave që shiten në vend. Ilaçet, që marrin familjet shqiptare me të ardhura modeste (të cilat janë shumicë në vend), janë të cilësisë së ulët dhe ndikojnë drejtpërdrejt në kurimin e sëmundjeve. Shpresojmë që Ministria e Shëndetësisë të marrë masa direkte për ta zgjidhur problemin, por ka vështirësi të tjera me barnat në familjet shqiptare”, – thotë Çoçoli.
Lista e barnave të rimbursuara, e kufizuar dhe e pandryshuar
Një aspekt tjetër i problemeve të barnave është rimbursimi. Lista e barnave të rimbursueshme në Shqipëri është e kufizuar dhe shpeshherë nuk përfshin trajtimet më të reja, të avancuara dhe më efektive. Kjo situatë e vështirëson aksesin e qytetarëve ndaj trajtimit adekuat dhe i detyron ata që të paguajnë vetë shuma të mëdha për medikamentet e nevojshme.
Ekspertët thonë se procesi i përzgjedhjes së barnave për t’u rimbursuar në Shqipëri është një nga problemet kryesore. Kriteret e vendosura janë të ngurta dhe shpeshherë nuk përputhen me nevojat reale të pacientëve. Kjo çon në kufizime të aksesit të qytetarëve ndaj trajtimit të nevojshëm dhe kërkon që ata të paguajnë vetë për barnat që nuk janë të përfshira në listën e rimbursimit.
Mungesa e tyre është një tjetër problem që haset në tregun vendas. Sipas farmacive, disa nga barnat e rimbursuara janë ato që mungojnë më shumë dhe kjo i detyron mjekët të përshkruajnë alternativa të tjera.
“Problemi më i madh për këto medikamente është se shpeshherë nuk merren masa për ta zgjidhur mungesën e tyre dhe mungojnë ilaçet e rëndësishme për pensionistët apo për sëmundjet e rënda”, – tha për ACQJ Algerta Rakipi, farmaciste.
Në listën shqiptare të rimbursimit janë vetëm 373 molekula, ndërsa në vendet e Adriatikut (Serbi, Maqedoni e Veriut, Kroaci, Slloveni) janë 962 molekula, sipas studimit të Health Data.
Shëndetësia falas ishte një ndër premtimet më të bujshme të qeverisë aktuale, kur kërkoi votën e shqiptarëve për të qeverisur Shqipërinë. Historitë e rrëfyera në këtë artikull na tregojnë se pas 10 vitesh në pushtet socialistët janë ende shumë larg premtimeve për përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe se situata me problemet kryesore të shëndetësisë në popullatën shqiptare nuk ka ndryshuar për mirë.
Ky shkrim është pjesë e projektit Laboratori i Gazetarisë Investigative, që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.