Tumori në trupin e një gruaje, beteja e shtrenjtë për kurim

Autor: Dallandyshe Xhaferri

Vitin e kaluar 3 430 persona humbën jetën duke mos fituar dot betejën kundër tumorit. Shifrat zyrtare të INSTAT tregojnë se ata që nuk ia dolën dot nga kjo sëmundje e rëndë janë ndryshe 11.2% e popullsisë, një përllogaritje kjo që i rendit tumoret në grupin e katërt më të madh të shkaktarëve të vdekjes.

Në grupin ‘Tumore’ përqindjen më të lartë e zë nëngrupi i ‘tumore malinj të aparatit të tretjes’, me 35,2% dhe ‘tumore malinj të aparatit të frymëmarrjes’ me 23,7 %,”- shkruhet  në raportin e INSTAT-it. Mjeku onko-gjinekolog, Euglent Hoxha përsërit për “Sinjalizo” se gjatë 1 viti diagnostikohen në vend rreth 100 të reja me kancer të uterusit, qafës së mitrës dhe të vezoreve. Por sipas publikimeve të Ministrisë së Shëndetësisë për raportin vjetor të vitit 2021, është mbuluar shërbimi për depistimin e kancerit të qafës së mitrës për 14 000 gra, ndërkohë për 5000 gra është mbuluar shërbimi i depistimit e kancerit të gjirit.

Norma e vdekshmërisë për grup sëmundjen ‘Tumore’ është 151,9 vdekje për meshkujt dhe 92,3 vdekje për femrat për 100 mijë banorë”,- thuhet në publikimin e INSTAT, ndërkohë sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, 1 në 8 gra diagnostikohen me kancer gjiri.

Shkaktarët kryesorë të vdekjeve në Shqipëri për vitin 2021, sipas INSTAT

Jetë të ndryshuara

Për Alisën, tetori rozë është muaji i vetëdijësimit kundër kancerit dhe nuk e shikon me indiferencë si më përpara. Ajo kishte  një valixhe plot me ëndërra. “Një biletë drejt Firences, pasaporta shqiptare dhe një valixhe e mbushur me veshje për të katërta stinët”, ky ishte përfytyrimi i vajzës me kaçurrela për nisjen e një jetë të re në Itali. Një javë para se të udhëtonte drejt këtij kapitulli të ri, një tjetër kapitull i zymtë e priste 21-vjeçaren. Lajmin ia bënë të ditur mjekët që e diagnostikuan me tumor.

Alisa

Aty kuptova që sfidat e vërteta më prisnin në tokën time, jo matanë detit”,- kujton për “Sinjalizo” Alisa, vajza 21-vjeçare e cila e kapi çdo gjë në kohën e duhur dhe ndaj ia doli. Ajo nuk kishte parë aq shumë mesazhe për mamografinë dhe ndërgjegjësimin, deri ditën që doli nga “bota“ e ëndërrave dhe zbuloi se tumori ishte në trupin e saj

Sot, shamia me lule të gjelbërta ka zëvendësuar kaçurrelat e derdhura deri në fundshpinë. Por nuk ka zbehur aspak buzëqeshjen që shoqëron Alisën gjatë sinjalizimit për ‘harresën’ e pacientëve të prekur nga tumori në 11 muajt e tjerë të vitit.

Në mëngjesin e 18 shkurtit kam shkuar në urgjencën e Tiranës pasi kisha katër ditë me temperaturë të lartë dhe me dhimbje të forta në pjesën e barkut”,- tregon Alisa e cila pranon se ndonëse këto dhimbje e kishin shoqëruar prej muajsh nuk i ishte drejtuar asnjëherë qendrës shëndetësore, deri në momentin kur ishin bërë të padurueshme. “Nuk shkoja për vizitë edhe pse e ndieja se diçka nuk shkonte ne trupin tim, por jetoj në një fshat të vogël të Tiranës dhe i druhesha reagimit të të tjerëve,”- shpjegon ajo.

 “Doktori që më bëri ekon më dha një rekomandim për në maternitet, pasi nuk i pëlqeu madhësia e masës që pa brenda meje. Por unë iu drejtova privatit”- tregon ajo duke shtuar se ”përgjigjet e analizave shpjegohen më saktë kur mjeku paguhet drejtpërsëdrejti nga pacienti”.                                                                                                                      “Operimin e heqjes së masës tumoriale e bëra te ‘Kirurgji 1-shi’ pas gati një jave që isha shtruar”,- shton ajo duke theksuar se numri i ulët i rruazave të bardha nuk i ndihmonte mjekët të kuptonin se në cilin fazë ndodhej zhvillimi i masës tumoriale.

Një luftë që kërkon para

Operimi shkoi me sukses dhe më pas iu nënshtrova 4 seancave të kimioterapisë”,- bën të ditur Alisa, e cila pranon se “lufta e jetës së saj i kushtoi gati 5 milionë lekë të vjetra”.

 “Te QSUT-ja mjekët u treguan shumë të afërt, por prindërit e mi ishin të shqetësuar nëse do të merrja apo jo kujdesin e duhur, ndaj dhe paguanin çdo ditë me nga 5 mijë deri në 20 mijë lekë infermierët, mjekët dhe sanitaret”- thotë ajo, duke shtuar se fjalia e nënës së saj “ma shiko pak mirë vajzën” e shoqëroi gjatë 7 muajve të trajtimit intensiv.

Për mjekimet e bëra brenda godinës së spitalit nuk kam paguar asgjë, por për të hyrë në skaner pa rradhë kam paguar 100 mijë lekë të vjetra”,- bën të ditur Alisa e cila pranon se i është dashur të blejë shtrenjtë mjekimet që nuk gjendeshin në spital.

“ ‘Blemisin’ ishte shumë i vështirë për t’u gjetur në spital”,- nënvizon ajo, duke shtuar gjithashtu se nuk arriti ta siguronte as në mënyrë legale në disa farmaci të kryeqytetit. “Me shumë vështirësi arrita ta gjeja në mënyrë ilegale, pa pullën zyrtare të vendosur nga autoritetet shqiptare”,- thotë ajo duke shtuar se vetëm 2 flakona të këtij mjekimi i kanë kushtuar 100 mijë lekë të vjetra, të cilat nuk mund të rimbursohen.

Pas çdo seance bëja analizat e të gjithë trupit, të cilat shkonin deri në 100 mijë lekë të vjetra, ndërsa për të rritur numrin e rruazave të bardha në gjak blija 50 mijë lekë një mjekim”,- përfundon ajo.

Kontrabandë dhe rimbursim

Sipas mjekut onkolog Artan Çomo, blerja e mjekimeve kontrabandë përveç se përbën vepër penale është njëkohësisht dhe rrezik për pacientët.

Mjeku onkolog Artan Çomo

Mjekimet e spitalit janë të miratuara nga OBSH dhe Organizata e Mjekëve Onkologë, ne, si shtet ndjekim të njëjtën skemë mjekimi si vendet perëndimore prej vitesh”,- thotë Çomo duke theksuar se medikamentet shtetërore janë të kontrolluara dhe të rimbursueshme, ndryshe nga ato që mund të blihen në treg të zi.

Nga ana tjetër, Donjeta Zeqa, Presidente e degës shqiptare të “Europa Donna”  ku Shqipëria është anëtare me 46 shtete europiane thotë për “Sinjalizo” se 7 vite më parë ajo gjeti një tjetër zgjidhje. Përpjekjet e Zeqas lidhen me  advokimin dhe lobimin rreth kancerit të gjirit .

Kontakti i parë me kancerin e gjirit ka qenë mbi 20 vite më parë, kur u diagnostikua tezja ime”,- tregon Zeqa e cila pohon se “eksperienca ishte traumatike dhe informacioni shumë i pakët”. “Çfarë më goditi më shumë ishte diagnostikimi i mamasë sime 12 vite më parë”,- shton ajo, duke pohuar se të dyja gratë në jetën e saj arritën të fitonin luftën me kancerin, por ende pas këtyre viteve bashkëpunimi i institucioneve shtetërore me organizatat që kanë në fokus të njëjtat tematika nuk janë në nivelin e duhur.

Donjeta Zeqa, Presidente e “Europa Donna Albania”

Duhet që të jenë mbështetës realë dhe të punojnë me organizatat, ‘të mos frikësohen’ prej tyre”- thotë Zeqa, duke theksuar se organizatat duhet të jenë pjesë e tryezave ku merren vendimet për pacientët “pasi është e vetmja mënyrë që të punojnë të gjithë bashkë për një qëllim të vetëm: Pacientin”,- përfundon ajo duke treguar se kërkesat e grave dhe vajzave që u drejtohen kësaj organizate për paruke janë më të mëdha seç mund të përmbushin.

Onkologu: Mamografitë duhet të bëhen me detyrim

Të gjitha vajzat dhe gratë nga mosha 18, 20-vjeçare duhet të bëjnë vetekzaminimin në javën e parë të menstruacioneve”-bën të ditur mjeku onkolog Artan Çomo, i cili thekson se tumori i gjirit është një sëmundje komplekse, pasi qelizat kancerogjene mund të qëndrojnë të fshehura nga 7 deri në 9 vite.

Kur qeliza është nën 0.5 centimetra, pacienti e ka të pamundur ta dallojë, por kur përmasat shkojnë deri në 1 centimetër çdo grua mund ta dallojë”,- thotë ai duke shpjeguar se vetekzaminimi mund të bëhet përballë pasqyrës, në dush ose shtrirë.

Kjo sëmundje mund të zgjasë me vite, ndaj duhet hequr dorë nga mendësitë se këto formacione shoqërohen me dhimbje dhe se ‘është më mirë të mos e ngacmosh masën’”,- shpjegon ai duke treguar se në vit diagnostikohen me kancer gjiri 700 gra në vend, por pjesa më e madhe përfundojnë me sukses.

Sa më e hershme të jetë sëmundja aq më pak kushtojnë skemat e mjekimit”,- sqaron Çomo, duke nënvizuar se në fazat e para, kur qelizat nuk janë agresive, mund të kryhet heqja lokale e masës dhe të ruhet funksioni anatomik i gjirit.

Si onkolog këmbëngul që duhet bërë me detyrim mamografia për gratë që kanë faktorë riskantë më të shprehur”,- thotë Çomo duke shtuar se disa nga këta faktorë mund të jenë “menstruacionet e para të ardhura shumë herët, menstruacionet e fundit që vijnë me vonesë, shtatëzania mbi moshën 35-vjeçare dhe përdorimi i pakontrollueshëm i kontraceptivëve”.

Këtu mund të përfshijmë dhe çrregullimin (mutacionin) gjenetik BRCA1 dhe BRCA2”, përfundon Çomo, duke treguar se ende në Shqipëri ekzaminimi i këtij çrregullimi mund të bëhet ende vetëm në klinikat private dhe s’mund të rimbursohet nga shteti.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry

Leave a comment

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.