Duhani vret, por konsumi rritet!

Autore: Dallandyshe Xhaferri

Në mes të smogut të Tiranës dhe temperaturave përvëluese, pirja e duhanit përbën një fenomen shqetësues. Varësia ndaj duhanit po gjen terren të përshtatshëm. Nga të rinjtë që tymosin për shoqëri, deri te ata që luftojnë për ta lënë, duhani rëndon jo vetëm shëndetin, por edhe kuletën.

Prej ditësh Tirana po përballet me temperatura të larta, të cilat shoqërohen me smogun e shkaktuar prej ndotjes së makinave dhe të ndërtimit të qiejgërvishësve, gjithnjë edhe më pranë ndërtesave ekzistuese. Megjithatë, për Klevisin zhurmat dhe i nxehti nuk përbën asnjë problem për të dalë jashtë zyrës të punës së tij për të konsumuar një cigare.

Ai i përngjan shumë të rinjve shqiptarë, që përpiqen të gjejnë pak kohë për veten gjatë orarit të punës, ndërkohë që tymos një cigare vazhdimisht.

10 vite më parë, Klevisi nuk e besonte që do të kthehej në duhanpirës të rregullt dhe dy përpjekjet e tij për të hequr dorë përfundimisht nga konsumimi i cigareve do të dështonin.

“Duhanin e kam nisur kur kam filluar studimet e larta në Tiranë, por edhe gjatë periudhës së gjimnazit kishte raste që ndezja ndonjë cigare kur isha me shoqërinë”,- tregon 30-vjeçari ndërkohë që thekson se duhanin ka nisur ta konsumojë për “arsye banale” teksa shoqëria e nxiste të tymoste ndonjë cigare gjatë kohës që kalonin bashkë.

“Gjatë këtyre viteve kam hequr dorë nga duhani dy herë. Herën e parë nuk kam konsumuar duhan 6 muaj përpara mbrojtjes së tezës së diplomës në bachelor dhe e kam nisur një ditë përpara mbrojtjes së diplomës. Më pas e kam lënë një vit gjatë kohës që vazhdoja studimet në Master dhe e kam rifilluar gjatë javës së mbrojtjes së diplomës për shkak të stresit”- thotë Klevisi teksa tregon se asnjëherë nuk është konsultuar me një mjek për të hequr dorë përfundimisht nga duhanpirja, pasi e vetmja zgjidhje qëndron në vendosshmërinë e duhanpirësit.

Mjeku toksikolog, Alert Drishti thotë për “Sinjalizo” se thuajse asnjë pacient që ka krijuar varësi nga duhanpirja nuk i drejtohet sistemit shëndetësor për ta lënë duhanin. “Njerëz të cilët helmohen nga pirja e duhanit janë shumë të rrallë”,- thotë mjeku, ndërkohë që pasojat e shkaktuara në shëndet janë të shumta, duke e kthyer duhanpirjen në një faktor të rritjes së riskut për sëmundje të ndryshme kancerogjene.

Alert Drishti, mjek toksikolog

“Nuk është vetëm Sistemi Nervor Qendror që dëmtohet. Sistemi i parë që bie në kontakt me dëmet e pirjes së duhani është sistemi respirator (sistemi i frymëmarrjes), sistemi kardiovaskular…pra, fillojnë dëmtimet multiorganore”,- thotë Drishti duke theksuar se dëmet në shëndetin e duhanpirësve nuk shkaktohen vetëm nga nikotina, por edhe nga katrani dhe dioksidi i karbonit, që janë përbërësit kryesorë të duhanit.

Shqipëria prodhon dhe importon me tonelata duhan

Sipas një raporti të publikuar nga Banka Botërore në vitin 2024, Shqipëria renditet e 47-a midis 163 shteteve të ndryshme të botës, përsa i përket konsumimit të duhanit.

Gjithashtu, sipas të dhënave zyrtare që Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka vendosur në dispozicion të “Sinjalizo”, rezulton se gjatë tre viteve të fundit është rritur sasia në ton e cigareve që janë importuar në vendin tonë.

Gjatë vitit 2021 në Shqipëri janë importuar në mënyrë legale 2934 ton cigare, sasi e të cilave do të shtohej me 213 ton të tjera në vitin 2022. Gjatë vitit të kaluar, 2023, në vend janë importuar 3186 ton cigare.

Të dhënat nga Administrata Doganore Shqiptare

Gentian Selami, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Duhan Cigareve ka bërë të ditur nëpërmjet një përgjigjeje zyrtare për “Sinjalizo” se gjatë dy viteve të fundit edhe sipërfaqja e hektarëve të mbjellur me duhan është rritur.

Gjatë vitit 2022 në vendin tonë është mbjellur 672.8 hektarë me duhan, ndërsa sasia e duhanit të prodhuar ka qenë 1476 ton. Më 2023, ndonëse sipërfaqja e hektarëve është rritur në 867.7 ha, sasia e prodhuar e duhanit vendas është ulur në 1349 ton.

Nga të dhënat e publikuara në Buletinin e Tregtisë së Jashtme Janar-Dhjetor 2023 vlera e duhanit dhe e zëvendësuesve të tij të fabrikuar që janë importuar në vend shkon në 10,067 milionë lekë për vitin 2023, duke pësuar rritje krahasuar me vitin 2021 kur importi i duhanit ka kushtuar 8,169 milionë lekë dhe me vitin 2022 kur duhani i importuar shkoi deri në vlerën e 9,623 milionë lekëve.

Sfidat për të hequr dorë nga duhani

Sipas toksikologut Alert Drishti, studimet në fushën e mjekësisë kanë treguar se një duhanpirës duhet të kalojë 2 vite pa konsumuar duhan për t’u cilësuar “i shkëputur plotësisht nga pirja e duhanit”, megjithatë sfidat e një duhanpirësi për të hequr dorë nga ky ves në Shqipëri janë të shumta.

Diana Toma, ish- presidente e Urdhërit të Farmacistëve në Shqipëri thotë për “Sinjalizo” se konsumatori shqiptar shpenzon më shumë të ardhura për të pirë duhan, se sa për t’u trajtuar për të lënë duhanin.

“Edhe rastet kur duan ta lënë nuk orientohen. Ne kemi orientim për të lënë drograt, ku futet dhe alkooli, por nuk trajtojmë duhanpirjen si varësi karshi një droge”,- thotë Toma duke shtuar se mungojnë strukturat orientuese për lënien e duhanit, ndonëse duhanpirja është shkaktari kryesor i kancerit të laringut.

Diana Toma, ish- presidente e Urdhërit të Farmacistëve në Shqipëri

Sipas ish-presidentes së Urdhërit të Farmacistëve, në momentin që një qytetar kërkon të shkëputet nga varësia e duhanit, ai kthehet në një rast patologjik.

“Toksikologjia nuk është se ka një trajtim të këtyre personave që kanë varësi ndaj duhanit dhe duan të shpëtojnë prej kësaj varësie”,- thotë Toma duke shtuar se duhanpirja e kthen konsumatorin në një pacient të sëmurë me kancer, për të cilin shteti shqiptar do të duhet të paguajë më shumë se sa do i duhej ta ndihmonte “për të dalë nga gracka e duhanpirjes”.

Tek politikat për rininë kundër përdorimit të drograve duhet shtuar edhe duhanpirja. Ka njerëz që e ndjejnë veten të mbërthyer brenda grackës së kësaj droge dhe ata duan të shpëtojnë. A e kanë mundësinë? Jo. Qoftë mundësinë psikologjike, jo. Sepse bëhen nervozë. Qoftë edhe mundësinë financiare për ta përballuar”, -thote Toma, ndërkohë që Klevisi thotë për “Sinjalizo” se mungesa e nicotine patches (ngjitësve të nikotinës)në farmaci është sfida me të cilat përballen personat që duan të heqin dorë nga duhanpirja.

Nicotine patches, janë disa ngjitëse të cilat vendosen në trup dhe i mundësojnë duhanpirësve të marrin sasinë e nevojshme ditore të nikotinës, megjithatë mungesa e tyre në farmacitë e vendit vjen edhe si rezultat i mungesës së kërkesës nga duhanpirësit që duan të heqin dorë nga pirja e duhanit.

“Në këtë mënyrë ti nuk ke ndjesinë se duhet të pish cigare. Problemi është që në Shqipëri nuk gjenden kollaj”,- thotë më pas Klevisi, i cili tregon se çdo pako e këtij produkti përmban 7 ngjitëse. Sasi e nikotinës që ndodhet në ngjitëset e pakove reduktohet gradualisht duke ndihmuar duhanpirësit të mos i rikthehen tymosjes së cigareve.

Kostot ekonomike të duhanpirësve

Inva është një 33-vjecare nga Tirana, e cila ka mundur të heqë dorë nga duhanpirja vetëm gjatë periudhës së shtatzanisë një vit më parë. Ajo u kthye në një konsumuese të rregullt të duhanit në moshën 20-vjeçare, gjatë kohës kur nisi studimet e larta.

 “Në momentin që mora vesh që prisja një fëmijë e ndërpreva në mënyrë automatike. Nuk e kisha shumë problem, ndryshe nga vajza të tjera pasi një nga simptomat e shtatzanisë që unë kisha ishte problemi me aromat. Pak vështirë e pata te rutina e përditshme, kur ulesha e doja të pija një kafe por nuk mund ta shoqëroja me një cigare”- thotë Inva, e cila iu rikthye pirjes së duhanit 10 muaj pasi ishte bërë nënë.

Ajo thotë për “Sinjalizo” se marka e cigareve që ajo konsumon kushton 300 lekë dhe thuajse çdo ditë blen një paketë të re cigaresh.

“Në muaj shpenzoj afërsisht 9 mijë lekë të reja për duhan”, – thotë Inva, ndërkohë për Albanin, shitës i cigareve prej vitesh në zonën e njohur si “Qytet Studenti”, duhanpirësit e gjejnë gjithnjë një alternativë për të blerë duhan.

“Çmimet e paketave janë rritur çdo vit, megjithatë çdo ditë janë mbi 40 blerës të rregullt që vijnë të blejnë. Tashmë i janë drejtuar duhanit me të dredhur, sepse zgjat më shumë se një paketë që ka 20 cigare”,– përfundon Albani.

Duhani mbetet një sfidë e madhe për shëndetin publik në Shqipëri. Ndërsa shifrat e importit dhe të prodhimit vazhdojnë të rriten, ndihma për duhanpirësit mbetet e pakët. Është koha që strategjitë dhe politikat të fokusohen më shumë në parandalimin dhe trajtimin e kësaj varësie, në mënyrë që të mos mbesim të mbyllur në një cikël dëmesh shëndetësore dhe ekonomike.

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/