Ida Ismalaj
Administrata Tatimore ka publikuar Planin Sektorial të Turizmit për vitin 2026, si një hap të rëndësishëm drejt formalizimit të plotë të sektorit dhe rritjes së transparencës fiskale. Në thelb, ky plan përpiqet të vendosë një ekuilibër mes rritjes së të ardhurave buxhetore dhe krijimit të një tregu më të drejtë për operatorët turistikë. Megjithatë, ndërsa dokumenti prezanton objektiva dhe mekanizma monitorimi, mbetet për t’u parë se sa do zbatohet në terren.
Turizmi në Shqipëri ka qenë një nga sektorët më dinamikë të ekonomisë, duke kontribuar gjithnjë e më shumë në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB). Megjithatë, kjo rritje nuk është shoqëruar gjithmonë me një nivel të kënaqshëm formalizimi. Informaliteti, deklarimet e pjesshme të të ardhurave apo të pagave të punonjësve kanë krijuar një terren ku operatorët i shmangen detyrimeve fiskale.
Plani e trajton turizmin kryesisht si një sektor me risk të lartë informaliteti. Kjo vihet re në të gjithë arkitekturën e planit, ku dominojnë konceptet e “sjelljeve devijuese”, “riskut të lartë”, “monitorimit intensiv” dhe “kontrolleve pa paralajmërim”.
Vetë fakti që administrata parashikon analiza javore të xhiros, krahasime automatike mes numrit të punonjësve dhe kapacitetit të strukturave apo monitorim të platformave si Booking dhe Airbnb, tregon se shteti vazhdon ta konsiderojë një pjesë të konsiderueshme të ekonomisë turistike si të padeklaruar ose pjesërisht të padukshme.
Plani i vitit 2026 e njeh këtë problem dhe e vendos në qendër të ndërhyrjes së tij, por sfida reale qëndron në faktin se këto fenomene janë të rrënjosura prej vitesh dhe nuk zgjidhen vetëm me kontrolle më të shpeshta apo sisteme më të avancuara.
Objektiva ambiciozë dhe presion mbi bizneset
Plani i 2026 synon formalizimin e plotë dhe transparencën taimore, duke integruar sektorin turistik në sistemin tatimor shqiptar me monitorim intensiv.
Plani përfshin disa objektiva kyç si:
- Rritje të qarkullimit krahasuar me vitin 2025 dhe regjistrimi i drejtë në TVSH bazuar në të dhëna reale si numri i dhomave dhe punonjësve.
- Deklarimi i saktë i punonjësve, duke përfshirë kategorizimin profesional dhe oraret e punës.
- Reduktimi i pagave fiktive, veçanërisht rasteve të deklarimit në pagë minimale pa justifikim.
- Zgjerimi i bazës së TVSH-së, me rritje të subjekteve që deklarojnë me normë 6% (akomodim) dhe 20% (bar-restorante).
- Formalizimi i tregut, përfshirë strukturat akomoduese informale dhe stacionet e plazhit.
- Zhvillimi i turizmit alternativ, si agroturizmi, turizmi malor dhe ai kulturor.
- Rritja e të ardhurave nga DIVA/TAPB, sidomos për individët që gjenerojnë të ardhura nga platformat si Booking dhe Airbnb
Një tjetër element që bie në sy në dokument është mënyra si suksesi i sektorit matet pothuajse ekskluzivisht përmes treguesve fiskalë. Në plan flitet për rritje të qarkullimit të deklaruar, zgjerim të bazës së TVSH-së dhe shtim të numrit të subjekteve të formalizuara, por mungojnë tregues që lidhen me cilësinë e turizmit apo vlerën reale ekonomike që ai krijon.
Nuk ka objektiva konkrete për rritjen e shpenzimeve për turist, zgjatjen e qëndrimit mesatar, përmirësimin e pagave në sektor apo ndikimin në ekonominë lokale. Në këtë kuptim, dokumenti duket më shumë si një strategji për formalizimin fiskal të turizmit sesa një plan i mirëfilltë për zhvillimin e tij afatgjatë.
Një nga shtyllat kryesore të planit është përdorimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale për identifikimin e subjekteve me risk të lartë.
Megjithatë, kjo qasje ngre disa pikëpyetje. Sa e përgatitur është administrata për të menaxhuar dhe interpretuar në mënyrë të saktë këtë volum të madh të dhënash? Dhe nga ana tjetër, sa të përgatitura janë bizneset, veçanërisht ato të vogla, për t’u përshtatur me këtë nivel të ri monitorimi digjital?
Pa një proces të mirëfilltë edukimi dhe asistence, digjitalizimi mund të kthehet në një barrë shtesë në vend që të jetë një lehtësim.
Në këtë kuadër, përdorimi i inteligjencës artificiale për monitorimin fiskal përfaqëson një nga aspektet më të pazakonta të planit. Administrata synon të përdorë sisteme AI për të analizuar fotografi faturash fiskale, për të identifikuar mungesën e elementeve të fiskalizimit dhe për të krijuar raporte automatike për subjektet e dyshuara.
Në teori, kjo mund të ulë kostot administrative dhe të rrisë eficiencën e kontrolleve. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse infrastruktura teknologjike dhe kapacitetet njerëzore të administratës janë të mjaftueshme për të menaxhuar një sistem kaq kompleks pa prodhuar gabime, keqinterpretime apo penalizime të padrejta.
Një tjetër pikëpyetje lidhet me vetë kapacitetin institucional për ta zbatuar planin në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë territorin. Dokumenti mbështetet në koordinim mes administratës tatimore, bashkive, Ministrisë së Turizmit, platformave digjitale dhe institucioneve të tjera. Megjithatë, në praktikë, Shqipëria vazhdon të përballet me problematika të fragmentimit institucional, mungesës së burimeve njerëzore dhe zbatimit selektiv të kontrolleve.
Për këtë arsye, sfida nuk qëndron vetëm tek teknologjia apo ligji, por tek aftësia reale e institucioneve për të garantuar standarde të barabarta dhe një proces të besueshëm për bizneset.
Plani parashikon kontrolle të targetuara bazuar në analizën e riskut, monitorim të vazhdueshëm dhe ndërhyrje të shpejtë ndaj sjelljeve devijuese. Kjo është një qasje moderne dhe teorikisht më efikase se kontrollet e rastësishme të së kaluarës. Megjithatë, mbetet shqetësimi për mënyrën se si do të zbatohet kjo në praktikë. Transparenca në përzgjedhjen e subjekteve për kontroll dhe shmangia e abuzimeve administrative janë elementë kyç për suksesin e planit.
Një tjetër problematikë lidhet me mungesën e objektivave të matshëm në dokument. Plani përdor vazhdimisht terma si “rritje”, “formalizim”, “reduktim” apo “përmirësim”, por rrallë përcakton me saktësi se çfarë niveli synohet të arrihet deri në fund të vitit 2026.
Nuk ka shifra konkrete për nivelin e informalitetit që synohet të ulet, të ardhurat shtesë që pritet të gjenerohen apo numrin e subjekteve që pritet të formalizohen. Kjo e bën të vështirë matjen reale të suksesit të planit dhe krijon hapësirë që rezultatet të interpretohen më shumë politikisht sesa ekonomikisht.
Në plan vihet re gjithashtu një fokus i fortë tek bizneset e vogla dhe aktivitetet sezonale, sidomos apartamentet me qira ditore, strukturat familjare, agroturizmi dhe stacionet e plazhit. Këto kategori konsiderohen me risk të lartë për informalitet dhe do të jenë objekt monitorimi të shtuar.
Megjithatë, dokumenti flet shumë pak për problematika më të mëdha strukturore të sektorit, si përqendrimi i investimeve në pak aktorë të mëdhenj, zhvillimi intensiv në vijën bregdetare apo ndikimi i investimeve strategjike në konkurrencën e tregut. Kjo krijon perceptimin se barra kryesore e formalizimit mund të bjerë disproporcionalisht mbi operatorët e vegjël, të cilët kanë edhe kapacitetet më të kufizuara administrative dhe financiare.
Një element tjetër kritik është kontradikta mes qasjes së ashpër monitoruese dhe ekzistencës së ligjit të amnistisë fiskale, i cili përmendet në dokument si instrument formalizimi.
Nga njëra anë, plani parashikon kontrolle intensive, referime për hetim dhe përdorim të inteligjencës artificiale për identifikimin e evazionit. Nga ana tjetër, amnistia fiskale krijon idenë se informaliteti mund të tolerohet ose të rregullohet më vonë përmes marrëveshjeve të reja.
Po aq e rëndësishme është edhe mungesa e dimensionit më të gjerë të menaxhimit të turizmit. Dokumenti flet gjerësisht për kontrollet fiskale, por shumë pak për sfidat që po shoqërojnë rritjen e shpejtë të sektorit: presionin mbi infrastrukturën, menaxhimin e mbetjeve, furnizimin me ujë, ndotjen e bregdetit, mungesën e fuqisë punëtore apo urbanizimin intensiv.
Plani Sektorial i Turizmit 2026 përfaqëson një përpjekje serioze për të adresuar problemet strukturore të sektorit. Ai sjell instrumente moderne dhe një qasje më të strukturuar ndaj kontrollit fiskal. Megjithatë, suksesi i tij do të varet më shumë nga mënyra e zbatimit sesa nga përmbajtja në letër.
Nëse kontrollet shoqërohen me transparencë, asistencë reale për bizneset dhe standarde të barabarta zbatimi, plani mund të kontribuojë në formalizimin gradual të sektorit. Por nëse ai mbetet kryesisht një instrument presioni fiskal pa adresuar problemet më të gjera të modelit turistik shqiptar, atëherë rrezikon të prodhojë më shumë tension mes administratës dhe biznesit sesa një transformim real të ekonomisë së turizmit./acqj.al