Denada Jushi
Ndërsa fundi i vitit po afron, SPAK vijon të godasë korrupsionin, kësaj here me masë arresti shtëpie për Mirlinda Karçanaj, Drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, e njohur si AKSHI. Ky institucion prej muajsh ka qenë në qendër të vëmendjes për aludime për afera në tendera.
Znj. Karçanaj, u paraqit më tre dhjetor në Prokurorinë e Posaçme në kuadër të një hetimi për abuzime me tenderat e zhvilluar nga institucioni që ajo drejton. Për të është ekzekutuar sot masa e arrestit në shtëpi.
Masë tjetër, arrest me burg, është caktuar edhe për Ergys Agasi, një emër i njohur si njeri i afërt me Kryeministrin Rama, djali i një ish-deputeti të PS. Ai dyshohet sipas SPAK se ka përdorur dhunë mbi një tjetër person me qëllim terheqjen e këtij të fundit nga gara, ndaj akuzat ndaj tij janë të rënda.
“Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, janë akuzat e ngritura nga SPAK.
Por deri më tani kjo masë nuk është ekzekutuar, sepse Agasi ende nuk është gjendur!
Kujtojmë se emri i Agasit u bë i njohur për publikun një vit më parë, kur ish-zv. Kryeministri Arben Ahmetaj e cilësonte Agasin si një nga ndërmjetësit e Kryeministrit Rama me mafian dhe trafikantët e drogës.
Po ashtu, është caktuar masë sigurie “arrest me burg” edhe për biznesmenin Ermal Beqiri. Ky i fundit dyshohet për korrupsion në tenderat e AKSHI-t dhe bashkëpunim me Ergys Agasin.
SPAK ka komunikuar zyrtarisht se tetë shtetas janë nën hetim për vepra penale.
Ky operacion i nisur ditën e sotme është pasuar edhe në radhët e policisë. Deri tani është vendosur pezullimi nga detyra për zv. Drejtorin e Policisë së Tiranës, Erjon Ismaili.
Prej shumë vitesh është buere e pamundur që publiku të ketë akses të plotë në të dhënat financiare apo kontratat e lidhura nga AKSHI për shkak të konfidencialitetit të tyre. Sipas të dhënave të Open Data Albania, kontratat me status të klasifikuar puerbëjnë shpeshherë blerje shërbimesh apo pajisjesh që, për arsye sigurie, realizohen pa njoftim publik dhe pa garë, duke kufizuar transparencën dhe konkurrencën, ndërsa i vetmi gjurmim i mundshëm mbetet përmes transaksioneve të Thesarit.
Sipas këtyre të dhënave, vetëm Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka kryer 1 122 transaksione të tilla në periudhën 2019–12 dhjetor 2024, me një vlerë totale prej 6.64 miliardë lekësh, ku viti 2022 shënoi nivelin më të lartë të pagesave me rreth 1.74 miliardë lekë.
AKSHI ishte nga institucionet e fundit të mbetura pa marrë nën masa nga SPAK, duke u përfshirë tashmë në një listë të gjatë të institucioneve dhe zyrtarëve me të lartë të shtetit që po përballen me akuza për korrupsion!/acqj.al