Shpirti i Ujit, Zëri i Njerëzve është një dokumentar mbi historitë e rezistencës së komuniteteve lokale kundër hidrocentraleve që kërcënojnë lumenjtë e tyre. Nga Zall Gjoçaj në zemër të Parkut Kombëtar Lurë-Mali i Dejës, tek Shushica dhe deri tek Vjosa, lumi i fundit i egër në Europë, ky dokumentar tregon betejat e banorëve, aktivistëve, juristëve dhe organizatave që zgjodhën të mos heshtin.
Përmes protestave, padive gjyqësore, solidaritetit ndërkombëtar dhe zërave të artistëve, ata arritën të mbrojnë ujërat që janë jetë për njerëzit dhe natyrën. Dokumentari sjell dëshmi të drejtpërdrejta, kujtime kolektive dhe një mesazh të fuqishëm: kur komuniteti angazhohet, edhe gjykatat dëgjojnë, dhe kur lumenjtë mbrohen, përfitojmë të gjithë.