Në Shkodër shtohen metrat e ndërtimeve, por jo të hapësirave të gjelbëra

Si shumë qytete në vijim të tranzicionit demokratik, edhe Shkodra ka qenë pre e fenomenit të ndërtimeve pa kriter. Por ndërkohë që shumë qytete tashmë po rimëkëmbin hapsirat e gjelbra dhe po i shtojnë sipërfaqen, Shkodra ka mbetur pas dhe investon vetëm në ato hapsira të mbetura tëshmë. Pyetjes së ACQJ se sa metra katror hapsirë të gjelbër ky qytet ka shtuar në vitet e fundit, Bashkia Shkodër refuzon ti përgjigjet.

Autor: Syrjan Rahova

Gjatë një shëtitjeje në vitet e para të demokracisë në Shkodër nuk shijoje vetëm pedonalen e mrekullueshme, kulturën shkodrane, humorin e hollë, xhirot me biçikletë, por gjithashtu edhe gjelbërimin, i cili ishte në çdo pjesë të qytetit.

Por, gjelbërimi i dikurshëm tashmë ia ka lënë vendin betonit, duke e përfshirë edhe Shkodrën në listën e qyteteve, ku zhvillimi dhe ndërtimi pa kriter kanë bërë që qytetarëve të saj t`iu mungojnë hapësirat e gjelbëra.

Pjeter Pali, një banor i vjetër i Shkodrës, e kujton shumë mirë kohën, kur gjelbërimi ishte pjesë e rëndësishme në të gjithë qytetin, duke thënë se, nga një bahçe e gjelbër, Shkodra është shndërruar në blloqe betoni pas ardhjes së demokracisë.

“Vetëm beton e kanë bërë Shkodrën. Një lulishte është afër institutit, ku lozin pensionistët domino, e cila është e rrethuar nga të gjitha anët. Një tjetër, te shatërvani, ku njerëzit zakonisht rrëzohen në një rrugicë aty; ka mbaruar dhe ajo”, – thotë ai, duke shtuar se ndërtimet në mënyrë të parregullt kanë ndikuar në dëmtimin e këtyre hapësirave.

“Ndërtimet bëhen vend e pavend dhe unë s’di se si i nxjerrin lejet e ndërtimit këta ndërtues. Pas demokracisë s`ka më rregull në asgjë”, thotë ai, duke mos e fshehur zhgënjimin.

Por, rrudhja e hapësirave të gjelbëra në kryeqendrën e veriut i prek të gjithë banorët. Jetmira Balaja, nënë e një fëmije me aftësi të kufizuara, e cilëson si domosdoshmëri pasjen e hapësirave të gjelbëra në qytet.

“Unë s`kam asnjë lulishte pranë shtëpisë. Duhet të ketë parqe, lulishte e kënde lojërash për fëmijët, pasi unë kam një djalë me aftësi të kufizuara dhe ata kanë shumë nevojë”, shprehet ajo.

Nga ana tjetër, për Eglën, një vajzë e re, shkodrane, mungesa e hapësirave të gjelbëra në qytet ka ndikuar në stilin e saj të jetesës.

“Këto kushte të pafavorshme kanë ndikuar në stilin e jetesës, duke e bërë të ngadaltë, por edhe aspak të favorshëm për secilin prej nesh”, – thotë e reja, e cila shton se, pavarësisht situatës, me të cilën përballen qytetarët e Shkodrës, kanë nevojë që institucionet të ushtrojnë kontrolle ndaj ndërtimeve pa kriter, që bëhen në qytet.

“Vazhdimisht po zvogëlojnë cilësinë dhe po ndotin më tepër ajrin, që thithim çdo ditë”, përfundon ajo.

Ligji për planifikimin territorial “harrohet” nga institucionet në Shkodër

Shkodra ose, si njihet ndryshe në të gjithë vendin, kryeqendra e veriut ka një popullsi prej 204,954 banorësh, ku 55% e kësaj popullsie është e përqendruar në qytet. Sipas ligjit “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” dhe aktet e tij nënligjore, ku përfshihen edhe hapësirat e gjelbëra, në qendrat e banuara me mbi 10 mijë banorë standardi i gjelbërimit duhet të arrijë në 9 m2 për banor. Nga ana tjetër, standardi për hapësirat publike arrin në 28.1 m2 për banor. Por, në të gjithë Bashkinë e Shkodrës janë vetëm 111.631 m2 hapësirë e gjelbër, e cila praktikisht përkthehet në 0.5m2 për banor.

Referuar raportit të Green CoPlan në Shkodër, ndotësit e ajrit janë kryesisht trafiku dhe aktivitetet e banimit, si ngrohja, gatimi etj. Niveli i grimcave të pluhurit, PM2.5, sipas standardit shqiptar dhe atij europian është tejkaluar, referuar matjeve të bëra, në rrugën Jeronim De Rada, në Bulevardin Skënderbej, në rreth-rrotullimin Parrucë, si dhe në lagjen Bexhisteni.

Sipas këtij raporti, por edhe sipas ekspertëve të ndryshëm mjedisorë, një nga mënyrat për ta tejkaluar këtë situatë është investimi në hapësira të gjelbëra, publike, por një iniciativë e tillë është pothuajse neglizhuar nga kjo bashki. Për vitet 2020-2022 Bashkia e Shkodrës ka shpenzuar një shifër totale prej 41.062.789 lekësh, shifër kjo e njëjtë edhe me atë që është parashikuar për vitin 2023.

ACQJ ka arritur të sigurojë investimet që ka bërë Bashkia e Shkodrës për vitin 2022 në hapësirat e gjelbëra të qytetit. Në total përmirësimi i cilësisë dhe mirëmbajtjes së gjelbërimit rrugor dhe lulishteve të qytetit realizohet për një hapësirë prej 102,331 m2 sipërfaqe e gjelbër. Në këtë sipërfaqe përfshihen 64 lulishte me një hapësirë totale prej 85,331 m2 në qytetin e Shkodrës dhe 17,000 m2 lulishte në Velipojë, si dhe në gjelbërimin rrugor, ku ka mbjellë 6,343 rrënjë pemësh në të gjithë qytetin.

“Mbi vazhdimësinë e shërbimit të mirëmbajtjes së gjelbërimit është në proces procedura e prokurimit me afat trevjeçar”, bën të ditur Bashkia e Shkodrës në një reagim për ACQJ.

Në tre vite shtohen 90 938 m2 ndërtime, asnjë metër gjelbërim

Në vitin që lamë pas në Bashkinë e Shkodrës, sipas INSTAT-it, janë dhënë 38 leje ndërtimi, me një sipërfaqe totale prej 35 649 m2. Ndërkohë, në vitin 2021, bashkia ka miratuar 33 leje për ndërtime të reja me një sipërfaqe totale prej 30 082 metrash katrorë. Nga ana tjetër, në vitin 2020 numri i lejeve të dhëna për ndërtime ka qenë 35, ndërsa sipërfaqja totale e ndërtimit, 25 207 metra katrorë.

E ndërsa ndërtimet janë shtuar në tre vite me 90 938 metra katrorë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për shtimin e hapësirës së gjelbër në qytet. Gjatë tri viteve të shkuara në Shkodër nuk është shtuar asnjë metër katror gjelbërim, sipas të dhënëve të vetë Bashkisë së Shkodrës.

Gjeografi, Ervis Kymbi, thotë se planet e përgjithshme vendore për shtimin e hapësirave të gjelbëra për qytetin e Shkodrës ekzistojnë, por ato kanë mbetur vetëm në letër, ndërsa në terren nuk janë zbatuar.

“Ky fenomen nuk është vetëm në Shkodër, por në të gjithë Shqipërinë. Planet janë, hartat shumëngjyrëshe janë, idetë janë dhe të gjitha këto duhet të implementohen prej atyre që janë në pushtet. Këtu nis koordinimi i pushtetit lokal me atë qendror, që këto plane të realizohen, sepse për këto plane janë paguar pará nga taksapaguesit”, thotë ai, duke shtuar se këto plane nuk duhet të flenë në sirtar.

Kymbi thekson se Shkodra e ka një plan për sa i përket problemeve mjedisore, ku përfshihen edhe hapësirat e gjelbëra, por në Shkodër nuk është zbatuar, duke e cilësuar këtë si një indiferencë, që shpeshherë pushteti lokal ka ndaj territorit për disa arsye të caktuara.

“Degradimi ka ardhur nga: A janë kapacitetet dhe burimet njerëzore nga Bashkia e Shkodrës për ta kontrolluar territorin?”, thotë ai, duke ri-sjellë në vëmendje hapësirën e madhe që Bashkia e Shkodrës mori nga reforma e vitit 2015.

“Kjo reformë, që ishte shumë e domosdoshme, njëherazi solli dhe dobësitë e veta dhe pikërisht mungesën e burimeve njerëzore, që përkthehet në mungesë të burimeve financiare”, shprehet ai, duke bërë edhe një apel, që të mbrohen zonat, si Shiroka apo Zogaj, të cilat janë kthyer në qendra rekreative, duke bërë potencialisht më të mundur betonizimin dhe komercializimin e këtyre parqeve.

Ndërkohë, urbanisti, Imeld Sokoli, thotë se si pasojë e tranzicionit dhe nivelit të ulët të menaxhimit territorial, qytetet shqiptare kanë pësuar densifikim të ndërtimeve, kryesisht në zonat qendrore, duke pakësuar në mënyrë direkte hapësirat e gjelbëra dhe publike në këto zona banimi dhe Shkodra nuk bën përjashtim.

“Autoritetet lokale minimalisht duhet të respektojnë Planet e Përgjithshme Vendore, ku duhet të plotësojnë standardet minimale, të paraqitura në to me anë të koeficienteve të KSHP (koeficienteve të shfrytëzimit për hapësira publike)”, thotë ai, duke shtuar se në praktikë kjo nuk ndodh, sepse kryesisht bashkitë i shohin këto instrumente si instrumente vetëm për të zhvilluar një territor dhe jo për të balancuar zhvillimin e territorit në tërësinë e tij. Kjo ndodh, sepse ky aspekt nuk monitorohet në praktikë nga institucione të nivelit qendror.

“Sipërfaqet publike në harkun e 30 viteve tranzicion janë zaptuar nga ndërtime të jashtëligjshme dhe si pasojë janë zvogëluar. Janë shumë të rralla hapësirat e reja, publike dhe janë shumë të rralla ndërtimet e hapësirave të reja, publike dhe kjo bën përsëri që të kemi një normë të tyre, të ulët në rang qyteti”, thotë zoti Sokoli, i cili shton se, zakonisht këto hapësira të gjelbëra janë të amortizuara dhe jo të mirëmbajtura, gjë që çon në mos-aksesimin dhe mospërdorimin efektiv edhe të atyre ekzistuese.

“Këto hapësira në qytetin e Shkodrës janë shumë të pakta dhe shpeshherë të amortizuara, siç është rasti i lulishtes së ish-Pazarit në hyrje të qytetit. Shkodra është një qytet, i cili është i rrethuar me resurse natyrore, por që fatkeqësisht vendimmarrësit nuk janë përpjekur që ta shfrytëzojnë këtë fakt në interes të publikut”, thotë eksperti urbanist, duke theksuar se Shkodra akoma edhe sot nuk ka një park të mirëfilltë të qytetit, i cili mund të ishte zhvilluar në bregun lindor të liqenit, përgjatë bypass-it të sapo-përfunduar.

Ai gjithashtu shton se institucionet kompetente kanë lejuar ndërtimin e infrastrukturave dhe zhvillimin ndërtimor në këto zona, gjë që është në dëm të interesit publik të qytetit, po ashtu edhe të hapësirave të tij, natyrore.

“Duhet të hartohet një plan veprimi mbi zhvillimin e infrastrukturave të gjelbëra dhe hapësirave publike, në mënyrë që të ulet në mënyrë drastike ndotja e ajrit dhe e nivelit të zhurmave e smogut në qytete”, përfundon zoti Sokoli, duke shtuar se, si potencial kryesor për këtë duhet të shikohen donacionet nga Bashkimi Europian, i cili ka bërë hapa konkretë në këtë drejtim, si dhe është i gatshëm të mbështesë vendet, të cilat duan të kenë progres në zbatimin e agjendës së gjelbër europiane.

 

Ky shkrim është pjesë e projektit Laboratori i Gazetarisë Investigative, që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.
What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter