Katastrofa në Lushnje: Flakët që nuk i shuajtëm dot

Autore: Ina Allkanjari

Rrënojat e qendrës “Metropol” në Lushnje janë një këmbanë alarmi për tragjedi të tjera. Ngjarja që fatmirësisht mbaroi pa viktima, por shkaktoi humbje të mëdha për bizneset dhe pronarët ka nxjerrë në pah mungesën e zbatimit të ligjit për mbrojtjen nga zjarri dhe mungesën e pajisjeve të zjarrfikësve për të ndërhyrë në kohë dhe me efikasitet.

Askujt nuk ia priste mendja që të ndodhte kjo gjë, por ja që ndodhi”.

Besim Myftari është një prej qytetarëve të qytetit të Lushnjes, i cili flet për panikun e përjetuar mesditën e 25 Dhjetorit, teksa flakët gllabëronin qendrën tregtare ‘Metropol’. Djali i tij 27-vjeçar ndodhej në ambientet e qendrës në momentin që zjarri përshkoi godinën.

Djali sëbashku me fëmijët e tjerë dolën me vrap. Djali im ishte me moshatarët e vet, por kishte edhe që fëmijë, 2, 3 5 vjecc që luanin aty. Kur kanë dale, me vrap, njerëzit janë rrëzuar në shkallë. Katastrofë. Të gjithë vinin për të shuar zjarrin dhe nuk shuhej”, thotë Myftari.

Një muaj pas zjarrit qendra tregtare, e ngritur në mes të qytetit të Lushnjes, i ngjan një rrënoje. Me rreth 300 biznese kjo qendër operonte prej vitit 2007, duke mundësuar punësimin e mbi 500 punonjësve. Pronarët e bizneseve të dëshpëruar tregojnë jashtë kamerave se dëmet janë kolosale dhe rimëkëmbja i duket një iluzion. Të paqartë se kur kjo qendër do të mund të jetë sërish funksionale, ata thonë se humbja kap vlerën e miliona lekëve.

Kunata ime kishte dy dyqane që i kishin nuset dhe djemtë që punojnë në Itali dhe e furnizuan dyqanin një ditë përpara zjarrit. 40 milionë lekë mall. Tani mbaruan, nuk ka më. Kur të niset e dyta, ta fillojnë nga e para, por që ta fillosh nga e para është zero”, thotë Besim Myftari.

Ndërsa endemi rreth rrënojave të shkaktuara nga zjarri, banorët e dy kullave me nga 12 kate secila, të cilat ndodhen ndërmjet qëndres tregtare ngurrojnë të flasin. Pronarët e bizneseve të ulur në kafenenë krahë qendrës flasin për humbjen e investimit “të një jete”

Xhezmi Metushi, kreu i zjarrfikëses në bashkinë Lushnje, thotë për Sinjalizo se nëse një biznes është i siguruar mund të marrë kompensim, por kur ka kaluar një muaj nga ngjarja e rëndë asnjë prej bizneseve nuk është paraqitur për të marrë vërtetimin e zjarrit.

Këtu kanë ardhur dy familjarë të cilët kanë marrë vërtetimin e zjarrit, biznese jo, nuk më kanë ardhur deri tani. Vërtetimin e përdorin sipas dëshirës së tyre, por një mundësi është që këto që janë familje marrin kompesim nga bashkia”, tha kreu i zjarrfikëses.

Ligji për mbrojtjen nga zjarri, sa zbatohet

Ligji nr. 152 i vitit 2015 përcakton qartë se si bëhet klasifikimi i objekteve përsa i përket mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi. Në ligj specifikohet se një qendër tregtare fillimisht duhet të ketë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Këto dokumenta nisin që me fillimin e objektit, ku përgatiten dosjet e posaçme për mbrotjen nga zjarri. Më tej në bazë të projektit të mbrojtjes nga zjarri që përgatitet nga inxhinier i licensuar fillojnë të pajisen me pajisje të mbrojtjes nga zjarri të gjithë bizneset. Por çfarë ndodhi në qendrën ‘Metropol’, sa e përgatitur ishte kjo godinë, pavarësisht parashikimeve në ligj?

Kreu i zjarfikëses Xhezmi Metushi tregon se pajisjet fillojnë që nga gjëja më elementare që është fikësja e zjarrit dhe deri te shkallët e emergjencës që duhet të ketë një objekt i caktuar, të cilat thekson se kësaj qëndre i mungonin.

Nëse qendra Metropol do të kishte shkallë emergjence do të ishte akoma më e lehtë qoftë për banorët për të dalë, por edhe për njerëzit. Pavarësisht se nuk patëm viktima. Por duhet të kishte patjetër shkallë emergjence. Pajisja e të gjithë bizneseve që punojnë atje me mjete të mbrojtjes kundër zjarrit. Secili biznes duhet të përpilojë projektin e mbrojtjes nga zjarri, pavarësisht se janë në një të tërë”, thotë kreu i zjarrfikëses.

Nebi Muçaj, Drejtor i Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile ngre të njëjtin shqetësim për Sinjalizo. Sipas tij qendra tregtare është një prej objekteve të cilat nuk ka ndërmarrë masat e duhura për mbrojtjen nga zjarri.

Me atë që pamë është e dukshme që aty mungonte shkalla emergjence, mungonin depozitat e ujit të cilat me ligj duhet të jenë në çdo industri ose në çdo qender tregëtare. Duhet të ketë hidrantët si brenda objektit ashtu edhe jashtë objektit”, tregon Drejtori i Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile.

Muçaj thotë se bizneset nënvlerësojnë pjesën e emergjencave të zjarrit.

“Sigurisht që edhe qytetarët duhet të jenë më të ndërgjegjshëm, duhet të futet edhe si kulturë që atë stenitorin që është aty anës shkallës, te korridori ose te dhoma ku ka rënë zjarri, ta marrë ta përdori pa pasur hezitim, për shuarjen e një vatre të vogël zjarri. Nëse shuajmë një flakë të vogël, evitojmë një rrezik të madh”, thotë Nebi Muçaj.

Zjarrfikësit me mungesë efektivi dhe pajisjesh

Ndonëse në ligjin nr. 152 të vitit 2015 specifikohet që në çdo 1500-2000 banorë duhet të jetë një zjarrfikës profesionist, ky realitet duket shumë larg në këtë qytet ku aktualisht rezultojnë të jenë vetëm 12 zjarrfikës. Pavarësisht kërkesave të zjarrfikëses Lushnje për shtim efektivi, rezultati mbetet po i njëjtë. Lushnja ka 120 mijë banorë.

Mungesës në personel i shtohet edhe mungesa e mjeteve të nevojshme të zjarrfikëseve. Qytetarët e Lushnjes të cilët banojnë në godina të larta janë të pambrojtur në situata zjarri,  pasi zjarrfiksja nuk disponon autoshkallë, një mjet thelbësor për shuarjen e zjarreve në lartësi.

Ne për mjetet që kemi e kemi shumë të vështirë për zjarret në lartësi, flasim mbi katet e pesta ose mbi 15-20 metra lartësi. E kemi shumë problematike kur kemi zjarre të tillë, sepse nuk disponojmë mjete për të luftuar zjarret në lartësi”, thotë Xhezmi Metushi, kreu i zjarrfikëses në bashkinë Lushnje.

Gjithçka çfarë disponojnë efektivët zjarrfikës në këtë bashkia janë dy mjete zjarrfikëse konkretisht një mjet me 2 mijë litra ujë dhe një me 200 litra ujë.

Beteja me flakët të cilat përfshinë qendrën tregtare ‘Metropol’ zgjati përafërsisht 10 orë. Zjarrfikësja me autoshkallë mbërriti pranë qendrës pas 8 orësh “luftë” me flakët. Ishte pikërisht mungesa e një autoshkalle nga zjarrfikesja e Lushnjes e cila e bënte të vështirë shuarjen e zjarrit ndërsa zjarrfikësit hidhnin ujë nga kati i parë për në katin e katërt të qendrës që ishte duke u shkrumbuar.

Çfarë do të kishte ndodhur ndryshe nëse do ishin mjetet e duhura

Kreu i zjarrfikëses Xhezmi Metushi thotë se kjo tragjedi mund të ishte parandaluar nëse do të dispononin mjetet e duhura, si autoshkallë apo pajisje të tjera të nevojshme.

Bashkë me kryetarin e bashkisë vjet bëm tentativa për të blerë një autoshkallë, nuk e arritëm dot. Njoftimi në kohë dhe veprimet tona më të shpejta dhe duke pasur edhe një mjet të tillë, besoj se duhet të ishte lokalizuar”, tregon Metushi.

Forcat zjarrfikëse në Lushnjë u ballafaquan me sfidë të madhe gjatë përpjekjeve për të frenuar përhapjen e flakëve. Kapacitetet e kufizuara të zjarrfikësve bënë që kjo ngjarje të kishte një ndikim më të thellë, duke shfaqur një nevojë urgjente për investime dhe përmirësime në sistemin zjarrfikës lokal. Ngjarja është një mësim edhe për banorët dhe bizneset që të reagojnë më mirë ndaj emergjencave.

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2024 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Newsletter