Parku i Vjosës dhe i Valbonës, të pambrojtur nga dora e njeriut

Autor: Dallandyshe XHAFERRI

Lumenjtë e gjallë janë zhdukur pothuajse plotësisht në Evropë, kështu që krijimi i Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa sipas standardeve më të larta ndërkombëtare do të jetë një arritje historike. Do të jetë një nga arritjet më të mëdha të lidhura me ruajtjen e natyrës në Evropë ndër dekada. Ky rrugëtim duket si një dhuratë nga Shqipëria për Planetin. U desh më shumë se një dekadë për të arritur në këtë pikë”, kështu përshkruhet Parku Kombëtar i Lumit të Vjosës, në studim të fizibilitetit. Lumi i Vjosës është lumi më i madh në Shqipërinë jugore dhe i dytë pas Drinit, me gjatësi 272 km. Ekosistemi natyror u shpall “Park Kombëtar”, kategoria e 2-të, pas 12 vitesh luftë ligjore, midis shoqatave mjedisore dhe vendimeve për ngritje të hidrocentraleve.

“Ç’bëni? Ejani se iu shpie unë aty ku ndotet Vjosa”,- kështu nisi bashkëbisedimi më Asijen, banore e Memaliajt, dikur me profesion gjeologe.

“Ja, e shihni këtë tubin këtu? Këtu derdhen ujrat e zeza të Memaliajt, ndërkohë që ai burri aty, 5 metra më tutje po peshkon,”- tregon Asija, duke treguar, se pavarësisht statusit ende ekosistemi i lumit të fundit të egër në Evropë përballet me ndotjet. “Nuk përdoret asnjë filtër. Ç’bëhet në qytet, hidhet këtu”,- përfundon ajo për “Sinjalizo”.

Derdhja e ujërave të zeza në lumin Vjosë, Memaliaj

Ndërkohë, 50 km më tej, në Përmet, Kejda Prendi, e diplomuar në Master Shkencor për Menaxhim Mjedisor Urban, bën të ditur për “Sinjalizo”, rezultatet e kampionit të ujit të marrë nga kalimi i Vjosës në Përmet.

“Në Përmet kemi një gjendje të lartë të lëndëve të ngurta me 33.33 mg/l. Kloruret dhe sulfatet gjithashtu me shifra që e kalojnë standardin. Nitritet dhe nitratet si dhe bikarbonatet janë gjithashtu mbi standard”,- thotë Prendi, duke nënvizuar, se e kundërta ndodh me oksigjenin, i cili “është në një gjendje të varfër dhe përbën rrezik për gjallesat”,- përfundon ajo.

Vjosa betejë me HEC-et për disa vite

Besjana Guri, pjesë e zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në ‘EcoAlbania’, tregon për “Sinjalizo” se për ta beteja për mbrojtjen e lumit Vjosa nisi publikisht në vitin 2014, “ndërsa studimet paraprake në lidhje me gjendjen e saj natyrore dhe kërcënimet, filluan në vitin 2012”,- tregon guri.

“Gjatë eksperiencës tonë disavjeçare me çështjen e Vjosës, kemi patur mundësinë të bisedojmë me vendimmarrësit, por jo në nivelin që ne do të kishim dashur, pasi për vite me radhë, që nga 2016 deri në 2021 jemi ndeshur me indiferentizmin e Qeverisë kundrejt kërkesave tona”,- kujton Guri, ndërkohë që thekson se pas këmbënguljeve të vazhdueshme “fatmirësisht, më 2022, u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi, e cila u finalizua me shpalljen e lumit Vjosa dhe degët e tij me rrjedhje të lirë, si Park Kombëtar”,- thotë ajo.

Ndërkohë, avokati Vladimir Meçi, tregon se beteja ligjore e ruajtjes dhe mbrojtjes së Vjosës nisi në periudhën 2016-2017, “kur u paraqit një padi në gjykatën e Shkallës së Parë Administrative në Tiranë për deklarimin e pavlefshmërisë së kontratës koncesionare”. Në atë kohë, 38 banorë të fshatit Kutë të Mallakastrës, përfaqësuar nga Meçi, kundërshtuan në gjykatë ndërtimin e hidrocentralit të Poçemi. Ky ishte një lajm shumë i gëzuar sepse ishte hera e parë që qytetarët fitonin kundër një veprimi arbitrar të shtetit”,- tregon Meçi. Ndërsa, në vitin 2016 tenderi për ndërtimin e HEC-it të Poçemit u fitua pa garë nga kompania turke “KOVLU ENERGJI”, që kishte fituar më herët një bonus nga Qeveria prej 8% të pikëve si kompani propozuese.

“Beteja e dytë ligjore lidhet me hidrocentralin e Kalivaçit, pasi Qeveria rihapi procedurat për rindërtimin e hidrocentralit që ishte kundërshtuar më parë”,- tregon Meçi, duke shtuar se zhvilluesi i hidrocentralit ‘AYEN-ALB’ sh.a “s’kishte bërë një studim të tij por ishte bazuar në studime të bëra nga ekspertë të fushave të ndryshme”,- citon avokati për “Sinjalizo”.

Vjosa fitoi betejën me HEC-et, por jo luftën me ndotjen

“Me shpalljen e Vjosës Park Kombëtar, mund të them se është mbyllur një etapë e rëndësishme dhe është hapur nje etapë e re e punës tonë për Vjosën. Tashmë jemi të fokusuar në mirëfunksionimin e parkut dhe se si do të menaxhohet ai në të ardhmen”,- thotë Besjana Guri, duke pranuar se mbështetja nga partnerët ndërkombëtarë mundësoi raportimin për Vjosën në mediat ndërkombëtare.

“Një ndër më të rëndësishmit për sa i përket ndërgjegjësimit publik është edhe mbështetja nga Leonardo Di Caprio, i cili që nga viti 2019, na ka mbështetur vazhdimisht”,- përfundon Guri. Ndërkohë, për avokatin Meçi, betejat mjedisore mbeten më të vështirat.

“Janë të vështira sepse është skenë publike që nuk u përket vetëm bashkëkohësve por edhe brezave te ardhshëm”,- përfundon ai, duke nënvizuar kohën e gjatë, më shumë se një dekadë, që beteja ligjore për Vjosën të merrte fund. Por, Vjosa ende nuk ka fituar betejën me ndotjen.

Kejda Prendi thotë për “Sinjalizo” se nga analizat e kampioneve që ajo ka mbledhur nga rrjedhja e Vjosës në Këlcyrë, Memaliaj,  rezulton se lumi i Vjosës është i ndotur. “Lëndët e ngurta janë në rritje, kloruret, sulfatet por edhe më problematik shfaqet oksigjeni i cili vjen në ulje krahasuar dhe me stacionin e parë (Përmetin). Alkaliniteti dhe bikarbonatet gjithashtu shfaqen me vlera të larta mbi standard nga 50 mg/l në 225 CaCo3 dhe 274.5 mg/l HCo3,”- përfundon Prendi.

Parku i Valbonës, sërish i pashpëtuar

Por, me ndotjen dhe hidrocentralet po përballet edhe Parku Kombëtar i Valbonës. 4 vite më parë, më 2019, Center for Human Rights në raportin e titulluar “Komunitete nën presion”  shkruante se “Situata në Valbonë ishte përfaqësuese e ‘hidrocentralizimit’ të Shqipërisë dhe  Ballkanit Perëndimor”,- përshkruhej në raport,  kur theksohej se, nuk dihej një numër konkret i hidrocentraleve, “shifrat zyrtare të Qeverisë numëronin nga 440 deri në 540 kontrata për ndërtimin e hidrocentraleve, prej të cilave nga 96 deri në 147 ishin të ndërtuara dhe aktive”. Ndërsa në raportin e hartuar 1 vit më parë, në gusht të 2022, nga Ulrich Schëarz dhe Fluvius Vienna të titulluar “Hydropower Projects on Balkan Rivers”,  citohet:“Shqipëria mbetet një nga vendet më të zhvilluara përsa i përket hidrocentraleve, edhe pse vitet e fundit paraqet një zhvillim të ngadaltë. Fatkeqësisht, shumë projekte janë zhvilluar lumë për lumë, kryesisht në pellgun verior të Drinit dhe të Matit”.

Teodor Gjerga, turist besnik i Parkut Kombëtar të Valbonës thotë për “Sinjalizo” se ”përveç HEC-eve, Valbonës nuk i mungojnë as ndërtesat e shtuara vit pas viti. Kam qenë i vogël kur kam ardhur për herë të parë këtu, në fillim të viteve 2000. Valbona ka ndryshuar shumë. S’mund të them që ka humbur bukurinë, por këto vitet e fundit janë shtuar shumë godinat”,- tregon Teodori,  duke shtuar se rritja e numrit të turistëve ka ndikuar në ndotjen e ambjentit. “Te ‘Syri i Kaltër’ sheh plastikë jashtë koshave dhe ky është boomerang-u i ardhjes së shumë turistëve”,- përfundon rrëfimin e tij  për “Sinjalizo” Teodori.

 

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.