Autore: Bleona Zela
Pavarësisht premtimeve të përsëritura dhe kontratave të kushtueshme, Durrësi vazhdon të përballet me probleme të mëdha në menaxhimin e mbetjeve urbane, duke shkaktuar pakënaqësi mes banorëve, bizneseve dhe turistëve
Ndërsa nisesh dhe vendos të kalosh një pasdite në qytetin turistik të Durrësit, ndër gjërat që të bien në sy nga peizazhi, që ky qytet të ofron, janë edhe mbeturinat urbane kuturu.
Ndonëse kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, që në vitin 2021 iu premtoi banorëve të qytetit bregdetar se mbeturinat do të depozitoheshin në landfille të miratuara, si dhe do të përdorej çdo mjet teknik e ligjor për të larguar mbeturinat nga qyteti, edhe pas lidhjes së një kontrate të majme me landfillin e Kasharit, situata vazhdon të mbetet e njëjtë.
Gjenerimi i mbetjeve dhe mospasja dhe zbatimi i një plani të mirëfilltë nga bashkia bën që kjo çështje të kthehet ne kaos, sidomos në sezonin veror, kur është pika kulminante e turizmit për këtë qytet.
Banorët dhe bizneset shprehen të pakënaqur nga menaxhimi i bashkisë, ku problematikat e tyre nisin që nga mosrespektimi i mbledhjes së mbetjeve në orar nga bashkia dhe deri te higjiena e koshave dhe ambientit ku mbetjet grumbullohen.
Elvira, e cila jeton prej 20 vitesh në zonën e Plepave në Durrës, thotë se bashkia nuk është e rregullt në mbledhjen në orar, ka mungesë koshash, por, edhe ata që janë, janë të vjetër, të rrëzuar dhe mbajnë erë të keqe.
“Nuk pastrohen, për sa kohë unë jam banore e kësaj lagjeje. Koshat nuk janë ndërruar prej kohësh”, – thotë ajo.
Një qytetar, rreth të 50-ave, në zonën e Urës së Dajlanit, thotë: “Bashkia t`i shikojë më shpesh lagjet tona. Ne nuk informohemi asnjëherë për mbetjet, vetëm në rastet kur ata bëjnë aktivitete për përfitimet apo për fushatat e tyre”.
Ndërkohë që një nga menaxherët e biznesit po në këtë zonë thotë se pika kulminante arrin në sezonin veror.
“Shpesh detyrohemi që mbeturinat e mbledhura t’i dërgojmë vetë në pikat e grumbullimit apo në koshat e caktuar, pasi bashkia nuk është korrekte, që të vijë dhe t`i marrë ato.”
Sipas ekspertit të menaxhimit të mbetjeve për Shqipërinë, për Kosovën dhe për vendet në zhvillim, Lulzim Baumann, faktori kryesor i këtij problemi vjen si pasojë e menaxhimit bazik që bashkitë ofrojnë.
“Menaxhimi i mbetjeve në të gjithë Shqipërinë vazhdon të mbetet akoma një ndër sfidat më të mëdha. Akoma mbi 10% e mbetjeve hidhen ilegalisht në natyrë, digjen ose flaken në lumenj, duke përfunduar në det. Në rastin Durrësit, i cili është një ndër qytetet më të mëdha të Shqipërisë, por edhe pikë atraksioni për turistët, ku sasia e mbetjeve është në tonelata, përgjegjëse kryesore shikoj bashkinë”, – thotë ai
“Nëse nuk merren masat e duhura, do të jemi përsëri në kaosin që jemi sot, ku ende në vitin 2024 bashkitë nuk kanë një plan të mirëfilltë menaxhimi”, – thotë Ornela Çuçi, eksperte e mjedisit.
Plane të vjetra, probleme më të vjetra
Bashkia e Durrësit në Planin e Menaxhimit të Mbetjeve të qytetit kishte planifikuar për periudhën 2010-2025 që qytetit i nevojitet një kapacitet asgjësues për 2,1 milionë tonë mbetjesh të ngurta, bashkiake dhe se gjatë 20 viteve të ardhshme kishte vendosur që të kalohej në riciklim, duke ulur sasinë e mbetjeve për asgjësim.
Gjithashtu, bashkia kishte planifikuar një landfill sanitar (pa trajtim), dhe një trajtim mekanik, biologjik (landfilli me TMB), si dhe ngritjen e një landfilli të ri, të dedikuar. Por, pas shpalljes së emergjencës të gjitha mbetjet vijojnë të dërgohen në landfillin e Sharrës, Tiranë me një kosto të lartë për qytetarët, një kosto që shpeshherë është edhe më e lartë se depozitimi i mbetjeve në shumë qytete të BE-së.
Më 24 qershor 2020, kryebashkiakja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, në një prononcim për mediat tha se do të kryhet një analizë e detajuar për menaxhimin e mbetjeve në qytet.
Pas shpalljes së emergjencës mjedisore në Durrës, bashkia duket se ka gjetur një zgjidhje provizore, por tashmë jetëgjatë, për depozitimin e mbetjeve: lidhja e një kontrate 6-mujore me koncesionarin e Sharrës, por detajet e saj nuk janë bërë publike. Megjithatë, sipas çmimeve të vetë koncesionarit, Bashkisë së Durrësit do t`i kushtojë rreth 260 mijë euro në muaj depozitimi i mbetjeve në Sharrë, duke pasur parasysh se prodhon mbi 100 mijë tonë mbetje në vit.
Pas një procedure tenderimi pa konkurrencë dhe me negocim paraprak, më 08.10.2021, Bashkia e Durrësit lidh kontratën e shërbimit të depozitimit të mbetjeve urbane me kompaninë Integrated Energy BV SPV, me një vlerë totale prej 1,351,242,240.00 lekësh.
Nga faturat e shlyera të shërbimit të depozitimit të mbetjeve urbane të Bashkisë së Durrësit pranë landfillit të Sharrës vërehet se, vetëm për vitin 2023 shuma e paguar për këtë shërbim i ka kushtuar qytetit 277,463,118 lekë. Kësaj shume i shtohen edhe 226,342,085 lekë, të cilat shkojnë për pagesën e rrogave dhe të sigurimeve të stafit të shërbimit të grumbullimit dhe të transportit të mbetjeve urbane dhe për shpenzime të tjera.
Megjithëse gjithçka në letër duket në rregull, një auditim i kryer nga KLSH (Kontrolli i Lartë i Shtetit) në vitin 2023, gjeti që bashkia, si autoritet kontraktues, nuk ka kryer asnjë verifikim të sasisë së mbetjeve urbane, të depozituara pranë landfillit të Sharrës, por është mjaftuar me faturat financiare, të lëshuara nga koncesionari, duke ngritur kështu mundësinë e krijimit të një dëmi ekonomik.
Pavarësisht shpenzimeve të majme për shërbimin e pastrimit të qytetit, gjatë bisedave me disa qytetarë dhe biznesmenë në lagje të ndryshme të zonës së Durrësit mbi situatën e menaxhimit të mbetjeve, ata shprehen se janë të pakënaqur nga bashkia, sidomos gjatë sezonit turistik, kur dhe popullsia e qytetit shumëfishohet,
“Gjatë verës mbeturinat bëhen të shumta, pasi kalimtarët apo turistët përdorin koshat e lagjeve për t’i hedhur mbeturinat dhe në këto raste koshat mbushen plot dhe bashkia duhet të vijë më shpesh në të tilla raste ose të shtojë koshat, por dhe ky është problem, pasi rrugët janë të ngushta”, – tha një banor i zonës së Urës së Dajlanit.
Gjithashtu, një tjetër problem, që hasin banorët e qytetit të Durrësit, është edhe papastërtia e koshave apo era e keqe, që vjen si pasojë e grumbullimit të mbetjeve për një kohë të gjatë.
“Mbledhja e mbeturinave duhet të jetë më e shpeshtë ose gjatë mbledhjes së mbeturinave koshat duhet të pastrohen apo të dezinfektohen, pasi era e koshit krijon mjaft shqetësime, kur ne kalojmë edhe me qeset e ushqimeve me vete apo duke çuar fëmijët në shkollë”, – thotë e shqetësuar një banore e lagjes Rruga Adria.
Ndërsa bizneset shprehen se kanë akoma më shumë nevojë që bashkia të bëjë mbledhjen e mbeturinave më shpesh gjatë sezonit turistik.
“Shumë pak mbështetje kemi nga bashkia, shpesh në rastin e mbetjeve detyrohemi që mbeturinat e mbledhura t`i dërgojmë vetë në pikat e grumbullimit apo në koshat e caktuar, pasi prodhojmë me sasi të mëdha dhe bashkia nuk është korrekte, që të vijë dhe t`i marrë ato”, – thotë menaxheri i një biznesi pranë Bulevardit Dyrrah.
Por, kjo neglizhencë mund të krijojë dhe kushtet për sëmundje të ndryshme, infektive.
Doktor Pipero thotë se, për shkak të ndotjes së mjedisit ne jemi të ekspozuar ndaj sëmundjeve, nga ato ngjitëse, deri te sëmundjet e rrezikshme.
“Ndotja e mjedisit, si ajri, uji, toka, është e lidhur me njeriun dhe mund të transmetohen sëmundje deri vdekjeprurëse. Ndotja e mjedisit dhe e ajrit mund të na ngjisë viruse, si gripin, fruthin dhe shumë sëmundje ngjitëse. Disa sëmundje të lidhura janë kanceri, sëmundjet e zemrës, sëmundjet e mushkërisë, astma, bronkiti, pneumonia.”
Ndërsa banorët nuk kanë ende një taksë të mirëfilltë për menaxhimin e mbetjeve, ata paguajnë taksën e gjelbërimit 150 lekë në muaj. Bizneset, nga ana tjetër, kanë një tarifë vjetore për pastrimin dhe largimin e mbeturinave nga biznesi, e cila shkon rreth 5,000 lekë në vit.
Problematikat e mbetjeve urbane janë të shumta, jo vetëm në zonat kryesore të qytetit, si zona e Urës së Dajlanit dhe zona e Plazhit, por zonat periferike, si ajo e kënetës, janë akoma më të prekura ndaj këtij problemi.
Bizneset në këto zona thonë se taksat janë shumë të larta kundrejt shërbimit që marrin.
Ajo që duket, është mungesa e koshave dhe bizneset, që gjenerojnë sasi të mëdha mbetjesh, janë të detyruara t`i dërgojnë disa kilometra tutje, në pika grumbullimi.
I pyetur për këtë problem, z. Bardhi, banor i zonës për më shumë se 30 vite, thotë se kurrë nuk është pyetur më parë për këtë problem. Mbledhja e mbeturinave bëhet sipas dëshirës së bashkisë dhe se nuk ka një ditë të caktuar.
“Edhe vijnë, edhe nuk vijnë, sipas qejfit të tyre.”
Në zonat rurale të Durrësit banorët shprehin si problem kryesor mungesën e koshave.
“Duhet të vendosin sa më shumë kosha, këta vijnë dhe i heqin dhe të gjithë detyrohemi t`i hedhim mbetjet në një kazan të vetëm!”, – thotë një banore e zonës.
Por, çfarë mund të bëhet?
Ornela Çuçi, eksperte për mjedisin, sheh si zgjidhje vendosjen e një tarife: “Shërbimi i pastrimit të qytetit, i pastrimit të mbetjeve apo i gjithë sistemi i integruar i menaxhimit të mbetjeve duhet të funksionojë si një tarifë në çdo bashki, ashtu sikurse paguajmë dritat apo ujin. Kjo nuk është një taksë, është një tarifë, e cila duhet të vendoset për çdo qytetar, e kalkuluar në VKM e kostove të tarifës. Shumë pak prej bashkive e zbatojnë këtë VKM, ndaj dhe bashkitë ngelen gjithmonë pa të ardhura për ta ushtruar këtë funksion.”
Ndërsa eksperti për menaxhimin e mbetjeve, Lulzim Baumann, sugjeron që hapi i parë të jetë ndarja e mbetjeve që në shtëpi.
“Praktika më e mirë është ndarja e mbetjeve në burim. Në momentin që ndahen mbeturinat në burim, kemi materiale të riciklueshme, për t’i përdorur sërish. Praktikë tjetër më e mirë, duke u bazuar dhe në hierarkinë e mbeturinave, është normalisht reduktimi i mbeturinave. Ekspertët thonë se mbeturina më e mirë, është ajo mbeturinë, që nuk prodhohet fare”, – shprehet ai.
Bashkia e Durrësit duhet të bashkëpunojë me Ministrinë e Mjedisit për reduktimin e mbeturinave, ku shembull mund të marrim mosprodhimin e qeseve me një përdorim apo mosprodhimin e materialeve të ndryshme, të cilat mund të përdoren për riparim”, – thotë Baumann.
Ndërkohë që në Parlament ndodhet një projektligj për ndryshime në Ligjin për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, deri në datën e publikimit të këtij shkrimi Bashkia e Durrësit ende nuk ka një plan afatgjatë për menaxhimin e mbetjeve të qytetit, përtej atij të depozitimit në landfillin e Sharrës, dhe nuk ka dhënë ende asnjë koment në lidhje me hartimin apo zbatimin e një plani të përditësuar.
Ky shkrim është pjesë e projektit Laboratori i Gazetarisë Investigative, që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.