Ida Ismalaj
Pas premtimesh dhe zvarritjesh, projekti i shumëpritur i hekurudhës moderne Tiranë–Durrës hyn në një tjetër fazë vendimtare. Pasagjerët që do të udhëtojnë me tren nga Tirana për në Durrës apo në Rinas do të nisen nga ish-stacioni historik i trenit në Bulevardin e Ri. Ky i fundit do të shërbejë edhe si stacioni i fundit i mbërritjes për ata që nisen nga qyteti bregdetar.
Hekurudha Shqiptare ka hapur tenderin për ndërtimin e rreth 4 kilometrave linjë të re hekurudhore, që parashikon dy ndalesa të reja urbane, ura, mbikalime, ndërsa afati i punimeve është 24 muaj nga shpallja e fituesit.
Fondi limit i projektit është rreth 15.7 milionë euro ose afro 1.5 miliardë lekë. Kontrata është parashikuar me formulën “çelësa në dorë” dhe përfshin ndërtimin e linjës së re hekurudhore, dy ndalesa të reja urbane “Tirana 1” dhe “Tirana 2”, ura metalike dhe betoni, mbikalime dhe nënkalime dhe përfundimin e urës mbi Unazën e Tiranës.
Sipas dokumenteve zyrtare, kompanitë kanë afat deri më 15 qershor për paraqitjen e ofertave, ndërsa fituesi do të ketë rreth 24 muaj kohë për realizimin e punimeve.
“Ndërtimi i linjës Durrës-Tiranë dhe Domje-Rinas krijon një mundësi të madhe për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit tonë. Për këtë arsye, është i domosdoshëm zgjatimi i kësaj linje me 4 kilometra të tjera, nga Tirana Terminali i Transportit Publik (PTT) deri në Bulevardin e Ri të Tiranës, stacioni i ‘Qendra e Qytetit Tiranë’. Kjo zgjatje e linjës do të garantojë transport efikas për pasagjerët dhe do të rrisë atraktivitetin e rajonit për investime dhe turizëm”, thuhet në dokumentet e tenderit.
Por ndërsa projekti hyn në një tjetër fazë zgjerimi, kostot dhe afatet kanë ndryshuar ndjeshëm krahasuar me premtimet fillestare. Nga 69.6 milionë euro që ishte oferta fituese e kompanisë italiane INC S.P.A. në vitin 2020, kostoja totale e projektit ka kaluar tashmë mbi 118 milionë euro, pa përfshirë ende shpenzimet finale të elektrifikimit të plotë të linjës.
Sipas të dhënave të publikuara më herët nga INA Media, shtesat financiare janë justifikuar me rritjen e çmimeve të materialeve, kostove të punës, ndërtimin e urave të reja dhe zgjerimin e projektit, ndërsa një pjesë e fondeve shtesë janë siguruar përmes kredive të reja nga BERZH.
Ndërkohë, afatet e përfundimit kanë ndryshuar disa herë. Kur nisën punimet në vitin 2021, autoritetet deklaronin se linja do të përfundonte brenda verës së vitit 2023. Më pas afati u shty për vitin 2025, ndërsa BERZH dhe Hekurudha Shqiptare flasin tashmë për fillimin e vitit 2026 si objektiv për mbylljen e plotë të projektit, përfshirë elektrifikimin.
Një pjesë e vonesave janë lidhur me procesin e shpronësimeve, ndryshimet në projekt pas hyrjes në fuqi të standardeve të reja sizmike dhe vendimin për ndërtimin e urave të reja në vend të rehabilitimit të tyre. Po ashtu, elektrifikimi i plotë i linjës u shtua më vonë si komponent i projektit.
Të gjithë tenderat kryesorë të projektit ndër vite
Në vitin 2016, projekti u miratua si pjesë e Korridorit Mesdhetar Europian dhe Axhendës së Konektivitetit të Ballkanit Perëndimor. Kostoja totale u përllogarit në rreth 92.1 milionë euro, të ndara në:
- 35.5 milionë euro grant nga WBIF dhe Bashkimi Europian
- 36.9 milionë euro kredi nga BERZH
- pjesa tjetër financim nga qeveria shqiptare.
Projekti përfshinte rehabilitimin e 34.2 kilometrave hekurudhë Tiranë–Durrës dhe ndërtimin e rreth 5 kilometrave linjë të re drejt Aeroportit të Rinasit.
Në tetor të vitit 2019, BERZH shpalli tenderin ndërkombëtar për rehabilitimin e linjës ekzistuese dhe ndërtimin e degëzimit për në Rinas.
Në garë morën pjesë tre kompani:
• STS-KALPATARU JV nga India me ofertë 92.29 milionë euro
• SINOHYDRO-EEB JV nga Kina me ofertë 92.53 milionë euro
• INC S.P.A nga Italia me ofertë 69.7 milionë euro
Pas vlerësimit të ofertave, BERZH në 2020 shpalli fituese kompaninë italiane INC S.P.A me ofertën më të ulët prej 69.7 milionë euro. Kompania italiane është pjesë e grupit FININC Spa dhe konsiderohet një nga kompanitë kryesore të infrastrukturës në Itali.
Ky ishte tenderi më i madh i dhënë ndonjëherë në sektorin hekurudhor shqiptar.
Punimet për linjën Tiranë-Durrës-Rinas nisën zyrtarisht në vitin 2021 dhe sipas projektit trenat do të jenë elektrikë, me një shpejtësi që arrin në 70-100 km/orë. Linja do të shërbejë si për pasagjerë ashtu edhe për mallra.
Autoritetet deklaruan fillimisht se projekti mund të përfundonte brenda viteve 2023-2024.
Në vitin 2024 u hap procedura për ndërtimin e stacioneve, mbikëqyrjen teknike, konsulencën dhe mbështetjen e projektit. Këto procedura u zhvilluan me mbështetjen e BERZH dhe institucioneve europiane.
Në 2025, një tjetër fazë e rëndësishme ishte hapja e tenderit për elektrifikimin e linjës hekurudhore. Procedura u organizua nga BERZH dhe Hekurudha Shqiptare në dy faza:
• Vlerësimi teknik
• Ofertat financiare për kompanitë e kualifikuara
Ky proces konsiderohet thelbësor për vënien në funksion të trenave elektrikë.
Sipas të dhënave të Hekurudhës Shqiptare, mbi 97% e punimeve bazë janë realizuar dhe synimi është që testimet dhe “ndezja e trenave” të nisin në fillim të vitit të ardhshëm.
Megjithatë, me shtimin e segmentit të ri, ende nuk ka një datë përfundimtare zyrtare për mbylljen totale të projektit.
Një tjetër element që ka ngritur diskutime lidhet me kompanitë që po kryejnë punimet në terren. Një pjesë e konsiderueshme e punimeve është realizuar nga kompania shqiptare “Prima Energy”, e cila sipas raportimeve të mëparshme hyri në sektorin e infrastrukturës hekurudhore vetëm pas nisjes së projektit dhe më parë kishte aktivitet kryesisht në sektorin energjetik.
Ndërkohë, institucionet shqiptare janë kritikuar edhe për mungesë transparence lidhur me kontratat, raportet e monitorimit dhe detajet mbi fondet shtesë të akorduara gjatë viteve të fundit. Hekurudha Shqiptare dhe Ministria e Infrastrukturës kanë refuzuar më herët publikimin e kontratave të plota, duke argumentuar klauzola konfidencialiteti.
Hekurudha Tiranë–Durrës-Rinas konsiderohet si projekti më i rëndësishëm i transportit hekurudhor në Shqipëri pas viteve ’90. Objektivi mbetet krijimi i një rrjeti modern hekurudhor, më të shpejtë dhe të integruar me transportin rajonal. Por ndërsa kostot rriten dhe afatet shtyhen, mbetet ende e paqartë se kur qytetarët do të mund ta përdorin plotësisht linjën e re hekurudhore./acqj.al