“Me sytë nga turizmi”, banorët kundërshtojnë koncesionin me shkelje të HEC-eve mbi Shushicë

Mesditën e 30 Majit, një grup shkencëtarësh nga Austria, Gjermania, Shqipëria dhe Italia iu drejtuan lumit të Shushicës për të mbledhur të dhëna multidisiplinore në këtë degë të Vjosës, që do të shërbejnë për të patur një pasqyrë gjithëpërfshirëse mbi vlerat e lumit. E teksa grupi i përbërë nga mbi 50 vetë organizonte javën shkencore, prania e tyre entuziazmoi banorët e zonës, të cilët edhe pse të vetëdijshëm për bukuritë natyrore, asnjëherë nuk kishin parë aq shumë vizitorë njëherësh. “Në fshat na erdhën 50 vetë shqiptarë e të huaj. Ata ishin shumë të mahnitur nga klima, nga uji i kaltër, nga ura, nga gjithçka”, tregon Helidon Kamaj, një banor i fshatit Brataj, në Bashkinë Selenicë. “Ne shpresojmë që pas 100 vitesh vuajtje, të bëhemi njerëz, si gjithë të tjerët”, shton ai, duke iu referuar zhvillimit të turizmit në zonë, pas ndërtimit të rrugës, një investim i kryer së fundmi nga qeveria.

Shkencëtarët në Lumin Shushicë, FotoCredit: EcoAlbania

Ngjashëm me 44-vjeçarin, edhe shumë banorë të tjerë të fshatit, kryefjalë kanë vizitën e shkencëtarëve dhe mundësinë e shfrytëzimit të bukurive natyrore që ofron lumi për zhvillimin turistik të zonës. “Ua paraqitëm edhe shkencëtarëve: Ne duam që Vjosa, bashkë me degët e saj të shpallet Park Kombëtar dhe të vijnë sa më shumë turistë”, thotë Qemal Malaj, kryetar i fshatit Brataj.

Qemal Malaj, kryetar i fshatit Brataj

Por shpresa e banorëve për zhvillimin e turizmit, pas ndërtimit të rrugës, vihet në pikëpyetje për shkak të planeve të qeverisë për zhvillimin e projekteve hidroenergjetike. Kjo pasi, më vitin 2017 Ministria e Energjisë dhe Industrisë firmosi një kontratë koncesioni me shoqërinë “Shushica Hydropower“, për ndërtimin e kaskadës së hidrocentraleve mbi këtë lumë. Pjesë e shoqërisë koncesionare janë kompanitë” GR Albania’, “Alb-Star” dhe “Trema Engineering 2”, ndërsa kaskada përfshin 4 HEC-e, e më konkretisht atë të Drashovicës, Kotes, Gjormit dhe Bratajt, me një fuqi totale të instaluar prej 14.9 MW.

Helidon Kamaj, duke ekspozuar pasionin e peshkimit në lumin Shushicë

Por, sipas Rrjetit të Shoqatave Mjedisore, Vlorë, gara koncesionare numëron një sërë mangësish, ku ndër të tjera subjekti “Trema Engineering 2” është futur në tenderim me statusin financiar “Nën administrimin e Administratës Tatimore”, një procedurë e ndaluar nga ana ligjore. Ndërkohë që, në vitet 2018 dhe 2019 konsorciumi u vu “nën akuzë” nga banorët dhe institucionet vendore për anashkalim të dëgjesave publike, një detyrim ligjor përpara miratimit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, çka u finalizua me pajisjen e kompanisë koncesionare me Deklaratën Mjedisore, që i hapte rrugë zhvillimit të projektit. Sipas dokumentit, që mbante datën 3 shtator 2018, në dëgjesat me publikun “morën pjesë përfaqësues nga komuniteti i zonës, përfaqësues nga pushteti vendor si dhe nga Drejtoria Rajonale e Mjedisit dhe përfaqësues nga studio mjedisore” dhe “nuk pati ndonjë shqetësim nga komuniteti për zhvillimin e këtij aktiviteti”. Por, banorët e fshatit Brataj, 2 javë para nënshkrimit të dokumentit nga autoritetet shtetërore, organizuan protesta, ku kundërshtuan zbatimin e projektit. Sipas Sotir Zahoaliajt, një banor i fshatit Brataj, “kundërshtimet e banorëve u shprehën edhe gjatë dëgjesës së zhvilluar në 2018-ën”, por ai shton se “procesverbalet janë falsifikuar”. “Ne kemi firmosur në një shkresë ku thuhet “morën pjesë këta persona”, pra kemi firmosur për pjesëmarrjen, jo për dakordësi me HEC-et”, thotë Sotiri.

Sotir Zahoaliaj, banor i fshtatit Brataj

Mosdakordësia për vazhdimin e procedurave dhe pajisijen me dokumentacionin e nevojshëm për të zhvilluar këtë projekt, në atë kohë u shpreh edhe nga Bashkia Selenicë, në 2 shkresa për dhënie mendimi për miratimin e VNM-së paraprake dhe asaj të thelluar. Ndër të tjera, në këto shkresa theksohej mungesa e studimit të prurjeve minimale dhe maksimale të lumit, çka gjatë verës rrezikonte tharjen, ndërsa në kohën e prurjeve maksimale, përmbytje të tokave për shkak të shkarkimit të digave.

[sliders_pack id=”5707″]

Riaktivizimi i koncesionit…

Rreth 3 vjet nga pajisja me Deklaratën Mjedisore kompania koncesionare nuk ka nisur ende punimet. Ndërkohë që, sipas ligjit ‘Për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis”, nëse veprimtaria nuk fillon zbatimin në terren brenda 2 vjetëve nga data e miratimit të VNM-së, atëherë këto dokumente konsiderohen të pavlefshme dhe procesi i VNM-së fillon nga e para. Kjo do të thotë se aktualisht ky projekt nuk mund të zhvillohet, por një aplikim i ri pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit në shtator të vitit 2020, ka risjellë në vëmendje ndërtimin e HEC-eve në zonë. Konsorciumi ka depozituar aplikimin për t’u ripajisur me Deklaratën Mjedisore, duke paraqitur edhe përmbledhjen joteknike të projektit. Agjencia Kombëtare e Mjedisit mohoi që kompania të ketë riaplikuar për pajisjen me dokumentacionin e nevojshëm, që do i mundësonte nisjen e zbatimit të projektit. “Ju bëjmë me dije se pranë AKM nuk ka aplikim për procedurat e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, proces ky që kryhet online nëpërmjet sistemit e-leje’, – deklaroi AKM në një përgjigje me shkrim. Por, përveç dokumeneteve të sipërcituar, edhe përfaqësuesit e institucioneve vendore pohojnë se është vijuar me procedurat për pajisjen me dokumentacion. “Unë di që janë sjellë dokumentet në bashki, por kryetari ka refuzuar të firmosë”, thotë nënkryetari i Bashkisë Selenicë, Irfan Durmishi. Vetë shoqëria koncesionare ishte e paarritshme për një koment.

“Po iku lumi, e merr lumi gjithë Labërinë”

Nexhip Seraj, banor i fshtatit Brataj

Ndërkaq, banorët thonë se do të kundërshtojnë deri në fund ndërtimin e këtyre hidrocentraleve. “Unë i kam tokat afër lumit dhe i vadit me ngritje mekanike nga lumi. I kultivoj me misër dhe jonxhë për bagëtitë. Me këto mbaj familjen: gruan, 2 djemtë e vegjël dhe 2 prindërit e moshuar. Është burimi kryesor i të ardhurave”, thotë Helidon Kamaj. “Ndërtimi i hidrocentraleve është fiks si ajo fjala që përdoret shpesh këto kohë: Masakër. Tani u bë gjithë kjo rrugë për t’u kthyer në zonë turistike dhe ne të nisim të bëjmë HEC-e?!”, shton ai. Në të njëjtën linjë është edhe bashkëfshatari i tij Nexhip Seraj. “Nëse bëre një rrugë, nuk do të thotë që të thash një lumë. Nëse shtrati i lumit të Shushicës thahet, nxehtësia e zallit do të jetë e tmerrshme. Pastaj që do të zhvillohen gjithë zvarranikët helmues, bimësia do të zhduket”,thotë Nexhipi. “Po iku lumi, e merr lumi gjithë Labërinë”, shton ai.

Kryetari i fshatit Brataj, Qemal Malaj thotë se ndërtimi i hidrocentraleve do të cenojë të gjithë burimet e të ardhurave për banorët. “HEC-et për ne janë katastrofike: Ne na ikën lumi dhe ne s’kemi më as bimësi, as mikroklima, as për bagëtinë, asnjë resurs tjetër, por as edhe për turizmin që ne pretendojmë të zhvillojmë”, thotë Malaj. “Banorët vetëm me këto burime jetojnë, ai lumë është baza e jetesës për zonën tonë, ne s’kemi asgjë tjetër. Edhe ato toka që kemi në fushë, në sajë të atij lumi i mbajmë”, shton ai. Banorët e fshatit Brataj nuk janë të vetmit që kundërshtojnë ndërtimin e HEC-eve mbi Shushicë. Sipas një sondazhi të realizuar nga “Vizioni i Gjelbër”, që është Rrjeti i Organizatave Mjedisore Vlorë, 97.7% e banorëve që jetojnë në fshtatrat që do të preken nga ndërtimet e këtyre hidorcentraleve janë kundër zhvillimit të projekteve.

Anketimi, që u realizua përgjatë muajve nëntor-dhjetor 2018, përfshiu 520 banorë të fshtrave Brataj, Lepenicë, Gjorm, Kote, Lapardha, Vodicë, Mavrovë dhe Drashovicë, por prej tyre, vetëm 13 persona, apo 2.3% e të anketuarve u shprehën ‘pro’ ndërtimit të hidrocentraleve. Ndërkaq, edhe administrata aktuale e Bashkisë Selenicë qëndron në krah të këtyre banorëve, duke kundërshtuar HEC-et. “Marrja e ujit me anë të një tubi, siç është parashikuar në projekt nga Brataj deri në afërsi të Gjormit, anashkalon 2-3 fshatra, të cilët i nxjerr jashtë loje sepse mbeten pa ujë”,-thotë nënkryetari i bashkisë. “Ju e shikoni në këtë periudhë që jemi sesa ujë ka lumi. Ne jemi në muajin qershor dhe supozohet që HEC-et do të jenë në punë. Atëhere i bie që aty s’do të ketë më ujë”,shton ai.

Konfliktet me komunitetin…

Sipas ekspertit të mjedisit dhe Drejtorit Ekzekutiv të organizatës “EcoAlbania”, Olsi Nika “këto projekte do të dëmtonin në mënyrë të pakthyeshme një nga degët më të rëndësishme të basenit të Vjosës, duke sjellë humbje të jashtëzakonshme të biodiversitetit të gjithë basenit”. “Kjo për arsye se degë të tilla si Shushica janë në fakt “materniteti” i specieve të troftave, por janë mjaft të rëndësishme edhe për shumë lloje te tjera”,-shpjegon më tej ai. Për këtë arsye, EcoAlbania nuk ka përjashtuar edhe rrugën gjyqësore si alternativë për kundërshtimin e ndërtimit të këtyre HEC-ev. “Ne kemi qenë prezent në zonë që në 2018-ën e në vazhdim, duke mbështetur komunitetin në organizimin e mobilizimit të tyre në të gjitha format demokratike: Në përpilimin e peticioneve, kërkesave të ankimimit administrativ e deri te angazhimi i përbashkët për t’i kundërshtuar këto projekte në rrugë gjyqësore”,-bën me dije Nika.

Konfliktet për shkak të miratimin të projekteve të ngjashme, pa u konsultuar me komunitetit nuk kanë qenë të pakta, ndërkohë që ekspertët thonë se nëse vijohet me neglizhencën e qëndrimit të banorëve, atehëre kjo situatë dëmton të gjitha palët. Ermelinda Mahumutaj, nga qendra mjedisore “Eden” i krahason komunitetet me një familje, që ka planet e saj të zhvillimit e që investon me vite për t’i realizuar. “Për shembull, nëse dua të hap një tokë buke, nëse dua të rris disa perime të caktuara apo dua të investon në serra, do varem nga burimet natyrore. Në momentin që vjen një hidrocentral, ai ndryshon komplet ekologjinë e zonës. Do të thotë që të gjitha planet për zhvillim rural të banorëve spostohen. Madje gjithë investimi i tyre shkon dëm”, shpjegon Mahmutaj.

“Këtu fillon përplasja e parë, që një qeveri e përgjegjshme nuk duhet ta lejojë. Pra nuk duhet që për hidrocentralet e vegjël që nuk janë as investime strategjike, të anashkalohen interesat e komunitetit. Nuk duhet të mbrojmë interesat e një biznesi afatshkurtër, por duhet të mbrojë interesat e komunitetit të cilit ai i shërben”, -shton më tej ajo, duke theksuar se “kjo do të sjellë konflikte të herë pas hershme, boshatisje të fshatrave, do sjellë varfëri dhe pakënaqësi të banorëve”. “Në të njëjtën kohë edhe biznesi nuk del me fitim në këto lloj situatash sepse nuk merr mendime nga aktorë të ndryshëm të interesit, do të thotë që ai nuk mund t’i analizojë të gjitha këndvështrimet në planet e tij të biznesit”, -vijon më tej Mahmutaj. Edhe profesori i Fakultetit të Inxhineri-Minierave, në Universitetin e Tiranës, Klodian Skrame thotë që miratimi i këtyre HEC-eve është bërë pa ndonjë studim mbi sedimentet, çka mund të kthehet në një problem për shtetin që do të trashëgojë këto vepra hidroenergjetike pak 35 vitesh, por edhe për vetë investitorët.

“Ne bëmë matjet me profesorët e universiteteve të Trentos dhe Bokut, por ende nuk kemi rezultate. Do jenë rezultatet e këtij studimi që do të tregojnë nëse këto hidrocentrale janë të qëndrueshëm apo janë të rrezikuar nga grumbullimi i sedimenteve”, -thotë Skrame, i cili ishte pjesë e grupit të shkencëtarëve që grumbulluan të dhënat në Shushicë. “Por, deri më tani nuk ekziston një studim i tillë. Madje aty nuk ekziton as matja e prurjeve sepse stacioni që është aty nuk punon. Këto lloj studimesh që bëjmë ne, nuk i kanë bërë as në basene si Vjosa, jo më në degët e saj. Kështu, që ata thjesht ndërtojnë, pa e kuptuar që më pas problematikat i kanë të mëdha me sedimentet”,-përfundon Skrame.

Por teksa banoret, mbrojtësit e mjedisit dhe kërkuesit shkencore apelojnë ruatjen e Vjosës, në të gjithë ujembledhësin e saj, ku bën pjesë edhe Shushica, janë planifikuar të ndërtohen 38 HEC-e, 8 prej të cilëve në degën kryesore të lumit.

What's your reaction?
0Smile0Lol0Wow0Love0Sad0Angry
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Rruga Pjetër Budi, 69

Tiranë, ALBANIA


Telefon: +355 (0) 6 8856 3686
Email: info@acqj.al

Investigative Network Albania

Teksti zyrtar është versioni në shqip i faqes së internetit. Kjo faqe përdor përkthim automatik përmes mjeteve të inteligjencës artificiale. Pavarësisht se ky përkthim është i një cilësie të lartë, rastis që të ketë dhe gabime dhe keqkuptime në kontekstin e produkteve. Duke qenë se është një teknologji e cila përmirësohet me kalimin e kohës, shpresojmë të qendroni me ne ndërkohë që perfeksionojmë këtë shërbim.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.

Copyright © 2023 Giljana Limani.  All Rights Reserved.