Autor: Denis Tahiri
Më 4 automjete zjarrfikëse që u përkasin tri dekadave më parë, për të cilat dokumentacioni tregon se janë vit prodhim nga 1984 e në vijim, Bashkia e Gjirokastrës kishte planifikuar ta përballonte me sukses emergjencën nga zjarret e shkaktuara gjatë verës. Por llogaritë ishin bërë gabim. Në krye të disa orëve disa fshatra dhanë alarmin dhe kur strukturat vendore e humbën fillin, të çoroditur, ushtarë të Forcave të Armatosura shpërndaheshin me shërbime urgjente sa në malet e Vlorës e sa në Gjirokastër. Rajoni po kalonte po ashtu ditë të vështira të ndezura nga temperaturat e larta, por autoritetet vendore të gjendura ngushtë deklaruan se helikopterët e dërguar nga partnerët si mbështetje do ta normalizonin gjendjen. Në Gjirokastër, numri i zjarrfikësve të strukturave vendore rezultoi i paktë për të përballuar vatrat në qytet dhe në pyje. Aq më tepër që prej trupës prej 33 zjarrfikësish, vetëm për dhjetë prej tyre egzistonin uniformat zjarrduruese. Vetëm brenda një dite gjatë fillim gushtit, 700 hektarë u pushtuan nga flakët në këtë zonë, ndërkohë që bilanci u bë tragjik edhe me jetë njerëzish.
Andrea Haxhiaj ndërroi jetë gjatë përpjekjeve për të shpëtuar banesën dhe vreshtat dhe gati dy javë më vonë nga djegiet e rënda në trup nuk u mbijetoi dot plagëve edhe bashkëshortja e të ndjerit, Tatjana. Në kulmin e verës, qytetarë të shumtë në vend përjetuan frikën e tërbimit të zjarrëve që zgjatën me javë dhe që kanosnin dhe kërcënonin në varësi të drejtimit të erës. Për Murat Këraj nga Zhulati i Gjirokastrës të ndesheshe me flakët në pritje të ushtrisë, ishte e vetmja zgjidhje. Zjarrfikëset nuk dukeshin askund. “Në muajin gusht, kishte katër- pesë vatra që shpërthyen pranë vreshtit dhe koshereve të bletëve, fat që isha në shtëpi e nuk isha në Gjirokastër”, me këto fjalë nis e përshkruan betejën Këraj.
Burri nga Zhulati e konsideron veten me fat. “Për një orë, arritëm ta kontrollonim, deri sa erdhi ushtria. Nëse do të kishte dalë jashtë kontrollit mund të kalonte më lart, në pyllin me pisha”, tregon ai duke shtuar se mbasi ushtria e mori situatën në dorë, 6 orët në vazhdim ishin një luftë e njerëzve me mjete rrethanore kundër zjarrit.
“Për një moment u shtrimë barkas sepse pati një nxitje të madhe të flakëve, aty e pashë se sa i rrezikshëm është zjarri”, shpjegon Këraj. Pa shumë njohuri mbi çfarë parashikojnë ligjet, agjencia në Tiranë dhe mjetet që duhet të ishin të gjitha në dispozicion ai gjithsesi sugjeron “Ajo që mund të kishin bërë ishte të linin nga një zjarrfikëse në zonë”, thotë ai. Ai është i bindur se nëse do të kishte patur ndërhyrje të shpejtë nga ajri do të kishte ndihmuar në reduktimin e zjarreve në zonën e Gjirokastrës.
Në zonën e Labërisë, shumë kilometra larg Gjirokastrës, njëri nga të dëmtuarit e zjarreve jeton në fshatin Gjorm. 68-vjeçari gjormjot që nuk pati fatin e Muratit, pa se si ju përvëlua pasuria, vreshtat dhe çdo gjë tjetër me një shpejtësi të frikshme. Fillimisht aty u mblodhën banorët, mandej që në qiell të shfaqeshin helikopterët, gjormjotët vendosën të jepnin alarmin dhe kërkesën për ndihmë përmes medias. Gjatë një dite që i ngjau ferrit, dhjetra banorë të fshatrave Gjorm, Kotë dhe Gumenicë kaluan çaste ankthi për shtëpitë, vreshtat dhe ullishtet, që janë puna e mundi i gjithë jetës së tyre. Sakaq ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi po vlerësonte mundësinë e evakuimit. Edhe në këto male u soll ushtria.
“Mu dogjën 57 rrënjë ullinj, është mundi i shumë viteve që u shkërrmoq brenda orës. Mos të flas pastaj për dëmet në stane, ku një pjesë e madhe e tyre janë dëmtuar”, tregon gjormjoti, duke thënë se e kanë njoftuar për vlerësim dëmesh, por shpresat i ka të vakëta. “Kanë ardhur 7-8 herë, plotësojnë letra, e dy herë nuk i plotësojnë njësoj, një herë thonë ke 35 rrënjë, një herë 45, një herë 55 sa edhe unë vet e kam humbur fillin se sa kam. Thonë që do marrim dëmshpërblim, po deri tani nuk kemi parë gjë”.
Nga katër bashkitë që kaluan emergjencën e zjarreve gjatë verës dhe konkretisht Gjirokastër, Vlorë, Kukës dhe Selenicë, asnjë prej tyre nuk ka ende një bilanc se sa është dëmi ekonomik i shkaktuar nga shkrumbimi i të mbjellave, djegia e bagëtive dhe në pyje.
Nga të dhënat e siguruara nga “Sinjalizo”, raportohet se në Gjirokastër, zjarret dogjen një hapësirë prej 1172.7 hektarësh përgjatë muajve janar – shtator. Në Kukës flakët zotëruan 2043 ha, nga të cilët 1086.3 ha në pyje dhe 957 ha në kullotë, por fatmirësisht nuk pati dëme në jetë njerëzish. Ndërkohë në Vlorë zjarri përshkroi 455 ha, nga të cilat 100 ha ishin pronë e banorëve të këtyre fshtrave. Por flakët ishin këcënuese për ditë të tëra në zonën e Mbrojtur Sazan-Karaburun, ku në mbyllje të emergjencës u tha se 4800 ha u përfshinë nga flakët.
“Nuk kishe se çfarë ti bëje, ne mjete malore nuk kemi, me pompa uji e kazëm e lopatë nuk fiket zjarri. U përpoqëm shumë bashkë me forcat e ushtrisë për mos ta lënë të kalonte në zonën e pyllit të Llogarasë, pasi po të kalonte atje, e vetmja gjë që mbetej të bënim ishte të rrinim të shihnim se si digjej pylli”, shprehet një punonjës i zjarrfikësve të Qarkut të Vlorës.
Përse çdo vit përsëritet historia?
Në Korrik të 2020, Ministrja e Mbrojtjes e kohës, Olta Xhaçka ceremoninë e dhurimit të 1250 uniformave, e shoqëroi me konsideratën se miratimi i ligjit për mbrojtjen civile ishte një revolucion.
“Sot, kur nuk është mbushur ende viti nga fillimi i punës për ngritjen e kësaj strukture kaq të rëndësishme, e them me krenari që ia kemi dalë të ngremë një strukturë vërtet efikase, por ç’është më e rëndësishmja, edhe të pajisur me mjete nga më modernet e profesionalet”, u shpreh zonja Xhaçka. Por më shumë se dy vite pas “revolucionit” të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, evident është fakti se struktura e kësaj agjencie nuk është ngritur ende për qenë funksionale me kapacitet të plotë e jo më tepër të jetë efikase.
Qasja për të patur një agjenci të emergjencave civile nisi në 2017, atëherë kur qeveria kaloi Njësinë e Emergjencës Civile nga Ministria e Brendshme, në Ministrinë e Mbrojtjes. Por investigimi i ACQJ tregon se përpos ndryshimit të zyrave pranë Ministrisë së Mbrojtjes duke e emëruar si Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, transformimi mbetet vetëm në letra. Në inventarin e saj të mjeteve kjo agjenci zotëron vetëm tre automjete për mbështetje të transportit të stafit, që ende nuk është plotësuar.
“Struktura organike e AKMC është plotësuar në masën 55 % ( nga 106 funksione, janë plotësuar 59 pozicione të lira)”, shprehet zyrtarisht AKMC për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore. Vonesat e rekrutimeve shpjegohen me kufizimet e masave anti-COVID (distancimin social).
“Proçesi i plotësimit organik është i lidhur ngushtësisht me proçesin e funksionalizimit (krijimit të mjediseve dhe sigurimit të pajisjeve të punës) i cili është ende në vijim. Gjithashtu, procedurat e rekrutimit kërkojnë 30-45 ditë kohë për t’u realizuar”, thotë ndër të tjera AKMC për “Sinjalizo”. E ndërsa kryeministria ka nxjerrë 3 urdhëra për hartimin e planeve të emergjencave dhe dokumentat e parandalimit të rriskut, ende nuk është bërë asgjë për vlerësimin e riskut të fatkeqësive.
“Përveç Planit Kombëtar të Emergjencave Civile dhe planeve të harmonizuara në nivel qarku dhe lokal, aktualisht janë në proçes hartimi dokumentat strategjikë, si Plani Kombëtar i Emergjencave Civile, Vlerësimi i Riskut nga Fatkeqësitë, Strategjia Kombëtare”, shprehet AKMC, që pretendon të kapë standartet e Mbrojtjes Civile Europiane, pavarësisht se edhe në zjarret e verës 2021 u pa se reagimi dhe ndërhyrjet ishin të improvizuara deri aty sa forcat e armatosura ndërhynë duke shuar zjarret me shkarpa e dhe.
Një verë e vështirë për fermerët
Kjo situatë e reagimit të ngadaltë, që detyroi kreun e KLSH Arben Shehu ti bënte thirrje publike kreut të emergjencave të kthehej në detyrë, solli një auditim për të cilin gjetjet do të bëhen të ditura në fund të vitit. E gjitha kjo erdhi mbasi në zonën e Karaburunit, vatrat e flakëve po përparonin, por ndërhyrja nuk dukej askund. Autoritetet u zgjuan me vonesë.
“Njëri pas tjetrit, me kazma, me lopata, sopatë, me motosharrë me gjithçka, duhet krijuar kordoni që zjarri të mos kaloj më këtej”, kjo ishte një nga porositë e dhëna nga kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, i cili zbriti në terren pothuajse 10 ditë pasi gadishulli i Karaburunit ndodhej nën pushtetin e flakëve. Një helikopter që u përdor për ndërhyrje nga ajri, u konsiderua i pamjaftueshëm.
“Kemi insistuar për katër vite dhe kam kërkuar me forcë edhe kabinetit të kryeministrit që nuk mund të ecet me pragmatizëm se ndodhi një ngjarje dhe ne duhet të çojmë ushtrinë dhe policinë me kazma e lopata, ka ikur koha për ta luftuar fatkeqësinë natyrore me kazma dhe lopata, ishte e turpshme në 2021 të shikoje ushtrinë me kazma e lopata të shkonin të fiknin zjarrin”, shprehet ish-drejtuesi i Emergjencave Civile Shemsi Prençi, i cili thekson se është e nevojshme ngritja e flotës ajrore kostoja e të cilës, kur bën balancën me dëmin që shkakton zjarri, është e vogël.
Për Prençin, vendosja e Emergjencave Civile në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes nuk duhet të ishte bërë.
“Një agjenci në varësi të kryeministrit i jepte më shumë fleksibilitet, më shumë kompetenca për të reaguar me operativitet, edhe me kapacitetet njerëzore dhe teknike që kishte Agjencia por edhe me kapacitetet e ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme”, shton eksperti që kujton ligjin e cunguar dhe faktin që varësia në ministrinë e mbrojtjes e ka militarizuar këtë institucion.
Agjencia që nuk koordinon, mjetet jashtë funksionit
AKMC aktualisht është në rolin e autoritetit koordinues dhe nuk zotëron asnjë mjet ajror apo tokësor për ndërhyrje në situatë emergjente. Sipas ligjit 45/2019 ekzistojnë institucionet dhe strukturat vendore të mbrojtjes civile të cilat kanë përgjegjësi në parandalimin dhe ndërhyrjen në rast fatkeqësish si dhe vlerësim risku. Këto institucione vendore nisin prej Prefektit të Qarkut, Komisioni i mbrojtjes Civile në nivel qarku dhe bashkie, Bashkitë dhe strukturat e decentralizuara të institucioneve dhe të strukturave qëndrore të mbrojtjes civile. Por kapacitetet teknike mungojnë edhe në nivele lokale, mbasi këto struktura vendore nuk kanë kapacitetet e duhura.
Edhe pse nga të dhënat që i përkasin 2020, Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe për Shpëtimin, përshkruan se zotëron 150 automjete zjarrëfikëse dhe 1250 punonjës, nuk ka asnjë fakt se si paraqitet realisht në terren gjendja e tyre dhe a janë apo jo të gjitha mjetet funksionale.
Bledar Bajrami, Kreu i Sindikatës së Zjarrfikësve insiston se ka mungesë të mjeteve për kontrollin e sipërfaqeve pyjore.
“Nuk plotësohet ajo që duhet të jetë,4×4 e vogël, me një sasi uji, me një pompë të thjeshtë, janë në mungesë”, shton specialist i zjarreve që kujton se në 61 bashki, asnjë prej tyre nuk e plotëson numrin e nevojshëm sipas parashikimeve ligjore që kërkojnë zjarrfikës për 1500-2000 banorë. Kjo sjell ripërsëritje të pamjeve ku ushtria ndërhyn duke e fikur zjarrin me shkarpa e lopata. “Nuk fiket pylli as me lopatë, as me çanta shpine. Do mjete ajrore sepse edhe zjarrfikësja nuk të ngjitet në mal dhe me çantat e shpinës do fikësh ato vatra që ngelin, do i rikthehesh prap me trupa me çanta shpine dhe do i fikësh”, thotë Bajrami, sipas të cilit pavarësisht të gjithave edhe flota e automjeteve zjarrëfikëse është e pakolauduar. “Kjo bën që kur të nisesh mos të kesh asnjë lloj garancie. Kanë gjetur disa pika i riparojnë, por kolaudim makinat nuk kanë”, thotë ai.
Megjithatë, Bashkia e Kukësit përmend se Drejtoria e Shërbimit Zjarrfikës të Kukësit me një total numri punonjësish prej 41 zjarrfikësish, 5 prej të cilëve në rol administrate dhe 36 në rol operativ, ka në inventar 3 automjete me një kapacitet prej 8000 L ujë, por të treja këto automjete janë jashtë kushteve teknike, pra jo funksionale. Gjithashtu kjo Bashki zotëron edhe dy automjete, një prej tyre e instaluar në tunelin “Thirrë- Kalimash” dhe një tjetër në stacionin e Kukësit. Të dyja këto mjete kanë një kapacitet prej 4000 L ujë. E gjithë kjo infrastukturë konsiderohet e pamjaftueshme për të mbajtur nën kontroll terrenin malor të Kukësit, edhe pse përmenden si pajisje edhe moto-sharra, guri-fresibël, barabane- rrymë, kazma, lopata, vare, sopata, dhe çanta shpine me kapacitet 20L ujë.
Të dhënat janë pesimiste edhe për bashkinë e Vlorës që u dorëzua për neutralizimin e zjarreve. Numërohet një mjet zjarrfikës vit prodhimi 2012 dhe tre mjete Iveco. Me 30 zjarrfikës në staf edhe ata nuk janë të pajisur të gjithë me veshjet zjarrduruese që u përkasin disa viteve më parë.
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore pyeti Ministrinë e Mbrojtes në lidhje me angazhimin e flotës ajrore të këtij institucioni në situatën e emergjencës së krijuar nga zjarret. Por që prej datës 28/09/2021 në të gjitha kanalet e komunikimit, prej e-mailit zyrar, telefonatave e deri te zyra e marrëdhënieve për mediat, nuk pati asnjë përgjigje deri në momentet e botimit të këtij artikulli.