Autor: Klevis Paloka
Gotulla mund të ishte një destinacion turistik. E ka marrë këtë emërtim, për shkak se kështu përshkruhet ndryshe në gjuhën shqipe, perimetri i një gjiri pranë grykës së një lumi. Por kjo zonë e bekuar nga distanca e afërt me vijën bregdetare, njëherazi është e mallkuar nga vërshimet e mbetjeve që sillen gjatë rrugëtimit të lumit Ishëm, njohur ndryshe si Lumi i Tiranës. Derisa derdhet në Adriatik, lumi degëzohet duke marrë përpara por edhe duke lënë gjurmë inertesh, plehrash e mbeturinash që janë kthyer në një tmerr dhe që përditë e më tepër janë një betejë e humbur. Gati 40 kilometra nga Tirana, Gotulla e Kurbinit gjendet pranë grykëderdhjes së lumit Ishëm. Pirgjet me plehra janë kthyer në pamjen e pandryshueshme të zonës.
Vetëm 1 kilometër nga grykëderdhja, ngrihet ndërtesa e impiantit të pastrimit të Ishmit që nëpërmjet barrierave duhet të ndalonte depërtimin e mbetjeve të të gjitha natyrave. Për të mbërritur atje, rruga është e vështirë. Menjëherë pasi lë aksin kryesor dhe merr krahun drejt fshatit Gotull, aty fillon së bashku me rrugën me kalldrëm dhe vështirësia që vende-vende kthehet në një “mision” lutjesh për të mos ngecur midis gropave. I njëjti test vazhdon derisa mbërrihet pranë impantit që u ndërtua 4 vite më parë. Porta është e mbyllur, ndërsa era e rëndë e lumit prej ndotjes nuk të lejon të qëndrosh shumë gjatë aty. Fshati i Gotullës duket si i shkretuar, shumë banorë ose janë shpërngulur drejt qytetit ose kanë emigruar. Si banorë të fshatit janë vetëm mosha e tretë.
Një prej këtyre është edhe 76-vjeçari, Gjoni i cili e ka shtëpinë afër grykëderdhjes së lumit Ishëm në fshatin e Gotullës. Gjoni i cili tani merret vetëm me bujqësi, por që të ardhurat më të mëdha ia sigurojnë fëmijët që ka në emigrim, na rrëfen sesi e kujton këtë lumë përpara viteve 90, dhe ndryshimin që ka përjetuar duke u kthyer në një nga më të ndoturit në vend.
“Përpara viteve 90, ne këtë lum e përdornim për të pirë ujë, për të larë rrobat e shtëpisë, madje laheshim edhe vetë, por tani nuk mund ti kalosh as afër, e jo më të hysh brenda, pasi mund të marrësh ndonjë infeksion shumë të rëndë prej ndotjes, madje tani as bagëtitë nuk i dërgojmë për të pirë ujë aty. Me prishjen e sistemit, filluan të vinin edhe mbeturinat e para, ndërsa tani shërben si kosh mbeturinash për të gjithë Tiranën, Krujën dhe Kurbinin”, kujton i moshuari.
“Duke qënë se jemi të vjetër, ne tani nuk mund të lëvizim drejt qytetit pasi edhe jemi mësuar me këtë jetesë, por tani prej hallit jemi ambientuar edhe me erën e rëndë dhe mbeturinat që pluskojnë dhe që vijnë nga Tirana. Gjendja bëhet edhe më e rëndë gjatë dimrit ku për shkak të daljes nga shtrati të lumit, tokat tona mbushen me mbeturina nga më të ndryshmet, dhe për shkak të këtyre mbeturinave dhe ndotjeve që vijnë është e pamundur që të kultivosh diçka aty”, e mbyll rrëfimin Gjoni.
Edhe për kryeplakun e fshatit Adriatik, 61-vjeçarin Pjetër Preni, mbetjet që sillen nga vërshimet e Ishmit janë shumë të dëmshme. Pa përmendur pjesën e shkatërrimit të plazhit të Gotullës.
“Mbetjet që vijnë nga Lumi i Ishmit janë shumë problematikë e madhe për gjithë zonën përgjatë lumit, sa më afër të jesh, aq më e rëndë është era që të mbyt. Ne e kemi të pamundur të shkojmë në pyllin e Gotullës, prej erës së rëndë, gjithashtu edhe plazh nuk mund të bëjmë më, për shkak të mbeturinave të mëdha që pluskojnë në det, por edhe gjatë bregdetit. Ne tani detyrohemi të shkojmë për të bërë plazh në një zonë tjetër, kur fare mirë mund të bënim plazhin aty, zona mund të shërbente edhe për turizëm dhe mund ti jepte edhe një përfitim ekonomik zonës tonë. Përpara viteve 90, ne nuk kishim nevojë të shkonim në një plazh tjetër, madje vinin nga Tirana për të bërë plazh në këtë zonë për shkak të rërës dhe plazhit të bukur”, rrëfen 61-vjeçari.
Impianti që nuk zgjidhi asgjë
Megjithatë përtej rrëfimeve të banorëve negociatat për ta zgjidhur situatën nisën pesë vite më parë. Impianti u pa si çelësi që duhet të hapte valën e pastrimit. Në vitin 2017, gjatë inaugurimit të tij, ministri i turizmit dhe mjedisit të asaj kohe, Blendi Klosi, e cilësonte si një investim të madh.
“Më vjen shumë mirë që shteti reagoi, shteti vuri dorë në një nga gangrenat më të mëdha turistike të vendit tonë, të krijuar nga vetë njerëzit. Edhe pse jemi në vitin 2017, edhe pse pretendojmë që të kemi një turizëm të zhvilluar, ish- njësitë e pushtetit vendor vazhdojnë të derdhin mbetjet urbane në lumenjtë e Shqipërisë. Prandaj ka ardhur koha që ne të reagojmë të gjithë së bashku ka ardhur koha që të bëjmë atë që njerëzit presin nga ne; të mendojmë sesi duhet të zgjidhim nëpërmjet investimeve si ky i sotmi apo nëpërmjet mekanizmave të tjerë, një problem kaq të madh që është ndotja e mjedisit në vendin tonë”, shprehej Blendi Klosi, i bindur se përpos denoncimit ndaj pushtetit lokal më në fund diçka po zgjidhej.
Nga të dhënat e Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, ky projekt rezulton se së bashku me rikualifikimin e vijës bregdetare të Gotullës kushtoi 202 milionë lekë.
“Subjekti fitues për ndërtimin e Impiantit të pastrimit të grykëderdhjes së lumit Ishëm dhe rikualifikimin e vijës bregdetare të Gotullës është “Integrated Technology Services”. Vlera totale e kontratës është 202 603 181 (dyqind e dy milion e gjashtëqind e tre mijë e njëqind e tetëdhjetë e një) lekë pa TVSH. Fillimi i punimeve në bazë të proçesverbalit të fillimit të punimeve është me 6 Prill 2017 dhe data e përfundimit të punimeve është më 4 Dhjetor 2017”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.
ACQJ u interesua edhe për shpenzimet që janë kryer nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për mirëmbajtjen e këtij impianti, por që prej datës 28 shtator e deri tani nuk ka pasur asnjë përgjigje për këtë çështje.
Sipas një auditi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ky investim është rritur artificialisht me 8.2 milionë lekë.
“Si rrjedhojë e rritjes artificiale të fondit limit në shumën prej 8,256,000 lekë dhe ofertës së paraqitur nga shoqëria ITS sh.p.k në vlerën prej 202,603,181 lekë, rezulton dëm ekonomik dhe përfitim i padrejtë nga shoqëria në vlerën prej 3,153,288 lekë me tvsh”, theksohet në auditin e KLSH-së.
Çfarë ndodhi pas ndërtimit të impiantit?
Sistemi i mbledhjes dhe kapjes së mbetjeve pluskuese në grykëderdhjen e Ishmit është i përbërë nga 3 barriera. Barriera e parë është e përbërë nga kavo çeliku, e cila duhet të kapë mbetjet e rënda – trungje pemësh, ndonjë kafshë të ngordhur që mund të sjellë lumi ose degë të ndryshme, kurse barriera e dytë dhe e tretë – të përbëra prej materiali pneumatik, shërbejnë për kapjen e mbetjeve pluskuese.
Nga monitorimi i bërë në vendngjarje nga “Sinjalizo”, mbas denoncimit të disa banorëve pranë platformës, rezulton se ky impiant ka dalë pothuajse jashtë funksionit. Vetëm dy barrierat e para funksionojnë, ndërsa barriera e tretë ka dalë jashtë funksionit së bashku me transporterin, ku ka filluar të mbijnë shkurret dhe ferrat.
Dicka e tillë e konstatuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, u pranua pas studimit të masterplanit të përpiluar shtatorin e 2020. Që impianti ishte hequr nga shanset për të shpëtuar Gotullën pranohet vetëm me një frazë, por pas të cilës nuk ka asnjë plan konkret se si do veprohet në vazhdim.
“Pika e ndërtuar që supozohet të realizojë kapjen e tyre nuk është funksionale”, thuhet në vlerësimin strategjik mjedisor për hartimin e planit të detajuar të zonës së rëndësisë kombëtare të Grykëderdhjes së Ishmit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.
Ndërsa sipas ekspertit për Menaxhimin e Mbeturinave edhe Ekonomine Qarkore, Lulzim Baumann i cili ka trajtuar çështjen e lumit të Ishmit, kjo nuk ishte një zgjidhje e duhur edhe e saktë. Gjithë problematika që nënvizon eksperti lidhet me raportin e zhdrejtë midis sasirave të mëdha të mbeturinave që derdhen në det dhe kapaciteteve të impiantit që me pak fjalë konsiderohet prej tij si “dështim”.
“Jo nuk është zgjidhja e vetme, por nuk futet fare si zgjidhje, por as si alternativë nuk mund të futet. Sepse së pari është e pamundur që të funksionojë për arsye të sasisë shumë të madhe që dërgon lumi i Ishmit në detin Adriatik, llogaritet një peshë deri tek 500 mijë tonë mbeturina, që është një peshë tejët e rëndë për ta përballuar barriera të tilla. Së dyti niveli i lumit Ishëm nuk është i njëjtë si me lumenjtë e tjerë që mund të përdoren barriera të tilla, sepse rritet jashtëzakonisht shumë dhe niveli i lumit, shkon deri në 10 metra mbi nivelin e tokës. Të paktën në disa zona, edhe është e pamundur që barriera ta përballojë një nivel të tillë, sidomos gjatë përmbytjeve apo sasisë tepër të lartë të mbeturinave. Mos të harrojmë që ka shumë pemë përgjatë lumit të Ishmit dhe trungje pemësh të mëdha që shkojne me dhjetra tona dhe janë të pamundura që të ndalohen nga barriera të tilla. Investimi i qeverisë dihej që është një dështim. Çështja e barrierave, nuk e di kush ua ka këshilluar, por ka qënë që në fillim një kritikë shumë e madhe për një investim kot, pa asnjë lloj llogjike dhe e sigurt që nuk do funksiononte dhe nuk ka funksionuar asnjëherë”, thotë Baumann.
Gjithashtu edhe për kryeplakun Preni, institucionet përkatëse duhet të gjejnë një tjetër rrugë për të ndërhyrë dhe për të parandaluar një masakër të tillë që e ka kthyer zonën në një shkretëtirë me plehra.
“Impiantin e pastrimit të grykëderdhjes nuk e shikoj si një zgjidhje të duhur, as nuk e di pse është vendosur pasi e ka të pamundur që të përballojë fluksin e mbeturinave që vjen nga Tirana. Duhet një zgjidhje më e mirë, të vihet një impiant përpunimi i mbeturinave dhe ujërave të zeza. Edhe pastrimi që iu bë plazhit, ishte vetëm një zgjidhje disa mujore, pasi aty është e pamundur që të bëhet plazh, pasi sërish bregdeti i Gotullës është tejmbushur me mbeturina”, shprehet kryeplaku Preni.
Sipas ekspertit, zgjidhja e ndotjes së lumit të Ishmit, duhet të jetë aty ku fillon lumi, jo në grykëderdhje të saj, pasi është e pamundur që ta rregullosh vetëm me dy barriera, ndërsa vë theksin edhe tek ujërat e zeza. Gjithë zgjidhja sipas kryeplakut të Gotullës duhet të nisë së pari me identifikimin e vendeve të ndotura e më pas minimizimin e prurjeve përgjatë shtratit të lumit.
“Problemi i Ishmit është shumë madhor sepse ka problem jashtëzakonisht të madh edhe ujërat e zeza, domethënë gjithë banorët që jetojnë përgjatë lumit të Ishmit nuk kanë asnjë lloj trajtimi të ujërave të zeza. Ndërsa sa i përket zgjidhjes së problemit të mbeturinave, zgjidhja është shumë e thjeshtë. Të paktën vetëm për qarkun e Tiranës, ku unë kam identifikuar 100 hotspot-e dhe të gjitha instancat shtetërore mjaftojnë ti pastrojnë këto hotspot-e mbeturinash që hidhen aty prej vitesh, në të cilat mungojnë koshat apo kontejnerët e mbeturinave dhe kështu mund të bëhet dhe mund të jetë një zgjidhje goxha e qëndrueshme për ta mbrojtur lumin e Ishmit. Domethënë ndalimi i hedhjes së mbeturinave në lumë nuk është ndonjë shkencë e madhe. Problemi i ndotjes së lumit të Ishmit nuk nis në grykëderdhjen e tij, por nis që në Tiranë, kështu që zgjidhja duhet të jetë që në fillim, sepse në grykëderdhje është e pamundur ta parandalosh për shkak edhe të mbeturinave që ky lumë mbledh gjatë gjithë shtratit të tij”, e mbyll eksperti për menaxhimin e mbeturinave.
Nga ana tjetër, sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), 370 mijë banorë ose 13.1 % e popullatës në Shqipëri nuk mbulohen me shërbime komunitare për menaxhimin e mbetjeve urbane.
Edhe kur këto shërbime ekzistojnë, mbetjet shpesh depozitohen në vendgrumbullime të pamenaxhuara afër shtretërve të lumenjve.
Mosfunksionimin e këtyre barrierave e faktojnë edhe fushatat e kryera nga organizata “Enforce – Engineers for Climate and Environment”, për pastrimin e grykëderdhjes së lumit të Ishmit, ku vetëm në fushatën e kryer në majin e këtij viti, ata arritën të mblidhnin një sasi të madhe mbeturinash, jo vetëm në grykëderdhjen e lumit, por edhe në vijën bregdetare të Gotullës.
Nga një vëzhgim i bërë nga “Sinjalizo”, një organizatë ndërkombëtare e quajtur “The Ocean Clean Up”, që merret me monitorimin për ndotjen e lumenjve në të gjithë botën e liston lumin e Ishmit si lumin e tretë më të ndotur në Europë. Përpara këtij lumi rënditen vetëm dy lumenj në Turqi, të cilët edhe për nga madhësia dhe gjatësia janë disa herë me të mëdhenj se Ishmi. Sipas kësaj organizate nga lumi i Ishmit depozitohen në detin Adriatik, 503.600 kg mbeturina në vit.
Ky monitorim i cili mat në kohë reale derdhjen e mbeturinave në dete nga lumenjtë e ndryshëm tregon edhe njëherë se barrierat e vendosura në vitin 2017, nuk e kanë kapacitetin për të përballuar një peshë kaq të madhe të mbeturinave.
ACQJ kontaktoi me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për ti kërkuar një reagim për mosfunksionimin e impiantit, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk pati asnjë koment.
Gjithashtu “SINJALIZO” kontaktoi edhe me Agjencinë Kombëtare të Mjedisit për ti pyetur në lidhje me vendosjen e masave administrative prë ndotjen, por nuk patëm asnjë reagim.