Autor: Merxhan Daci
Gjithçka kishte Prena Buraku u shkatërrua sa hap e mbyll sytë një mbasdite qershori. 250 krerë bagëti të imta u shkrumbuan nga një rrufe e fuqishme aty ku familja kishte ngritur stanin në fshatin Zaj, njësia Selitë e Mirditës. Fati ishte me çobanin i cili fatmirësisht shpëtoi. Por bagëtitë e imëta, dele, dhi, keca e shqerra që ishin në pronësi të familjes Buraku ngordhën të gjitha. Kjo ishte një ngjarje që goditi ekoniminë e Prenës, Kolit bashkëshortit dhe Klintonit, djalit të tyre.
Muajt rrodhën në kushte të vështira dhe siç thotë Klintoni për “Sinjalizo” me ta, më tepër u solidarizuan njerëzit e thjeshtë sesa shteti. Dëmi ekonomik i familjes Buraku llogaritet mesatarisht 20 milionë lekë të vjetra. Klintoni, djali 27 vjeçar i familjes shprehet se familja po përpiqet të rrisë nga e para tufën e bagëtive, por tashmë është shumë e vështirë pasi duhet tja nisin nga pika zero.
“Me qen’ të pa regjistrume kishte than’ përse nuk i ke regjistru, kur i ke të gjitha letrat në rregull thotë nuk e parashikon ligji”, ankohet për “Sinjalizo” Klinton Buraku.
Nga mali në fushë, fermerët “qajnë hallet”, po bëhen gati të mbyllin serat
Gentian Ziu është një fermer 41 vjeçar në zonën e Kutallisë në Berat. Prej 12 vitesh që merret me bujqësi, ai tregon për “Sinjalizo” se kjo është hera e parë në kaq vite që ndihet i rrënuar dhe gati për tu vënë drynin serave të tij prej disa hektarësh. Arsyet janë të ndryshme, por vitet e fundit ai është dëmtuar sistematikisht nga moti i keq.
“Pata vjet dëm si nga temperaturat e larta, ku më vajti dëm 1 dylym domate ozgan, ashtu edhe nga i ftohti dhe ngricat, ku vjet në dhjetor 1 dylym me perime u prish. Kam pasur po ashtu problem me përmbytjet, sidomos këto 2-3 vitet e fundit njëherë jam dëmtuar shumë, bujqësia ka marrë tatëpjetën”, tha Ziu.
I pyetur nëse i është ofruar përkrahje apo dëmshpërbim nga shteti ai përgjigjet shkurt “asgjë”.
Ziu shton se sikur të mos mjaftonte, në bujqësi ka probleme të tjera si farat, inputet që nuk janë në cilësinë e duhur, pesticidet kontrabandë, pikat e grumbullimeve që nuk kontrollohen nga shteti e shumë të tjera.
“Kjo punë do marrë fund. 97 përqind e lekëve që kemi marrë për investime në bujqësi janë të marra borxh, me kredi. Nuk ka një fermer të lumtur. Nuk do investoj më. Farmacitë bujqësore janë zhytur në borxhe nga fermerët”, thotë me trishtim Ziu.
Nikolin Çela, 34 vjeç është një fermer i ri në fshatin Samaticë në Berat. Ai ka prej disa vitesh që është kthyer nga Greqia ku punonte si emigrant. Ai u kthye në Shqipëri me idenë për të investuar në bujqësi dhe për të marrë mbrapsht mundin e tij. Megjithatë nuk shkoi si ai e kishte menduar në fillim. Dëmet që ai ka pasur vitet e fundit në bujqësi janë të pallogaritshme.
“Pata gjashtë dynym sera te përmbytura në dhjetorin që iku. Tre dynym ishin me trangull, pjesa tjetër me jonxhë e grurë. Doli lumi Osum nga shtrati dhe i përmbyti”, tregon ai.
Ai tregon me dhimbje për “Sinjalizo” se nuk ka marrë asnjë lekë dëmshpërblim apo formë tjetër mbështetje nga shteti shqiptar.
“Nuk kam marrë asnjë gjë, i kam bërë letrat, nuk marrë asgjë, i kam paguar taksat. Erdha me 40 mijë euro të prura nga Greqia, tani jam futur borxh te njerëzit e mi. Kam 1 hektarë sera. Tentova për kredi dhe nuk ma dilte leverdia. Nuk ja vlen ta mrrësh. Do iki prapë në emigrim. Që nga viti 2000 kam pasur sera. Edhe para 4 vjetësh u përmbyta. Nuk mora asnjë lekë. Do largohemi, ka vajtur atje ku smban më”, tregon Çela për “Sinjalizo”.
Shifrat e vetëm dy viteve të fundit flasin për bilanc katastrofe
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural flasin për qindra hektarë të përmbytur nga uji, episode zjarresh, breshëri, rrëshkitje dheu e shumë fenomene të tjera.
Në zonën e Korçës, ka patur problematika me erën e fortë dhe shiun, janë rrëzuar diku tek 11 mijë rrënjë pemësh frutore kryesisht mollë, kumbulla etj. Ndërsa në pemëtoret e tjera ka rënie 20-25% të prodhimit në tokë. Zona më e dëmtuar nga këto fatkeqësi natyrore ka qenë zona e Devollit. Si rezultat i reshjeve të shiut dhe të erës së fortë në qarkun e Korçës, ka patur probleme me prodhimin kryesisht në mollë, në disa parcela janë shkulur edhe pemët dhe sistemi mbështetës i pemtorëve. Ka patur dëme të tjera nga zjarrvënie të qëllimshme ende të pa zbardhura.
Në qarkun e Shkodrës, përgjatë janarit dhe shkurtit të vitit 2021 ka pasur 3890 hektarë toka të përmbytura. Ndërkaq breshëri i fortë i majit të vitit 2021 shkaktoi dëme të mëdha në 203 hektarë në Gur të Zi, mbjellë kryesisht me jonxhë, misër, perime dhe duhan. Sikur të mos mjaftonte, në korrik dhe gusht të të njëjtit vit 17 hektarë ullishte dhe 1 hektarë e gjysmë me bimë mjekësore u dogjën nga zjarret.
Edhe në qarkun Lezhë dëmet nuk munguan. Përgjatë dy viteve të fundit mbi 3 mijë hektarë të mbjella me kultura të ndryshme bujqësore u përmbytën.
Edhe në qarqet e Tiranës, Durrësit, Dibrës pati mijëra hektarë me kultura bujqësore të përmbytura ku kryesuan dëmet në ullishte.
Në zonën e Myzeqesë, hambarit të bujqësisë dhe ekonomisë shqiptare, përgjatë dy viteve të fundit ka pasur mbi 31 mijë rrënjë ullinj të dëmtuar nga fenomene të tilla si zjarri dhe përmbytjet. Sipërfaqe të tëra me grurë dhe foragjere po ashtu u dëmtuan dhe u shkatërruan në këtë zonë për të njëjtën periudhë.
Sigurimi i fermerëve dhe pronave të tyre, askush nuk merr përsipër të sigurojë “tekat” e motit
Një nga arsyet kryesore se pse fermerët shqiptarë janë të ekspozuar ndaj dëmit të madh ekonomik në bujqësi është mungesa e sigurimeve në bujqësi. Aktualisht, sigurimi në bujqësi pothuajse nuk ekziston.
Raporti i Bankës Botërore, “Vlerësimi i financimit të dëmeve nga katastrofat në Shqipëri” vëren se sigurimi i pronës nga katastrofat natyrore është domosdoshmëri pasi Shqipëria është një vend i rrezikuar nga këto ngjarje, që dëmtojnë të ardhurat e pushtetit lokal dhe ekonominë e vendit në tërësi.
Fermeri nga Berati, tregon ndër të tjera për “Sinjalizo” se pothuajse asnjë fermer nuk ka të siguruara pronat bujqësore, përfshirë edhe ai vetë.
“Nuk i mbulon asnjë kompani, nuk ka stabilitet tregu. Asnjë nuk funksionon me sigurim. Kështu thonë kompanitë e sigurimeve”, thotë Ziu.
Edhe Nikolini, fermeri 34 vjeçar nga Berati nuk ka asgjë të siguruar nga pronat e tij në bujqësi.
“Nuk kam të siguruar asgjë. Fryn një erë dhe i merr. Një i ftohtë, një i nxehtë ekstrem. Nuk ka sigurime, në Greqi nga vij unë ka sigurime për shëmbull”, tha ai.
Gjok Vuksani, ekspert i bujqësisë i tha “Sinjalizo” se sigurimi në bujqësi është jo vetëm i nevojshëm por i domosdoshëm në një vend si Shqipëria.
“Për minimizimin e dëmeve në bujqësi duhet të futet gjerësisht sistemi i sigurimit për serat, pemët frutore dhe kafshët dhe prodhimin bujqësor. Shteti mund të subvencionojë deri ne 50% të primit të sigurimit për fermerin”, tha Vuksani.
Ervin Resulaj, po ashtu ekspert i bujqësisë, në zonën e Fierit dhe Lushnjës, pohon po ashtu mosinteresimin e kompanive të sigurimeve për tu afruar te fermerët.
“Një kompani sigurimesh shqiptare nuk e ka garancinë në bujqësi, serat janë struktura të dëmtueshme. Vetë kompanitë nuk janë të interesuara. Probabiliteti për fatkeqësi natyrore është i madh, ndaj rrinë larg”, tha Resulaj.
Ministria e Bujqësië dhe e Zhvillimit Rural në një përgjigjë zyrtare për “Sinjalizo” konfirmon mosekzistencën e sigurimeve në sektorin e bujqësisë.
“Sigurimet në bujqësi, janë një proces i rëndësishëm dhe i vështirë. MBZHR do të krijojë kushte lehtësuese për hartimin e masave mbështetëse për fermerët, si dhe rritjen e kreditimit në bujqësi”, tha MBZHR.
Sa e ndikuar është dhe do të jetë Shqipëria dhe sektori i bujqësisë nga ndryshimet klimaterike?
E ekspozuar ndaj rreziqeve të ndryshme natyrore, në veçanti përmbytjeve dhe tërmeteve, Shqipëria ka nivelin më të lartë të rrezikut nga fatkeqësitë në Evropë sipas Indeksit të Riskut Botëror 2019.
Sipas Bankës Botërore, gjatë periudhës 1995–2015, mesatarisht 30 mijë njerëz u prekën çdo vit nga fatkeqësitë natyrore dhe më shumë se 95 për qind e bashkive shqiptare u prekën nga të paktën një fatkeqësi.
Kostoja ekonomike e fatkeqësive mund të rritet më tej. Ndryshimet klimatike mund të rrisin më tej ashpërsinë ose shpeshtësinë e fatkeqësive të lidhura me motin, të tilla si përmbytjet dhe stuhitë.
Shqipëria është e rrezikuar nga ndryshimet klimaterike si pasojë e ekspozimit të madh ndaj temperaturave ekstreme thatësira, valët e të nxehtit, përmbytjet etj.
Skenari klimaterik i së ardhmes për Shqipërinë parashikon ndryshime, të tilla si: rritje e temperaturave, thatësira të tejzgjatura, rritje të rrezikut të shkarjeve të dheut nga përmbytjet dhe zjarret, zvogëlim i reshjeve dhe reduktim i resurseve ujore dhe të tokës bujqësore me ndikime negative mbi bujqësinë, pyjet dhe biodiversitetin.
Ndikimet e ndryshimeve klimaterike në sektorin e bujqësisë priten të jenë të kombinuara – me rritje të prodhimit të grurit dhe jonxhës dhe zvogëlim të prodhimit të rrushit, ullinjve dhe blegtorisë. Shteti shqiptar thotë se Shqipëria i është përgjigjur nevojave për mbrojtje dhe përshtatje ndaj këtij fenomeni përmes Strategjisë Kombëtare për Ndryshimet Klimaterike.
Megjithatë, Evans Rroko, profesor në Universitetin Bujqësor të Tiranës thotë se shteti ka shumë në dorë për këtë çështje dhe duhet të bëjë më shumë.
“Shteti, Ministria e Bujqësisë duhet të marrë përsipër kryerjen e investimeve të rëndësishme, si p.sh. për ujitjen apo kullimi e tokave. Është e domosdoshme të forcohet ndjeshëm sistemi i këshillimit për fermerët, si dhe të gjenden rrugë sa më efektive për të përçuar te secili prej tyre informacionin e nevojshëm për ndryshimet klimatike që po ndodhin, për pasojat që do të ketë në rritjen dhe zhvillimin e bimëve, por edhe në jetën e kafshëve, si dhe për masat që secili prej tyre duhet të marrë për përballimin e këtyre pasojave”.
Eksperti Gjok Vuksani shkon më tej teksa thotë se bashkitë duhet të punësojnë specialistët më të mirë të bujqësisë në njësitë administrative (agronom, veteriner) që të këshillojnë fermerin për strukturën e mbjelljes, trajtimet ndaj sëmundjeve, shëndetin e kafshëve etj.
Mbështetja për bujqësinë
Eksperti i bujqësisë Gjok Vuksani thotë për “Sinjalizo” se mbështetja për bujqësinë është e pamjaftueshme.
“Bujqësia jep afërsisht 20% të GDP dhe rreth 42% e fuqisë punëtore janë të okupura në këtë fushë. Prandaj duhet të rritet buxheti për bujqësinë. Për vitin 2022 janë dhënë rreth 2% më pak buxhet në këtë fushë. Pra mbështetja për bujqësinë është e pamjaftushme”, tha ai.
Eksperti Resulaj, nga ana tjetër shton se bujqësia në Shqipëri, ndryshe edhe sa në Kosovë nuk mbështetet sa duhet.
“Bujqësia është halli i 30 viteve, nuk ka qenë në vëmëndje. Ka probleme me sistemin e ujitjes, kullimit. Dikur kur kishte dëm në bujqësi fermeri zhdëmtohej në një lloj mënyre. Tani nuk të suporton njeri pavarësisht se dëmi vjen nga forcat madhore. Te ngricat e fundit në sera nuk vajti njeri ti shikonte, qoftë me një proçesverbal sa për statistikë. Kemi drejtori bujqësie por ata marrin rrogën kot. Shteti duhet të ketë një fond rezervë që ta përdorë për bujqësinë në rast se fermerët kanë dëme”, tha ai.